Nehat Jahiu “Mos m’ i prek plagët”, botues SHB “Arif Shala” – Prishtinë, 2017
Milazim F. KADRIU
Pas botimit të dhjetëra librave tjerë me poezi, prozë, publicistikë, monografi … kësaj radhe Nehat Jahiu, na vjen me një përmbledhje me poezi të titulluar “Mos m’ i prek plagët” që e ka ndarë në dy pjesë ( A e dini se ?… dhe Shpirtprishur ).
Ndonëse në pjesën e parë autori sjell pak poezi, ato kanë një vlerë të lartë artistike. Krijimet letrare nuk maten me numrin e faqeve apo vargjeve, ngase vlera e vërtetë e një vepre letrare qëndron në cilësinë e saj, domethënë në përmbajtjen e thellë ideore dhe në formën e përkryer artistike e që këtë e kanë në përgjithësi krijimet letrare të Nehat Jahiut.
Për të ilustruar këtë ja disa vargje të poezisë “Mos m’i prek plagët” sipas së cilës është titulluar edhe ky vëllim poetik :
“Mos m`i prek plagët se ende nuk më janë tharë
kur nëna me duart e saj dikur m`i ka larë,
këto janë plagë që i mora në betejat e luftës
duke luftuar për liri me grykë të pushkës“.
Në pjesën e dytë të kësaj përmbledhje autori sjell poezitë e tij satirike ku kështu ai tregon se është krijues shumë i suksesshëm edhe në vargun satirik. Andaj libri “Mos m’i prek plagët” i poetit e krijuesit Nehat Jahiu është një dëshmi e talentit dhe sensit poetik të tij për të trajtuar edhe tema me nota satirike nga realiteti ynë i përditshëm. Kështu poeti prek tema të larmishme nga aktualiteti ynë i sotëm në të cilin jetojmë.
Veçanërisht, ai prek periudhën pas luftës së fundit, duke paraqitur pakënaqësitë e tij dhe të tjerëve , sepse punët shkojnë jo ashtu si kemi pritur dhe për çka është luftuar dhe kanë rënë mijëra dëshmor në trojet etnike shqiptare që sot të jetojmë më mirë dhe trojet shqiptare të jenë të bashkuara ngase okupatorët padrejtësisht i kanë ndarë. Por këtë ata që vrapuan pas pushtetit harruan gjakun e derdhur për liri. Ndër tjera autori thotë :
“Këto ngjarje shumë shpejt seç i harruat
pas pushtetit turr e vrap u afruat,
i harruat vlerat e luftës e të sakrificës
vrapuat pas pasurisë, vrapuat pas karriges“.
Jahiu në shkrimet e tija niset gjithnjë nga jeta, realiteti, nga fenomenet e sajë më të ndryshme e më të rëndomta dhe arrin në përgjithësime artistike, duke pasqyruar me vërtetësi fatin e popullit tonë dhe gjendjen reale e cila mbretëron aktualisht.
Ai proteston përmes satirës ndaj njw pjese të shoqërisë dhe disa individëve . Ai më tej në vargjet e tij thotë :
“Ju meshkuj horra që po merreni me politikë
ca trimave të lirisë ia mëshuat me thikë
ju që dikur u futët nëpër bodrume
sot po shkelni mbi gjakun e lirisë për kolltuqe”.
Përvoja jetësore e autorit, intuita e trashëguar e mjedisit ku ai jetoi dhe u rritë, preokupimi i tij shumëvjeçar për çështjen kombëtare, mospajtimi konkret me robërinë individuale dhe kolektive, pjesëmarrja e tij në rezistencën shqiptare kundër okupatorit dhe kolonializmit sllav e shtynë që përmes vargjeve të shprehë atë që ndjen.
Ai sulet mbi padrejtësinë me forcën e penës së tij satirike ,duke goditur të gjitha hallkat që mbajnë këtë gjendje e cila me një peshë të madhe rëndon mbi kurrizin e popullit.
Ka shumë vargje që bëjnë fjalë mbi gjendjen politike, ekonomike e shoqërore të vendit. Jahiu është gjithnjë realist, i mprehtë dhe i thellë. Ai shpreh mllefin deri në përmasë revolte për aktualitetin tonë në të gjitha rrafshet, e që është një alarm për degradimin moral, shpirtëror e përgjithësisht shoqëror të njeriut në vendin tonë. Autori në shumë vende në vargjet e tij shprehet shumë drejtë duke qitur në shesh shumë gjëra të pahijshme që po ndodhin sot në mesin tonë në çdo fushë të jetës. Ai fletë edhe për gjendjen në arsimin shqip, ngase ai arsimit ia kushtoi një jetë të tërë. Kështu shprehet në vargjet e tij :
“Seç po thërret arsimi, mori nënë
Në duar të kujt ju më keni lënë,
Mësues na u bë, oj nënë edhe Lushi
Profesoreshë na u bë …, Dadushi”.
Këto vargje të Jahiut janë një pasqyrë e qartë e gjendjes. Dhe ai interesohet për të gjitha dhe tërheqë vërejtjet se ato duhet të përmirësohen për ndryshe nuk ka ecje përpara.
Në vargjet e Jahiut në këtë përmbledhje me poezi satirike shpeshherë gjejmë hidhërimin e thellë që ka raste kur arrin edhe deri në shkallën e pesimizmit.
Poetin dhe publicistin Nehat Jahiu e përgëzojmë për këto vargje të bukura që ia sjell lexuesit që edhe ata më për së afërmi të kuptojnë realitetin që mbretëron sot. Po ashtu i urojmë punë të mbarë dhe suksese të reja në lëmin e krijimtarisë poetike dhe publicistike!