VEPRIMET E OPOZITËS SË SOTME JUSTIFIKOJNË EDHE DISA NGA KRIMET E DIKTATURËS KOMUNISTE…

0
550
Arben Çokaj

Arben Çokaj

Duke ndjekur mendtë e Saliut në këto 29 vjet të tranzicionit shqiptar, jo vetëm e kaluam vendin nën regjinë islamiste dhe iu larguam më shumë Evropës, nga sa ishim më 1990, por edhe po ia fusim flakën Shqipërisë, sa herë që i mbushet mendja e marrë Saliut & co., për ta bërë këtë.

Kjo duket se është edhe problemi, mendojnë se me frikësime e me akte të tilla qyqarësh e langaraqësh, djegie shkollash e materialesh zgjedhore – që kënaqin vetëm anti-shqiptarët, do të arrijnë edhe qëllimin e tyre final, të rrëzojnë qeverinë, të marrin pushtetin, për të vjedhë shtetin! Këta horra nuk janë shtetformues more! Nuk ofrojnë zgjidhje, vijnë me shkatërrime, qeverisin me shkatërrime dhe ikin me turp, duke na kthyer gjithmonë në pikën zero, më 1990. Pushteti në Shqipëri alternohet vetëm me votë të lirë!

Sepse këta nuk punojnë edhe kur janë në institucione, psh. për të krijuar institucionet e pavarura të drejtësisë, si në të gjitha shtetet demokratike, nuk u intereson të bëjnë shtetin, por si e si të gjejnë gjithmonë “mekanizmin ekstraligjor”, sipas rradakes së tyre, për të mos-respektuar Kushtetutën dhe ligjet e tjera të shkruara e të përbashkëta, të shtetit shqiptar. E pastaj shajnë Enverin dhe ankohen se ne nuk mund të bëjmë shtet! Po si bëhet shteti kështu more, kur askush prej tyre nuk e respekton atë?

Prandaj duhet kuptuar se, edhe regjimi komunist, për të ushtruar pushtetin e tij, u ndesh edhe me këto kundërshti revanshiste e destruktive dhe ai regjim i shtypi me egërsi ato, duke krijuar shpesh edhe viktijma të pafajshme, sepse këta nuk të lënë rrugë tjetër, jo, të marrin përpara, siç na e kanë kapur peng demokracinë tash 29 vjet!

I jam referuar shpesh shtetit të Enverit këto kohë, kur e shoh se kemi shkuar keq si shtet. Dhe kam qenë në dyzim, a më mirë një shtet diktati apo një shtet anarkik, si ky i sotmi në këto 29 vjet? Asnjëri. Mendoj se më mirë një shtet demokratik, që vepron sipas ligjeve, por që ligjet duhen ushtruar, e jo shmangur e tejkaluar. E këtë shtet demokratik duhet ta bëjmë ne, qytetarët e këtij vendi, të majtë e të djathtë, që shkojmë kaq keq në mosmarrëveshje me njëri – tjetrin, me sharje e fyerje, sepse nuk mendojmë si tjetri.

ANARKIA E MENDIMEVE

Secili në këtë vend përpiqet të imponojë mendimin e tij, edhe më budallai, se si duhet të jenë punët në këtë vend, pa patur një emërues të përbashkët. Por ai që drejton qeverinë, sipas këtyre – ai që ka marrë votat për ta bërë këtë, ai nuk ka të drejtë ta bëjë këtë, nuk duhet të bëjë si ia merr mendja e tij, as duhet të sillet sipas ligjeve të vendit, ai duhet të dëgjojë secilin prej këtyre “mendimtarëve të mëdhenj“, që më shumë synojnë mosrespektimin e rregullave të përbashkëta dhe destruktivitetin, se sa bëjnë shtetin. Pasi këta po tregojnë se janë në gjendje edhe për një plesht, ta djegin jorganin…

E çfarë duhet të bëjë një shtet, kur i cënohet siguria dhe integriteti i vendit?
Merrni cilin do shtet të rregullt e demokratik dhe shikoni se si sillet e vepron ai shtet, kur një grup njerëzish nga rruga, synojnë dhunimin e institucioneve dhe marrjen e pushtetit ose me dhunë ose në rrugë jo-demokratike. A mos po kujtoni se shtetet e rregullta janë perfekte a? Kanë probleme edhe ato, por e ndjekin dhe e respektojnë ligjin pak më shumë se shqiptarët turqeli. Vetëm fushata mediatike anti-Trump në SHBA, dhe hetimet për bashkëpunim të fshehtë me rusët ndaj fushatëssë Trump, që dolën pa rezultate, janë një shembull i mirë, për të kuptuar se demokratët atje, nuk e duan dhe nuk e pranojnë Presidentin Trump si president të tyre, por ai është President i SHBA-ve pra! Si Rama kryeministër tek ne! Prandaj ulni tonet e destruktivitetit, e mos vraponi pas marrisë…

E di, se arsyetimi im këtu dhe i të tjerëve si unë, nuk pi fort ujë te mendjet e marra e të dalldisura nga virusi skizo i Saliut, sepse janë të magjepsura e të manipuluara nga parabola irracionale e tij, të cilët në pavetëdijen e tyre shkojnë si pula pa krye pas marrisë! E kam parë se edhe mediat kanë bërë një punë të madhe, për të rritur padurueshmërinë e publikut, sikur çfarë po ndodh tek ne, për këtë “stuhi në gotë“, që për arsye të caktuara, po përpiqet opozita të krijojë, me idenëe destabilizimit të vendit.

Por apeloj te forcat demokratike dhe të dobishme të popullit shqiptar, te organet e rendit e të shtetit, që të bëjnë sa të munden, për të ruajtur Republikën, duke ushtruar me forcë ligjin dhe rendin në vendin tonë dhe të mos i lënë horrat të nxisin sorrat! Të mos i lënë këto forca jo-demokratike e destruktive, që të marrin terren e të na tërheqin drejt vetë-shkatërrimit!