LABITNOT BERISHA
(Fjalë paraprake)
Vëllimi me 14 punime kushtuar romanit të Anton Nikë Berishës Nëna e dritës (“Shpresa”, Prishtinë 2004), është një dëshmi tjetër e interesimit të dukshëm të studiuesve për veprat e këtij autori, qofshin ato të natyrës artistike (romane, poezi, drama), qofshin ato shkencore (studimet monografike ose vëllimet me punime e interpretime për vepra e dukuri të ndryshme letrare e etnologjike) [1].
Romani “Nëna e dritës” (2004) shënon nismën e veprave të Anton Nikë Berishës që lidhen – e vështrojnë jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze – tashmë e shpallur e shenjtë nga Vatikani – Shën Terezja e Kalkutës. Një vit më vonë autori nxori në dritë studimin: Thelbësorja e besimit dhe lutjeve të Nënës Tereze (“Fjala hyjnore”, Prishtinë 2005), për të botuar në vazhdim, një varg veprash të tjera, të cilat u përfshin kryesisht në kompletin në shtatë vëllime “Nëna Tereze në shtatë shpalime” (Faik Konica, Prishtinë & Kuvendi françeskan, Gjakovë – 2019), ku janë përfshirë dhjetë vepra të këtij autori për Nënën Tereze: dy romane, dy libra (përsiatje) poetikë dhe katër vëllime me studime për veprimtarinë e kësaj figure të shquar, të cilën bota e quajti NËNË.
Punimet e katërmbëdhjetë autorëve, të përfshira në këtë vëllim, janë katërmbëdhjetë lexime dhe interpretime të ndryshme, që dëshmojnë, nga një anë për vlerat poetike të romanit “Nëna e dritës” dhe, nga ana tjetër, për ndriçimin e përshpirtshmërisë dhe të flijimit të pazakonshëm të Nënës Tereze për tjetrin, pa marrë parasysh besimin, racën, prejardhjen.
Punimet botohen pa ndryshime, tri prej tyre botohen për herën e parë në këtë vëllim.
Prishtinë, qershor 2021
[1] Deri më tani u botuan këto vëllime për veprat letrare dhe shkencore të Anton Nikë Berishës:
– Roman i bukurisë së pamort dhe i trishtimit të pashuar. Rreth romanit “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës. Zgjodhi dhe përgatiti Labinot Berisha. E botuan “Faik Konica” & “Shpresa”, Prishtinë 2006.
– Domenico Corradini H. Broussard, Narrando gli abissi. Tre romanzi di Anton Nikë Berisha. Rrëfime të thellësive. Rreth tri romaneve të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2009.
– Prend Buzhala, Kode poetike të mbijetesës shpirtërore. Mbi romanet për të rritur të Anton Nikë Berishës. “Argeta – LMG”, Tiranë 2009.
– Vepër e pasur dhe e qenësishme. Nëntëdhjetë e dy punime të gjashtëdhjetë e një autorëve për veprat e Anton Nikë Berishës. Zgjodhi dhe përgatiti Labinot Berisha. Botim i përbashkët: “Argeta – LMG”, “Faik Konica” dhe “Fjala Hyjnore”, Tiranë – Prishtinë 2011.
– Isak Ahmeti, Mëvetësi e studimit dhe e krijimit të letërsisë. Mbi disa vepra letrare të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2014.
– Anton Çefa, Krijimtari e nivelit të lartë shkencor e artistik. Mbi disa vepra shkencore dhe letrare të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2015.
– Vepër e pasur dhe e qenësishme. Vëllimi II. Njëqind e pesë punime të gjashtëdhjetë e tre autorëve, shqiptarë e të huaj, për veprën letrare dhe studimore të Anton Nikë Berishës të shkruara në periudhën shtator 2011 – dhjetor 2016. Zgjodhën dhe përgatitën Labinot Berisha dhe Mehmet Gëzhilli. “Argeta LMG” & “Faik Konica”, Tiranë – Prishtinë 2016.
– (Hamdi) Erjon Muça, Në botën e thesareve poetike. Vëzhgime për shtatë vepra të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2016.
– Romanzo di estrema belleza. Ventidue scrittori e studiosi italiani e arbëreshë sul romanzo “La sete pietrificata” di Anton Nikë Berisha. A cura di Albana Alia & Labinot Berisha, “Faik Konica”, Prishtinë 2016.
– Roman i bukurisë së skajshme. Njëzet e pesë shkrimtarë dhe studiues italianë dhe arbëreshë për romanin “Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës. Përgatitur nga Albana Alia dhe Labinot Berisha. Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2017.
– “Prushi i bukurisë – Një përmendore poetike për artin e fjalës. Njëzet e gjashtë punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për veprën Prushi i bukurisë – Përsiatje poetike për artin e fjalës të Anton Nikë Berishës. Zgjedhur dhe përgatitur nga Albana Alia dhe Labinot Berisha. Shtëpia botuese Beqir Musliu. Prishtinë 2017.
– Isak Ahmeti, Vepra vlerash të mëdha poetike. Qasje disa veprave të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2018.
– (Hamdi) Erjon Muça, Libër për një libër. Studim për romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar të Anton Nikë Berishës. Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2019.
– Roman vlerash të jashtëzakonshme poetike. 52 punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës. Zgjodhën dhe përgatitën për botim Albana Alia & Labinot Berisha. Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2019.
– Giuseppe Napolitano, Qasje veprës letrare të Anton Nikë Berishës. Approccio all’opera letteraria di Anton Nikë Berisha. Shtëpia botuese Faik Konica 20019.
– Fatmir Minguli, Vepra që i bëjnë nder letërsisë dhe botës sonë. Mbi disa vepra letrare dhe shkencore të Anton Nikë Berishës. Faik Konica, Prishtinë 2019.
– Ajete Zogaj, Vepra me rëndësi të shumëfishtë. Mbi disa vepra të Anton Nikë Berishës. Faik Konica, Prishtinë 2021.
PJESË NGA ROMANI
“Nuk di sa kohë ndejta ashtu në lutje. Pastaj nuk vonoi e hiri i Hyjit, si shkulm ndriçimi, zbriti nga qielli e ra në dhomë si një ëndërrim; si një buzëqeshje e përjetshme flakëruese ra mbi mua, mbi dhimbjet dhe mbi etjen time; mbi gjithçka timen kjasoi ajo ujëvarë drite, që zuri të shtrihet, të përhapet gjithkah dhe më mbështolli me vezullimën e ngrohtë amësore. Vrushkujt e asaj drite ranë lehtë mbi bulëzat e lodhura të buzëve të mia të shkrumbuara dhe mbi kokrrat e djersëve të trupit që digjej; ranë dhe e shuan etjen, u përtërinë si në pasqyrën magjike, që kur bien rrezet e diellit, luan me to e vetimë i kthen nga kanë ardhur. Pastaj vëreja se vrundujt e ndriçimit ngjiteshin përpjetë, kaptonin si copëza resh të bartura nga ndonjë erë e dehur nga kaltërsia e qiellit, lartësoheshin gjithnjë sa dikur i shihja vetëm si grimca, si flakëza dritash, që shkonin e binin, preheshin në gjirin e qiellit dhe njësoheshin me dritën e yjve.
Duke vështruar atë ndriçim u nisa mbas tij. Në atë çast ndjeva një ngrohtësi shpirti, një lehtësim frymëmarrjeje dhe një prehje të thellë, të pafund, si në Shtëpinë e Atit”.
(Nga romani “NËNA E DRITËS”)