Varrosjet në dhe të huaj janë tepër të rënda

0
470

Pamje nga ceremonia e varrimit

Nga: Xhafer LECI

Nga kujtimet e mia me rastin e ceremonisë së varrimit të Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, në Stuttgart të Gjermanisë më 1982.

Kurrë në jetën time nuk e harroj dhe edhe sot më rrinë para syve prindërit e tyre, që kishin ardhur nga Kosova, nëna Ajshe e vëllazëve Gërvalla dhe baca Pajazit baba i Kadri Zekës, tash te dy të ndjerë, ndjesë paqin, sa të fortë që ishin, si graniti. Të vegjël nga trupi, por të mëdhenj nga zemra e shpirti. Ishin ulur mbi dy gurë, nuk qanin, por neve na jepnin forcë duke na thënë » Mos u mërzitni se edhe ju i kishit shokë ». Të gjithë u kthyem pa bëzë, sikur s’kishim gojë, sepse ndarja nga këta bij të kombit ishte më e rëndë se toka.

Nami Ramadani i kishte porositur pllakat e varrezave në Nellingen afër Stuttgarti, tek një kroat, por pakëz kishte pasur probleme rreth ngjyrës së kuqe për ta ngjyrosur yllin… Namiu kishte bërë shumë punë, sidomos në shpërndarjen e “Zërit të Kosovës” tek bashkatdhetarët tanë dhe thirrjet për pjesëmarrje sa më masive në demonstrata, pasiqë ai punonte si vozitës kamionësh nëpër tërë territorin e Gjermanisë. Kur kthehej nga Hamburgu, Hannoveri, Düseldorfi, etj, çdo herë kthente te Jusufi në Heilbronn dhe merrte revistën e tij për ta shpërndarë, por merrte edhe porosi tjera. Ai asnjëherë nuk u lavdërua se unë bëra këtë apo atë punë. Edhe kur e pyeste ndokush, thoshte se me shokë po mundohemi të bëjmë diçka për atdhe. Thuaja se shumë pak pjesëmarrës në varrim kishte që nuk po qanin. Qaja edhe unë si fëmij.

Më afrohet Qamil Isufi, kushëri i parë i Saime Isufit, të fejuarës së Kadri Zekës dhe më thotë “Xhafer pse po qanë?” I them “Po më dhembsën shumë këta tre patriotë që na i vrau shkjau.” Qamili më thotë “Unë Kadri Zekën e kam pasur djalë tezeje dhe ja shihe se si po qëndroj”. Filloi varrimi, përshendetjet e fundit iu bënin me shtrëngimin e grushtit komunist-enverist, por kishte edhe disa që i bënin lutjet me ritualin islam sipas zakonit tonë fetar. Njëri ndër ta isha edhe unë si dhe babai i të ndjerit Kadri, Pajaziti. Fjalën lamtumirëse i pari e lexoi mësuesi Remzi Ademi, sot hero i popullit, i vrarë në luftën e fundit në Kosovë. Remziu ishte tezak i aktivistit të madh Shaban Bobaj. Pastaj një nga miqtë tanë gjermanë mbajti një fjalim. Foli edhe Ibrahim Kelmendi dhe një vajzë. I. Kelmendi duke lexuar me njërën dorë mbante Flamurin shqiptar, kurse në tjetrën dorë letrën.

Me afrohet një vendas imi, Jakup Biçkaj dhe më pyet se kush është ky që po lexon me këtë zë kaq të lartë dhe kaq të ashpër? I them se është Ibrahim Kelmendi. Jakupi ma ktheu “Ky njeri ose i ka dy zemra ose është gëzuar se tashti pas vdekjes së Jusufit mendon se është mbetur më i mençuri këtu në diasporë. Gjatë varrimit një gazetar gjerman e pyeti Qamil Jusufin se çka don të thotë përshëndetja me grusht?

Qamili kishte pak kohë që jetonte në Zvicër dhe nuk e njihte mirë gjermanishten. Më tha “Xhafer, foli këtij gjermani se nuk po e kuptoj!” Isha i bindur se gazetari gjerman e dinte çka don të thotë përshëndetja “vdekje fashizmit liri e popullit”. Gazetari gjerman më pyeti “Pse bëni dy lloj nderimesh, disa me grusht e tjerët me lutje fetare. I them shkurt dhe pa e zgjatur “Secili bën nderime sipas deshirës së vet.” Kurrë në jetën time nuk e harroj dhe edhe sot më rrinë para syve nëna Ajshe dhe baca Pajazit tash të ndjerë, sa të fortë që ishin, si graniti. Të vegjël nga trupi, por të mëdhenj nga zemra e shpirti. Ishin ulur mbi dy gurë, nuk qanim, por neve na jepnin forcë, duke na thënë “Mos u mërzitni se edhe ju i kishit shokë”. Të gjithë u kthyem pa bëzë, sikur s’kishim gojë, sepse ndarja nga këta bijë të kombit ishte më e rëndë se toka. I lamë të pushojnë të qetë në tokën e huaj. Ah sa vështirë që ishte, kurrë mos na raftë ta harrojmë.’

Në pranverë të vitit 2002, bëhej përgatitja për kthimin e trupave të tre dëshmorëve në Kosovë. Vëllau i Kadriut, Xheladini kishte ardhur nga Ko-sova për t’i marrë eshtrat e të vëllait. Një natë para përcjelljes se tyre, ishin mysafirë në shtëpinë time; Xheladini, Arban Hoxha,dhe Avni Salihu. Bise-duam rreth vrasjeve të tyre. I them Xheladinit “Është folur edhe për një ven-das tënd se ka qenë i angazhuar për vrasjen e tyre. Unë e përmenda emnin e tij. Po më tha Xheladini, por është keq të themi emra derisa nuk kemi argumente. Megjithatë, ke të drejtë z. Leci se është folur shumë për këtë person”. U hap biseda edhe rreth Ibrahim Kelmendit dhe aktivitetit të tij. Xheladin e lavdëronte shumë si një aktivist të madh dhe të palodhshëm. “Xhelo, më vjen keq i them, por I. Kelmendi është një parazit që kurrë s’ka punuar, por ka jetuar që nga viti 1974 në Gjermani nga djersa e punëtorëve shqiptarë. Të nesërmen te varrezat shkova me disa shokë. Aty pash në rrjesht para trupave të tyre të vdekur; Abdyl Gërvallën duke qarë dhe i them: “Gajret dhe mos u merëzit.”

Abdyli e ngriti kokën dhe më shiqoi, por nuk më njohu. Përshëndetemi edhe me Xheladinin. Ishin shumë të mërzitur. Në kokën time më silleshin shumë mendime dhe para syve më paraqitet viti 1982. O Zot, deri kur më kështu me këto mërzi ne shqiptarët? A thua mos jemi të nëmur, siç na thoshin të parët tanë!? Natën e kaluar e kisha pyetur Xheladinin “A ke biseduar me Hysen Gërvallën dhe a ka mundësi që t’i vorrosni në Prishtinë. Pra, do t`ishte mirë që Qeveria e jonë t’i bëjë të gjitha varrezat e heronjve dhe të dëshmorëve në një vend në Prishtinë?” “Po thotë Xheladini, kam biseduar me Hysen Gërvallën, por ata e kanë vendosur që Jusufin dhe Bardhoshin t`i varrosin në fashatin e tyre, në Dubovik të Deçanit.” Pasi që i përcollëm trupat e pajetë të tre dëshmorëve, pyeta veten a thua edhe në Kosovën e lirë do t’u bëjnë homazhe, sikur këtu në mërgim, të ndarë në grupe dhe ideologji. Në ato çaste nuk besoja, por pas rivarrimit të tyre në Kosovë ndaraz, më duket sikur do të vazhdojë avazi i vjetër ndaj këtyre dëshmorëve të kombit.