VËSHTRIM NË POEZINË E ADNAN MEHMETIT, PËRMES NJË BOTIMI TË RI…

0
879
Poezia e Adnan Mehmetit
Murat Gecaj
Murat Gecaj

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.

Tashmë, lexuesit tanë po njihen në vazhdimësi me botime të gjinive të ndryshme, letrare ose publicistike. Shkrimtari, studiuesi dhe pedagogu i letërsisë, në Universitetin “Fahmi Agani” të Gjakovës, Dr. Besim Muhadri, ka publikuar librin e ri, “Poezia e Adnan Mehmetit-Vështrim” (Botime “Bogdani”, Prizren, 2019), me redaktor Prof. Agim Vincën. Autori, në “Parathënien” e tij, na tregon se ky botim “është një sprovë për vështrim të krijimtarisë së poetit shqiptaro-amerikan, nga Lugina e Preshëvës, Adnan Mehmeti, i cili më se dy dhjetëvjeçarë jeton dhe vepron në SHBA”. Në poezitë e tij, ai flet për ëndrrat dhe mallin e pashuar për Atdheun, si dhe për të dashurit e tij, me të cilët është ndarë gjatë kësaj periudhe kohore. Më tej, ai shton: “Prandaj, ajo, me të drejtë, mund të quhet edhe poezia e mallit, poezia e dhimbjes, por dhe poezi e dashurisë dhe e krenarisë”.

Libri, që kemi në duar, ndahet në dy kapituj. Në të parin, autori dr. Besim Muhadri bën një studim dhe vështrim për poezinë e Adnan Mehmetit. Duke u ndalur rreth kësaj tematike, ai nënvizon se poezitë e tij janë përjetime të thella artistike e shpirtërore. Megjithëse shumë larg, jeton e punon, me mendje e zemër në vendlindjen e dashur dhe të paharruar, ku shpreson të kthehet një ditë. Ai kërkon rrënjët e lashtësisë së tij, shpreh dashurinë e pakufishme për prindërit e vetë. Në këtë rrafsh, këto ndjenja poetike shpërthejnë fort për Atdheun, për traditat tona të lashta dhe në të gjitha trojet mbarëkombëtare shqiptare etj.

Me interes është dokumentimi i historikut të emigrimit të bashkatdhetarëve tanë, përtej Oqeanit Atllantik, të detyruar nga rrethanat e ndryshme historike dhe për një jetesë sa më të mirë. Megjithëse në një tokë të panjohur më parë, ata u përpoqën që t’i ruanin dhe t’i zhvillonin gjuhën, traditat e zakonet tona shqiptare. Prandaj emigrantët tanë, përveç punëve nga më të ndryshme, iu kushtuan letërisë dhe artit, duke shkruar e publikuar parreshtur krijimtarinë e tyre në gjuhën amtare. Ata botuan gazeta e revista, ku kanë derdhur të gjithë shpirtin e tyre artistik. Siç përmenden në “Hyrjen” e këtij libri, edhe sot janë të njohur dhjetëra poetë e shkrimtarë shqiptarë, që jetojnë në Amerikë. Krijimtaria e tyre është pjesë e pandarë e letërsisë dhe artit mbarëkombëtar shqiptar.

Autori na tregon edhe për jetën familjare të Adnan Mehmetit, flet për bashkëshorten e pandarë të tij, Vilmën, për fëmijët e tyre, Tean dhe Andin. Së bashku, ata janë përshtatur me jetën e re në një vend të huaj dhe, me punë të ndershme e të palodhur, kanë krijuar personalitetin e tyre. Me interes është edhe njohja me botimet e disa librave të autorit Adnan Mehmeti. Librin e parë poetik e publikoi në vitin 1996, me një “Hyrje” vlerësuese nga bashkëstudenti im, tashmë i ndjeri Prof. Adriatik Kallulli. Përveç atyre me poezi, tërheq vëmendjen dhe libri në shumë faqe, i përgatitur prej tij, “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë” (Veprimtari dhe krijimtari), ku Adnan Mehmti ka qenë disa vite kryetar.

Për tërë veprimtarinë krijuese të Adnan Mehmetit, dëshmojnë dhe vlerësimet e çmimet e ndryshme, që i janë dhënë atij, si: “Pena e Artë”, ”Pulse”, “Sezai Surroi”, “Arshi Pipa” etj.

Janë mjaft domethënëse radhët, që shkruan te “Përmbyllja”, autori i këtij libri: “…poezia e Adnan Mehmetit është dhe mbetet një poezi atdhetare e përkushtimi. Është një poezi malli dhe dashurie zhuritëse për tokën e të parëve dhe për njerëzit e saj… I vetëdijshmm se: “pa atdhe je një emër i panjohur, si një bimë kacavjerrëse, vetëm një gjallesë e një emër, që mund të përmendet, ashtu si dhe për sendet”, kudo që ndodhet, poeti i balton Atdheut të vetë, të cilit kurrë nuk ia ktheu shpinën, sado që largësia gjeografike atë e ndau, por kurrë nuk e tjetërsoi”.

2.

Për ta bërë ende më të afërt dhe të kapshme nga lexuesit krijimtarinë poetike të Adnan Mehmetit, në kapitullin e dytë të këtij libri, lexuesi mund të shijojë një numër të konsiderueshëm poezishë, të përzgjedhura të tij. Larushia e tyre është e madhe. Por e ndjejmë, që në poezinë e parë, “Me kuajt e erës përtej detit”, mallin e dhimbjen, që ai përjeton larg vendlindjes: “Trupi im, nga vonesa, i gjysmë mbetur rrugëve të botës,/ baladë e heshtur,/do të qëndiset në pëlhurën e erës,/ përtej shtatë maleve,/përtej shtatë deteve,/përtej shtatë kontinenteve!…”. Dhe, më tej, ai na çon në vendlindje, në Luginën e Prshevës, duke shkruar me mall e dhimbje: “Njerëzit e mi të mirë/ dua t’i përqafoj,/në ëndrrat e bardha”. E përjeton me lotë në sy edhe “Festën larg Atdheut: “Bien gjethet, bien…/Vjeshta po kalon./Kalon edhe jeta,/larg,larg,diku!…”. Te poezia “Lëvizje” na kujton për mërgimtarët, se: “Disa i dhurojnë diçka vendlindjes,/disa i rrëmbejnë…?!”. E kësaj tematike është edhe poezia tjetër, në tetë pjesë, “Ëndrrat e zgjuara”, ku në të parën lexojmë: “Për një grusht dëshirash,/e humbët peshën e gurit!?…”

Ai na sjell në vëmendje, njëri pas tjetrit, “copëza” të tokës amtare, si: Kalanë e Ulqinit, Çamërinë martire, Prishtinën e Tetovën, Butrintin etj. Gjithashtu, janë në vargjet e tij poetët tanë: Zef Serembe, Naimi, Faik Konica, Noli, At Gjergj Fishta etj.

Me interes janë edhe poezitë me tematikë shoqërore, për jetën e përditshme të njerëzve të thjeshtë, për miqësinë e dashurinë: “Dëshirë dashnorësh”, “Të qeshurat e vajzave”, “Gruaja, përballë meje, “Tri portat e dashurisë (motrave”. “Takimi i parë”, “Mallëngjimi i zogjëve të luleve”, “Në ditëlindjen e 10-të të tim biri”, “Duart e gjyshes”, “Buzëqeshja e Nënës”…Te poezia “Lotët lagin ndarjen”, poeti shprehë dhimbajn e largimit nga vendlindja, nga nëna aq e dashur: “…Sërish, si fëmijë i vogël, të më shikosh,/ të më përkundësh sërish,/ e sërish të më burrërosh!/ Pikë-pikë-dashuri e syrgjynosur,/ lotët lagin ndarjen e pasosur!” Ndërsa mallin për babain e shprehë te poezia “Kur të vij”: “…Do të vrapoj pas teje, për ta zënë hapin tënd të madh…/Në ëndërr kërkoj buzëqeshjen e fytyrës sate”. Të paharruar janë edhe gjyshërit e autorit, të cilët jetën e kaluan në ndeshje me armiqtë pushtues: “Nuk morët namin,/ që bëtë mbi të huajin,/shkuat heshturazi!…”.

Por autori Adnan Mehmeti, me poezitë e tij, na çon edhe në lashtësinë tonë, me të cilën do të krenohemi brez pas brezi. Kështu, shkruan për mbretëreshën Teutë, për “Betimin e ushtarëve ilirë” dhe anijet e tyre, për “Premtimin e Skënderbeut” e Ali Pashë Tepelenën dhe Bajram Currin”: “Po, hajde e zbrit pak në Rrafshin e Dukagjinit,/se na mori malli për ty!/Do çmallemi,/duke përkujtuar trimëritë e shkuara/ e do të hedhim valle,/ o Plaku i Maleve!”. Më tej, ai na çon në Vlorë, me emrin e të cilës është i pandarë emri i Ismail Qemalit: “…Kur mësuam emrin,/na këndove,/rreth Flamurit na bashkove!”

Ndër vite e shekuj, gjaku i shqiptarëve u derdh si lumi, për të mbrojtur tokën amtare, nderin e krenarinë tonë mbarëkombëtare. Në poezinë-elegji, “Marshuta drejt vdekjes”, me dhimbje në zemër, shkruan për martiriziminn e 3.760 shqiptarëve, në Masakrën e tmerrshme e të paharruar të Tivarit, por dhe për Dëshmorët e Demokracisë, në Tiranë. Dhe “Rikthehet në histori”, me trimin e paepur Idriz Seferi, për xhaxhain e vrarë nga ushtarët jugosllavë…

Me dimbjen e pashuar të një mërgimtari, poeti Adnan Mehmeti proteston me zë të lartë, kur kalon nëpër një doganë: “Më pyet doganieri për shtetësinë:-Vëlla!-Ç’ke për doganë?-Dashurinë!/Pasaportën e huaj do ta gris,/s’më duhet identifikim!/ Në Kapshticë bëra fotografi:/Mirë se të gjej, Shqipëri!” Ndërsa ai “dehet”, kur sheh liqenin e Pogradecit dhe, kur ndodhet në plazhin e Durrësit: “Diellin e kam futur në xhp…”.

…Në mbyllje të këtyre radhëve modeste, e përshëndesim dhe e urojmë nga zemra bashkatdhetarin Adnan Mehmti, për krijimtarinë e tij të bukur poetike, ku spikatin atdhedashuria e zjarrtë e malli i pashuar për tokat tona amtare! Gjithashtu, shprehim nderimin e respektin, për autorin e këtij libri, Dr.Besim Muhadri, për punën e përkushtuar e profesionale, në paraqitjen e këtij botimi para lexuesve shqiptarë, kudo që ata ndodhen!

Tiranë, 26 maj 2019