VARGJE QË NGJALLIN KUJTESËN HISTORIKE E KOMBËTARE TË NJË VEPRIMTARI

0
884

Sheremet Ajazi “Arif Shala, Pena e lirisë”, botues KLI “Arif Shala”, Prishtinë 2016

Milazim F. KADRIU

Vëllimi poetik përkushtues “Pena e lirisë” përgatitur nga Sheremet Ajazi i është kushtuar veprimtarit të njohur nga Flamurasi (ish Sankofci) i Drenicës, Arif Shala, i njohur në popull si Hoxhë Avdia. Këtij veprimtari të njohur shërbimi policor serb me të hetuar veprimtarinë e tij kombëtare dhe angazhimin e tij kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi dhe për Lirinë e Kosovës, ia zuri pritën në vitin 1946 dhe e vranë,ndërsa në varrimin e tij e ndaluan pjesëmarrjen e popullatës së kësaj ane.

Falë apelit dhe zërit liridashës dhe kombëtar të Arif Shales, nga Drenica nuk pati shpërngulje për në Turqi. Ishte amaneti dhe porosia e Shaban Palluzhës që lufta të shkoj deri në fund për lirinë dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk e ndali pushkën e veprimtarit dhe poetit Arif Shala deri në rënien e tij.

Ky vëllim poetik nisë me një thënie të Prof. Dr. Muhamet Pirraku “ Orë të LNDSH-së flamur në Drenicë, burra, me besë – eminencë e shqiptarisë, yje të pashuar n’ altar të Shqipërisë”.

Libri është i ndarë në dy pjesë ku në pjesën e parë të titulluar : “Kushtrimi” prezantohen disa poezi të veprimtarit që i kushtohet libri pra të Arif Shalës të marra nga vëllimi poetik që është në dorëshkrim “Krismat e pushkëve të lirisë”
Autori i kësaj antologjie Sheremet Ajazi, ka përzgjedhur me kujdes disa nga krijimet e Arif Shalës të shkruara në kohën kur Drenica kallej flake nga dora vrastare e Serbisë. Ky cikël i poezive të Arif Shalës nis me poezinë “Kushtrimi” :

“Shqiptar, zgjohu nga gjumi! / Robëria t’ ka dërrmuar/ Ngjeshi armët e t’ parëve/ Armikun për t’ luftuar/.
Shqiptar, ruaje krenarinë!/ Robëria nuk durohet / Jo, jo liria nuk falet/ Por me gjak fitohet/.
Kosovë, ideal i jetës sime/ Zgjohu nga gjumi letargjik!/ Formo çetat e lirisë/ Mposhte çdo armik./

Pse hesht Drenicë, Llap e Dukagjin?/ Kush është Gjilani, Kaçaniku e Rugova?/ Shkjau na grin, prêt e shkatërron/ Erupsion vullkani le të ngritët Kosova”/.

Po ashtu në këtë cikël dallohen edhe pozitë tjera po të kësaj fryme si janë : Drenica heroike, Milesh Kopiliçi, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Kosova martire etj.

Ndërkaq në pjesën e dytë të titulluar “Pena e lirisë” prezantohen poezi të poetëve nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora : ( Abdyl Shkodra, Ali Alidemaj, Ali Berisha,Arbnor Shala,Aurora Velaj, Besnik Gashi, Çerkin Ismaili, Dibran Fylli, Donika Haxha, Drita Fejza, Elizabeta Rexhepi, Eronita Rexhepi, Ferat Ferati, Gentrit Ajazi, Hajdin Rama, Hamdi Gruda, Ilirida Ismaili, Imer Ajazi, Ismet Tahiraj, Isuf Sahitaj, Izet Hajdini, Magbule Qyqalla-Bublaku, Mehmet Shala, Merita Berisha, Muhamet Luma, Nazif Ajazi, Nezir Prokshi, Rabije Bytyqi, Rexhep Ajazi, Rudi Berisha, Sabri Kadriu, Sanije Ahmeti-Dubova, Sheremet Ajazi, Sheremet Prokshi, Shqipe Hasani, Skënder Karaçica, Skender R. Hoxha, Valentina Ahmeti, Vlera Berila, Xhafer Dvorani, Zeqir Dobruna ) Këta poet sjellin poezi përkushtuese për veprimtarin e çështjes kombëtare Arif Shala, emrin e të cilit tashmë e mban edhe Klubi Letrar Internacional që vepron në Kosovë dhe në Kanada.

Recensenti i librit Nezir Prokshi, në shkrimin e tij për këtë libër ndër të tjera thotë : “Në këtë antologji përveç mangësive që nuk mëtojnë të jenë të qëllimshme, janë përfshi me “shkas” edhe një numër vjershërimesh që kanë për brumë vjershërimin popullor, krijimtarinë gojore, mu për shkakun e përfshirjes së njerëzve që përjetuan kohën e atdhetarit e heroit të kombit Arif Shala. Kjo assesi nuk zbeh e as zvogëlon vlerën e kësaj antologjike poetike. Ka vlera të patjetërsueshme, pikërisht ato vlera që duhet ta qojnë këtë libër drejt destinacionit të librit shkollor, jo thjeshtë si një alterlibër, por si një libër gjithëpërfshirës i çështjeve të botës shqiptare. Në fund të fundit ky është edhe qëllimi i librit si një vlerë intelektuale ku vlera e shkrimit merr çmimin e duhur”.