VARGJE QË PËRSHKRUAJNË TEMËN E HEROIZMIT TË DËSHMORËVE TË UÇK-së

0
1865
Milazim Kadriu

S. Ismaili-Ilirida “Pushkët e lirisë”, botoi Klubi Letrar Internacional “Arif Shala”, Prishtinë, 2017

Milazim F. KADRIU

S.Ismaili-Ilirida ditë më parë erdhi para lexuesve me librin e saj më të ri të titulluar “Pushkët e lirisë”. Si edhe në librat e tjerë edhe në këtë libër dominon motivi patriotik që është preokupim i autores që ti këndoj UÇK-së dhe heroizmit të dëshmorëve dhe gjithë atyre që dhanë kontribut të çmuar për lirinë e Kosovës.

“Pushkët e lirisë” i autores S. Ismaili Ilirida përmban tri poema: Moj Drenicë ta puthsha pushkën (poemë për Drenicën heroike),Pushkët e lirisë- zë kushtrimi (poemë për trimat e Llapit e të Gollakut), Kaçaniku shkëmbë e gurë, si dhe katër poezi: Pushkën top për Shqipëri ( Dëshmores Hyrë Emini ), N’ Gorozhub erdhi komandanti ( Mujë Krasniqit- Komandant Kapuçit), Llapashtica kështjellë baroti, Komandanti simbol lirie ( Xheladin Gashit – Komandant Plakut ). Këto poema dhe poezi janë rrëfime lirike me elemente të rrëfimeve epike e dramatike,që njëherësh himnizojnë luftën tonë për çlirim kombëtar kundër armiqve shekullor.

Për ta fituar luftën për lirinë dhe çrrënjosjen e okupatorit shekullor, për shumë trima, martirë, e heronj, kurrë nuk ka pasur hezitim. Ata as që e kanë kursyer jetën e tyre për ta fituar lirinë. Ata janë flijuar, janë skalitur, janë përflakur, janë përjetësuar dhe jetojnë ende në vargjet, këngët dhe krijimet artistike.

Vargjet e këtij libri përshkruajnë temën e heroizmit dhe të flijimit si koncept atdhetar. Autorja shpalos botën e vet poetike, të frymëzuar nga betejat heroike UÇK-së me përplot luftëra, ku protagonist kryesor ishin trimat që ranë për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Vargjet e këtij libri i karakterizon një motivim i thellë, një notë e theksuar atdhetare dhe një adhurim për dëshmorët të cilët sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës.

Pikënisje e rrëfimit poetik bëhet pikërisht lufta e lavdishme çlirimtare, shpaloset lavdia e saj, heronjtë dhe dëshmorët e saj në krye të të cilëve qëndrojnë legjendarët Adem Jashari, Zahir Pajaziti. Në vargjet e saja në poema dhe poezi autorja përmend shumë dëshmor të UÇK-së por edhe shumë luftëtarë të UÇK-së që dhanë kontribut të çmuar për lirinë e Kosovës.

Këto vargje kanë ngjyrën e gjakut, krenarinë e dëshmorëve dhe gatishmërinë e tyre për flijim, vetëm e vetëm për ta fituar lirinë. Janë balada të përgjakura të cilat flasin se historia jonë nuk duhet të harrohet kurrë e as protagonistët që me gjakun e vet shkruan kapitullin më krenar të saj.

Po t’i marrim për analizë vargjet e poemave dhe poezive të këtij libri, vërehet lirizmi poetik, sepse subjekti lirik i vargjeve arrin që dëshmorët dhe betejat e UÇK-së ti ngrejë lart deri në kaltërsinë diellore.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte shpresa e një shekulli të ri, e cila u lind në Kosovë, ku autorja në vargjet e saja jo vetëm i jep jehonë luftës për lirinë e Kosovës, por edhe vë përmasën e motivit e të idealit të Ushtrisë Çlirimtare, e cila i doli në mbrojtje atdheut.

Ajo në tërë librin mban konstant rrëfimin e vetë të idealizuar dhe shprehjen e vetë të formësuar. Ajo është fare e drejtpërdrejtë dhe këtë rrëfim ajo e peshon bukur gati në të gjitha vargjet e sajë. Çdo varg të këtij libri autorja e përshkon me një ndjenjë të shprehjes së bukur, me ndjenjën shpirtërore.

Si poemat ashtu edhe poezitë e prezantuara në këtë libër rrezatojnë vlera të mëdha ngase mëtimi i autores është shpalosja e idealit, e bëmave, e sakrificës sublime dhe karakterit të tyre të veçantë.

Dëshmorët e UÇK-së ishin rreze dielli, në qiellin e errët shqiptar. Ata ishin bijtë e bijat e kësaj toke që me heroizmin e vet shkruan faqen më të ndritshme të historisë sonë. Flaka vullkanike e lirisë e ndezur në zemrat e tyre u bë frymëzim dhe zgjoi botën artistike të shumë krijuesve që të reflektojnë poetikisht në ndriçimin e këtyre figurave legjendare, të cilat janë më meritorët që ne sot jetojmë të lirë në Republikën e Kosovës.

Ky libër është vëllim përkushtimesh poetike që përmes vargjeve krijuese shfaqet një mesazh i cili është rikujtues për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Andaj vëllimet e tilla poetike janë libra të cilat nuk duan ta sfidojnë lexuesin por ta spikasin me dije për luftën dhe sakrificën si ngjarjet më të mëdha historike të cilat i kemi përjetuar e sidomos në luftën e lavdishme të UÇK-së.

Të shkruash për dëshmorët në fakt nuk do të thotë asgjë tjetër, veçse të përkulesh para veprës së tyre monumentale, që është bërë për ne dhe kështu do të jetë edhe për brezat e ardhshëm shqiptarë.

Librat e tillë si ky i autores S. Ismaili-Ilirida e mundin harresën për të kaluarën, e sidomos për luftën e lavdishme të UÇK-së.