Vështrim për librin «Këngë e lot» të poetit Fadil H. Curri

0
633

Zymer Mehani

Ribotimi i përmbledhjes poetike, “Këngë e lot” të autorit Fadil H. Curri është një vazhdimësi e mbarë e vlerave letrare kombëtare. Lajtmotiv i poezive të këtij vëllimi është qëndresa shumëshekullore e shqiptarëve për atdhe, ku autorin e preokupon sakrifica e popullit tonë për liri. Pa dyshim se çdo varg i këtyre poezive përshkohet nga një frymë atdhedashurie që nga lashtësia e deri më sot për atdhe dhe komb, që poeti i këndon bukur në vargjet e tij.

Shpirti krijues i poetit Curri për t’i dhënë dritë vuajtjeve, represioneve të armiqve mbi popullin e tij, por edhe gjallërimi i peisazheve të bukura të atdheut është brumosur me motivin e atdhedashurisë, dhe si të tilla i takojmë pothuajse në çdo varg e poezi të vëllimit në fjalë.

Poeti i shquar, Fadil H. Curri, përmes poezisë shtjellon tema të mëdha, të menduara mirë, duke filluar me poezinë e parë, “Nën qiellin e hapur” e duke e ngulitur dhe sforcuar mesazhin e qartë atdhetar të gërshetuar në motivet e përmbledhjes me mendimin intelektual, gjithnjë në tabanin kombëtar. Prandaj autori Curri kësisoj ka krijuar kështu një opus xhevahiresh poetike në letërsinë për fëmijë te ne.

Krijuesi Fadil H. Curri na jep tablo të qarta edhe për fatin e popullit të tij. Kjo vërehet sidomos në poezinë: “Populli im”, në vargjet e së cilës hetohet fakti se krijimtaria letrare e autorit brumoset me dellin frymëzuez për qëndresën heroike të popullit shqiptar, si dhe për ruajtjen e atdheut gjatë shekujsh të gjatë.

E tërë kjo tematikë e trajtuar në vargjet poetike të kësaj përmbledhjeje e fuqizon shprehjen artistike dhe letrare të poetit Curri. Kësofare vërehet se krijuesit të vërtetë, siç është z. Fadil H. Curri asnjëherë nuk i ndalet vrulli, kjo dëshmohet me faktin se në të gjitha poezitë e tij vërehet freskia e motiveve dhe e temave atdhetare të trajtuara në përmbledhjen «Këngë e lot».

Poeti Fadil H. Curri me këtë libër të ribotuar po rishfaqet para opinionit artdashës në mënyrë shumë të suksesshme, ku dëshmohet lartësia e dhuntisë së tij krijuese prej një arti të mirëfilltë letrar.

Sa për ilustrim po e marrim edhe poezinë “Mbi qiellin tënd, Evropë”, ku qartë shihet arti modern i autorit, me anë të të cilit lexuesit mund të marrin ide të të qenit evropianë edhe të shqiptarëve.

Autorit Fadil H. Curri i uroj suksese të reja edhe në të ardhmen, në krijimtarinë letrare!
Respekt të veçantë për autorin dhe për lexuesit!