VEPËR E PASUR DHE E QENËSISHME (II)

0
817

Shkruan: Isak Ahmeti

(Duke e marrë parasysh gjithë punën krijuese, letrare dhe shkencore, të Anton Nikë Berishës, vlerësimet e autorëve shqiptarë dhe të huaj (kryesisht italianë), del se nuk e kemi dhe një emër të dytë, në letrat shqipe, që i përafrohet atij, qoftë në sasi po, edhe në cilësi).

ShB “Argeta LMG & Faik Konica”, Tiranë-Prishtinë, 2016, me rastin e 70 vjetorit të lindjes së Anton Nikë Berishës, ka nxjerr në dritë veprën voluminoze me titull: VEPËR E PASUR DHE E QENËSISHME, vëllimi II, të bashkautorëve: Labinot Berishës & Mehmet Gëzhillt.

Në këtë vëllim, prej 550 faqësh, janë përfshirë punimet më të rëndësishme që janë shkruar dhe botuar, për veprat e Anton Nikë Berishës, në periudhën nga shtatori i vitit 2011 deri në dhjetor të vitit 2016: njëqind e pesë(105) punime të gjashtëdhjetë e tre(63) autorëve për veprat studimore dhe letrare-artistike të tij.

Vëllimi në fjalë është strukturuar në gjashtë pjesë:
I. PUNIMET KUSHTUAR VEPRAVE TË ANTON NIKË BERISHËS NË PËRGJITHËSI,
II. PUNIMET KUSHTUAR STUDIMEVE MONOGRAFIKE DHE VEPRAVE NE PUNIME-INTERPRETIME LETRARE,
III. PUNIMET KUSHTUAR ROMANEVE,
IV. PUNIMET KUSHTUAR VEPRËS POETIKE “UJËVARË DRITE NË ZEMËR”,
V. PUNIMET KUSHTUAR VEPRËS”PRUSHI I BUKURISË” dhe
VI. PUNIMET PËR VEPRAT KUSHTUAR VEPRIMTARISË SË NËNËS TEREZE, që nuk ishin përfshirë në vëllimin e parë.

Në këtë vëllim, siç thuhet te: Dy fjalë për këtë vëllim-të dytin, nuk janë përfshirë punimet e botuar në tre librat e autorëve siç janë:

*ISAK AHMETI, Mëvetësi e studimit dhe krijimit të letërsisë. Mbi disa vepra të Anton Nikë Berishës. Faik Konica, Prishtinë 2014.

*ANTON ÇEFA: Krijimtari e nivelit të lartë shkencor e artistik. Mbi disa vepra shkencore dhe letrare të Anton Nikë Berishës. Faik Konica, Prishtinë 2015 dhe

*HAMDI ERJON MUÇA, Në botën e thesareve poetike. Vëzhgime për shtatë vepra të Anton Nikë Berishës. Faik Konica, Prishtinë 2016.

Te pjesa e parë (I), e vëllimit të dytë (II), janë përfshirë punimet e autorëve si:

*SABIT RRUSTEMI: ANTON NIKË BERISHA-NJË KRIJUES I RRALLË DHE I GJITHANSHËM,
*ANTON ÇEFA: KUR MISHËROHEN NË MËNYRË TË PËRSOSUR NJOHJA DHE INTERPRETIMI TEORIK I PROBLEMEVE TË ARTIT LETRAR,
*IBRAHIM KADRIU: VEPËR ME VLERA TË MËDHA LETRARE DHE SHKENCORE,
*ERIS RUSI: SHPIRTI KËRKIMOR I KUDOGJENDSHËM NË PROCESIN STUDIMOR DHE KRIJUES TË ANTON NIKË BERISHËS,
*SARË GJERGJI: MODELI I STUDIUESIT DHE I KRIJUESIT QË DUHET NDJEKUR,dhe
*EMILIA CONFORTI-ALJULA JUBANI BENGU: SHKRIMTARË DHE STUDIUES ITALIANË PËR ROMANIN “LA SETE PIETRIFICATA” TË ANTON NIKË BERISHËS.

Vlen të theksohet se shkrimet e autorëve të përfshirë të pjesa e parë por edhe te shkrimet e autorëve që janë përfshirë te pjesët: II, III, IV, V dhe VI, janë vlerësime të larta, meritore, për profilin krijues letrar dhe shkencor të Anton Nikë Berishës, i cili, siç ka konstatuar Sarë Gjergji, është modeli i studiuesit dhe krijuesit që duhet ndjekur (fq.44).

Krejt në fund, prandaj, le të konstatojmë se njëqind e pesë punimet të gjashtëdhjetë e tre autorëve të përfshirë te vëllimi i dytë: VEPËR E PASUR DHE QENËSISHME, ndriçojnë mirëfilli vlerat letrare dhe shkencore të veprës së Anton Nikë Berishës. Është ky, pra Anton Nikë Berisha, një autor i rrallë në letrat shqipe, kontributi i të cilit, i dhënë në shumë rrafshe (gjini letrare), është i pakrahasueshëm dhe i padiskutueshëm.

Prandaj, duke e marrë parasysh gjithë punën krijuese letrare dhe shkencore të Anton Nikë Berishës, atë që është botuar deri më tash si dhe vlerësimet e autorëve shqiptarë dhe të huaj, del se nuk e kemi dhe një emër të dytë që i përafrohet atij, qoftë në sasi po, edhe në cilësi.

Prandaj jo rastësisht edhe Giuseppe Napolitano, eseist dhe poet i njohur italian, i përkthyer në gjuhët: spanjolle, franceze, angleze, greke, esperanto dhe shqipe, e ka vlerësuar Anton Nikë Berishën si figurë poliedrike në letrat shqipe.