VDEKJA M’FLET SERBISHT

0
819
Shqipe Bytyqi

(Kujdes: leximi vetem mbi 18 vjeç!)

PËR KRIME GJENOCIDALE NUK KA AMNISTI!

Nga libri DRITĖ MBI PLAGĖ
me botues Gjenocidi ne Kosovë-Plagë e hapur

Shqipe Bytyqi

VDEKJA M’FLET SERBISHT

Jam shpirt i ngritur nga grumbull kufomash
Jetoj për t’dëftuar
Vdekja është fqinji im
Ai që genin dhe gjuhën time mallkoi
Vdekja është një llavë krijesash me maska
Pa fytyrë, pa shpirt,
Vdekja ka veç sy, duar dhe imagjinatë ferri
Vdekja flet serbisht
Ajo është e paparashikueshme
Herë përzgjedhë hijet nga kolonat e të dëbuarve
Herë herë u falë amshimin të gjithëve
Pa dallim, pa asnjë mëdyshje, pa lëvizur as qerpikun

Jam shpirt nga grumbull kufomash
Që shtirem si i vdekur
Apo kufomë që shtirem sikur jetoj
Jam ai çuni vogël në Gjakovë, në lagjen e parë
Jam në mesin e rrethit të shtatë të ferrit
Dëgjoj përgjërimin foshnjor t’motrës Diones
Si nën trupin e nanës, plumbash kositur
Ngadalë në agoni vdekjeje shuhet

Ai çuni vogël në mua, nuk u rrit kurrë
Ashtu i vogël mbush, stërmbush, ngulfat qenien time
Shtrihem dhe ngritem me të
As n‘varr s‘do t‘më lëj të qetë
E vdekja ende flet serbisht
Edhe mbrëmë isha në pragun e shtëpisë
që digjej
Pashë Flakën lozonjare si vallzonte n’flakë
Vdekja më përzgjodhi t’i numroj vdekjet
T’i thërras në emër
T’ju shoh retinën si shuhet
Rita, Dalina, Diona, veç nga dy pranvera
Marigona, Sihana, Arlindi, Delvina t’gjithë fëmijë
Dhe Flaka, ah Flaka e tëra n’flakë
Trembëdhjetë fëmijë
Shtatë gra
Një burrë, rëndë i sëmurë
Dhe rrethi i shtatë i ferrit të Dantes

I përgjërova t’më vrasin
Zgërdhiheshin, ulërinin si ujqër
Me ulurimën si kodin e tyre vrastar
Unë përgjëroja, vdekjen kërkoja
Tmerr i shpirtërave që therren
Kundërmim i njerëzve që digjen
Lemeritje e gjenocidit n’fundin e shekullit njëzetë
Nuk m‘kujtohet më
Sa kohë ka
Që zgjohem e shtrihem me të
E vdekja ende serbisht m’flet

(Dren Cakes, nëntë vjeçarit, të mbijetuarit të vetëm nga masakra e Gjakovës me 02.04.1999, ku forcat policore dhe ushtarake serbe vranë dhe dogjën 21 fëmijë dhe gra.)