VËLLIMI POETIK, ”BUKUROSHJA E LIRISË” NGA GRUP AUTORËSH (KUSHTUAR DËSHMORES SË KOMBIT, ANTIGONA FAZLIU), PËRGATITUR NGA POETI Z. SHEREMET PROKSHI

0
1060
Bukuroshja e Lirisë - Antigona Faslliu

Në 20-vjetorin e rënies, vëllezërit dhe motrat poete, heroinës së kombit Antigona Fazliu i ngrejnë monument letrar

Shkruan Zymer Mehani

I
Poezitë e vëllimit “Bukuroshja e lirisë”, dedikuar dëshmores së kombit, Antigona Fazliu, po vijnë në duart e lexuesve në 20-vjetorin e rënies së heroinës, ngjarje, kjo me rëndësi të madhe për historinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për kombin tonë.

Madhështore janë të gjitha poezitë e vëllimit “Bukuroshja e lirisë”, që e përjetësojnë në art figurën heroike të Antigona Fazliut, e cila, përkundër moshës fare të re që kishte, ishte këmbëngulëse dhe nuk lejoi asnjëherë përdhosjen e atdheut dhe as të flamurit tonë kombëtar, që shqiptarëve u priu në luftëra të pareshtura për liri që nga Moti i Madh i Skënderbeut e deri në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E përgjakshme do të ishte jeta e atdheut dhe shekujt do ta rëndonin me motet e robërisë, po mos të ishin atdhetarët, siç ishte edhe Antigona Fazliu, që u sakrifikua për lirinë dhe flamurin, për shkëmbin e gurin, fushën dhe malin, lumin e krojin.

Heronjtë nuk u stepën as u ndalën për asnjë çast.
Pas përplasjeve të stuhishme në qiellin e atdheut, dritë lirie do të dukej mbi retë e robërisë, sepse si rreze lirie do të shfaqeshin në qiellin e atdheut heronjtë: Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha, Shabani, Ademi e Hamzai, Fehmiu e Xheva, Vëllezërit Haradinaj, Sandokani, Fadil Nimani, Tahir Sinani, vëlla e motër Hajriz e Antigonë Fazliu, njëri legjendë e gjallë, që ndodhet këtu mes nesh dhe tjetra, Gona heroinë, që na bën prore të ndjehemi krenarë, si dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët luftuan e qëndruan nën flamurin kuq e zi. U betuan në Shqipen Dykrenare se do ta rilindnin madhështinë e atdheut dhe do t’ia kthenin krenarinë, duke i kërkuar dhe vizatuar me gjakun çlirimtar kufijtë e Shqipërisë Natyrale, të lodhur e të drobitur nga robëria dhe të rrudhur e të tkurrur gjithandej nga barbarët.

Poezia e poetëve në këtë përmbledhje, na del si një poezi kushtruese, në të cilën dominon ideja e atdhetarizmit të dëshmores Antigona Fazliu me shokë, ku sublimon ideali i lartë për një atdhe pa ndarje, në të cilin shqiptarët do të jetonin me dinjitet të panëpërkëmbur në tokën e tyre të mohuar.

II
Pra, u kuptua mirëfilli se vargjet e thurura bukur, të brumosura me plot atdhedashuri, kushtuar dëshmores Antigona Fazliu, në këtë përmbledhje i këngëtojnë poetët nga Shqipëria aktuale, nga Kosova, nga Lugina e Ilirida, por edhe nga diaspora.

Të flasësh për vëllimin poetik “Bukuroshja e lirisë”, do të thotë, në radhë të parë, të flasësh për lidhjet e këtyre poezive me fatet e atdheut tonë dhe të bijave e bijve më të denjë të tij, që u flijuan për lirinë e tij. E njëra ndër më trimet ishte edhe dëshmorja Antigona Fazliu, figura e së cilës është ravijëzuar në këtë përmbledhje përmes vargjesh, përshkrimesh dhe tablosh të detajuara në motivin konkret gjithnjë atdhetar, në pasqyrime emocionuese aktesh të heroizmit të saj, në reflektime poetike ndjenjash e mendimesh frymëzuese për këtë dëshmore të atdheut. Të gjitha këto tablo gjetën bazament të fortë në faqet e biografisë së lavdishme kombëtare të familjes dhe të dëshmores Antigona Fazliu, që ne poetët i shfrytëzuam për t’i shtjelluar në vargjet tona, secili në mënyrën e vet të këndvështrimit. Dhe fatmirësisht poetët ia kanë dalur me sukses që këtyre krijimeve letrare t’u japin tretman estetik, gjë që është thelbësore për artin në përgjithësi.

Ja si shprehet një poet për dëshmoren, Antigona Fazliu:

(…)
Ti, o kënga më e bukur, endur buzëve të rinisë,
Që merr qiellit porsi flutur, e bëhesh zë i lavdisë,
Ti, o Antigonë Fazliu, bukuri e rrallë mbi dhè,
Buzëqeshje, ku liria mbiu, që t’mbretërojë mbi atdhe.
Eh, ç’ma zgjove shpirtin peshë, me u thirrë shqiptarëve mbarë:
“Shkelni urrejtjen! T’gjithë me qeshë! Qumsht shpirtin ju me zbardhë,
Se jem’ vllazën gjithë sa jemi, n’për një gjuhë ne jemi lidhë,
Ngjyrë e fe shqiptarinë kemi, njëri-tjetrin mos t’shohim idhtë.
(Qemal GURI, “ANTIGONA, DRITË DIELLI”)

E bashkëluftëtarja e dëshmores Elheme Hetemi, 19 vjet pas rënies së Gonës, me rastin e përurimit të shtatores së Fehmi e Xhevë Lladrovci, në qendër të Drenasit, do të shprehet me emocione të forta:

Në këtë ditë madhështore
Kishe ardhë me tjerë dëshmorë,
Ashtu bashkë, si në llogore
Kënduam fort, së bashku n’kor!
O sa hije të kishte, Gonë
Kur flamuri mbi kokë të rrije,
Krenari e kombit tonë
Antigonë, themel lirie.
Më ke parë në dritë të syrit
Dhe sa ëmbël më buzëqeshe,
N’krah të Xhevës dhe Fehmi trimit
Lot nuk derdha, se lot s’deshte.
(Elheme HETEMI, “PRANË TË NDJEVA, ANTIGONË)

Shikuar nga këndi i realizimit artistik, poezitë e këtij vëllimi na shfaqen si heterogjene, për faktin se janë të shkruara nga shumë poetë. Prandaj është krejt e natyrshme që vargjet këtu na dalin si jounike në modelim. Aty kemi vargje llojesh të ndryshme, si vargun e lidhur, vargun e bardhë, vargun e thyer etj. Te vargu i lidhur i rimuar, hetohet dominimi i një ritmi uniform ngase ruhen veçoritë esenciale të ritmit. Poezitë kryesisht janë të pasura me figuracion poetik dhe e kanë mjaft të kamufluar kuptimin e vargjeve.

Nga ky vëllim poetik, po kuptohet qartë se nuk mund të nxirret një model i njëjtë i vargëzimit, sepse siç u tha edhe më heret, këtu kemi një shumësi modelesh e stilesh dhe për pasojë vërehet një polimorfi poetike, që vërtet përmbledhjes ia shton vlerën artistike më tepër.

Te poezitë e thurura në vargun e lidhur dominojnë konvencat e forta strofike, por në disa poezi paksa më të gjata teksti nuk i nënshtrohet shabllonit të ndarjes në fragmente, por logjikës spontane të rrëfimit.

Kryesisht poezitë e vëllimit “Bukuroshja e lirisë” dalin mjaft të realizuara edhe kuptimisht, edhe estetikisht dhe libri vërtet shquhet për varietet vlerash poetike.

Duke i patur parasysh të gjitha këto fakte që u përmendën, konstatojmë se në këtë përmbledhje poetike shpirti dhe mendja e poetëve tanë, mbetet e lidhur fort me idealin e lirisë së Atdheut, për të cilin ranë bijat dhe bijtë më të denjë të kombit, siç ishte edhe dëshmorja Antigona Fazliu.
Me gjithë këtë bagazh poetik, përmbledhja në fjalë është një vepër e re poetike, që do të qëndrojë me dinjitet në piedestalin letrar shqiptar përkrah krijimeve më të mira poetike, duke e pasuruar kështu fondin e poezisë artistike atdhetare te ne përgjithësisht.

Ky vëllim poetik është ndërtuar si një bisedë e ngrohtë e sinqertë dhe intime e poetëve me dëshmoren Antogona Fazliu, ku çiltërsia e ndjenjave jetësohet organikisht me figurat e pasura, të thjeshta e komunikuese, ku shprehjet poetike rrjedhin natyrshëm dhe me plot lirizëm.

Veprës, veç tjerash, vlerën ia shton edhe laryshia e stileve, gjuha e thjeshtë, e përdorur me shumë kujdes, e kuptueshme dhe komunikuese, figuracioni i pasur poetik, si dhe llojet e vargjeve me ritëm, rimë e meter të ndryshëm, elemente këto me vlera të larta teoriko-letrare, që kësaj përmbledhjeje i japin freski dhe gjallëri.

III
Dridhjet e zemrës gjatë leximit të kësaj përmbledhjeje, magjia e fjalës, ritmi, notat poetike elegjiake, të gjitha këto e ngrenë përmbledhjen në lartësinë e qiellit poetik të letërsisë sonë të sotme. Në këtë vëllim poetik poetët na kanë treguar me mjeshtëri të lartë artistike dhe me thellësi të madhe atdhedashurie historinë e një qëndrese ndaj okupatrit, historinë e vashës së re drenicase, nga Gradica e Drenasit, heroinës Antigona Fazliu.

Gona vërtet është trimëreshë dhe e ndershme, por ajo nuk dëshiron të shkëputet nga normat dhe idetë për çlirim përfundimtar të atdheut tonë, me të cilat ishte edukuar që në fëmijëri nga baba Agushi dhe nënë Hyra, si dhe nga vëllai i saj i madh, profesori ynë i nderuar z Hajriz Fazliu. Në çdo poezi, madje edhe në çdo fjalë e varg ne ndjejmë kudo heroizmin dhe dashurinë ndaj popullit, që Gona kishte prej atdhetareje të vërtetë, pastaj edhe revoltën, që siç tregon edhe vepra e saj, është karakteristikë e saj, kur është fjala për çlirimin e vendit.

Heroizmi dhe atdhedashuria, qëndresa dhe sakrifica që gjejmë për Antigonën në këtë vëllim janë tipare të shqiptarit të vërtetë, që me asnjë çmim s’i braktis interesat e popullit, madje as me çmimin e gjakut dhe të jetës, të cilën edhe ajo ia dhuroi lirisë së atdheut. Në vargjet poetike të kësaj përmbledhjeje motivi atdhetar të tërheq dhe të bën të ndjehesh krenar për të qenit shqiptar.

Antigona Fazliu është madhështore në veprimet ndaj armikut, por tejet e thjeshtë me bashkëluftëtarët e saj besnikë, të cilëve me kujdes të veçantë prej motre ua mëkoi plagë e vrragë. Brumosja që nga prehri i nënës me atdhedashuri, sinqeriteti i thellë, ashpërsia kundrejt armikut shekullor, e bëjnë Gonën prore të pavdekshme dhe e ngrehin atë në Altarin e Madhështisë.

Rënia heroike e Antigona Fazliut, bashkë me komandantin Ilaz Kodra është nga çastet më të dhimbshme, një dhembje gjithnjë e përzier me krenari, që e hasim në shumë poezi të këtij vëllimi.

Ky vëllim vërtet është një përmbledhje poezish që të josh me magjinë e fjalës poetike dhe me mendimet të skalitura bukur në çdo fjalë e varg. Duke lexuar këtë përmbledhje, ne çmojmë pa masë humanizmin e autorëve të kësaj vepre, diapazanin e gjerë të ndjenjave dhe mjeshtërinë në nivel artistik.
Brezi i ri i sotëm, që nuk e ka njohur nga afër luftën e lavdishme të UÇK-së, është i etur të dijë e të mësojë për rrënjët dhe për zanafillën e kësaj rezistence të armatosur kundër shtypjes shekullore serbosllave. Prandaj, edhe poezia atdhetare është burim njohurish i llojit të vet, që lexuesi i ri e fiton në mënyrë të këndshme.

Në qendër të vëllimit poetik “Bukuroshja e lirisë”, siç u përmend edhe një herë, është figura madhështore e Antigona Fazliut. Autorët e vëllimit në fjalë, Antigonën na e paraqesin të fuqishme, atdhedashëse dhe tejet luftarake.

Është e pranueshme mënyra e përshkrimit dhe e portretizimit të Antigonës me shokë. Figura e saj sikur gjallërohet nga vargu në varg, nga poezia në poezi dhe nga faqja në faqe të këtij vëllimi dhe kështu e vazhdon pavdekësinë pa andralla dhe shqetësime në këto poezi.

Me stil të pasur e me ngjyrime lirike autorët e kësaj përmbledhjeje arrijnë për ta gjetur rrugën e komunikimit me mendjen dhe zemrën e lexuesit.

IV
Mendojmë se përmbledhja “Bukuroshja e lirisë” në përgjithësi ka vlera artistike. Ndjenjat e atdhedashurisë, të thurura bukur në vargun poetik, shpërthyen nga zemra e autorëve dhe kanë diçka të përbashkët me bardhësitë e atdheut dhe janë vetë ritmet e jetës.

Njeriu është i lidhur me truallin e vet që nga gërvishtjet e gjunjëve, kur mëson të ecë dhe gjatë gjithë jetës së tij. Ai gjithmonë ka jetuar në tokën amtare. I ka kënduar dhe ka qarë, është prerë e vrarë gjatë jetës së kaluar me shtypje e përbuzje të vazhdueshme. I afrohej asaj në ditë të mira e në luftë, shtrihej mes saj si për ta përqafuar, si për t’i pëshpëritur ato fjalë të fundit që mbyllin një jetë tragjike, por plot lavdi, se njeriu binte për tokën, për rrënjët e jetës. Kështu veproi edhe Antigona Fazliu, që me heroizmin e saj kaloi në përjetësi. Me këtë dashuri për trollin e të parëve do të edukohen dhe brumosen edhe fëmijët e të rinjtë tanë, që sot po rriten në liri, sapo të hasin në këto poezi, kushtuar dëshmores sonë.

Dashtë Zoti që brezit të ri t’i këndojnë sytë dhe t’i ndrisin plot shkëlqim drejt së ardhmes, sepse tek e fundit, Antigona me shokë e me shoqe u flijuan për lirinë e atdheut, në të cilin do të rriten fëmijët tanë krejt të lirë.

Poetët i shkruajtën këto vargje me gjithë zemër, sepse poeti i vërtetë mburrje s’njeh, as di të mburret. Edhe poetët, sikur heronjtë i karakterizon altruizmi dhe thjeshtësia, madje heronjtë dhe poetët janë NJË.

V
Dhe krejt në fund,
Z. Sheremet Prokshi, më lejoni që edhe një herë, në emrin e të gjithë poetëve, që janë të përfshirë me vargjet e tyre në këtë vëllim poetik, dedikuar deshmores sonë Antigona Fazliu, në emër të Familjes Fazliu dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh respektin e thellë, nderimin dhe admirimin tonë për punën tuaj të mrekullueshme, me profesionalizëm e korrektësi për realizimin e kësaj përmbledhjeje poetike, që do të mbetet një monument letrar, në shenjë nderimi dhe kujtimi për heroinën, Antigona Fazliu!

Ju faleminderit, miku ynë i penës dhe i idealit z. Prokshi, që na bashkuat në këtë libër, sikurse në një sofër të përbashkët ne poetëve nga e tërë gjeografia jonë kombëtare dhe nga diaspora!

E Familjeve të Dëshmorëve, në veçanti Familjes Fazliu, nga Gradica e Drenasit i themi që të ndjeheni krenarë dhe përherë krenaria ta mund dhimbjen, ngase emri i artë i Antigonës, krenarë na bën të gjithë ne poetëve, ashtu siç e ka bërë krenar tërë kombin shqiptar!
Familje e Nderuar Fazliu,

Ju faleminderit, që e lindët, e rritët dhe e edukuat Gonën tonë, e cila u flijua vetëm për lirinë e Kosovës sonë.
Lavdi heroinës Antigona Fazliu e respekt Juve!

Të gjithë poetëve të përfshirë në këtë vëllim poetik ua dëshiroj të gjitha të mirat në jetë dhe nga zemra u them: ju faleminderit për kontributin tuaj që dhatë me vargjet tuaja margaritare për realizim të kësaj përmbledhjeje, ndërsa lexuesve të nderuar u uroj lexim të këndshëm.

Besianë, më 16 mars 2019