“VDEKJA JOTE, RRITJA IME!”

0
438

GREKËT THONË: “O GAR THANATOS SOU ZOI MOU” !
Që në gjuhën shqipe don të thotë:
“VDEKJA JOTE, RRITJA IME!”

Isuf B. Bajrami

Fatkeqësi dhe fyerje për shqiptarët dhe Shqipërinë, për sakrificat që bëri për fqinjët e jugut.

Më vonë ndodhi ajo që e thoshte Noli i madh: “Ata që u çliruan me gjakun e mundimet tona janë armiqtë më të këqijtë tanë” (68).

Pas revolucionit francez (69), filloi një epokë e re. Me likuidimin e copëtimit feudal lindën tërësitë kombëtare. Një ndër shtetet që lindën pas kësaj periudhe është Greqia (1831), e cila u garantoi shtetasve të saj liritë civile, politike në masë të barabartë. Klauzola të tilla u përcaktuan me Traktatin e Londrës më 1829 (70), të Parisit 1856 (71), të Berlinit 1878 (72), që janë quajtur traktate “Minoritare”. Deri më 1914 ishin bërë jo më pak se 30 traktate të tilla ndërkombëtare.

Isuf B. Bajrami
Isuf B. Bajrami

Siç u tha edhe më lart Pukëvili (73) shkruan: “Çamët jetojnë në jug të lumit Kalama. Distrikti i tyre shkon deri në Janinë. Vendbanimet e tyre kryesore janë: Suli, Paramithia, Luarati, Margariti, Parga dhe Argjila”. Çamëria, pra, është një zonë e banuar nga popullsia autoktone shqiptare. Ajo e cila e përbënte pjesën kryesore të pakicës kombëtare shqiptare në Greqi, në një sipërfaqe me 1950 km2, u çlirua nga pushtimi turk më 1912, në të njëjtën kohë si e gjithë Shqipëria.

Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Londrës (1913) e më pas Konferenca e Firences (74) që përcaktuan kufijtë e pjesës jugore dhe juglindore të Shqipërisë vendosën që kjo trevë shqiptare të kalonte nën sundimin grek. Ajo përfshinte 189 qytete dhe fshatra me një popullsi sipas regjistrimit turk të vitit 1908 mbi 72.000 banorë.

Pas caktimit të kufirit shqiptaro – grek nga Protokolli Firences (75), Fuqitë e Mëdha i kërkuan Greqisë të tërhiqte trupat e pushtimit brenda një muaji nga Shqipëria e Jugut. Por personalitetet politike reaksionare greke me E. Venizellosin(76), i njohur si antishqiptar i tërbuar, penguan tërheqjen e forcave greke dhe manipuluan organizatën “Autonomiste të Vorio – Epirit” (77), e cila me një terror të egër vërsulej kundër shqiptarëve që kërkonin bashkimin e atdheut të tyre.

Më 02.03.1914, ministri i Greqisë J.K.Zografos bëri luftë për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Ai u bë edhe kryeministër i të ashtuquajturit “Vorio – Epir” me qendër në Gjirokastër. Por kjo “zonë e Autonomisë së Vorio – Epirit” nuk e pati jetën e gjatë se iu kundërvunë forcat e qeverisë së Vlorës. Rezistenca e popullit të kësaj zone të udhëhequra nga luftëtarët Muharrem Rushiti, Alush Taka,etj. (78) i shpartalluan forcat greke.
Në vitet e mëvonshme 1923 – 1924 u ndoq politika e gjenocidit, dëbimit të popullsisë shqiptare me anë të kombinimit të detyrueshëm me popullsinë greke.

Po ashtu u organizuan çeta të cilat bënin terror të paparë,u bënë shpronësimet arbitrare, u vunë sanksionet në ekonomi e bashkë me to inkurajuan e nxitën edhe përçarjen fetare midis shqiptarëve. Para këtyre veprimeve çnjerëzore që përbëjnë krime të rënda qëndrojnë deklaratat demagogjike të Greqisë për gjoja kujdesin dhe interesimin që ajo tregon për pakicat kombëtare që jetojnë në territorin e saj. Për shembull në Traktatin e Konstantinopojës 1881 (79), pasi mori provincën e Thesalisë dhe një pjesë të Epirit, u zotua se do të mbrojë pakicat kombëtare. Artikulli i tretë i traktatit thotë: “Jeta, pasuria, nderi, feja dhe veprimtaria e këtyre zonave të dhëna Greqisë dhe që do të mbeten nën administratën greke duhet të respektohen me kujdes. Ata do të gëzojnë të njëjtat të drejta politike dhe qytetare si dhe shtetasit grekë“.(80)

Në përfundim të Luftës së Parë Botërore Greqia nënshkruan në Servë (81) më 10.08.1920 Traktatin për mbrojtjen e të drejtave të gjuhës e të fesë të minoriteteve.

Pas dështimit të fushatës ushtarake greke në Azinë e Vogël, Greqia u detyrua të nënshkruaj më 30.01.1923 në Lozanë një Konventë (82) për shkëmbimin e detyrueshëm të shtetasve turq me origjinë greke që jetojnë në Azinë e Vogël me shtetasit grekë të kombësisë turke që jetojnë në Thrakinë lindore.

Për të mbikëqyrur shkëmbimin sipas konventës, u caktua një komision të përbërë nga katër anëtarë turq, katër anëtarë grekë dhe tre anëtarë të zgjedhur nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve midis shtetasve, që nuk kishin marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore.

Këta u emëruan më 17 shtator 1923: një danez, një spanjoll dhe një suedez. Ndërkaq qeveria greke vazhdoi fushatën e saj të shpifjeve kundër Shqipërisë edhe pse kishte deklaruar se nuk do të përfshinte shqiptarët e Çamërisë në shkëmbimin e popullsisë turke. Sigurime të tilla ishin dhënë edhe nga përfaqësuesi i Greqisë në Tiranë.

Por për pabesinë dhe mungesë korrektësie grekët përmenden që nga kohërat e vjetra. Aleksandri i Madh për këto veprime i përmend disa herë. Kështu dhe pasardhësit e tyre nuk e mbajnë fjalën, ndryshe firmosin e garantojnë dhe ndryshe veprojnë. Kështu që mijëra çamë u dëbuan nga vatra e tyre dhe u dërguan me forcë në Turqi duke i paraqitur si pjesëtarë të kombësisë turke (83).

Shumë herë shqiptarët e Çamërisë gjatë kësaj periudhe i janë drejtuar Lidhjes së Kombeve me protesta dhe telegrame ku kane kërkuar prej saj mbrojtjen e të drejtave të tyre të shkelura nga qeveria greke. Në këtë kohë qeveria shqiptare e F.S. Nolit ndërhyn pranë Këshillit të Lidhjes së Kombeve me një letër më 11 Gusht 1924 ku i shkruan ndër të tjerash: “…Është deklaruar gjithashtu se çdo anëtar i Lidhjes së Kombeve ka të drejtë duke u nisur nga ndjenja e dashurisë të tërheqë vëmendjen e asamblesë ose këshillit mbi çdo rrethanë që cenon marrëdhëniet ndërkombëtare dhe që si pasojë rrezikon të turbulloje paqen ose mirëkuptimin midis kombeve…“(84).

Qeveria shqiptare i kërkonte Këshillit të Lidhjes së Kombeve që qeveria greke të përmbushë me besnikëri zotimin që kishte marrë në Konferencën e Lozanës që mos t’i trajtonte shqiptarët si turq. Si rezultat i telegrameve dhe protestave të vazhdueshme që i vinin Këshillit të Lidhjes së Kombeve nga krerët çamë dhe qeveria shqiptare, në muajin dhjetor 1925 Këshilli ftoi anëtarët asnjanës të Komisionit të mbikëqyrte shkëmbimin e popullsisë greke dhe turke që të bëheshin garant përpara Lidhjes së Kombeve për mbrojtjen e pakicave kombëtare shqiptare.

Më 15.03.1926, Këshilli i Lidhjes së Kombeve pohoi çështjet e ngritura nga delegati shqiptar më 04.12.1925.(85) Përfaqësuesit grek në Këshillin e Lidhjes së Kombeve iu tërhiqet vërejtja dhe pranoi për suprimimin e nën komisionit të Epirit dhe ndaloi dërgimin e 800 personave të popullsisë çame nga fshatrat Kardhiç dhe Dhragomi që ishin përgatitur për t’u shpërngulur me forcë.

Kjo ishte një fitore e pjesshme për ndalimin e mëtejshëm të shpërnguljes së popullatës çame. Por nuk arriti asgjë për riatdhesimin e afro 33000 shqiptarëve çamë që u shpërngulën me forcë për në Anadoll.

Kalojnë dy vite e gjysmë nga koha kur qeveria Shqiptare duke parë se deklarata e qeverisë greke nuk po zbatohej, përsëriti kërkesën e saj më 09.05.1928.

Kjo kërkesë u shqyrtua në sesionin e 50 të Këshillit të Lidhjes së Kombeve më 05.06.1928.
Në këtë sesion delegati shqiptar u përqendrua në këto kërkesa:
1- Qeveria greke nuk ka bërë asnjë deklaratë punimi publike, kështu që departamentet e ndryshme nuk dinë që shqiptarët janë të shkëmbyeshëm dhe në këtë mënyrë kundër tyre vazhdojnë të merren masa shtrënguese.
2- Kthimi i pasurive të marra popullsisë çame në favor të refugjatëve grekë të ardhur nga Azia e Vogël.
3- Pjesëmarrja e popullsisë çame në zgjedhje si edhe qytetarët grekë. Sipas numrit popullsisë çame i takonin dy përfaqësues ndërkohë që nuk kishte asnjë.
4- Ndalimi i shpronësimit në kundërshtim me ligjet, që i bënte fshatarët shqiptarë pa tokë dhe pa kullotë.
5- Ngritjen e shkollave në gjuhën shqipe.
6- Lirimin nga disa taksa të tepërta, etj.”.(86)

Le të shikojmë dhe të krahasojmë arsimin në të dy anët e kufirit jugor se si i kanë zbatuar aktet ndërkombëtare. Këshilli i Lidhjes së Kombeve i mbledhur më 08 Gusht 1928, pasi diskutoi për problemin e pasurisë së shqiptarëve në Greqi dhe arsimin e tyre, vendosi që problemi të zgjidhet me bisedime dypalëshe, sipas akteve ndërkombëtare. Në këtë kohë, sipas dëshmive të komisionit hetimor, minoriteti grek në Shqipëri kishte shkollat me mësuesit e vet, me mësimdhënie në gjuhën amtare.

Në të njëjtën kohë në Greqi ku pakica kombëtare shqiptare, dy herë më të mëdha se pakica greke në Shqipëri, nuk kishte as edhe një shkollë të vetme në gjuhën shqipe.

Fan Noli në cilësinë e tij si kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve deklaroi para asamblesë më 1924: “Çamëria, tërësisht shqiptare e aneksueme Greqisë më 1913 nuk ka të drejtë të ketë një shkollë të vetme, në një kohë që minoriteti i vogël grek në Shqipëri ka shumë shkolla greke…“.(87)

Edhe vet Venizellosi (88) në vitin 1924 përpara Lidhjes së Kombeve deklaron se në zonën e Epirit që përmblidhte edhe Çamërinë nuk kishte asnjë shkollë për pakicat kombëtare shqiptare. Ky përfaqësues i Greqisë, megjithëse dha premtime përpara Asamblesë, asnjë ndryshim nuk e bëri.

Në vitin 1933 doli Kushtetuta e Re e shtetit Shqiptar që ndalonte funksionimin e shkollave private në Shqipëri. Kështu u ndryshua Neni 5 – të i deklaratës shqiptare të 2 tetorit 1912. Si pasojë e zbatimit të këtyre dispozitave u mbyllën 48 shkolla private të llojeve të ndryshme si dhe 19 shkolla të huaja private. Këto shkolla ndaheshin: “21 Shkolla Laike, 14 Shkolla Myslimane, 7 Shkolla Katolike, 6 Shkolla Ortodokse“.(89) Për mbylljen e 6 shkollave private ortodokse qarqet shoviniste greke të tërbuara se u prekën të drejtat e pakicës greke bënë ankesë në Këshillin e Lidhjes së Kombeve.

Delegati shqiptar në seancën e 14–të, më 18 janar 1935, deklaroi: “Shtetasit shqiptarë, që u përkasin pakicave të racës, fesë apo të gjuhës, do të gëzojnë të njëjtin trajtim si dhe të njëjtat garanci në të drejtë dhe në fakt si edhe shtetasit e tërë shqiptarë. Arsimi dhe edukimi i shtetasve shqiptarë i rezervohet shtetit. Arsimi fillor do të jetë i detyrueshëm dhe do të jepet falas.’’(90). Pas shume debatesh në përfundim Dhoma Parlamentare e Drejtorisë Ndërkombëtare vendosi për ndalimin e shkollave private në Shqipëri më 15 prill 1935.

Vlen të theksohet se qarqet shoviniste greke bënë një zhurmë të madhe për mbylljen e 6-të shkollave ortodokse dhe heqjen e dy mësuesve.

Në këshillin e Lidhjes së Kombeve u paraqitën statistikat e kohës të cilat tregojnë se: “…popullsisë shqiptare i takonte të shkojë në shkollë 4.8%, ndërsa për pakicën greke në Shqipëri, në atë kohë shkonin në 9.9%, kurse pakica kombëtare shqiptare në Greqi nuk kishte asnjë shkollë. Kurse në Greqi në vitin 1930 vetëm 75% të fëmijëve ndiqnin shkollën me minoritetin grek në Shqipëri, me financat e shtetit e ndiqnin 79.3%.” (91)

Më 1938 prefekti grek në Çamëri Andonaqas e ndaloi zyrtarisht përdorimin e gjuhës shqipe në Çamëri (92). Të gjitha këto plane shfarosëse përgatitën tragjedinë e madhe, tragjedinë më të madhe për çamët në vitet 1944 – 1945, ku shovinistët grekë vranë me mijëra çamë dhe shpërngulën me dhunë popullsinë shqiptare të besimit mysliman nga trojet e veta autoktone (93).

Duke u munduar që të lihen mbrapa (në harresë) tragjeditë e trojeve dhe popullsisë çame, “Omonia” vazhdon komedinë e vet përpara me pretendime të reja;siç duket zbaton thënien e ministrit grek Samaros në “Neo Thesprotia” se: “…minoriteti në Shqipëri është shtylla jonë ku ne do të mbështetemi atje për të ardhmen“. Më qartë s’ka se si thuhet. Nëse marrin argument integrimi faktin se në Shqipëri ka pasur koloni helene, atëherë bukur e thotë një thënie Abdyl Frashëri (94): “…se grekët duhet të kërkojnë edhe Italinë Jugore, Azinë e Vogël, Rumaninë dhe Marsejën e Francës!!!“.

Në qoftë se ata vazhdojnë të ngrehin pretendimet e njohura dhe të vjetra territoriale ndaj Epirit, atëherë, siç thoshte Jani Vreto: “Do të dridhen varret e etërve, vëllezërve shqiptarë, që ranë për lirinë e grekëve dhe që kanë kontribuar jo më pak se grekërit në themelimin e Mbretërisë greke” (95).

Greqia e sotme nuk mund të quhet shtet demokratik.
Ajo është antidemokratike, e mund ta quajmë me plot meritë një shtet mesjetar.
Shteti grek jo vetëm që nuk i njeh të drejtat e çamëve, por as nuk i lejon të vizitojnë trojet e tyre ku i kanë varret e të parëve.

Nuk ka asnjë Ligj në botë që të përvetësojë me dhunë tokën, shtëpinë dhe pasurin e tjetrit.
Grekërit me dekada i shfrytëzojnë pasurit e çamëve!

Po djemve dhe vajzave shqiptare, që të detyruar për bukën e gojës, shkojnë me koka të ulura për të punuar, pse u ndërrohen emrat dhunshëm! Pse iu ndryshohet kombësia dhe u varin kryq të zinj ortodoks në qafë?!

Pse i keqtrajtojnë si skllevër?!

Vlen t’iu bëhet kjo pyetje edhe përfaqësuesve të Europës, SHBA-së, Japonisë, etj. të cilët marrin pjesë nëpër ceremoni në përvjetorët e “demokracisë greke”!

Përse nuk pyetët a ka sot demokraci Greqia antidemokratike?!

Vendi i Lekës; 20.10.2020