Milazim F. KADRIU
Gain Mehmeti pas prezantimit të suksesshëm para lexuesve me tri monografi (“Pakashtica” – 2005, “Mavriqi i Llapit I”, 2010, ”Tërrnavcia”, 2014), vjen me librin e ri “Diçka, nga ajo çka tha Jahir Potoku”. Ky libër botohet me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Jahir Islamit i njohur në popull si Jahir Potoku.
Në këtë libër bëhet fjalë për një personalitet që i ka kontribuar me mjaft vepra të mira një territori të rëndësishëm të Shqipërisë etnike- Llapit e më gjerë. Nëpërmjet kryepersonazhit dhe aktivitetit të tij autori, e qet në shesh veprimtarinë e tij dhe të shumë veprimtarëve të kësaj ane që gjeneratat e reja nuk kanë njohuri të mjaftueshme për ata veprimtarë dhe kohën e tyre e që shumë nga ta kanë dhënë kontribut të çmueshëm edhe si luftëtar të dalluar për ruajtjen e kufirit dhe përpjekjet për çlirimin e territorit nga okupatori.
Për të prezantuar sa më saktësisht veprimtarinë e Jahir Potokut, autori fillimisht fletë për jetën e kryepersonazhit i cili jetoi 95 vjet dhe gjatë jetës së tij u mor me shumë aktivitete e më së tepërmi me pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave në Llap e më gjerë.
Pastaj flet për zakonet shqiptare si burrninë, për burrat e Llapi, burrat e Mavriqit, për odën, pleqënitë, ditën e gjakut, besën, trimëritë etj. Po ashtu autori e prezanton Jahir Potokun si interpretues i mirë i Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Në një pjesë të këtij libri autori flet për shpërnguljen e dhunshme të muhaxhirëve gjatë luftës serbo-turke 1877-1878, ku 537 katunde shqiptare të Toplicës janë zbrazur dhe shqiptarët janë larguar nga trojet e tyre etnike sipas planit të hartuar nga Millan Obrenoviqi për shpërnguljen e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.
Po ashtu autori në libër sjell edhe të dhëna për tragjeditë që kanë ndodhur në Llap si ajo e familjes së Demë Ahmetit në Reçicë më 1811 dhe ajo në fshatin Repë në vitin 1921, tragjedi këto të shkaktuara nga shkiet.
Më tej autori sjell disa thënie dhe rrëfime të Jahir Potokut, por që si e cek edhe autori jo të gjitha ka arritur ti regjistroj dhe ti prezantoj në libër. Disa nga to ia ka dhënë nipi i Jahir Potokut, Fehmi Ismaili që ai i ka dëgjuar nga daja i tij.
Gani Mehmeti kaherë ka treguar se është i pa përtueshëm në mbledhjen e trashëgimisë kulturore ku ka sjell shumë materiale të vjela nga populli e edhe ky libër është me një vlerë të madhe për gjeneratat e ardhshme.
Libri është një kronikë historike me disa dëshmi për kohën ku autori përmes këtyre rrëfimeve, që janë të përjetuara nga vetë kryepersonazhi për ato raste, në të cilat ai ka marrë pjesë, dhe rastet që i ka dëgjuar nga të tjerët e sidomos nga më të vjetrit. Gjithsesi këto rrëfime kanë rëndësinë e vet, sepse flasin për të kaluarën e popullit tonë në trevën e Llapit e më gjerë.
Ndonëse autori fletë për atë çka tha Jahir Potoku për një varg ngjarjesh të përjetuara dhe po ashtu gërshetohen ngjarje dhe personazhe tjera të shumta.
Ai fletë për disa burra të njohur të Llapit e më gjerë të cilët në rrëfimet e tij lidhen me ndonjë aktivitet apo veprimtari atdhetare si janë : Miftar Pollata, Sinan Llapi, Mehmeti i Latif Dvorishtës, Bellan Mavriqi, Ali Rakoshi, Mulla Ademi, Ahmet Vuça, Avdi Ramoca, Halil Selmani-Tërmkolli, Hasan Remniku, Bislim Potoku, Tahir Berisha, Mulla Azem Repa, Ramë Tashefci, Salih Tashefci, Mulla Mustafë Braina, Sheqë Mirofci, Sherif Voca, Ramë Bërnica, Niman Reçica, Ramë Igrishta, Avdia i Manit, Bajram Bytyqi, Bislim Potoku, Tahir Koburja, Ali Rama-Potoku, Fazli Dumoshi, Ramë Bllaca, Nazim Gafurri, Isa Boletini, Azem Pollata, Ukshin Kovaçica, Fejzë, Beqë e Bejtë Uglari, Hamit Rama – Potoku etj.
Kur fletë për këto personalitete ai të gjithë i lidhë me një ngjarje apo qoftë të njohur aty për aty ku ishte edhe Jahir Potoku si pjesëmarrës apo të dëgjuara nga të tjerët. Po ashtu autori sjell edhe shumë rrëfime të Jahirit nga pleqnitë dhe ndejat e ndryshme në odat e Llapit. Jahiri në rrëfimet e tij përmend edhe shumë familje të njohura që në atë kohë kanë qenë bukëdhënëse dhe shumë oda që kanë qenë të hapura gjithmonë për mysafirë, me çka e ka treguar edhe traditën e njohur tradicionale të llapjanëve për mikpritje.
Autori në librin e tij flet edhe për shumë ngjarje nga jeta, si ngjarje private të kryepersonazhit po edhe për ngjarje që i takojnë shoqërisë së gjerë. Fletë për protesta e demonstratat të organizuara nga rinia përparimtare që në atë kohë nuk pajtohej dot me regjimin serbosllav e që në Llap këto ngjarje shumë herë u përkrahën edhe nga Jahir Potoku duke qenë edhe disa herë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në to.
Kështu autori Gani Mehmeti hedh në dritë mjaft kujtime për aktivitetin e Jahir Potokut dhe gjithë atë që tha dhe u rrëfeu të tjerëve Jahiri në takime të ndryshme po edhe në ndeja të zakonshme e që autori shumë nga to i regjistroi për shumë vite me radhë.
Autori në këtë libër siç është shprehur edhe vetë nuk ka arritur të sjell të gjitha ato që ka thënë dhe është dashtë të shkruhen për Jahir Potokun.
Ndër tjera autori Mehmeti në parathënien e librit shprehet : “Ajo që më ka nxitur më shumë të përmbledhë disa nga ato çka tha Jahir Potoku, natyrisht se është Çështja Kombëtare, të cilës ai i rri besnik me fjalë e vepra. Ishte trim përpara armikut. Me fjalën e tij, ai gjatë viteve të 90-ta, disa herë ndërhyri tek autoritetet policore në mbrojtje të rinisë shqiptare në Podujevë. Kishte lënë namazin përgjysmë në xhami, në mënyrë t’u printe të tjerëve për ndërhyrje.
Kështu mua më del një figurë, për të cilën duhej shkruar atë, që e thoshte me një elokuencë të fortë në dialektin e gegnishtes, që ta kishte ëndja ta dëgjoje.
Ishte një copë e shkëputur nga ato bjeshkët e Migjenit, siç ai thoshte; Gojëtar, trupmadh, i ditur dhe shumë i guximshëm.
Por nuk kam mundur të marr gjithë atë që ai dinte. Kjo është vetëm një përqindje e vogël, ndoshta, e asaj që ai e thoshte.”