Vazhdon getoizimi i (pa)drejtë i shtetasve kosovar!

0
877

Shkruan: Florim Zeqa, 29.01.2018

Kosova është i vetmi vend në rajon me prezencën më të madhe ndërkombëtare. Mirëpo edhe përkundër kësaj, shtetasit kosovar kanë mbetur të vetmit në rajon të getoizuar, pa të drejtën e levizjes së lirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian!

BE-ja përveq prezencës politike (diplomatike), policore (EULEX) dhe ushtarake (KFOR), nga fillimi i aplikimit të monedhës “EURO”, Kosovës i ka imponuar sistemin monetar pa qënë fare pjesë e saj.

Mirëpo të njëjtat kritere nuk ka arritur t’i aplikojë aq lehtë edhe në vendet e rajonit, gjegjësisht edhe në ish republikat e tjera të ish federatës jugosllave.

BE-ja në njërën anë Kosovës i instalon sistemin monetar të saj, ndërsa në tjetrën paradoksalisht i mohon liberalizimin e vizave për qytetarët e saj!
Fatkeqësisht, padrejtësitë ndaj shtetit të Kosovës të njohur ndërkombëtarisht 10 vite më parë (17 shkurt 2008) po vazhdojnë edhe në ditët e sotme.

Vënja e kushteve të padrejta pushtetarëve kosovar në këmbim të liberalizimit të vizave, siq është Demarkacioni me Malin e Zi, është akt i paprecedent nga zyrtarët e BE-së! Pasi një gjë të tillë nuk e kanë aplikuar edhe për vendet tjera të rajonit, gjegjësisht me republikat tjera të ish federatës jugosllave, disa prej të cilave janë bërë edhe pjesë e BE-së dhe NATO-s pa ju vënë kushtin e demarkimit të kufirit siq është rasti pikërisht me Malin e Zi, me të cilin vend Kosova ndodhet në kontekst territorial, por që qytetarët e këtij vendi nuk e bartin asnjë konseguencë sa i përket levizjes së lirë të njerëzve dhe mallërave drejt vendeve të BE-së.

Kështu, të vetmit që padrejtësisht po penalizohen në Ballkanin jugëpërëndimorë janë shqiptarët. A thua pse!?
Sepse e gjithë kjo është pasojë e një lidershipi të papërgjegjshëm kosovar në këtë dekadën e fundit, gjegjësisht në dekadën e pavarësimit dhe njohjes ndërkombëtare të shtetit tonë.


Loading…


Thellësisht jam i bindur se, sikur të kishim liderë të përgjegjshëm shtetërorë dhe klasë politike të pastër dhe të pakorruptuar, do të kishim një parlament të fortë, kredibil, të përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe të respektuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Përderisa parlamenti të përdoret si marionetë e qeverisë, nuk mund të pritet gjë e mirë dhe me vlerë për vendin tonë.
Nivelin e ulët, do të thoja mesjetar të klasës politike në Parlamentin e Kosovës e dëshmoi seanca e fundit, respektivisht interpelanca e kryeministrit Haradinaj në raport me të shtënat me armë të Ministrit të Diasporës z.Dardan Gashi në ahengun e famshëm familjarë!

Sjelljet dhe gjuha e përdorur (primitive dhe seksiste) e deputetëve në njërën anë dhe mbrojtja e një veprimi krejtësisht të paligjshëm të ministrit në fjalë, duke u thirrur në traditat popullore e dëshmonë qartë kulturën dhe nivelin në të cilin ka rrëshqitur politikbërja kosovare në fundin e dekadës së parë të pavarsisë së shtetit tonë dhe në fundin e dekadës së dytë të shekullit 21!

Sikur të zgjedhurit e popullit (deputetët) të silleshin konformë besimit qytetarë, atëherë shkarkimi i ministrit Dardan Gashi duhet të ishte pikënisja, përderisa veprimet ligjore të sistemit të drejtësisë me vazhdimin e mëtutjeshëm për ndëshkimin edhe të aktorëve tjerë që u sollën si “kauboj” të Hollivudit në ahengun e famshëm familjarë në Banjë të Malishevës.

Kjo nuk ndodhi për arsyen e thjeshtë, pasi shkarkimi eventualë i sekserit të kontrabandimit të votës së deputetes Teutë (Ibrahim) Rugova, do t’i rrezikonte Ramush Haradinjat humbjen e postit të kryeministrit.

Por meqë kjo nuk ndodhi, keqqeverisja e vendit, parregullsitë dhe anarkia në sistemin gjyqësorë do të vazhdojnë akoma, ndoshta deri në pambarim, …derisa të vie në pushtet një klasë e përgjegjshme politike, me etikë dhe integritet profesional për të udhëhequr shtetin dhe dikasteret përkatëse qeveritare.

Mbase sjelljet e fundit të pushtetarëve dhe deputetëve në Parlamentin e Kosovës, do të jenë një “alibi” më shumë për getoizimin e mëtutjeshëm të qytetarëve të këtij vendi dhe talljen me liderët shtetëror të Kosovës me mosdhënje të vizave nga shtetet e BE-së, përderisa zyrtarët evropian hyjnë e dalin nga Kosova të pa u “skanerizuar” nga autoritetet kufitare në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Përkundër këtij fakti, javëve dhe ditëve të fundit është shtuar dukshëm fluksi i qytetarëve kosovar para ambasadave të huaja në Prishtinë, për të kërkuar vizën për largim nga ferri që u shkaktuan politikanët e papërgjegjshëm në dekadën e fundit në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës.