VARGJET E POETIT FADIL H CURRI – KURORË PËR TRUALLIN AMTAR

0
1262
Zymer Mehani - Fadil Curri me poete

Prof. Zymer Mehani

Ndër motivet më të dashura të petit Fadil H. Curri, të përfshira në vëllimin “Gjuha e truallit tonë” janë qëndresa dhe atdhedashuria. Por, poeti preokupohet edhe me problemet etike, prandaj edhe na duket si paranojë shpirtëror i popullit duke ndërtuar mjeshtërisht fortesën enigmatike të shprehjes dhe të fjalës artistike.

Poeti F. H. Curri me vargjet e tij lexuesit i ofron ngjyrosje emocionale të fjalës dhe të mendimit. Disa nga poezitë e tij shëmbëllejnë si fragmente të njëfarë ditari personal, me vargje dhe mendime të skalitura bukur, që lënë impresione të forta te lexuesi.

Ky poet i talentuar shquhet për poezi të bukura, me mesazhe të qarta që na përcjellin. Poeti mendimet i mbështjell dhe i përmbledh me pak fjalë, çka edhe ia arrin kësaj pune me sukses.

Zotësia dhe talenti i tij është pikërisht fakti, që me pak vargje të thotë shumë, madje edhe të shprehet bukur. Gjithashtu, poeti Fadil H. Curri i ka shfrytëzuar për mrekulli edhe figurat e ndryshme letrare, duke ndërtuar urën lidhëse në mes tij dhe lexuesit me fjalë dhe shprehje të bukura, pa e rënduar vargun, por edhe pa rënë në thjeshtëzime.

Vargjet e tij janë kuptimplota. Ato i shquan mendimi, ritmi dhe rima, elemente të mjaftueshme që ua shtojnë vlerën artistike. Poeti është human dhe gjërat i sheh me syrin e humanistit e të atdhetarit duke depërtuar thellë në shpirtin e lexuesit.

Podujevë, 2016