VEPRA 3 ME TË DHËNA PUBLICISTIKE E SHKRIME TË BOTUAR NGA VETË AUTORI HYSEN IBRAHIMI

0
510

Nga Prof. Fetah Bahtiri, 3 prill 2019, Recensuesi

Sot doli nga shtypi libri i tirulluar ”VEPRA 3” e autorit z. Hysen Ibrahimi, botues Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

Libri ”VEPRA 3”, është një libër me të dhëna publicistike, në të cilin janë paraqitur disa nga shkrimet e botuara të vetë autorit Hysen Ibrahimi për veprimtari kulturore, atdhetare e politike, për takime të shumëllojshme në nivele të ndryshme, intervista, recensione të autorit dhe të autorëve të tjerë për veprat e botuara të autorit si dhe për libra të tjerë që lidhen me autorin dhe veprimtarinë e tij, opinione për autorin dhe disa nga mirënjohjet që i janë ndarë atij.

Takimet dhe intervistat e autorit me personalitete nga më të ndryshmet të botuara në këtë libër ka për qëllim që të nxisin të gjithë që të investojnë në kulturë dhe krijimtari.
Në takimet dhe intervistat të cilat kanë pasur karakter kulturor, ka pasur raste kur është biseduar edhe për situata të ndryshme të gjendjes politike, si brengë e mosarritjeve të rezultateve të dëshiruara në zhvillimin e vendit.

Autori i librit, duke i botuar të gjitha këto veprimtari kulturore në një libër të veçantë, jep mesazhin për të gjithë krijuesit se duhet botuar vepra për veprimtari të ndryshme e të shumëta, që kanë për synim ngritjen e vetëdijes kulturore, por, njëkohësisht që gjërat mos t’i mbulojë pluhuri i harresës.

Vend të rëndësishëm në këtë libër kanë zënë edhe disa recensione të autorit dhe të autorëve të tjerë për veprat e autorit si dhe për vepra të botuara të autorëve shqiptarë, sidomos të atyre në kuadër të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, për Suedi.

Autori në këtë libër i sjell edhe disa shkrime për disa veprimtarë, bashkëpunëtorë të ngushtë të tij në Suedi, të cilët para kohe janë ndarë prej të gjallëve dhe kanë shkuar në amshim. Me këto shkrime Hysen Ibrahimi dëshiron që t’i kujtojë ata, e sidomos veprimtarinë e tyre, që ata mos të harrohen kurrë. Kjo ndjeshmëri fisnike mund të konsiderohet një vlerë e lartë njerëzore e autorit.

Konsideroj se synimi kryesor dhe parësor i autorit që e boton këtë libër është se secili intelektual duhet shkruar dhe afirmuar të gjitha ato veprimtari qofshin ato nga fusha e dijes, kulturës, letërsisë, publicistikës, në mënyrë që kjo vepër të jetë edhe një inspirim për të tjerët me mendime e ndjenja kombëtare.

Në anën tjetër pjesa më e madhe e veprimtarive të botuara në këtë libër, do të mbeten si dëshmi për veprimtarinë e autorit e të bashkatdhetarëve tanë në mërgatë në shërbim të atdheut. Njëkohësisht ky libër dëshmon se jeta e mërgimtarit është dhe duhet të jetë e lidhur mishërisht me vendin e lindjes së tij dhe me atdheun e prejardhjes. Pra, autori, edhe kësaj radhe, sikur edhe në veprat e tij, insiston në nxitjen e pasqyrimit të veprimtarive kulturore, letrare, politike e kombëtare, sikurse në librat e tij që i ka botuar më herët.

Një karakteristikë tjetër e këtij libri është se materialet e prezentuara në te më parë kanë qenë të botuara në media dhe libra të tjerë. Këtu janë prezantuar disa nga shkrimet e autorit Hysen Ibrahimi, të seleksionuara mirë dhe të grumbulluara në një vend.