VEPËR ENCIKLOPEDIKE PËR ÇËSHTJE JETIKE…

0
885

Dr. Nuhi Vinca

(Recension për veprën “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi”, nr.7 e 8; botues SHSHASH Papa Klementi XI Albani, Prishtinë 2017, me faqe 638 dhe vëllimi tjetër me 560)

Mitrovicë, Zasellë, 12 korrik 2017

Të flasësh e të shkruash për dy vepra kaq vëllimore, është një kënaqësi e një vështirërsi njëkohësisht. Ëshë kënaqësi sepse një vëllimësi e tillë ka lindur nga mërgimtarë që janë renditur me emër e mbiemër në f.3 me kryesinë që i prin Hysen Ibrahimi së bashku me Fetah Bahtirin, Osman Ahmetgjekajn, Sokol Demakun, Bedri Pacin, Hamit Gurgurin, Remzi Bashën, Ibrahim Abedinin, Bajram Muharremin, Fahredin Berishën dhe Rrahman Rrahmanin, në njërën anë e 27 të tjerë anëtarë të kryesisë që nis me Saranda Isenin.
Të gjithë i falënderoj dhe i përshëndes në këtë tubim sugjestiv në fshatin e Nezir Zasellës, ku jemi mbledhur ta nderojmë si luftëtar të lirisë gjatë viteve të vështira e të rrezikshme për kombin. Këta emra që përmendëm dhe kjo iniciativë flet se puna ekipore dhe bashkimi bën fuqinë siç na flet urtia e popullit.

Të jesh mërgimtar në Suedi, të punosh për të realizuar detyrat si shtetas apo punëtor suedez, të mbash brengën shpirtërore e materiale për vendlindjen dhe njerëzit e saj, të edukosh e të brumosish gjeneratën e re shqiptare në Suedi me ideale kombëtare- është një detyrë e rëndë dhe sublime. Është kjo një çështje që kërkon mund pa fund për “art magjie” siç thotë Lasgushi apo të kesh horizont të madh diturie, për çka ky popull i mbledhur këtu sot më 12 korrik shpreh falënderime të përzemërta.

Për shpirtin e tyre binjak me vendlindjen dhe për shpirtin tonë, na vjen një strofë e një poeti gjithashtu mërgimtar që na thotë:

Buzëqëshja jonë është si hënë e ngrënë
Gjysma këtu gjysma te toka mëmë
Dy gjysma bashkë e kanë jetën
Në ndrçoftë njëra bën dritë për tjetrën.
(A. Shehu)

Cila është kjo dritë që mërgimtarët e sjellin në vendlindje, mos është ajo që ëndërroi gjithë jetën gjeniu gjerman Gëte që dha shpirt me tri fjalët që i di gjithë rruzulli tokësor “MEHR LICHT, MEHR LICHT” (më shumë dritë, më shumë dritë, më shumë dritë), për çka në antologjitë dhe enciklopeditë botërore bëhen komente të shumta e në veprat e mërgimtarëve të Suedisë me personalitetet që i përmenda më lart po theksohen si çështje jetike.

Në këto dy vëllime ka aq shumë çështje sa që ndjen dhimbje kur nuk mund t`i përfshish të gjitha. Aty ka vlera që duhet të spikaten në mënyrë të hollësishme dhe të thukët.

Po veçojmë disa:
Në numrin 7 të librit në fjalë Abdyl Uka na njofton në faqen 436 deri 460 për Nezir Zasellën si luftëtar dhe atdhetar i përbetuar, duke filluar që nga fëmijëria e tij, për kullën e qëndresës, për rrethimin e dytë të tij, për luftën në Majdan, luftën në Shpellën e Vllahisë, për vrasjen e dy djemve të tij Manin dhe Zeqirin, për kalimin në Shqipëri, për kthimin në vendlindje e shumë çështje të tjera, që në kohët e Turqisë e deri në Luftën e Dytë Botërore me plot peripeci e vuajtje prometeike të këtij trimi të paepur për komb e atdhe, bashkë me shumë shokë të pushkës e të jetës. Dhe për të gjitha këto në faqet përkatëse lexojmë edhe mirënjohjen e presidentit të Shqipërisë Z. Sali Berisha për luftëtarin drejt zbatimit të idealeve kombëtare për mbrojtjen e Kosovës.

Pas këtyre shënimeve biografike përmenden edhe shumë emra të tjerë luftëtarësh si ata të faqes 461, bashkëluftëtarë e shokë të pandarë: Lahë Rezhana, Osman Malenica, Riza Qabra, Lahë Rashani, Xajë Kosova, Mehmet Konjuhi, Arif Lisica, Bajram Zhazha, Osman Zhazha, Emin Buletini, Shaqir Uka-Zasella, vëllezërit Bajçinovci, Imer Kutllovci, Rifat Banjska, Isa Boletini, Qerim Boletini, Xhem Tërnavci, Shaban Buliqi, Azem Bejt Galica, Hoxhë Kadri Prishtina, Tafil Boletini etj.

Në veprën në fjalë janë tri këngë me më shumë se 236 vargje e para, me afër 100 e dyta dhe 32 e treta.
Të tri këto këngë ilustrojnë për mrekulli jetën e luftëtarëve të pushkës në kohë të sulltanit e të kralit. Këto këngë shërbejnë edhe si dokument edhe si monument edhe si testament…

Vargje dokument: Krisi pushka n`Majdan te shpella/ Po lufton Nezir Zasella.
Varge monument: Osman Zhazha i holl e i gjatë/ I shkoi jeta për vatan…
Vargje testament: Vepra e tij si flaka e pushkës/ Sot kujtohet n`tela t`lahutës…

Me këto cilësi janë paisur edhe vargjet tjera që i ka shënuar Nazmi Sadiku më 2014.Po veçojmë edhe disa vargje tjera nga këto tri këngë:
N`kulla t`Shalës me dedena/Mbrohej trolli e ruhet besa;/Për traditë e kish trimërinë/ Për mikëpritje bujarinë;/ Pushka e tij me flakë të kuqe/ Don me e ba Kosovën nuse/ Kangjallozin e vrau neferi/E vrau pushka e Ibrahim Sukës/ I lumtë dora e gryka e pushkës/ Pusha e tij me dy gryka/ Shkon me ta fytum-fyta/ Grusht të fortë i dhanë Serbisë/ Kjo familje e kish pas traditë/Për liri të trollit të vet/ Kanë luftue me krajl e mbret;/ … Shokt e Nezirit bajn medet/ Për tre shokë që u kan vdek/ Për vatan s`ju dhimet jeta/ S`i than krajlit tungjatjeta/ … Pushka e tyre me flak të kuqe/ Dojnë Kosovën me e ba nuse/ Kur Serbia e gjuan me topa/ Gjëmojn malet e dridhet toka/.

Merita për pavdekësinë e këtyre këngëve i takon Abdyl Ukës bashkë me autorin Nazmi Sadiku, 2004. Por kur jemi te kjo çështje le të themi publikisht se qëndrimi shkencor i folkloristikës shqiptare është se “Mitrush Kuteli do konsideruar si i pari që hartoi e botoi një vepër folklorike me kritere shkencore titulluar “Këngë e britma nga qyteti i djegur”, 1943. Për këtë disa studiues kanë folur me admirim dhe kënaqësi intelektuale, ndërsa disa e kanë injoruar këtë fakt” (shih Teuta Vinca Kafexholli “Mitrush Kuteli si folklorist dhe poet”, Strugë, 2008,f.18.).

Të gjitha vargjet e këtyre këngëve për Nezir Zasellën kanë peshën e vet, por vargu “pushka e tij me dy gryka” zgjon asociacione për kohën përkatëse. Kjo të kujton etnologjinë shqiptare për pushkën me metaforikë dhe urime e mallkime si pjesë e asaj etnologjie të stilit luftarak. Pse te kjo këngë këndohet pushka e tij me dy gryka- nderlidhet pra me urimin e gjuhës së popullit “pushka t`u bëftë top” që do të thotë pushka e tij vepron sikur të jetë top. Do të dëshironim pra ta zgjerojmë këtë metaforë që dy grykat të kenë fuqinë e dymbëdhjetë grykave që të kujton dymbëdhjetë fiset shqiptare kosovare që i shpjegon etnologjia shqiptare sipas etnografit Rrok Zojzi etj.

Pra pushka e trimit bën çudira me epitete e hiberbola të mjeteve luftarake, qoftë pushka apo shpata e heronjëve mesjetar.
Kështu kënga kalon nga gjuha dokument në gjuhën poetike si monument (pëmendore) e testament (porosi).
Theksuam më lart se këto tri këngë janë pjesë të epikës popullore ku autori sa i përfill çështjet historike po aq endet edhe me flatrat poetike.

Për relacionin midid historisë dhe poezisë do të theksojmë mendimin si vijon.
Për këngët që morëm si objekt studimi mund të thuhet se ato i përshkon, i veçon apo i karakterizon tri cilësi poetike që herë janë të pranishme së bashku që të tria e here veç veç.

Kanë karakterin njohës apo gnoseologjik për shkak të natyrës së lëndës që trajtojnë duke u bërë kështu këngë dokument që ndërlidhen me ngjarje konkrete, historike dhe me luftëtarë që janë personalitete të njohura ose të rëndomtë që në këngë luajnë rolin e personazhit epik. Ky aspekt përputhet shumë herë me faktografinë historike e jetësore duke qëndruar vizavijë realitetit, pa e fituar plotësisht autonominë artistike.

Veçoria tjetër është se këto këngë janë këngë monument me ton, ngjyrë, petk poetik duke futur në varg dhe imagjinatë dhe invencë krijuese, duke dhënë detaje që s`i kap historia por që i kërkon poezia. Kështu del shpesh bota shpirtërore e familjare e luftëtarëve të lirisë duke u portretizuar me detaje të rëndësishme ose jo të rëndësishme historike por me vlera artistike.

Për rolin dhe peshën e madhe të këngëve të këtilla, po citojmë një mendim të Ismail Kadaresë nga romani i tij “Kështjella”: “…Ke menduar ndonjëherë se sa e tmerrshme mund të jetë një këngë?/…/ Lufta që u bë para një muaji për shembull shndërrohet në një këngë tragjike. Po të përdorja fjalët, që ti ke qejf, do të mund të thosha se kjo luftë e shndërruar në këngë lëviz midis shekujve si një mjegull e shtyrë nga era. Lufta mbaroi, kënga vazhon të lëvizë nga brezi në brez. Ajo pjell përsëri luftë… Si ta zhdukësh këtë zog të zi? Kjo gjë është e vështirë, Mevla Çelebi, më e vështirë se thyerja apo prishja e mureve të kalave. Këtu s`të ndihmon as topi as skicat e arkitekt Kaurrit. Duhen mundime të stërmëdha. Për këto do të derdhen akoma lumenj gjaku”.

Ashtu si Kadareja edhe Hysen Ibrahimi, kryetari vigjilent dhe forca motorike e punës sublime, thotë kështu: “Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, ka vlerësuar dhe vlerëson lart veprimtarinë dhe sakrificën e atdhetarëve të pushkës dhe penës të fshatit Zasellë, me mirënjohje pas vdekjes për Nezir Zasellën, Nezir Miftarin, Hamit Skenderin, Shemsi Ahmetin, Bajram Kajtazin, Ejup Hamitin, Bajram Mustafën etj.” (“Thesari 7” ShSHASH, Suedi, Prishtinë, 2017, f. 469).

Mesazhet e këngëve të këtilla përcillen me gjuhë poetike që del pa stolisje stilistike për këngët ku mbizotëron e vërteta historike, prandaj sa më artistike që bëhet kënga aq më pak bëhet besnike ndaj ngjarjes historike. Dhe kjo e ka arsyen e vet. Jemi në botën e poetit dhe jo të historianit edhe pse në këngët e këtilla historiani dhe poeti bashkëveprojnë, koekzistojnë mbrenda një strukture poetike, herë me tolerancën e njërit, here me epërsinë e tjetrit. Në të dyja rastet krijojnë epikë historike për lirinë e kombit duke ngritur lart trimat e pushkës dhe të penës.