VEPRIMTARI E BUKUR, QË SYNON TË JETË TRADICIONALE…

0
914

(Në Vushtrri të Kosovës, u mbajt Manifestimi Letrar, “Fjala e gurit – 2017”)

Nga: Ermirë R. Jusufi, kryetare e Klubit Letrar “Latif Berisha”

1.
Sot, më datën 28 qershor 2017, në sallën e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë (Kosovë), u mbajtë Manifestimi Letrar “Fjala e gurit – 2017” (Edicioni i parë). Ai u organizua nga Klubi Letrar “Latif Berisha”, e në përkrahje financiare nga DPKRS, i kësaj Komuneje. Në prani të një numri të konsiderueshëm krijuesish: nga Kosova, Shqipëria, Suedia e vende të tjerë, hapjen e këtij manifestimi e bëri kryetarja e Klubit, poetja Ermirë R. Jusufi. Me një fjalë përshëndetëse, ajo falënderoi të pranishmit, kolegët krijues, të ftuar dhe adhurues të fjalës së bukur poetike shqipe.

Në pjesën tematike, që iu kushtua jetës dhe veprës së Latif Berishës, për biografinë dhe krijimtarinë e tij, ligjëroi Bedri Tahiri. Ndërsa ligjëruesi i dytë, krijuesi Xheladin Mjeku, nga Prishtina, foli për vlerat e poezisë së të vetmes përmbledhje, “Tufa”, të krijuesit të paharruar, Latif Berisha.

Më tej, moderatori i këtij manifestimi, Endrit Kovaçi hapi “Orën e madhe poetike”, duke i ftuar, sipas radhës, të gjithë krijuesit, pjesëmarrës në Konkursin Letrar të këtij manifestimi. Poashtu kishte edhe krijues tjerë, që shprehën dëshirën e tyre që ta begatojnë këtë manifestim, me leximin e poezive të tyre, jashtë konkurencës së konkursit. Me dashamirësi, iu plotësua kjo kërkesë të gjithë të interesuarve, që të interpretojnë poezitë e tyre.

2.
Në pjesën e fundit të manifestimit, paraprakisht, me Çmimin “Pena e Fjalës”, për merita të veçanta në fushën e krijimtarisë letrare, u nderua autori Bedri Tahiri. Pastaj u shpallën edhe përfundimet e Konkursit Letrar. Kështu, juria, me përbërje: Safet Hasani, kryetar; Remzije Zekolli dhe Izet Abdyli, anëtarë, pas leximit dhe shqyrtimit të 52 poezive, të arritura në konkursin letrar, shpalli fitusit, sipas radhës…

Kështu, me Çmim të parë, u vlerësua poezia “Ju na mësuat”, me shifër “Logishta”; çmimi i dytë i takoi poezisë “Zë kryengritës”, me shifër “Juristi” dhe çmimi i tretë iu nda poezisë “Hesht”, me shifër “Arona”. Po ashtu, juria ndau edhe Çmimin motivues, për krijuesit e rinj, që këtë radhë i takoi poezisë ”Kohë e çmendun”, me shifër “Pluhni i kohës”. Autori, që dëshmoi autorësinë, ishte Besart Tafaj nga Tropoja, fitues i çmimit motivues. Kurse fituesit tjerë pritet që autorësinë e tyre ta dëshmojnë, në ditët vijuese.

Në këtë manifestim letrar vjen edhe një befasi, që nuk ishte pritur. Kështu, Lëvizja Kombëtare Shqiptare “Pajtimi i gjaqeve”, në 22- vjetorin e saj, i dha “Mirënjohje” Latif Berishës, për veprimtari atdhetare dhe humanitare. Në emër të Klubit Letrar “Latif Berisha”, këtë “Mirënjohje” e pranoi kryetarja, Ermirë R. Jusifi, të cilën ia dorëzoi prof. dr. Mehmet Rrukiqit.

…Në mbyllje të gjithë kësaj veprimtarie të bukur e mbrësëlënëse, të gjithë pjesëmarrësit u ftuan në një drekë tradicionale. Aty iu ndanë atyre “Mirënjohje”, për pjesëmarrjen dhe ndihmesën e çmuar, në në këtë manifestim poetik.

Vushtrri-Kosovë, 28 qershor 2017