Nehat Jahiu “Kreshniku i Lirisë” (vargje për heroin), botoi “ Lena Graphic Desing”- Prishtinë, 2018
Milazim F. KADRIU
Autori i mbi 40 librave të botuar deri më tash në të gjitha zhanret e letërsisë shqipe Nehat Jahiu nga Orizarja e Likovës vjen me librin e tij më të ri që kësaj radhe është një libër paksa më i veçantë. Është më i veçantë ngase i kushtohet njërit prej komandantëve më të shquar të UÇK-së, heroit Ismet Jashari – Kumanova. Ky libër i titulluar “Kreshniku i Lirisë” është libër i veçantë i autorit Jahiu ngase ai për të bërë këtë libër ka tubuar poezitë e 67 autorëve nga të gjitha viset shqiptare që i kanë kushtuar poezi heroit Ismet Jashari – Kumanova.
Libra të tillë u janë kushtuar edhe shumë dëshmorëve tjerë të rënë për liri në luftën e lavdishme të UÇK-së.
Në letërsinë shqipe zënë vend të veçantë poezitë kushtuar dëshmorëve e sidomos atyre të luftës së fundit, dëshmorëve të UÇK-së . Këto poezi sajojnë një tip të veçantë dhe origjinal të vargjeve kushtuar një dëshmori. Këto poezi kanë lindur pas luftës dhe në përkujtim të atyre që dhanë jetën për lirinë që ne sot e gëzojmë.
Poetët i frymëzon vepra heroike e dëshmorëve e në këtë rast vepra e dëshmorit Ismet Jashari – Kumanova. Andaj pranë veprës së tyre dhe heroizmit të treguar për lirinë e vendit poetët nuk mund të rrinë indiferent por i këndojnë heroit secili në mundësinë e tij, por është e rëndësishme që këto vargje janë vargje përkushtuese e përkujtimore e që burimin e kanë në zemrën e secilit nga këta poet që gjenden në këtë libër të përgatitur nga Nehat Jahiu.
Edhe kjo përmbledhje poetike që tashmë është në duart e lexuesve i takon tipit të poezisë atdhetare, përkatësisht një tipi edhe më të veçantë të kësaj poezie – poezisë përkushtuese ku janë prezantuar 67 autor nga e gjithë gjeografia jonë e që i kushtohen njërit nga heronjtë e luftës së UÇK-së, Ismet Jashari – Kumanova
Të shkruash për dëshmorët në fakt nuk do të thotë asgjë tjetër, veçse të përkulesh para veprës së tyre monumentale, që është bërë për ne dhe kështu do të jetë edhe për brezat e ardhshëm shqiptarë.
Librat e tillë e mundin harresën për të kaluarën, e sidomos për luftën e lavdishme të UÇK-së. Edhe këto poezi në këtë libër si dhe librat e tjerë, ua sigurojnë dëshmorëve dëshminë e përjetësisë së tyre. Dëshmorët vijnë në të sotmen dhe do të kujtohen në të nesërmen.
Autori i këtij libri me vullnetin, dashamirësinë prej njeriu, filloi iniciativën për të bërë librin dhe e bëri. Ajo doli falë mundit të tij dhe ndihmës miqësore nga miqtë e tij të shumtë krijues nga të gjitha trojet shqiptare.
Ndonëse këto vargje të poetëve kanë mundur të kenë vlera edhe më të larta estetike e artistike por që janë mjaft evidente vlerat relative e që nxjerrin bërthamën ideore për çfarë janë shkruar ngase këto janë poezi përkushtuese për heroin Ismet Jashari-Kumanova.
Mund të konstatojmë se këto vargje e kanë nderuar në mënyrë të veçantë peshën tematike të dëshmorit dhe luftën e UÇK-së.
Këta poet janë frymëzuar në veprën heroike të dëshmorit dhe e kanë ngritur atë heroizëm në shkallën që vërtetë e meriton dhe janë munduar të dhënë një pasqyrë besnike të etapës në të cilën veproi Ismet Jashari-Kumanova, e që është etapa më e lavdishme e historisë sonë. Andaj shikuar nga ky aspekt në këtë përmbledhje poezish, letërsia jonë pasurohet kuptimisht dhe ndikon në forcimin dhe njohjen e gjeneratave të reja me historinë tonë dhe luftën çlirimtare.
Me vargjet e tyre në këtë libër nga e gjithë hapësira shqiptare janë prezantuar 67 poet :
( Agim Desku, Adem Zaplluzha, Abdullah Blakçori, Femi Bektashi, Hajrush Redenica, Emine Imeri, Haxhi Muhaxheri, Faton Mehmeti, Nehat Jahiu, Hasan Qyqalla, Almir A. Rushiti, Azem Osmani, Bajram Ramadani, Burhanedin Xhemaili, Besnik Gashi, Dibran Demaku, Fejzulla Duraku, Fadil Curri, Hysen Këqiku, Namik Selmani, Ismail Ganiu, Ismet Hebibi, Kasam Shaqirvela, Jashar H. Selmanaj, Izet Shala, Izet Abdyli, Kujtim Stojku, Milazim F. Kadriu, Lulzim Breznica, Musa Jupolli, Mustafë Ismaili, Ahmet Pllana, Hysen Kobellari, Naxhije Doçi, Sami Sherifi, Nexhat Sadullahu, Nikë Nrelaj, Agim Gashi, Petrit Menaj, Pjetër Zefi, Rabije M. Bytyqi, Rajmonda Maleçka, Ramë Smajlaj, Qazim Berisha, Rami Kamberi, Rina Turkeshi Saiti, Rexhep Halimi, Riza Sheqiri, Rudi Berisha, Rrahim Ganiu, Sahit Shala, Nehat Ramizi, Syrja Etemi, Zymer Mehani, Rrahim M. Sadiku, Shaip Bllaca, Shqiponja Panojati, Tyran Prizren Spahiu, Xhemush H. Biçku, Zarije Zenuni Bajrami, Rozeta Kreste, Nexhat Rexha, Safet Hyseni, Shaban Pllana, Fran Tanushi, Mentor Thaqi, Haxhi Morina- Gjini )
Edhe ky libër mendojmë se do të shkëlqejë në mesin e shumë librave të tjerë kushtuar dëshmorëve, atyre që nuk kursyen asgjë nga vetja për çlirimin e vendit. Këto poezi kanë vlerën më të madhe, sepse e kanë burimin nga zemra.