TË SHKRIMTARIT, REXHEP HOXHA
Shkruan Prof. Zymer Mehani
Duke mos pasur ndonjë traditë më të lashtë, në romanin tonë për fëmijë, nganjëherë janë manifestuar edhe elemente eksperimentale, dhe në përgjithësi, mund të thuhet se veçoritë stilistike në të janë reflektuar si për kah fuqia, ashtu edhe për kah kreacioni, në një reliev mjaft relativ me shumë ngritje e zbritje. Nga ky aspekt, shkrimtarët tanë me aftësi dhe shije individuale, në veprat e tyre janë prezantuar po ashtu me nivele të ndryshme artistike, dhe kjo vërehet duke filluar madje nga vetë titujt, nga mënyra e shprehjes, nga kreacioni figuracional e gjer te forma definitive e kondensuar në një tërësi më të rrumbullakësuar.
Titulli nuk është vetëm përfaqësues i përmbajtjes së një vepre letrare. Ai, në qoftë se shpreh besnikërisht ngjyrat tematike, do të jetë njëherit edhe insert i nuancave stilistike të një përmbajtjeje të caktuar.
Në letërsinë për fëmijë titulli paraqet një element shumë të rëndësishëm të veprës letrare, pa marrë parasysh se a është roman, dramë, tregim, novelë, poemë apo edhe një vjershë e vetme.
Ai do të jetë përherë kontakti i parë i lexuesit me veprën, prandaj pikërisht për këtë arsye ai duhet të jetë sa më impresiv, sa më interesant, sa më intensiv e më i jashtëzakonshëm, tërheqës dhe enigmatik, në mënyrë që midis një tërësie artistike dhe lexuesit të saj, të vëhen lidhje të forta të natyrës magnetike, por kurrsesi të tradhëtohet niveli ideo-artistik i vetë përmbajtjes, e cila përfaqësohet.
Lugjet e Verdha është titull i romanit të Rexhep Hoxhës, i cili në përmbajtje ka njëfarë atmosfere ekzotike, që do të jetë prezente edhe në brendësinë e veprës, dhe si i tillë ky titull të rikujton diçka përrallore dhe poetike.
Pasi veprimin e shtjellon kryesisht në formë të strukturës lineare, narraciioni i tij potencohet më tepër dhe ka shumë ngjasime me mënyrën e rrëfimit të Rexhep Hoxhës në Lugjet e Verdha, i cili duke shtjelluar një përrallë më të gjatë në veprën e vet, në pikëpamje të stilit nuk sjell ndonjë risi, por kryesisht mbetet në trajta të jostilizuara të shprehjes dhe të rrëfimit. Kjo nuk do të thotë se Lugjet e Verdha nuk është vepër e pasur me lememente tjera dekorative, si janë: krahasimi, metafora, simboli, alegoria, përshkrimet e bukura të natyrës etj., mirëpo as këto nuk bëjnë ndonjë efekt më të madh në tejkalimin e mënyrës tregimtare të përrallës popullore që manifestohet në romanin e Rexhep Hoxhës.
Mundësia e përdorimit të tropeve është mjaft e kufizuar në letërsinë për fëmijë, në përgjithësi. Kjo ngjet për arsye se fëmijët kanë një nivel po ashtu të kufizuar intelektual, që përherë është në lartësim e sipër. Megjithatë tropet dhe figurat stilistike e kanë lartësuar romanin tonë, ia kanë pastruar aspektet e ndryshme kuptimore, e kanë bërë shprehjen më atraktive e më poetike, dhe duke pasur kujdes të veçantë në krijimin e tyre, krijuesit tanë në tërësi krijuan figuracione të ndryshme, të cilat jo vetëm që i nxisin fëmijët t’i gjurmojnë kuptimet, por ndikojnë njëherit edhe në vetë konkretizimin e kuptimeve të tilla.
Krahasimin e kanë praktikuar pothuaj të gjithë krijuesit tanë për fëmijë, e po ashtu edhe Rexhep Hoxha në romanin Lugjet e Verdha.
Duke pasur parasysh se vepra u është dedikuar fëmijëve, shkrimtari ka ditur që krahasimet t’i ndërtojë në pajtim me natyrën fëmijërore. Nga ky aspekt, në shumicën e rasteve, ose objekti i krahasimit, ose edhe ai me të cilin krahasohet, ndërlidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me botën e fëmijëve, ose me fenomene të përafërta për ta.
Në romanin Lugjet e Verdha shembuj të tillë ka mjaft. Të përmendim njërin prej tyre:
Mirëpo, kishte kambët e lehta e të shpejta, si t’erës, si t’erës.
Krahasimi gjithmonë në letërsinë tonë për fëmijë ka patur për qëllim ta freskojë përmbajtjen, ta konkretizojë më mirë një tërësi kuptimore të caktuar, ta rifreskojë relievin e veprimit dhe të krijojë relacione atraktive midis karaktereve në sfere më të gjera të jetës. Prandaj, shkrimtarët tanë kanë zgjedhur me pedantëri e durim të madh objektin me të cilin kanë krahasuar një objekt tjetër, në mënyrë që edhe vetë krahasimi të jetë sa më i qëlluar, sa më i natyrshëm, sa më i përshtatshëm, dhe si i tillë sa më funksional dhe objektiv.
Edhe metafora, po ashtu zë një vend me rëndësi në strukturën stilistike të romanit tonë për fëmijë, e po ashtu edhe në romanin Lugjet e Verdha të shkrimtarit Rexhep Hoxha dhe manifestohet pothuajse në të gjitha trajtat e mundshme të saj; fromat kryesore të saj në këtë roman janë: metafora emër, metafora frazë e rrallë haset metafora folje. Në Lugjet e Verdha shkrimtari me mjeshtëri ka përdorur metafora të huazuara nga thesari burimor i popullit tonë, p.sh,:
Nji ditë prej ditësh, Shpendi ban zemrën guri…
Nga tropet që lajmërohen më shpesh në letërsinë tonë për fëmijë është edhe hiperbola. Funksioni i saj ndikon që te fëmijët të zgjojë fantazinë, dhe duke zmadhuar objekte e stërzmadhuar dimensione ambientale e kohore, hiperbola kultivon te të vegjlit dashurinë për për veprat letrare si dhe interesimin për të njohur edhe elementet fantastike të jetës. Prandaj në letërsinë tonë për fëmijë, si edhe në letërsinë e rritur, shumë herë përdoret p.sh., numri shtatë, që në realiet është huazuar nga thesari burimor i popullit tonë, konkretisht nga lloji i përrallës. Ja, p.sh., si e ndërton Rexhep Hoxha një figurë të tillë në Lugjet e verdha:
Nji livadh shtatë vjet nuk kishin pas guxue katundarët me e kositë prej nji bolle.
Hiperbola kryesisht vjen në shprehje për t’u përdorur në romanet tona për fëmijë, që kanë natyrë përrallore apo fantastike. E i tillë prej fillimit gjer në fund është edhe romani Lugjet e Verdha. Aty, madje hiperbolizohet edhe vetë fati jetësor i Shpendit.
Prezenca e botës shtazore në romanin tonë për fëmijë vetvetiu ka paraqitur nevojën që zërat e ndryshme të gjallesave të shprehen në një mënyrë të posaçme. Pikërisht për këtë, shkrimtarëve tanë u ka dalur në ndihmë një figurë e bukur stilistike, onomatopeja, të cilën fëmijët e duan dhe e përjetojnë në mënyrë të veçantë. Tingujt që lëshon natyra janë të ndryshëm, kurse në romanin tonë shohim përpjekjen serioze të shkrimtarëve, që ata tinguj të interpretohen përmes gjuhës së njeriut, p.sh,:
Sa fjalë flet Shpendi, shpezët:
-çak, çak, çak!- me sqepa,
-Rrap, rrap, rrap!- me krahë
E këso fjalësh onomatopeike në romanin tonë për fëmijë ka plot.
Ato janë tendencë që kafshët t´u afrohen fëmijëve pa trembje.
Janë përpjekje e ndërlidhjes komunikative të fëmijëve me fenomenet e ndryshme të jetës. Atëherë tingujve u jipet domethënia, të cilën fëmijët do ta kuptojnë e përjetojnë në mënyrën e tyre.
Jo rrallë përmes fjalësh e shprehjesh onomatopeike edhe fëmijët do t’u drejtohen gjallesave, duke dëshiruar ta kultivojnë dashurinë në to, ta ruajnë nxehtësinë e miqësisë dhe ta shkurtojnë distancën që ekziston midis të vegjëlve e gjallesave.
Onomatopeja në romanin tonë përfaqëson një mënyrë të përshtatshme të bisedimit real ose imagjinativ midis nuancave të ndryshme jetësore të planetit tonë. Ajo efektivizon në afrimin e ndjenjave të sinqerta dhe në krijimin e tërësive humane brenda botës shpirtërore të fëmijëve dhe të ndonjë pjesëtari të faunës.
Përgjithësisht, tropet dhe figurat stilistike e kanë lartësuar romanin tonë për fëmijë, ia kanë pasuruar aspektet e ndryshme kuptimore, e kanë bërë shprehjen më atraktive e më poetike, dhe duke pasur kujdes të veçantë në krijimin e tyre, krijuesit tanë në tërësi kultivuan figuracione të natyrshme, të cilat jo vetëm që e nxisin fëmijën t’i gjurmojë kuptimet, por ndikojnë njëherit edhe në vetë konkretizimin e kuptimeve të tilla.