VDIQ POETI I AVE MARIA

0
401

ROLAND GJOZA

VDIQ POETI I AVE MARIA
In memoriam për Frederik Rreshpjen

Vdiq një poet, tha berberi im kumarxhi
Vdiq një poet, këtë e di me siguri
Megjithatë emrin nuk ia mbaj mend
E kishin gjetur ne rruge
Si një lypës
Me një revolver ne xhep.

Kjo hollësi i kishte bere përshtypje berberit tim kumarxhi.

Ai nuk i donte poetet
Po për vdekjen e tij ndjente nderim te fshehte
Ndjente dhembshuri si ajo qe na kaplon ne kishe.

Vdiq një poet
Ai ishte kthyer prej kohësh në një lypës të çuditshme
Që nuk kërkonte lëmoshë me duar të shtrira
Po jepte si meshë lirikat e tij
Fatkeqësisht s’ishte koha e poetëve
Po e horrave,e hajduteve dhe e krimineleve
Prandaj mbante në xhep revolver
Që s’e përdori,se ai s’vrau njeri
Po vrau ndërkaq veten e tij.

Revolveri i kishte bërë përshtypje berberit tim kumarxhi.

Dhe sa herë i kujtohej, përsëriste me çudi;
Po revolverin ç’e kishte?!

TI S’ISHE MË BIONDE

Dola nga harresa e humnershme dhe hyra ne kujtesën gazmore prej diznei
Për të gjetur këtë çelës kopil u deshën 30 vjet
Ti s’ishe me bionde
Në një klinikë private u rinjohëm
Ti s’ishe më bionde
I kishim harruar fjalët e dashurisë
Ti s’ishe më bionde
Diagnozat e sëmundjeve s’i kishim serioze
S’kishim dhe aq frikë nga vdekja,
Na dukej provizore
Po,ah,
Ti s’ishe me bionde.

PUTHJA

Puthja jote në cepin e buzëve
Se si ishte
Prej shkrumbi dhe tymi
Një katastrofë natyrore
Një Kruiz i mbytur plot turistë
Një aksident ajror
Një gabim i rëndë në stacionin kozmik
Askush s’e vuan
S’e ndien njeri

Dashuria provokuaka dhimbje botërore.

NUMRAT

Numri i dollarit, numri i bankës
Numri i celularit, numri i sigurimeve shoqërore
Numri i kujdesit shëndetësor, numri i pasaportës
Numri i shtëpisë, numri i makinës, numri i këpucës,
Numri i kostumit, numri i këmishës, numri i kartës se kreditit
Numri i dashurisë, ah, me falni, dashuria s’ka numër
Por po ta mendosh me gjakftohtësi
Të gjitha ato numra që përmenda më sipër
Janë përmbajtja e vetë dashurisë. Ajme! Milleniumi i tretë!
Numrat ngjiten lart, dashuria zbret. Ajme!

HONORARI I POEZISE

Shkrova një poezi; “Puthja”
Me dhjete vargje
Dhe për dreq m’u kujtua koha e djalërisë arrakate
Koha e hënës, periferisë, çupkave
Kur për dhjetë vargje merrje njëqind lekë të thata
Dhe me ato njëqind lekë merrje dy bukë të zeza
Dyzetë lekë njëra, dyzetë tjetra
Dhe me pesë lekë blije një shishe kos
Dhe me pesëmbëdhjetë lekë shkoje në kinema
E shtyje një ditë me kaq pak para
Pra,me një vjershë me dhjetë vargje
Diçka të vogël ngjëroje
Se barku s’arnohet
I do ca para
Ky i shkretë
Mulli kashte.
Ah, kohë e djalerisë
Kohë e artë!

Sot poezia s’të jep as një krodhe bukë thatë.

VJOLLCA E VOGEL E FREDERIKUT

Kur vdiq Frederiku
Fillikat iku
Zbriti arkëmortin prej letre
Dhe iku
Me një bastun liriku
S’u gjend as dru
Për arkëmortin e tij të zi
Vetëm qiriu

Vjollca e vogël erdhi te porta e hapur
Zbriti nga bokërimat e Bjeshkëve të Namuna
Erdhi te porta si një bukuroshkë e vonuar
Me ato petlat blu
Me ato piklat e zeza
Vjollca e vogël e shkurrnajës
Madona e Frederikut
Nën dritën e hënës së re
Kryet ka ulur
Ai s’kthehet më nga varret
Ajo lutet; Ave Maria! Ave..
Ai s’kthehet më nga varret
S’është më madonë
Iku princi i kaltër
Ka ditë që qan
Ka ditë që rri te porta e hapur
E harruar
E flakur
Atje te porta e hapur
Si një lypëse e vogël
Si një lypëse e mjerë
Ave..

S’TË KAM DASHUR, FREDERIK

S’të kam dashur, Frederik, sepse ti e bëje veten për të mos u dashur
Ç’kishte natyra më finoshe e fisnike e more për vete
Dhe na le ne banalitetet e jetes
S’doje të jetoje në apartamente
S’doje të martoheshe
S’doje të bëje fëmijë
Nenën e kishe çuar te Mikelanxhelo
Si modele për madonat e tij
Mbaje kapele si Rafaeli
Dhe poezitë kishe guximin t’i lexoje nëpër kafene
Po ato s’ishin poezi
Nëse zoti do tregonte sekretet e tij
Poezitë e tua kishin të bënin me ato sekrete
Dhe të spiunuam e të tradhtuam
Të dënuam me pasionin e Krishtit
Ne ishim Krenaria dhe Golgothaja
Ne ishim dajaku, gjembat dhe gozhdët në gishtërinjtë e tu që të mos shkruaje më
Ne ishim heshtja dhe mizoria e krimbit në mish njeriu
Ne ishim harresa në gjallje dhe turpi në vdekje
Ne ishim ata që s’të deshën
Tokësorët e një varri prej mermeri
Që lamë trashëgimi pallate dhe dyqane
Tani që u plakëm dhe ti s’je më e kuptuam kotësinë e mallkimit tonë
Hapëm librin tënd për herë të parë se s’të kishim lexuar nga smira dhe inati
Librin tënd prej eternitaje
Dhe gjetëm aty parajsën tonë
E kishe ruajtur dhe një parajsë të vogël për ne
Na kishe falur me një Ave..

Nju Jork 2010

Dërgoi për publikim, Faslli Haliti, poet, shkrimtar e përkthyes