VEPËR QË MUNDËSON TA NJOHIM SA MË MIRË JETËN DHE VEPRËN E NËNËS SONË TEREZE

0
1460
Doracak për Nënë Terezën - kopertina

Isak Ahmeti

(Anton Nikë Berisha: Doracak për Nënën Tereze, Argeta-LMF, Fjala Hyjnore, Tiranë, Prishtinë, Shkodër 2014)

Libri: Doracak për Nënën Tereze, i autorit të mirënjohur, Anton Nikë Berisha, është një libër me vlera shumështresore,me 670 referenca, që dëshmojnë për përkushtimin dhe seriozitetin e tij të jashtëzakonshëm për t’u marrë me një problematikë sa inreresanre aq edhe me vlerë. Me këtë libër, siç e ka thënë edhe vetë autori te shënimi paraprak, synon të ndriçojë disa nga çështjet më të qenësishme të veçantive të shpirtit, të veprës e të flijimit të saj për njerëzit, sidomos për të varfërit e më të varfërve,duke u dhënë vend parësor, para së gjithash, mendimeve, teksteve të lutjeve dhe letrave të saj (1), si dhe vlerësimeve të bashkëpuntoreve dhe bashkëpuntorëve, barinjve shpirtërorë dhe teologëve për arsye se në to e përmes tyre dalin në dritë të vërtetë, nga njëra anë, pasuria e shpirtit të Nënës Tereze dhe, nga ana tjetër, rëndësia e veprës që bëri dhe e mesazhit që i la njerëzimit.

Dhe përnjëmend, sa herë që jam marrë me Nënën Tereze(2)-u jam kthyer teksteve -mendimeve të Nënës Tereze-shkruan autori-jam bindur për herë e më shumë se ato në qenësinë e tyre janë më të thella e më komplekse se sa të duken gjatë një leximi të rendomtë, thellësi që brumoset-ngjizet brenda një thellësie të jashtëzakonshme. Është fakt i pamohueshëm-konstaton autori i librit në fjalë-se vepra e Nënës Tereze ishte dhe mbetet një shembull i rrallë në historinë e njerëzimit për dashurinë që tregoi dhe për flijimin që bëri për tjetrin sidomos për të varfërit ,për fëmijët jetimë e për të braktisurit.

Ajo zbatoi me përpikëri urdhrin e Ungjillit:”Duajeni njëri-tjetrin!Sikurse unë ju desha juve”(Gjn 13-34), dhe “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”(Mt 22,39), duke filluar nga “familja e saj e shpirtit”-Misionaret e Dashurisë e deri tek secili njeri që e njohu dhe takoi.Prandaj,jo rastësisht , shumë prej atyre që e njohën për së afërmi ,e quajtën”Ungjill i gjallë”(3),çdo gjë duhet lidhur me besimin e saj të patundur në Hyjin dhe në Birin e tij ,dhe në lutje ,që ishte mjeti dhe burimi kryesor i jetës dhe i flijimit të saj për njeriun.Dhe jo rastësisht ajo e pati shpallur veten”Shërbëtorja vullnetare e vullnesës së Zotit” dhe ,në këtë kontekst me këtë, ajo vetë ka shpalosur qenësinë e jetës e të veprimit dhe të gjithë asaj që ka arritur:

“Jam vetëm një grua e varfër që lutet.Duke u lutur ,Zoti më ka mbushur zemrën me dashuri dhe kështu kam mundur t’i dua të varfërit me dashurinë e Hyjit”.Prandaj përmes lutjes-shkruan autori- Nëna Tereze i njësoi tokën dhe qiellin ,konkreten dhe hyjnoren;lutja i bëri të mundur të vepronte me përkushtim e me dashuri hyjnore dhe t’i pranonte vuajtjet e njerëzve si të vetat dhe të bashkëvuante me ta .Për njerëzoren dhe hyjnoren e Nënës Tereze dëshmojnë në mënyrë të pamedyshtë edhe fjalët e kardinal Martinit ,të cilat autori i librit i ka sjellë me përpikëri :

“Sa herë që,në dhjetëvjetëshat e shkuar, e kam takuar Nënën Tereze të Kalkutës… kam fituar përshtypjen e thellë ,si të një krijese jashtë asaj të përditshmes, gati si vegim të një qenieje që nuk i përket kësaj toke, edhe pse me aftësinë t’i administrojë gjërat konkrete tokësore. Kishte në të një të përbashkët unike të butësisë e të forcës, të shpirtshmërisë e të konkretësisë, të përvujtërisë e të vetëdijes së dinjitetit e të misionit të saj, që më bënin të më shfaqej si diçka, rrënjët e së cilës nuk duhej të ishin në këtë botë. Për këtë arsye jam gëzuar që pata mundësinë …të vizitoj në Kosovë (pranë Kishës së Letnicës, ku Gonxhja kalonte gati një muaj në verë) ndonjë nga vendet në të cilat Nëna Tereze e kaloi fëmijërinë e saj dhe t’i shënoj disa kujtime të viteve të saj të rinisë”.

Është me rëndësi të theksohet se librin në fjalë:Doracak për Nënën Tereze,autori e ka strukturuar në katër pjesë:
Pjesa e parë
HAPAT E PARË TË JETËS NË DRITËN DHE NË HIRIN E HYJIT
1. Të dhëna të jetës e të veprimit
2. Mjedis shoqëror me traditë të lashtë e të pasur të besimit në Zotin dhe në Birin e tij ,Jezu Krishtin
3. Nëna Rozë dhe ndikimi i shumëfishtë i saj në përshpirtërinë e Agnezes-Nënës Tereze
4. Kungimi i parë :fillimi i shenjtërimit

5. Nga gjaku jam shqiptare
Pjesa e dytë
DASHURIA PËR HYJIN DHE DASHURIA PËR NJERIUN ËSHTË E PANDARË
1. Besim dhe dashuri e paskajshme për Hyjin
2. Lutja është zëri i Hyjit në thellësinë e zemrës
3. Hyjnorja dhe hyjnimi -dhuratë e Hyjit
4. Dashuria në veprim
5. Veprimi dhe flijimi me gëzim
6. Letrat-dëshmi e besimit dhe e përshpirtërisë
7. Vuajtja dhe errësira shpirtërore përligjje e hyjnimit

PJESA E TRETË
TEKSTE LUTJESH, LETRA, MËNDIME
I. Tekste lutjesh
II. Dy letra dërguar kryeipeshkvit të Kalkutës
III. Letër dërguar Nënës Gertrude
IV. Letër dërguar Vatikanit
V. Letër Krishtit
VI. Letra nga Varanasi- Testamenti shpirtëror
VII. Letra popullit të Shqipërisë
VIII. Mendime

Pjesa e katërt
PERSONALITETE BOTËRORE PËR NËNËN TEREZE
Secila pjesë,siç shihet edhe te paqyra e dhënë më lart,përbëhet nga disa njësi shkrimore të veçanta ,por që ,të gjitha së bashku, përbëjnë një tërësi mjaft unike dhe interesante për një shtresë të gjerë lexuesish, dhe jo vëtëm për ta.
Te pjesa e tretë e librit: Tekste lutjesh, letra,mendime(fq.265-290), autori ka sjellë 94 mendime, interesante dhe me shumë vlerë, të Nënës Tereze, gjë që dëshmon për pasurinë shpirtërore dhe mendore të saj, aty ajo vë në dukje një gjë me rëndësi të shumëfishtë: Hyji ka nevojë për dashurinë e njeriut, për dashurinë tonë për arsye se dukev u njësuar dhe duke u bërë njeriu një me dashurinë e Tij, ai(njeriu) pasurohet me dashuri të tillë për ta dëshmuar tek të tjerët, duke filluar nga prindërit ,nga vëllai e motra, nga i afërmi e për të vazhduar tek secila krijesë e Zotit.

Krejt në fund le të ritheksojmë atë që është thënë diku edhe në faqet e këtij libri se ky është një libër që në mënyrë të qartë mundëson ta njohim sa më mirë e sa më thellësisht jetën dhe veprën.e Nënës Tereze, tashmë shenjtëreshë edhe zyrtarisht.
————————————-
1. Letra popullit tim të Shqipërisë,është letra e fundit e Nënës Tereze drejtuar popullit të vet shqiptar; botuar me 24 prill 1997, me të cilën përligjet dashuria e saj e madhe që kishte dhe ndjente për popullin dhe atdheun e vet.
2. Deri më tash autori në fjalë,Anton Nikë Berisha ka botuar këto vepra për Nënën Tereze:
1. Nëna e dritës, roman,”Faik Konica”, Prishtinë, 2004,
2. Thelbësorja e besimit dhe e lutjeve të Nënës Tereze,”Fjala Hyjnore”,Prishtinë,2005,
3. Nëna Tereze:Jeta është vetë jeta e Zotit në ne, Studim& Tekste &Testamenti shpirtëror dhe letra e Nënës Tereze Prishtinë, 2007,
4. Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze,Prishtinë,2008,
5 .Nëna Tereze ,Testamenti shpirtëror, shqipërimin nga italishtja dhe analizën Anton Nikë Berisha,”Fjala Hyjnore” ,Prishtinë 2008,
6. Shën Pali dhe Nëna Tereze,Tiranë 2009,botimi i dytë i plotësuar ,Prishtinë 2009,
7. Ujëvarë drite në zemër,ShB”Argeta-LMG”,Tiranë 2009,botimi j dytë 2010,
8. Nëna Tereze,Lutja është zëri i Zotit në thellësinë e zemrës,Prishtinë 2010,
9. Cascata di luce nel cuore,Luigi Pellegrini Editore ,Cosenza ,2010,
10 .Nëna Tereze në tri shpalime,Faik.Konica,Prishtinë 2010.
3.Franca Zamborini, Madre Teresa, La mistica degli ultimi. 3 Edizione, Pauline Editoriale Libri, Milano 2003.