Vendlindja është e shtrenjtë!

0
1612
Kasem Murati me grupin e tij

Ibrahim Kabili Madje, ajo është dhe e shenjtë për bijat dhe bijtë e saj! Secili nga ne i përket një treve të caktuar, një krahine nga vjen, një zone gjeografike, një bashkësie njerëzish, një komuniteti që bashkëjeton me të ose jo, por që je krenar për Të. Pikërisht kjo është vendlindja. Pavarësisht se ku ndodhesh, lidhesh pazgjidhmërisht me të. Atë e sheh, e prek, kryen aktivitetin dhe “peshon”shumë nëse ke peshë. Kur nuk je fizikisht aty, atëherë ajo të mungon më shumë, sheh ëndrra me të, dëshiron ta shohësh sa më parë, dhe kur e prek nuk mund të “ndahesh” më lehtë prej saj… Por dhe kur ndahesh, për shkak të lëvizjeve emigratore,e arsye të tjera, secili nga ne e kthen kokën pas, që aty don të rikthehesh akoma pa ikur, e në të kundërt ikën me kokën pas…lkën i brengosur në shpirt, ikën me mendimin se ajo ka nevojë për mua, ka nevojë për ne, e kur ne largohemi në shumica, ajo mbetet e “vetmuar”!

Kështu ka ndodhur në disa fshatra të Bendës, dhe në fshatin Bruz – Mal të Malsisë së Krujës, pjesë e Krahinës së Bendës. Pa dyshim kjo ka ndodhur dhe me rapsodin, këngëtarin, instrumentistin dhe valltarin e mirënjohur Kasem Selim Murati. Unë kam njohje të hershme me rapsodin murati, i kam ndjekur aktivitetet dhe krijimet e tij prej kohësh. Ajo që më forcoi dhe më shumë bindjen,se duhej bërë një shkrim modest për të qe kënga e tij më e fundit “Përshëndetje malsia ime”. Kjo këngë u publikua në You Tube në 27 korrik 2000. Këngën ma përcjell në WhatsApp zoti Ferit Hoxha, kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Benda”, i cili po bën një punë të mrekullueshme për promovimin e vlerave më të mira të Krahinës, edhe nëpërmjet kësaj shoqate.

Pjesë e grupit artistik të Bendës kohët e fundit është dhe këngëtari në fjalë, i mirënjohuri Murati. Para disa vitesh dhe familja e tij, si shumë familje të tjera, vendoset me banim në Bathore për shkak të Ujësjellësit të Bovillës. Pavarësisht kësaj Ai për asnjë moment nuk është shkëputur prej vendlindjes së tij… Dhe më tej, shpreson se një ditë do rikthehet përsëri…! Kënga: “Përshëndes malsinë time”…e vërteton katërcipërisht këtë…E urojmë ti plotësohet dëshira e tij! Artistët janë të ndjeshëm ndaj shprehen me “nota” të tilla patriotike duke respektuar shumë dhe notat muzikore.

Me datën 10.12.2020 pas një telefonate, takohemi, në një lokal në Zall-Mëner të ri, afër Universitetit Bujqësor të Tiranës. Gjetëm një ambient të ngrohtë pasi ky fshat, banohet me banorë të zonës sonë, të shpërngulur nga Bovilla. Kasemin e gjej duke pirë kafe me Vath Bashën dhe Ali Tafën, të dy këto janë nga familje të fisme dhe i bëjnë nder zonës nga janë. Përshëndetemi përzemërsisht dhe ndahemi me këto të dy për tu takuar përsëri… Natyrisht është kohë kovidi dhe e “nesërmja” nuk dihet…

Ora shënonte 09 e 30 minuta. Fillojmë bisedojmë me Kasemin. “Skanojmë” gjithçka rreth veprimtarisë së tij artistike dhe shoqërore. Kafja në lokal zgjati për rreth dy orë, natyrisht biseda, pastaj më përcjell Kasemi me makinë deri te shtëpia në Institut! Pasi më rifalenderoi për nismën, ndahemi përzemërsisht, secili në destinacionin e tij…Vizitoj njerzit e shtëpisë aty, nëse kishin shenja kovidi, apo ishin shëruar prej tij! Kohë të vështira! Më ngacmonte shumë vrasja makabre e Klodian Rashës, dy ditë më parë nga një polic 20 metra larg shtëpisë së tij! Krim makabër! Po kaq kriminale përdorimi politik i tij! Duhet drejtësi për të. Ai mun të ishte i imi, i joti, i joni!

Duke ju kthyer “misionit” duhet të sfidohet gjithçka dhe të realizosh atë që ke mendur, duhet optimizëm, duhet motivim, fatmirësisht kjo mua nuk më mungon. Nuk ka si ndodh ndryshe kur bisedon me një artist që ka punuar një jetë me këngën dhe muzikën, si Kasemi! Shkurtimisht dhe modestisht do të përshkruajmë disa radhë nga veprimtaria e tij.

Kasemi lindi më 24.05.1958 në fshatin Bruz-Mal të Krujës në një familje të thjeshtë e bujare por dhe me tradita atdhetare. Arsimin fillor dhe atë 8 vjeçar e kreu në fshatin e tij të lindjes me rezultate të mira. Ai kujton me nostalgji mësuesit e tij të shkollës dhe përkushtimin e tyre në atë kohë për mësimin dhe edukimin e nxënësve. Kohë të bukura që nuk kthehen më, duhet ti kishim kushtuar më shumë rëndësi shkollës, pohon ai. Duke kujtuar mësuesit e tij ai flet me fjalët më të mira e punën plot kushtim të ish drejtorit të shkollës Mehmet Ahmati. Në shkollën 8 vjeçare ajo që ra në sy te kasemi qe talenti i tij në fushën e këngës dhe muzikës. Që në moshën 7-8 vjeçare u aktivizua me grupin artistik të shkollës. Kënga e parë që ai këndoi në shkollë qe: “Partisë 25 vjeçare”.

Kështu qe koha, gjithçka qe e politizuar, por arti në ato vite qe art. Dhe unë thekson ai, që në klasë të parë mësova ti bie çiftelisë dhe ndëgjoja nëpërmjet radios, rapsodët më të mirë të vendit dhe në mënyrë të veçantë rapsodin e mrekullueshëm të zonës sonë, të pa përsëritshmin Sali Sala. Në këtë periudhë Kasemi angazhohet dhe bëhet pjesë e grupit artistik të Bruz-Malit. Nga viti në vit ai erdhi duke u pjekur nga ana artistike.

Në vitet 1977-79 kryen shërbimin ushtarak në Korçë, në pikën kufitare të Nikolisë. Atje ai tanimë ishte i afirmuar si këngëtar dhe u aktivizua, dha shfaqje, e konkuroi me reparte të tjera në ushtri. Nuk e “ndjeva” shumë ushtrinë duke u marrë me muzikë, citon ai.
Në vitin shkollor 1984-85 mbaron arsimin e mesëm në Shkollën e Mesme Zall-Dajt. Nga kushtet ekonomike nuk mundi të vazhdojë arsimin e lartë. Pas mbarimit të ushtrisë fillon punë në ekonominë bujqësore dhe në vitin 1981 emërohet përgjegjës i vatrës së kulturës në Bruz-Mal.

Këtë detyrë e kreu me sukses deri në vitin 1990, kur ajo u mbyll. Gjatë kësaj periudhe grupi artistik i Bruz-Malit u plotësua më shumë me elementë të rinj dhe Kasemi luajti rol me përvojën e tij. Vetë ai, ishte Rapsodi kryesor i grupit bashkë me këngëtarin tjetër, Ismail Tarja. Vetë Kasemi ishte këngëtar, luante mrekullisht me çifteli, i binte kitarës, fizarmonikës dhe ishte një valltar i mirë. Pranë vatrës së kulturës kishte dhe bibliotekë për lexim. Në përbërje të grupit për një periudhë të gjatë qenë: Kasem Murati, këngëtar, instrumentist shumë i mirë në çifteli, i binte kitarës, fizarmonikës dhe valltar; Ismail Tarja, këngëtar, valltar, çifteli;

Ali Bajrami me daulle, specialist shumë i mirë; Sejfulla Ahmati, me fyell; Mehmet Ahmati, valltar; Bihane Murati, valltare etj. Me grupin artistik ka konkuruar në fshatra, në bazë zone, në bazë të rrethit të Krujës dhe me numra të veçantë, në shkallë vendi, ku janë vlerësuar dhe me çmime e fletë nderi. Grupi kishte në repertorin e tij këngë që i kushtoheshin fshatit, jetës së re, dashurisë, këngë patriotike si ato që i këndonin “Isuf Pulës”e “Islam Lilës”,etj. Këngët folklorike zinin vend të veçantë në repertorin e grupit, kishte dhe këngë politike që i kushtoheshin partisë dhe udhëheqësit, gjithçka qe e politizuar… Duke kujtuar ato kohë Kasemi thekson: Në rrethin e Krujës gjatë konkurimeve në bazë rrethi, “problem” kishim vetëm Milotin, ai merrte gjithmonë vend të parë, Bruzi në më të shumtën vend të dytë…Kishte konkurencë, rritej cilësia…

Krahas veprimtarive zonale grupi dhe elementë të tij si pjesë e grupit të Krujës, kanë marrë pjesë dhe në veprimtari kombëtare si:
•Festivalin folklorik të Beratit me këngën “Moj skile, moj molldare”, kënduar nga Kasemi, shoqëruar me lodër e çifteli nga grupi.
•Në veprimtaritë kombëtare që zhvilloheshin në qytetin e Lezhës në kuadrin e përvjetorëve që zhvilloheshin për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeun. Janë vlerësuar në këto veprimtari me fletë nderi e çmime.

•Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës shumë herë, si valltar me valle dyshe burrash, me lodër, me çifteli dhe si këngëtar në grup. Kanë marrë pjesë në festival Kasem Murati, Ali Bajrami, Bihane Murati etj.

Pas viteve ’90, Kasemi ka punuar dhe punon në dasma, ceremoni familjare dhe evenimente të ndryshme. Disa nga këngët që ka kënduar janë: Këngë për Isuf Pulën dhe Islam Lilën; Dëshmorit Sulejman Elezi; Këngë për Veli Allën; Këngë për dëshmorin Ibrahim Basha, në bashkëpunim me këngëtarin Gëzim Hida: Përshëndetje, malsisa ime; etj. Ka kënduar dhe këngë të këngëtarëve tjerë si: Këngë për vëllezërit Besnik dhe Enver Veseli; Për ty moj vashë; Provuam fatin; Këngë kurbeti; Lulja; Nat livadh ku del burimi; Syni si shtat pranverë; Kështu është moda; Fluturo si pllum; Gjysëm shtizë ulet flamuri etj. Po kështu ai këndon dhe dhjetra këngë të tjera folklorike të krahinës së Bendës dhe Kurbinit etj.

Në vitin 2014 ai nxorri dhe një album me disa këngë. Secila këngë interpretohet me nivel artistik, me zë melodioz, me zë si të bilbilit. Pyetjes: Cilat qenë motivet që të çuan me bërë këngën: “Përshëndetje, malsia ime” Kasemi përgjigjet: Dashuria për vendlindjen time Bruzin, malsinë time që e konsideroj të tillë nga Qaf-Molla deri dhe Kurbinin. Njerëzit e mrekullueshëm të saj, traditat e tyre, mikpritja, zakonet, besa, vlerat e larta njerëzore të tyre. Bukuritë natyrore të sajë, malli për to…”.

Disa nga vargjet (e shkurtuara) të këngës: “Përshëndetje, malsia ime”.Teksti, muzika dhe kënduar nga rapsodi Kasem Murati:

Me plot mall e plot kujtime
Du me i këndu vendlindjes time
Ndonëse në mal e ndonëse në fushë
Mu prej zemre smë del kurrë

Kujtoj kohët ku kalova
Ku unë isha, ku unë shkova
Ku unë qava ku punova
Ku kërceva ku këndova

Kujtoj krojet ku ujë kam pi
Kujtoj hijet plot freski
I përshëndes, o shpi për shpi…

I kujtoj të gjitha me radhë
Që nga Rranza në Bruz-Zall
Në Bruz-Mal vendlindja ime
Ku kalova unë plot gëzime

Krejt malsinë e kam shumë mall
N’Cudhi Kamp, mor n’Cudhi-Zall…

…Nojë, Mafsheq dhe në Shkretë
Kam kalu me dit me net…

…Lucë e Zgurë dhe Mal-Mëner
Kam kalu me shumë herë…

…Në shumë kohë e shumë shpesh
Zall-Mëner e në Bulçesh…

…Kujtoj Vilzën plot bujari
E përshëndes me përzemërsi…

…Prej Murrize në Zall-Bastar
I përshëndes të gjithë me radhë…

…N’Besh, Shupal dhe në Selitë
Kemi kalu me net, me ditë
Plotë me zemër na kanë pritë…

Kënga është e gjatë, e realizuar me mjeshtëri për vendlindjen nga Murati,ku mbart vlera të larta artistike, pasqyron bukuritë natyrore dhe vlerat shpirtërore e kulturore të Bendës e banorëve të saj. Sikur të bënim të gjithë për krahinën, ashtu si dhe Kasemi! Mirë do ishte, apo jo?
Siç cilësuam më sipër ai ka një mori këngësh, njëra më e mirë se tjetra.
Nga disa këngë patriotike të tij veçojmë disa vargje:

•Këngë për Isuf Pulën, Islam Lilën, Xhemal Dërvishin. Teksti Sulejman Balika. Muzika dhe kënduar nga Kasemi.

Nëpër telat e çiftelisë
Këngë po i këndojmë t’rimave të malsisë
Islam Lilës burrit t’rimnisë
Isuf Pulës, Xhemal Dërvishit
Flakë e ndezën urën e Ishmit…

Të gjithë dhanë jetën për Shqipëri
Të gjihë e kanë ngaj histori
Si rrufeja që djeg lisin
Sot po i këndojmë Xhemal Dërvishit

Lind e rrit djali n’Cudhi
Sokol djalë e trim si zana
Sall, barut e gatoi nana…
…Anës detit, bregut Ishmit
Vepron çeta e Xhemal Dëdvishit

Ish natë dimri me stuhi
Frynte erë e binte shi
Jasht nuk dilte asnjeri
Pesë makina këmishëzi
Rrethojnë Xhemalin në befasi
Kërcet pushka e dridhet Ishmi
Luftë banka Xhemal Dërbishi…
Çeta e kaloj urën e lumit ndërsa Xhemali bie dëshmor në luftën për liri…

•Disa nga vargjet: Kënga për Veli Allën. Teksti i përpunuar nga Mehdi E.Hoxha. Kënga dhe muzika nga Murati:

N’Selit Malit kris Alltia
Qenka vrarë Haxhi Alia
Vallë nga vjen ky Haxhi Alia
Thonë e paska çu Turqia…

…Veli Alla n’kam asht çu
Jo zotni mor tungjatjeta
Ska me u zhvesh fëmija n’djepa
Këtë bidat se ka Selita
Me i zhvesh fëmijët djem a çika…

…Fjalë e fjalë u ba ngatrri
Qit alltinë mor nën xhuli
Po mendohet kuj ti bi
Haxhi Aliut bri më bri…
Vritet Haxhi Aliu, Veli Alla burgoset në Turqi, vdes atje e kënga këndohet në breza. Kasemi me këngën e përjeton në histori, veprën burrërore të tijë…Në çdo skaj të krahinës pëllëmbë dhe histori…

• Dëshmorit Sulejman Elezi. Teksti Halim Laci. I përpunuar nga Kasemi, me muziken dhe këndur prej tij:

Një kangë del pre kraharorit
Me i këndu një këngë dëshmorit
Lindi n’ Mat në fshatin Ketë
Pushka e tij, kudo kërcet…

…Luftë po ban Sulejman Elezi
Flakën e barotit n’hasmin e ndezi…
Kam lanë babën e kam lanë nanën
Hasmit gjallë sja lëshoj Tiranën…

Pushka e tij se ndali flakën
Gjersa plisat u përgjakën…
Gjaku i tij skuqi Tiranën
Tanë Shqipëria po i këndon këngën…

Sulejman elezi partizan me brigatat partizane bie në luftën për çlirimin e Tiranës kundër pushtuesve…Përjetimi në këngë i veprës së tijë, nga Kasemi, vlerësim i lartë për heroin.

•Disa vargje nga : Këngë për dëshmorin Ibrahim Basha: Kënduar nga Kasem Murati dhe Gëzim Hida:

Po e pyet Tomorri Drinin
Ku e ka nana Ibrahimin
Në ballë të frontit n’luftë me krimin
Kur Atdheu, lëshoj kushtrimin

Në beteja në i’nstikam
Në Irak, në Afganistan
Nderoj kombin dhe flamurin
Ndur armiqve, ja la turrin
Porse jetën Atdheut ja fali
Ish djalë Bende, shqipe mali

Nga tetë muajt që pat ba betimin
Pushka top se ndali trimin
Po një ditë në befasi
U përhap një lajm i zi
Lajmi i zi pikëlloj nanën
Tanë Bulçeshi e lëshoj gjamën…

…Ky kushtrim vjen si rrufe
Ibrahim Basha ka ndërru jetë…

…Mallku qoftë dora e tradhëtisë
Vrau një yll të policisë
Jo ska vdek ky trim shqiptar
Emri i tij ndrit si ar
Kur na thrret zani i Atdheut
Prapë ky djalë ngrihet prej dheut.

Trimat si Bimi, nuk vdesin kurrë. I përjetshëm kujtimi. Kënga për të, përjetim në histori!

Ka disa vite që këngëtari dhe rapsodi jonë Kasem Murati është pjesë e ansamblit “Benda”. Ky grup i mirënjohur artistik është riorganizuar dhe e ushtron veprimtarinë e tij në kuadër të Shoqatës Atdhetare Kulturore Benda. Kasemi ka punuar në vite me shumë persona dhe instrumentistë dhe ruan kujtime shumë të mira. Ka kujtime të pashlyera për të ndjerin Ali Bajrami si lodraxhi, për të ndjerin Nazmi Tarja si kërcimtar, si nstrumentist në dajre dhe xhez, Agim Dërvishin dhe shumë të tjerë. Ai fol me relata për gjithë këngëtarët, ahengxhijtë dhe instrumentistët e zonës që janë përmendur dhe shkruar për to.

Një meritë të veçantë për këtë grup ka kryetari i Shoqatës “Benda”, Ferit Hoxha. Shoqata duhet ndihmuar dhe përkrahur. Në ekonominë e tregut gjithçka, krahas të tjerave që përmendëm, varet nga paraja. Le ta ndihmojmë Shoqatën, grupin e saj artistik dhe të ruajmë e shpalosim vlerat! Le të kontribojmë secili nga ne për ruajtjen dhe promovimin e këtyre vlerave. Ne ikim pa kthim, të tjerë vijnë në vijimësi, e vlerat mbesin!

IBRAHIM KABILI
Tiranë më 11.12.2020