Atë Ndue Kajtazi
Parathënie
Në botën tonë janë pak njerëz që e dinë mirëfilli rëndësinë e punës dhe të flijimit të Nënës Tereze për të tjerët, sidomos për të varfrit e më të varfërve dhe për ata që vdisnin buzë rrugës dhe askush nuk kujdesej për ta. Gjithë veprimtaria e saj është e lidhur ngushtë me Shoqatën (Rendin) Misionaret e Dashurisë, të cilën e themeloi më 7 tetor 1950 në Kalkutë të Indisë, që më vonë u përhap në shumë shtete të botës.
Për të hedhur dritë në thelbin e punës së Nënës Tereze, tashmë të shpallur shenjtëreshë: – Shën Terezja e Kalkutës, profesor Anton Nikë Berisha nga viti 2004, kur nxori në dritë romanin për Gonxhe Bojaxhiun – Nënën Tereze, “Nëna e dritës” (në njëvjetorin e shpalljes së saj të lumtur), hartoi dhe botoi një varg veprash kushtuar kësaj figure nga më të rëndësishmet e shekullit të kaluar.
Në këtë komplet prej shtatë vëllimesh janë përfshirë disa nga veprat më të rëndësishme të këtij autori kushtuar Nënës Tereze, që janë të llojeve të ndryshme, po të gjitha njësohen në një pikë: e ndriçojnë dhe e shpalosin në mënyrë sa të thellë aq dhe bindëse punën e Nënës Tereze si Misionare e Dashurisë.
Për t’ia dalë kësaj detyre, pra, për ta njohur thelbin e punës dhe shpirtin e Nënës Tereze, Anton Nikë Berisha e bëri këtë në dy forma: me vepra letrare artistike dhe me vepra studimore.
Në veprat artistike (romane dhe përsiatje poetike) Anton Nikë Berisha– përmes rrëfimit artistik – e shpalos shpirtin e Nënës Tereze në veprime konkrete; rrëfen për dramat shpirtërore të saj dhe të atyre që ua kushtoi jetën: të varfërve nga më të varfrit, të gëbulurit më ç’rast dramat e tyre bëhen dramat e saj dhe anasjelltas, siç dëshmohet thellësisht në romanin “Ëndrra e erës” – Rrëfim dramatik i Nënës Tereze (i përkthyer edhe në italisht1), që bën objekt artistik dramën e të gërbulurve dhe Qytetin e tyre në Bengala (në afërsi të Kalkutës, Indi), të ndërtuar për ta nga ajo dhe motrat e saj.
Në studimet e tij kushtuar figurës dhe veprës së Nënës Tereze autori përqendrohet sidomos në analizimin e teksteve të saj të llojeve të ndryshme, duke i parë e vështruar nga aspekte të ndryshme, siç dëshmohet me veprat “I desha njerëzit me dashurinë e Hyjit” (Doracak për Nënën Tereze), studimet monografike “Shën Pali dhe Nëna Tereze”, “Shën Maria dhe Nëna Tereze” dhe “Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze përligjje e hirit të Hyjit dhe e hyjnimit të saj”, “Testamenti shpirtëror” etj.
Për hartimin e veprave të karakterit studimor autori ka përdor një literaturë të gjerë, duke sjellë mendime dhe vlerësime të disa nga njohësit më të shquar të jetës e të punës së Nënës Tereze, duke filluar nga mendimet e Papës Palit VI, Papës Gjon Palit II, Papës Benediktit XVI, pastaj të etërve të saj shpirtërorë e deri të bashkëpunëtoret dhe bashkëpunëtorët, të cilën e njohën për së afërmi dhe në veprimet e përditshme.
Këto vepra të Anton Nikë Berishës dëshmojnë jo vetëm që autori i tyre është njohës i teksteve të Nënës Tereze, po dhe i Biblës dhe i literaturës biblike, ku gjen mbështetje çdo mendim dhe veprim i saj. Kjo bie në sy sidomos në studimet “Shën Pali dhe Nëna Tereze”, “Shën Maria dhe Nëna Tereze” dhe “Errësira shpirtërore…”, ku mendimet e Nënës Tereze janë përafruar e krahasuar me tekstet e Biblës, sidomos me letrat e Shën Palit, Lutjen e Shën Marisë, me Psalmet etj.
Pra, ajo që ka rëndësi të dorës së parë në të gjithë këto vepra të Anton Nikë Berishës është fakti se ai i ka studiuar me vëmendje dhe është mbështetur në tekstet e uratave, tekstet e fjalimeve, të letrave, ose të mendimeve të Nënës Tereze të shprehura në raste të ndryshme, përmes të cilave ndriçohet në mënyrën të qartë dhe të thellë thelbi i veprimit të saj dhe i Misionareve të Dashurisë, të cilën e udhëhoqi nga themelimi e deri në ndërrimin e jetës. Autori ka vështruar sidomos dashurinë e thellë dhe besimin e palëkundur të Nënës Tereze ndaj Hyjit dhe Birit të tij, Krishtit, rëndësinë e jashtëzakonshme të lutjes – si mjetin kryesor të afrimit me Hyjin dhe të besimit në Të, dhe nevojën e përhapjes së dashurisë së Hyjit tek njerëzit.
Puna dhe flijimi i Misionareve të Dashurisë, siç theksohet në veprën “I desha njerëzit me dashurinë e Hyjit”, ishte përligjje e dashurisë ndaj Hyjit dhe hirit të Tij dhe e flijimit të tyre për të bartur atë dashuri tek njerëzit e varfër, të mjerë dhe të sëmurë dhe t’i afronte ata tek dashuria hyjnore, gjë që mbërrihet përmes besimit, të lutjes dhe të veprimit2. Pra, puna e Nënës Tereze dhe e Misionareve të Dashurisë, s’kishte qëllim social, po shumë më të madh dhe më të çmueshëm. Këtë na e thotë Nëna Tereze vetë:
“Ne, para së gjithash, jemi religjioze. Jo asistente sociale, mësuese, infermiere ose mjeke. Jemi religjioze. I shërbejmë Krishtit në të varfër. E vizitojmë, kujdesemi për të, e veshim në të varfër, në të braktisur, në të sëmurë, në jetimë, në ata që vdesin buzë rrugës. Gjithë ajo që bëjmë, lutja, puna, vuajtja, janë për Krishtin. Ne bëjmë diçka të bukur për Krishtin. Jeta jonë s’ka as arsye, as motivim, as kuptim jashtë Tij. Kjo është një çështje që shumë nuk e kuptojnë3[…] Përherë ekziston rreziku që puna jonë të bëhet qëllim i vetvetes. Ka rrezik që të harrohet për kë e bëjmë atë: këtu hyjnë nderimi, dashuria dhe devotshmëria, për arsye se ne e dhurojmë dhe e bëjmë (punën) për Zotin, për Krishtin; këtu qëndron arsye që përpiqemi ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Duhet t’u mbartim këtë përvojë të mrekullueshme të shërbimit njerëzve që vetë nuk ia kanë dalë.
Është njëri ndër shpërblimet më të mëdha për punën tonë4”.
Nëna, as nuk u jepte të tjerëve lëmoshë, as ndihmë sociale dhe as nuk kërkonte një gjë të tillë prej tyre: “Unë nuk kërkoj lëmoshë, nuk e kam kërkuar kurrë, as në fillim. Shkoj tek personat e s’ka rëndësi çfarë janë indu, myslimanë, budistë, të krishterë, e u them: ju jap mundësinë të bëni diçka të bukur për Zotin5”.
Rëndësinë e punës së Nënës Tereze e çmuan lart shumë personalitete të shquara botërore. Me këtë rast po sjell vetëm dy mendime.
Papa Gjon Pali II Nënën Tereze e përcaktonte në kë mënyrë: “Rënkimi i Krishtit në kryq ‘Kam etje’ (Gjn 19, 28), që shpreh thellësinë e dëshirës së Hyjit njeri, ka hyrë në shpirtin e Nënës Tereze dhe ka gjetur një truall të pëlleshëm në zemrën e saj. Shuarja e etjes së dashurisë dhe (qetësimi) i shpirtit të Krishtit në njësim me Marinë, Nënën e Jezusit, qe bërë qëllim i vetëm i jetës së Nënës Tereze dhe forca e brendshme, që bënte ta tejkalonte vetveten e të ‘shkonte në vrap’ nga një anë e botës në tjetrën me qëllim të veprimit për shpëtimin dhe shenjtërimin e të varfërve nga më të varfrit […] Përfillje e veprim, ungjillëzim e nxitje njerëzore: Nëna Tereze e shpall Ungjillin me jetën e saj dhuruar krejtësisht të varfërve, po në të njëjtën kohë, kridhet në lutje.
Ta lavdërojmë këtë grua të vogël të dashuruar në Hyjin, kumtuese e përvuajtur e Ungjillit dhe mirëbërëse e palodhshme e njerëzimit […] T’ia pranojmë mesazhin dhe ta ndjekim shembullin e saj6”.
Punën e Nënës Tereze e çmoi lart dhe Kongresi amerikan (më 9 qershor 1997): “Sipas vlerësimit të Kongresit Amerikan Nëna Tereze është një vegël e vullnesës së Zotit. Dashuria për Zotin, që vinte nëpërmjet Nënës Tereze, ka ndikuar në mënyrë të pashlyeshme dhe e ka ndërruar historinë njerëzore. Nëpërmjet shembullit personal Nëna Tereze i drejton dhe u tregon njerëzve si mund të jetohet në dashuri për njerëzimin7”.
Në fund të kësaj Parathënie po theksoj se këto shtatë vepra të Anton Nikë Berishës që po botohen së bashku dëshmojnë për një punë të bërë me shumë përkushtim dhe dije dhe se ato do të mundësojnë njohjen e mirëfilltë e të gjithanshme të veprimtarisë e të shpirtit të Nënës sonë Tereze dhe si të tilla do të nxitin edhe autorë të tjerë që të merren me këtë figurë të rëndësishme dhe për shumëçka të veçantë të botës sonë e të njerëzimit në përgjithësi. Them kështu për arsye se sa më mirë që ta njohin punën dhe flijimin e Nënës Tereze për tjetrin, aq më shumë do të krijojmë mundësinë për mbarësi të jetës e të botës në të cilën jetojmë.
Bota jonë shqiptare dhe njerëzit e saj kanë nevojë për këtë njohje më shumë se çdokush tjetër.
Kuvendi françeskan,
Gjakovë, janar 2019
REFERENCAT:
1. Shih Anton Nikë Berisha, Il sogno del vento. Racconto di Madre Teresa. Romanzo. Postfazione di Alessandro Gadio. Traduzione italiana a curi di Albana Alia, Fiorella De Rosa. Pellegrini Editore, Cosenza 2016.
2. Shih Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio. Paoline 8° Edizione, Milano 2007, f. 167.
3. Franca Zambonini,. Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 157.
4. Madre Teresa. La gioia di amare. 365 meditazioni quotidiane. Oscar Mondadori, ottobre 2009, 4 aprile.
5. Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 101 – 102.
6. Marrë nga: Madre Teresa, “Il mio segreto: Prego”. Raccolta di preghiere. Tratti dagli scritti di Madre Teresa a cura di Padre Giuseppe Giacomelli, Editrice Shalom, 2000, f. 17 – 19.
7. Në emër të Kongresit Amerikan këto fjalë i tha deputeti Jachson Junior më 9 qershor 1997. Shih Cristina Siccardi, Madre Teresa. Tutto iniziò nella mia terra. San Paolo, Cinisello Balsamo (Milano) 2009, f. 173.