VEPËR ME VLERA TË VEÇANTA KOMBËTARE DHE FETARE

0
520

Prof. Dr. Riza Sadiku

Recension

Në fund të vitit 2017, autorët e mirënjohur të shumë shkrimeve, kushtuar veprimtarëve të mërgatës shqiptare dhe të disa personaliteve kombëtare të anatemuar nga regjimet komuniste, studiuesit dhe publicistët, Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova, pas një pune sistematike të mundimshme dhe me vullnet të lartë, arritën të nxjerrin në dritë edhe një vepër, me vlera të veçanta kombëtare dhe fetare e cila i kushtohet 50 vjetorit të veprimtarisë kombëtare dhe fetare të Don Anton Kçirës.

Për këtë personalitet të dalluar të çështjes kombëtare dhe fetare, deri më tani kanë shkruar edhe vepra tjera dhe disa dhjetra e qindra artikuj, punime dhe shkresa, lidhur me veprimtarinë kombëtare, humanitare dhe fetare të Don Anton Kçirës, në SHBA dhe trojet etnike shqiptare.

Autorët, Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova, në bazë të fakteve dhe dokumentave, kanë arritur, që në mënyrë të plastifikuar dhe objektive ta paraqesin para lexuesve, veprimtarinë fetare dhe kombëtare të Don Anton Kçirës. Për të arritur këtë qëllim, publikuan nje veper monumentale prej 450 faqesh, të ndarë në katër pjesë.

Në pjesën e parë të veprës, autorët na japin shënime shumë interesante lidhur me nevojën dhe historikun e ndërtimit të Kishës Katolike “Shën Pali” në Detroit, si dhe sqarime të thukta dhe argumentuese, lidhur me keqinterpetimin e mendimit të Don Anton Kçirës, të disa pjesëmarrësve në takimin e intelektualëve Shqiptaro-Amerikan, të mbajtur më 13 maj të vitit 2007 në Detroit, lidhur me denoncimin e tentativës të aktit terrorist të tre-katër shqiptarëve në bazën ushtarake amerikane në Nju Xhersi, për të cilin rast u çua shumë pluhër me qëllime dhe prapa via të ndryshme në mediat elektronike shqiptare, sidomos në Kosovë, duke u përpjekur që të ia njollosin tërë veprimtarinë kombëtare dhe atdhetare gjysëm shekullore, Don Anton Kçirës. Autorët e librit, Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova, me fakte dhe dukumente, japin sqarime bindëse për rastin e lartecekur dhe në mënyrë brilante i hedhin poshtë insinuatat dhe tendencat e tilla, lidhur me njollosjen e veprimtarisë kombëtare, humanitare dhe fetare, të Don Anton Kçirës.


Loading…


Në pjesën e dytë të librit, autorët Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova, në mënyrë objektive, të dëshmuar me fakte dhe argumente e kanë paraqitur korrespondencën e Don Anton Kçirës, të cilën e ka pasur me personalitet më të larta të Administratës Amerikane, si me President, Senator dhe Kongresmen të SH.B.A-ve, me përfaqësues të kishave Katolike Amerikane dhe të atyre shqiptare në të gjitha trojet etnike, me personalitetet më të larta politike shqiptare, si dhe me Shoqata të ndryshme humanitare gjatë periudhës së krizës politike dhe sociale në Kosovë. Vlen të theksohet, se në korrespondencën e Don Anton Kçirës, kryesisht bëhet fjalë për pozitën e vështirë të popullit shqiptarë të Kosovës, për shtypjen dhe diskriminimin e tij, gjatë kohës të regjimit të Milosheviqit, po ashtu në kontekst të kësaj korrespondence bëhet fjalë edhe për ndërtimin dhe funksionimin e kishave katolike shqiptare si në trojet etnike ashtu edhe në SHBA, në frymën e humanizmit, tolerancës ndërfetare, mireqenjes njerëzore dhe afirmimit të çështjes mbarëkombëtare.

Në pjesën e tretë të librit, autorët Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova, përmes artikujve nga autor të ndryshëm, të publikuar në gazeta dhe revista të ndryshme, kushtuar veprimtarisë kombëtare, fetare dhe humanitare të Don Anton Kçirës, kanë arritur të nxjerrin në dritë në mënyrë objektive, veprimtarinë e tije gjysmë shekullore. Përmes artikujve të botuar në këtë vepër, autorët në fjalë, për mendimin tim, kanë arritur ta kristalizojnë veprimtarinë kombëtare dhe fetare të Don Anton Kçirës, dhe ti xhveshin tentimet e njollosjes të veprimtarisë së tij kombëtare dhe nxitjes të urretjes në mes të kombit shqiptarë në baza fetare, lidhur me rastin e lartcekur të Nju Xhersit.

Në pjesën e katërt të kësaj vepre, bëhet fjalë për shtypin Amerikan dhe atë shqiptarë i cili i kushtohet Don Anton Kçirës dhe Kishës Katolike “Shën Pali” në Detroit. Në kontekst të kësaj pjese të librit, autorët Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova, në mënyrë të argumentuar, kanë arritur që përmes disa gazetave Amerikane, atyre shqiptare të botuara në SHBA dhe në trojet etnike shqiptare, si dhe intervistave të ndryshme të realizuara me Don Anton Kçirën, të nxjerrin në dritë, pasqyrojnë dhe të afirmojnë, opinionin e gjerë amerikan dhe atë të mërgatës shqiptare, me veprimtarinë kombëtare dhe fetare të tij në SHBA-së. Ky kapitull i librit përfundon me një kolazh të fotografive të ndryshme, përmes të të cilave dëshmohet në mënyrë faktogafike veprimtaria kombëtare dhe fetare e Don Anton Kçirës.

Në këtë kolekcion të fotografive, prezentohen takimet e Don Antonit me Presidentin Klinton, me personalitete të larta të Administratës Amerikane, Senator dhe Kongresmen, pjesëmarrja e Don Antonit në demonstrata të ndryshme dhe fjalimet e tija të mbajtura në ato raste, kundër regjimit të Beogradit dhe shtypjes të popullit shqiptarë në Kosovë, takimet e tij me personalitetet më të larta të Shqipërisë dhe Kosovës dhe përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme fetare, katolike, myslimane e bektashiane.

Vepra e autorëve, Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova, kushtuar Don Anton Kçirës, për mendimin tim, ka rëndësi dhe vlera të veçanta, jo vetëm fetare, por edhe kombëtare. Rëndësia fetare, qëndron në faktin, se të gjithë ato personalitete që merren me interpretimin e fesë, Fenë, duhet ta vënë në funksion të kombit, tolerancës, humanizmit dhe mirëqenies njerëzore. Kurse rëndësia kombëtare qëndron në faktin, se si mërgata shqiptare, me shumë sakrifica edhe përmes institucioneve fetare, ka arritur, që çështjen mbarëkombëtare, në veçanti atë të Kosovës, përmes demonstratave, mjeteve të informimit dhe kontakteve zyrtare me përfaqësuesit më të lartë të Administratës Amerikane ta afirmojë, sensibilizoj dhe ndërkombëtarizojë, jo vetëm në instancat më të larta të Administratës Amerikane, por edhe në Organizatat Ndërkombëtare.

Autorët, Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova, përmes kësaj vepre, jo vetëm që kanë nxjerrë në dritë, veprimtarinë kombëtare dhe fetare të Don Anton Kçirës, i cili për kontributin e tij kombëtarë dhe fetar, do të zënë vendin e merituar në Histori, por vepra e tyre shpresojmë, se do të inspirojnë edhe shumë studiues tjerë, të shkruajnë monografi të tilla edhe për shumë veprimtarë tjerë, të anatemuar të mërgatës shqiptare, të cilët tani nuk gjinden në mesin tonë, por të gjithë jetën që ia kushtuan kauzës shqiptare, kurse autorëve të kësaj vepre madhore, ju dëshiroj shëndet, që në të ardhmen të na dhurojnë edhe shumë vepra të tilla, me vlera të veçanta kombëtare.