Shkruan Prof. Zymer Mehani
(Vështrim për vëllimin poetik “Shqipëri”, Botues Klubi Zahir Pajaziti Podujevë, me kryetar z. Rudi Berisha)
Të flasësh për vëllimin poetik “Shqipëri”, do të thotë, në radhë të parë, të flasësh për lidhjet e këtyre poezive me fatet e atdheut tonë, me festën e 28 Nëntorit, me Flamurin tonë Kombëtar, me Krujën e të madhit Skënderbej, me Kuvendin Historik të Vlorës, me Plakun mjekërbardhë, Ismail Qemali dhe me bashkëluftëtarët e tij, me Ditëlindjen e Komandantit tonë të UÇK, Adem Jashari, me komandantin Zahir Pajaziti, po ashtu edhe me UÇK, sepse që të gjitha ndodhën dhe erdhën u shfaqën në datën e artë 28 NËNTOR.
Të gjitha këto momente të historisë sonë kombëtare janë pasqyruar edhe në përmbledhjen “Shqipëri” përmes vargjesh, përshkrimesh dhe tablosh historike të detajuara në motive konkrete gjithnjë atdhetare, në pasqyrime emocionuese aktesh e portretesh, në reflektime poetike ndjenjash e mendimesh frymëzuese.
Aq më tepër, në këtë përmbledhje dominon pra tema e fateve të atdheut, e lirisë, e dinjitetit dhe e krenarisë kombëtare, tema e besimit në të ardhmen, e përparimit dhe e perspektivës historike të kombit tonë, tema e mbrojtjes së trojeve shqiptare, e gjuhës, e flamurit si dhe kryetema e Ribashkimit të Atdheut tonë- E të gjitha këto gjetën bazament të fortë nëpër faqet e historisë sonë të lavdishme kombëtare, që ne poetët i shfrytëzuam për t’i shtjelluar në vargjet tona secili në mënyrën e vet të këndvështrimit. Dhe fatmirësisht poetët ia kanë dalur me sukses që këtyre temave t’u japin tretman estetik, gjë që është thelbësore për artin në përgjithësi.
Shikuar nga këndi i realizimit artistik, poezitë e këtij vëllimi na shfaqen si heterogjene, për faktin se janë të shkruara nga shumë poetë. Prandaj është krejt e natyrshme që vargjet këtu na dalin si jounike në modelim.
Në vëllim kemi vargje llojesh të ndryshme, si vargun e lidhur, vargun e bardhë, vargun e thyer etj. Te vargu i lidhur i rimuar, hetohet dominimi i një ritmi uniform ngase ruhen veçoritë esenciale të ritmit. Poezitë kryesisht janë të pasura me figuracion poetik dhe e kanë mjaft të kamufluar kuptimin e vargjeve.
Nga ky vëllim poetik, po kuptohet qartë se nuk mund të nxirret një model i njëjtë i vargëzimit, sepse siç u tha edhe më heret, këtu kemi një shumësi modelesh e stilesh dhe për pasojë vërehet një polimorfi poetike, që vërtet përmbledhjes ia shton vlerën artistike më tepër.
Te poezitë e thurura në vargun e lidhur dominojnë konvencat e forta strofike, por në disa poezi paksa më të gjata teksti nuk i nënshtrohet shabllonit të ndarjes në fragmente, por logjikës spontane të rrëfimit.
Kryesisht poezitë e vëllimit “Shqipëri” dalin mjaft të realizuara edhe kuptimisht, edhe estetikisht dhe libri vërtet shquhet për varietet vlerash poetike.
Duke i patur parasysh të gjitha këto fakte që u përmendën, del se në vëllimin poetik “Shqipëri” shpirti dhe mendja e poetëve tanë, mbetet e lidhur fort në idealin e ribashkimit të Atdheut dhe të të trojeve tona shqiptare, të ndara padrejtësisht.
Të preokupuar vazhdimisht me lirinë dhe Atdheun, nuk është çudi se në pjesën dërrmuese të krijimeve të poetëve dominon tema e madhe e Atdheut, tema e kremtimit të festave në liri dhe tema e flamurit dhe e ribashkimit.
Poezia e poetëve në këtë përmbledhje, na del edhe si një poezi kushtruese, një poezi në të cilën dominon ideja e atdhetarizmit, ku sublimon ideali i lartë për një Atdhe pa ndarje, në të cilin shqiptarët do të jetonin me dinjitet të panëpërkëmbur në tokën e tyre të mohuar.
Porosia e këtyre poezive është një porosi e bukur për brezat, që të mos mbeten pikë e pesë të ndarë e të përçarë dhe të pagëzuar si: shqiptarë, kosovarë, çamë etj, por, të mbeten ata që ishin si gjithmonë – vetëm shqiptarë.
Në faqet e këtij libri poetët nga të gjitha viset e Shqipërisë Natyrale kanë thurë vargje plot frymëzim, në të cilat i është kënduar Flamurit tonë kombëtar, figurave tona të shquara kombëtare, viseve tona të bukura shqiptare etj etj, por janë denoncuar edhe lakmitë dhe pretendimet a tendencat shoveniste ndaj trojeve shqiptare, si edhe padrejtësia e madhe që iu bë shqiptarëve me copëtim të tërësisë territoriale në pesë-gjashtë shtete, si dhe është himnizuar atdhedashuria dhe heroizmi i popullit tonë në mbrojtje të atdheut dhe të Ribërjes së Shqipërisë Natyrale.
Me gjithë këtë bagazh poetik, përmbledhja “Shqipëri” është një vepër e re poetike, që do të qëndrojë me dinjitet në piedestalin letrar shqiptar përkrah krijimeve më të mira poetike, duke e pasuruar kështu fondin e poezisë artistike atdhetare te ne përgjithësisht.
Përmbledhja “Shqipëri” është ndërtuar si një bisedë e ngrohtë, e sinqertë dhe intime e poetëve me atdheun, me gjuhën dhe me flamurin, ku çiltërsia e ndjenjave gërshetohet organikisht me figurat e pasura, të thjeshta e komunikuese, ku shprehjet poetike rrjedhin natyrshëm dhe me plot lirizëm.
Veprës, veç tjerash, vlerën ia shton edhe laryshia e stileve, gjuha e thjeshtë, e përdorur me shumë kujdes, e kuptueshme dhe komunikuese, figuracioni i pasur poetik: si dhe llojet e vargjeve me ritëm, rimë e meter të ndryshëm, elemente këto me vlera të larta teoriko-letrare, që kësaj përmbledhjeje i japin freski dhe gjallëri.
Dhe fare në fund, Juve poetë të nderuar, ju dëshiroj dhe uroj të gjitha të mirat në jetë, ndërsa lexuesve të nderuar, lexim të këndshëm!
JU FALEMINDERIT!