VËLLIMI POETIK “KAFAZI I HAPUR” I POETIT SAHIT SHALA – SINTETIZIM I FJALËS POETIKE

0
1057

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Së shpejti SHB “ProkultPress” do të nxjerrë nga shtypi vëllimin poetik “Kafazi i hapur” të poetit z Sahit Shala.
Poeti Sahit Shala tanimë është i njohur për lexuesin shqiptar si krijues i talentuar i vargut poetik.

Ajo që sjell me vete vëllimi poetik “Kafazi i hapur” i poetit Sahit Shala është në radhë të parë vetëdija e qartë dhe e kultivuar e poetit për rëndësinë dhe nevojën e fjalës poetike si dimension i një vlere shpirtrore. Poezitë e kësaj përmbledhje ngërthejnë në vete besimin e haptë në njeriun, në ballafaqim me situatat e tij elementare, dhe kështu, poeti përmjet vargut ia ka arritur për të ndërtuar ura të forta emocionale mes tij e lexuesve, që fillojnë me dëshira e mbarojnë me ideale njerëzore.

Ne kemi hulumtuar dhe kemi gjetur fjalët çelës të përmbledhjes në fjalë, që janë toka amtare e malli për të dhe njeriu dhe dashuria ndaj tij, si dhe mërgimi me plagët që sjell. Me këto tematika poeti gjen burimin e shqetësimeve të frymëzimit të vet.

Të lexosh poezitë e poetit Shala, do të thotë të jesh më i pasur për një shpresë, për një besim se si vargu i thurur bukur mund ta paraqesë atë hapësirë të emërtimit të vërtetë të botës, fuqia e avanturës të së cilës është një dëshmi më shumë se nuk jemi të detyruar ta pranojmë atë, por se ajo ngel prore të na dërgojë gjer në pakufishmëritë, gjer në çiltërinë totale të ekzistencës. Për poetin, kjo është mundësi e një dialogu më autentik me botën dhe me njerëzit me të cilët jeton dhe vepron, me ekstazën dhe shqetësimin e kohës, por edhe me atë gjendje malli të pafund prej mërgimtari e shpesh edhe me fatin e dështuar, me ç’rast poeti bën rojë me vargun e tij, mu si ushtari i plagosur në kufirin e të gjitha fshehtësive dhe të së vërtetës, për hapin e ardhshëm të mërgimtarit, që duket në horizont, e që është shpresa për t’u kthyer një ditë në atdheun stërgjyshor.

E lidhur përmes një themeli të lashtë, siç është trualli amtar apo toka arbërore, poezia e Shalës ia del që të lundrojë si një varkë lundërtare nëpër valët e trazuara të shpirtit të poetit gjer në viset stërgjyshore të atdheut.

Duke lexuar këtë vëllim poetik, nuk ke se si t’i shmangesh përshtypjes se fjala është për një poet me një fizionomi poetike krejt autentike. Koordinatat kreative të poezisë së tij nuk fillojnë as mbarojnë vetëm me dilemat e brerjeve intime, por ato vazhdojnë me shqyrtim të shumanshëm të përmbajtjeve thelbësore të jetës, si rrugë më sugjestive e identifikimit të tij.

Kuptohet se poezitë e vëllimit “Kafazi i hapur” të të poetit Sahit Shala janë një dridhje e zemrës së tij lirike nga etja e madhe për depërtim në pellgjet e shpirtit poetik. Këtu, vërtet, realizohet edhe përqindja më e madhe e diksionit direkt të poetit, por ai ka ditur që t’i ikën dhe ta evitojë rrezikun nga njëfarë romantike sentimentale, edhe pse e ka theksuar me sukses shqetësimin e tij poetik kudo në vargjet e veta.

Duket se te poeti Sahit Shala përjetimi është dhënë me tërë kompleksivitetin e vet, sepse në strukturën e saj tërësore, poezia e tij nuk i përmbahet vetëm një lloji të vjershërimit, ndonjë trajte të skematizuar vargëzimi, dhe se poezia e tij nuk shkon vijës së ngushtimit, por ajo ndjek vijën e zgjerimit të fushës së krijimit të mrekullueshëm poetik.

Edhe në poezitë e përmbledhjes “Kafazi i hapur” kemi vërejtur se poeti Shala nuk frikohet aspak për sa i përket të shprehurit me saktësi të asaj që ndjen dhe besimit se a do ta kuptojnë të tjerët apo jo, prandaj poeti ka vitalitet dhe pasion kreativ, si dhe kurreshtje për zbulim të esencës së poezisë dhe kjo është gjë që të mundëson të depërtosh gjer te interpretimet e mundshme të shtresave asociative të fjalës së tij poetike, gjer te ajo që më së shpeshti quhet ndërrim i karakterit, me kusht që të ruhet gjithmonë risia.

Ndonëse në bazë të poezisë së poetit Sahit Shala qëndron përpjekja për realizimin e një radhe dhe të një rrjedhe të disiplinuar maksimalisht të gjuhës, si nevojë e brendshme e vokacionit poetik, rrëmuja që pasqyrohet në subjektivitetin e hovshëm të emocioneve, bën që poezia e tij të na sjellë përpara mundësisë polifonike të përbërjes së saj dhe si mundësi që së paku një herë, për një çast, ta tejkalojmë ekzistencizialitetin tonë. Duket se hapësira, ku vijnë në konflikt realiteti i poezisë me poezinë e realitetit, është vetë ajo metaforë, e cila shpjegon të vërtetën dhe shenjat e vazhdimësisë legjitime të jetesës.

Poezitë e poetit Sahit Shala nuk janë të privuara nga elementi racional i mendimit poetik, që dimensionin e tyre dominant lirik e bëjnë më të plotë në tërësinë e vet estetike.

Thamë se poeti posedon një prirje të theksuar për sintetizimin e fjalës poetike, për vlerat muzikore të fjalës, për karakteristikat e saj suptile. Ai dëshmon përvojën e tretjes së sensibilitetit të tij në disa struktura më moderne e më të ndërlikuara, që do të thotë se gjithsesi janë pasurim jo vetëm i hapësirës letrare, ku është lindur së pari, por edhe më gjerë.

Si përfundim, është konstatim ynë se vargjet e vëllimit poetik “Kafazi i hapur” të poetit Sahit Shala janë të thurura në mënyrë mjeshtërore dhe kushtëzohen nga arkitektura e brendshme e krijimit.