Vepra serioze e Prof. Dr. Muhamet Shatrit

0
730

Fjala hapjes

Tomë Mrijaj

Të nderuar bashkëatdhetarë, antarë të Shoqatës Mbarëkombëtare Trojet e Arbërit!
Të nderuar miq e të ftuar të qytetit hisorik të Prizrenit!

Në fillim, dua të falënderoj Kryesinë e Shoqatës sonë, të cilët më kanë nderuar të bëj hapjen për mikun tim të shtrenjtë, në sesionin shkencorë, kushtuar figurës së shquar të shkencës së historisë prof. dr. Muhamet Shatrin, i cili, pa ndërprerje, me dashuri dhe pasion të pashuar për shumë dekada ka kontribuar dhe po punon sërisht pareshtur, për hulumtimin dhe publikimin e studimeve të tij, mbi historinë e lavdishme të kombit shqiptar ndër shekuj.

Kam fatin, nderin dhe privilegjin, që nga ky auditor tu uroj të gjithë juve të nderuar, në emër të Kryesisë së Shoqatës sonë, me Mirëseadhjen, në këtë ditë të madhe vlërësuese, për kontributin e studiuesit dhe historianit të palodhur prof. dr. Muhamet Shatri, i cili, me botimet e tij cilësore, serioze shkencore, është bërë tashmë i mirënjohur në shumë universitete të trojeve etnike shqiptare dhe diasporë.

Në këtë rast, falënderoj nga zemra banorët fisnik të këtij qytetit të famshëm historik, që mirëpritën organizimin e Simpoziumit shkencorë kushtuar prof. dr. Muhamet Shatrin, një personalitet i shquar në fushën e historisë shkencore kombetare shqiptare, botimet e të cilit shumë nga ne në këtë sallë i kemi lexuar dhe i mbajmë si relike të çmuara në bibliotekat tona, në trojet shqiptare dhe diasporë.

Është e pamundur të paraqes me pak fjalë veprimtarinë e gjërë dhe të thellë të hulumtuesit të palodhur dhe shumë produktiv, me një sërë botimesh serioze shkencore, historianit tonë të dashur bashkëkohor prof. dr. Muhamet Shatrit.

Platoni i ditur, një nga baballarët e platformës demokratike, ka thënë se shoqëria njerëzore ka nevojë si për guxim dhe dinamizëm. Po të zbatohet mësimi i Platonit atëherë do të shihet se intelektualët, të cilët me njohuritë dhe me eksperiencën e tyre janë një thesar për kombin, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në fushën e historisë sonë kombëtare.

Është e rëndësishme të thuhet, se veprat serioze, voluminoze, shkencore, historike të prof. dr. Shatrit, tashmë janë futur në fondin e artë të librave të mirëfilltë historikë, në të cilën përkujdesi i tij si profesionist me përvojë në fushën e historisë, është mëse i spikatur.
Veprat e tij, janë pjesë e fondit të artë të punimeve me profil të mirëfilltë historikë, që hulumtuesi dhe historiani realist ka mundur deri më sot të nxjerrë nga mendja e tij e begatë.

Prof. Shatri, për shkak të ndjekjes dhe keqtrajtimit nga regjimi serb, në korrik të vitit 1989, u detyrua të largohet nga vendlindja, ku emigroi në Suedi. Edhe në emigracion intelektuali i shquar nuk pushoi asnjëherë, duke punuar për të mirën e trojeve etnike shqiptare.
Për një periudhë të gjatë kohore nga viti 2004-2016, ai drejtoi me shumë përkushtim Shoqatën Mbarëkombëtare të Intelektualëve Trojet e Arbërit dhe ishte redaktor përgjegjës i botimeve të saj, me titull: E djathta Shqiptare në Mbrotje të Shqipërisë Etnike, etj.

Prof. Shatri, duke qenë zyrtar i lartë në Ministrinë e Diasporës në vitet 2012-2015, për Grumbullimin e Lëndës Arkivore dhe Muzeore, të krijuar nga veprimtaria e Mërgatës shqiptare në botën e jashtme, ai kryesoi delegacionin zyrtar të shtetit të Kosovës, i cili, erdhi në Neë York, për të marrë në dorëzim arkivin e pasur të Lidhjes së Tretë të Prizrenit (1962-2014).

Historia e nismës së dorëzimit të materialeve të pasura arkivore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në drejtim të shtetit të ri të Kosovës, ka qenë një ëndërr e kryetarit Ismet Ukë Berisha dhe e imja si Sekretar i Përgjithshëm i saj.

Gjatë kontakteve të vijueshme me prof. dr. Muhamet Shatrin, që nga viti 2013, historiani Shatri më kërkoi, që të interesohesha në komunitetin e madh shqiptaro-amerikanë tek shoqatat dhe miqtë e mi, të siguroj materiale arkivore historike, me vlera për pasurimin e Arkivit të Kosovës.

Ndër të tjera, në deklaratën, që për herë të parë ne e bëmë publike, theksuam: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me qendër në Neë York, ShBA dhe degët e saj në shumë shtete të botës, i dhurojnë Agjencisë Shtetërore të Arkivave (AShAK) të Kosovës të gjithë dokumentacionin nga viti 1962-2014.

Ne besojmë, se shkencëtarët e rinj të historisë, do të ruajnë dhe ofrojnë në të ardhmen muzeve të shtetit të Kosovës ngjarje, data dhe përsonalitete, që kanë kontribuar për çështjen kombëtare në tërësi dhe të popullit martir të vendlindjes në veçanti.

Ne shpresojmë dhe besojmë, se muzetë e ardhshëm, do të jenë institucioni i ruajtjes së kujtesës, i ngjarjeve dhe dëshmive të shkruara materiale të emigrantëve në diasporën e Amerikës, duke i ofruar materiale për kërkime historike, dhe qëllime studimore, edukuese, në shërbim dhe i hapur ndaj publikut.”

Duke zhvendosur kujtimet e mia në vendlindjen e dashur Kosovë, nuk mund të lë pa risjellë në kujtesë shumë familje të nderuara dhe respektuara në të gjithë trevën shqiptare, sikurse ishte e mbeti deri në ditët tona familja Shatri. Ajo jeton mëse një shekull në fshatin Tomoc, i cili gjindet në mes dy qendrave të rëndësishme Gurrakovcit dhe Burimit (Istogu), ku ndryshe njihet si Rrafshi i Podgurit.

Kulla ose kështjella e fortë e familjes Shatri, duke qenë një bazë e rëndësishmë ose kala e pamposhtur ndaj pushtuesve të njëpanjëshme, që uzurpuan trojet tona, gjithnjë ishte në shenjestër asgjësimi, por falë trimërisë së burrave kreshnikë, ajo mbijetoi si dëshmi e gjallë e historisë së pamposhtur deri në ditët tona.

Pushka, besa, trimëria, zgjuarësia, bujaria, sinqeriteti dhe dashuria të alternuar (nderlidhura) shpesh me njera – tjetrën e bënë këtë familje, ndër më të përmendurat në krahinë, duke u nderuar dhe respektuar.

Oda e burrave ishte një bazë e fortë e zgjimit të ndërgjegjës së shatrajve brez mbas brezi, ku nënat e kësaj kullë ndër shekuj përkunden në djep trimat, që i ushqyen me dashurinë për të nderuar e dashur deri në flijim Atdheun e lënë trashëgim nga të parët e tyre.

Kësisoj atdhedashuria, u bë ushqimi dhe shkolla, me të cilën u edukuan qysh në fëmijëri të gjithë djemtë dhe vajzat e familjes Shatri.
Krahas pushkës, ata mbajtën afër vetës edhe librin, më të cilin do të argumentonin historinë dhe vijimsinë e shqiptarëve dhe të parëve të tyre në trojet amtare. Por historia vijon ndër shekuj.

Familja Shatri, për arsye ekonomike u shpërngul qysh herët nga Shala e Dukagjinit, por megjithatë ajo mbarti me vete në vendbanimet e reja po ato zakone e tradita, të cilat, i ruajtën dhe pasuruan brez mbas brezi.

Me të drejtë sot, shaljanët kur bëjnë bilancin e historisë së krahinës së tyre, mburren dhe janë krenar për familjen Shatri, sepse ishte një derë e përhershme nderi e bujarie tipike shqiptare.

Tashmë kjo familje me emër, u bë një shtëpi e njohur përkrah bajraktarit Mar Lula, i pari i djelmnisë së Shalës, trimi kreshnik Mehmet Shpendi, etj., për të ardhur natyrshëm tek Isa Boletini, që të gjithë ishin nga familja e famshme e Pecnikajve të Shalës.

Me zbritjen nga ato male të thepisura të Dukagjinit, ku ka folën simboli i flamurit arbëror shqiponja, kjo familje azganësh, zuri vend në fshatrat e Deçanit, Pejës, Burimit deri në Bajgorën e Isa Boletinit në Mitrovicë, gjithnjë buzë Bjeshkëve të Nemura, mes ajrit të pastër dhe ujërave të ftohtë e të kristaltë.

Sikurse shihet edhe nga vetë biografia e familjes së historianit Shatri, del se ai kishte përshkuar kalvarin e përndjekjeve, burgjeve serbo-komuniste, të cilëve, u rezistoi me një burrëri stoike tipike të racës së pastër iliro-dardane.

Së fundi, duke shpresuar se nga ky tubim e nga kumtesat e lexuara, qoftë edhe shkurtimisht, do të dalë më e plotë figura madhore e prof. dr. Muhamet Shatrit, njerit prej historianëve cilësore dhe prodhimtarë me botime, të njeriut modest dhe të vendosur në ndriçimin e të vërtetave historike, përmes një pune titanike të palodhur në dobi të historisë dhe kombit tonë.

I uroj nga zemra jetëgjatësi dhe mbarësi në jetë, sikurse edhe vijimsi të mëtejshme shencore historike profesorit tonë të dashur Shatri, mbasi emri dhe kontributi juaj, tashmë është i gdhendur në volumet e botimeve cilësore historike, sepse ju keni dhënë dhe po jepni shumë, duke kontribuar për popullin shqiptar.

Ju falëminderit për vëmendjen!