VARGJE QË RINGJALLIN KUJTESËN PËR KOHËN E LAVDISHME TË UÇK-së

0
682
Zymer Mehani - Jeton Gona...

Zymer Mehani “Jeton Gona n’ zemrat tona”,SHB “ProkultPress” – Prishtinë, 2019

Milazim F. KADRIU

Krahas librave të tjerë kushtuar heroinës Antigona Fazliu edhe libri “Jeton Gona n’ zemrat tona” e autorit Zymer Mehani ka ardhur para lexuesve në 20 vjetorin e rënies heroike të sajë.

Libri “Jeton Gona n’ zemrat tona” është përkushtim serioz dhe ka për qëllim lartësimin e veprës heroike të luftëtares sypatrembur, Antigona Fazliut.
Me vargjet e tij autori duke përkujtuar Antigona Fazliun na e ringjall në vargje edhe kujtesën për kohën e lavdishme të UÇK-së.

Poema “Jeton Gona n’ zemrat tona” është e ndarë në tetë pjesë ( Tokë drenicase, Bukuroshja e lirisë, Gona-emër i lavdisë, Shqipe në fluturim, Ishe lulëkuqe, Jeton Gona n’zemrat tona, Gone-shpirtarbëror dhe Kur ike) apo tetë poema në një që janë të lidhura ngushtë mes vete ngase të gjitha i këndojnë jetës dhe veprës së lavdishme të heroinës Antigona Fazliut.

Përgjatë muzgjeve dhe agimeve të përgjakura që atëbotë përshkonin Kosovën dhe popullin shqiptar, Antigona Fazliu edhe përkundër moshës fare të re që kishte, ishte këmbëngulëse që të jetë në radhët e UÇK-së dhe angazhohej në dy fronte si infermiere, në mjekimin e plagëve të bashkëluftëtarëve të plagosur dhe në luftimet kundër armikut.

Angazhimet e saj, u zhvilluan kryesisht në brigadën 114, të udhëhequr nga komandanti Ilaz Kodra, brigadë kjo që gjatë gjithë kohës do të dallohej për luftë e trimëri, e cila për çlirimin e vendit dha mase 167 dëshmorë. Në mesin e tyre, nga 30 prilli i vitit 1999, edhe komandantin e brigadës, Ilaz Kodra si dhe ushtaren më të re të saj Antigona Fazliu që atë ditë u flijuan heroikisht, duke mbrojtur me trupat e tyre popullsinë civile nga forcat pushtuese serbe në fshatin Vërbovc të Drenasit.

Antigona u radhit në mesin a e atyre që nuk lejuan më që mbi qiellin tonë të mbretëroj errësira, pra shkoi hapave të të rënëve për liri si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan Haradainaj, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha, Xhevë e Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra e shumë të tjerë që sollën rreze drite mbi vendin tonë.

Mehani për dëshmorët dhe luftën e lavdishme të UÇK-së ka shkruar edhe më herët madje shumë poezi me këtë temë. Andaj mund të themi se heroizmi është pjesë e jetës shpirtërore të poetit. Ai u këndon thuaja të gjithë heronjve të Kosovës e me këtë rast i këndon edhe heroinës Antigonë Fazliu.

Je stërmbesa e Kastriotit
E Qemailit mjekërbardhë
Ti je motra e Zahirit
E Ademit legjendar

E veçanta e vargjeve të poemës “Jeton Gona n’ zemrat tona” është se autori ka bërë përpjekje që të thurur vargjet më të mira, më të përkushtuara e më të dashura për heroinën Antigona Fazliu. Ai në njërën nga këto poema e quan edhe “Bukuroshja e lirisë” ku ndër tjera shprehet :

Bukuroshja e lirisë
Antigona po diellon
………………..
………………..
U bë dritë
Në mes të territ
Shpëtimtare
N ‘zjarr të ferrit

Të shkruash për dëshmorët, për luftën e lavdishme të UÇK-së është privilegj, por është edhe përgjegjësi e madhe dhe frikë, ngase mund t’u hyjmë në hak pa thënë shumëçka që e meritojnë dëshmorët. Por pavarësisht asaj se sa arrin një autor ta thotë atë që ka në mendje, e në zemër gjithsesi shkrimi për dëshmorët qoftë poezi apo formë tjetër është privilegj për autorin.

Sado ta kesh shkruar bukur një poezi të tillë, sado të pretendosh ta bindësh veten se ke arritur ta shprehesh, atë që ke menduar, prapëseprapë nuk të duket se ke bërë mjaft, nuk të duket se ke arritur ta shprehësh në tërësi ndjenjën e përkushtimit, përmes fjalës poetike sepse dëshmorët dhanë gjënë më të shtrenjtë për atdheun, jetën e tyre.

Vargjet e këtij libri janë poetike dhe kanë ndjekur rrugën liridashëse që na tregojnë për ngjarje që na bëjnë krenar sepse janë vargje kushtuar njërës nga luftëtaret më të reja në radhët e UÇK-së që ra në altarin e lirisë.

Për Ty thur këto vargje-
Lule me kurorë
Se e fale jetën
Për këtë dhe arbëror

Ky libër është një dëshmi historike-poetike, që flet për botën e pasur artistike dhe atdhetare të poetit, i cili, prej veprës në vepër po dëshmon se është i pajisur me kulturë dhe përvojë në fushën e artit letrar.

Ashtu që nuk është asnjëherë e mjaftueshme që të bëhet për atdheun, ashtu asnjëherë nuk është e mjaftueshme të shkruajmë për ata që dhanë gjënë më të shtrenjtë jetën e tyre për atdheun dhe lirinë që ne sot e gëzojmë. Nderimi për ta, është respekt për vetë lirinë të cilën aq gjatë e ëndërruam, aq fort e kërkuam, aq shumë u sakrifikuam, por jo të gjithë iu gëzuan.

Ky libër ka një rëndësi të madhe jo veç si libër përkujtues për heroinën Antigona Fazliu por edhe për lexuesit e sidomos për brezat e ri dhe ata që do të vijnë pas nesh që të dinë sa më shumë për ngjarjet nëpër të cilat ka kaluar ky popull dhe sakrificat deri në lirinë e sotme të cilën po e gëzojmë falë gjakut të derdhur dhe jetës së dëshmorëve që ranë për këtë tokë dhe gjithë të tjerëve që në mënyra të ndryshme punuan dhe u sakrifikuan që Kosova martire ta gëzon lirinë.

Përmes këtyre vargjeve lexuesi do të ketë mundësin që edhe më mirë ta njoh heroinën Antigona Fazliun e cila edhe pse në moshë të re, ajo sfidoi jetën dhe rinin për të quar deri në fund amanetin e dëshmorëve, arritjen e lirisë dhe realizimin e Pavarësisë së Atdheut dhe Bashkimin Kombëtar, e që sot emri i saj anekënd atdheut reflekton dritë!

Dhe autori me këto vargje e përfundon poemën kushtuar heroinës Antigona Fazliut :

Ti kur ike, o trime
Nga muri ra një gur
E gjaku që derdhe
U ngjit në flamur