VËSHTRIM PËR LIBRIN “JETË E BUJSHME …” TË BEHXHET Z. ZEQIRIT

0
440

Behxhet Z. Zeqiri “Jetë e bujshme …”, SHB “Lena” – Prishtinë, 2018

Milazim F. KADRIU

Nisur nga vetë titulli i librit “Jetë e bujshme …” shohim se kemi të bëjmë me një jetë me plotë ngjarje të përjetuara nga autori dhe jo vetëm nga ai.

Ndonëse autori fletë për jetën e tij nëpër të cilën ka kaluar, ai lexuesit i sjell një varg ngjarjesh të përjetuara dhe po ashtu gërshetohen ngjarje dhe personazhe tjera të shumta.

Autori librin e ka konceptuar ne tri pjesë, ku në pjesën e parë pas një njoftimi për prejardhjen e familjes, flet për jetën dhe veprimtarinë e tij e jo vetëm të tij që nga lindja e tij e deri ne vitet e 90-ta. Ndërsa në pjesën e dytë e sjell ditari e tij të luftës së fundit duke filluar nga 24 dhjetori 1998 e deri në çlirimin e vendit. Ndërkaq në pjesën e tretë autori sjell disa krijime letrare të autorit si dhe një album me foto të ndryshme familjare dhe nga aktiviteti i autorit ndër vite.

Çdo lexues i librit “Jetë e bujshme …” të autorit Behxhet Zeqiri gjen diçka nga jeta e tij e sidomos lexuesit që kanë jetuar dhe vepruar në atë kohë dhe në atë rreth ku jetoi dhe veproi autori.

Libri nis me një njoftim për prejardhjen e familjes së autorit ku sipas tij të parët e tyre erdhën nga Mirdita në Shalë të Drenicës e për të ardhur pastaj në Gollak, përkatësisht në Orllan. Nga kjo familje e ardhur aso kohe në këtë mes tani janë shtatë fshatra të Gollakut të fisit Shalë.

Autori flet për vuajtjet e të parëve të tij që asokohe ishin vuajtje pothuajse të tërë popullatës shqiptare në këto anë ngase okupatorët ndërroheshin herë njëri e herë tjetri e për shqiptarët secili ishte më i zi se tjetri.

Më tej autori flet për jetën e tij që nga lindja (1946) dhe fëmijërinë e tij shumë të rëndë. Pastaj për fillimin e shkollimit të tij me një vonesë prej tri vitesh. Fletë për mësuesit, nxënësit, shkollën, aktivitetin e tij në shkollë në organizatën e rinisë. Ai nuk harron që tu falënderohet edhe atyre që e ndihmuan gjatë shkollimit ku si nxënës i mundësuan që gjatë pushimeve verore të punojë në Kooperativën bujqësore dhe në komunën e Orllanit. Me mjetet që aty i merrte ai i siguronte mjetet dhe tekstet shkollore dhe gjërat tjera të nevojshme për vitin vijues të shkollimit,po edhe për ta ndihmuar sadopak familjen e tij, ngase familja si edhe shumë familje tjera të asaj kohe jetonte në varfëri të madhe.

Ai me theks të veçantë flet për aktivitetin e tij rinor dhe aksionet në të cilat merrte pjesë e që fal këtij aktiviteti ai dy herë ishte përzgjedhur që të qëndroi në pushimoren në Nashec të Prizrenit dhe në Deçan ku me nostalgji flet për ditët e kaluara atje. Përpos në Orllan ai aktivitetin rinor gjatë shkollimit e vazhdoi edhe në Podujevë e Prishtinë.

Pas mbarimit të Shkollës Normale ai filloi punën e mësuesit në fshatin Rakinicë, aty ku e kishte nisë edhe mësimin si nxënës për herë të parë. Në arsim punoi deri në vitin 1973 kur edhe zgjidhet Kryetar i KK të LRS në Podujevë ku qëndroi dy mandate, e më pas u zgjodh sekretar i BVI së atëhershme të kulturës (edhe aty dy mandate) dhe për të kaluar më pas në detyrën e Drejtorit të Qendrës së Kulturës në të cilën detyrë qëndroi deri në vitet e 90-ta kur edhe atë si gjithë punëtorët në Kosovë e nxori nga puna okupatori serbosllav që në këtë kohë në Kosovë shtriu okupimin klasik.

Në kohën e okupimit klasik të Kosovës dhe kur arsimi shqip nuk u dorëzua ndonëse në kushte të vështira zhvilloi procesin edukativo arsimor, Behxheti u lajmërua në Këshillin e Arsimit në Podujevë dhe shprehu gatishmërinë që edhe ai të bashkëngjitet në procesin mësimor dhe të jap kontributin e tij si mësimdhënës i kualifikuar që ishte për gjuhë dhe letërsi shqipe. Kështu ai u caktua mësimdhënës në shkollën e fshatit Herticë, punë të cilën e kreu deri në pensionimin e tij (2011).

Kështu ai punën e nisi si mësimdhënës dhe e përfundoi si mësimdhënës ndonëse gjysmën e përvojës së punës e kaloi në udhëheqjen shoqëroro-politike në komunën e Podujevës.

Autori në librin e tij flet edhe për shumë ngjarje nga jeta, si ngjarje private ashtu edhe për ngjarje që i takojnë shoqërisë së gjerë. Fletë për protesta e demonstratat të organizuara nga rinia përparimtare që nuk pajtohej dot me regjimin serbosllav. Flet po ashtu edhe për ngjarje personale që i kanë ndodhur kudo që ka punuar dhe vepruar madje edhe për padrejtësi të ndryshme të asaj kohe që i janë kurdisur nga njerëz të caktuar.

Të gjitha këto ngjarje autori i sjell në mënyrë kronologjike sipas kohës së ndodhjes deri në luftën e fundit, në luftën e lavdishme të UÇK-së, kur njëherë e përgjithmonë u përzu nga këtu okupatori shekullor sebosllav. Për kohën e luftës dhe përjetimet e tij ai sjell disa kronika nga ditari i ti.

Autori sjell shumë ngjarje e kujtime që kanë lënë mbresë në kujtesën e tij, por që tash i lenë të shkruara edhe për të tjerët që ato përherë t’i rikujtojnë nëpër kohë.

Ai në këto kujtime ka qenë besnik dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, duke u nisur nga vendlindja, nga shkollimi, vendet ku punoi e veproi etj.

Librin “Jetë e bujshme …” e pasurojnë edhe një varg fotografish që janë për ngjarje dhe kohë të caktuara, po edhe foto familjare. Mandej disa krijime letrare të autorit që i kanë shpëtuar kohës bashkë me ditarin e jetës që e ka mbajtur gjatë gjithë kohës së luftës në xhep dhe ka evidentuar ngjarje edhe nga kjo kohë.

Shpresoj se libri do të pritet mirë nga lexuesi e sidomos nga familjarët e autorit dhe të gjithë ata që janë pjesë e librit dhe se botimi i tij e arsyeton mundin e autorit që mbajti ditar pothuajse gjithë jetën dhe tash pasardhësve ua len dëshmi të jetës dhe kohës në të cilën jetoi dhe veproi autori.