VEPRA POETIKE “AKULL E ZJARR“ I POETIT E PROFESORIT FETAH SHEHOLLI

0
721
Fetah Shekolli - Akull e zjarr

Mr. Fatmir Halimi

Në kuadër të “Festivalit Kombëtar të Letërsisë dhe Ditët e Diasporës” sot po promovojmë VEPREN POETIKE “AKULL E ZJARR“ TE POETIT E PROFESORIT FETAH SHEHOLLI

Përshëndetje tё nderuar tё pranishëm: shkrimtar e poetë nga e gjithë gjeografia shqiptare dhe ju mysafirë të tjerë, adhurues tё fjalës sё bukur artistike shqipe!

Nën udhëheqjen e shoqatës kulturore „Prokult“ nga Podujeva është hera e tetë që organizohet “Festivali Kombëtar i letërsisë dhe Ditët e diasporës“, të përkrahur çdoherë nga Ministria e kulturës, kurse këtyre dy viteve të fundit edhe nga Drejtoria e Kulturës së komunës së Podujevës, për çka edhe u jemi shumë mirënjohës.

Tё nderuar të pranishëm, mërgimtarët tanë, çdo herë qëndruan afër trungut kombëtar. Mbajtën gjallë familjet e tyre, ndihmuan skamnorët dhe shkollat shqipe nё Kosovë, ndihmuan UҪK-nё dhe luftën e saj tё drejtë e çlirimtare, ndërkaq sot, janë potencial i pa zёvendёsueshёm ekonomik, politik, kulturor, letrar e intelektual. Andaj edhe meritojnë të bëhen organizime dhe manifestime të ndryshme për nder të tyre.

Në gjitha edicionet e kaluara të festivalit tonë, morën pjesë qindra krijues nga e gjithë gjeografia kombëtare, e ku dhjetëra krijues morën çmime e mirënjohje letrare. Çmimet letrare të këtij Festivali tani gjenden në pronësi të krijuesve të ndryshëm anekënd trojeve tona. Po ashtu dhjetëra krijues nga Kosova, Shqipëria dhe nga diaspora zgjodhën që në festivalin tonë të letërsisë të bëjnë përurimin e veprave të tyre letrare, sikurse që do të bëjmë edhe sot përurimin e librit poetik “Akull e zjarr” të poetit e profesorit shumëvjeçar llapjan z. Fetah Shehollit me qëndrinm në Zvicër.

Si Redaktor dhe botues i librit poetik “Akull e zjarr”, do të vërej se poezia e Fetah Shehollit ka prurje te reja në vargëzim, në ritëm dhe rimë, në figura stilistike e trope letrare, ku dominon vargu i lirë, gjë që edhe e bëjnë të veçantë në letërsinë tonë, që krijohet këtu në Kosovë, por edhe në gjithë diasporën shqiptare.

Të gjitha poezitë në librin “Akull e zjarr” ndonëse të ndara në pesë cikle, kanë lidhmëri në mes veti dhe si të tilla na japin një tërësi të pashkëputur duke përshkruar realitetin jetësor të viteve të okupimi, por edhe të viteve pas çlirimit dhe pavarësisë së vendit tonë.

Librit poetik “Akull e zjarr” i poetit e profesorit Fetah Sheholli, sot vjen në dorë të lexuesit si një vepër me vlerat të larta artistike, që përçon ndjenjën atdhedashurisë, e cila është e shprehur pothuajse në çdo poezi të saj.

Dhe për fund edhe një herë në emër të shoqatës kulturore “Prokult” poetit e profesorit tonë, Fetah Shehollit i dëshirojmë mirëseardhjeje, suksese dhe prurje të reja letrare!