VARGJE POETIKE QË I NGJAJNË NJË OAZI PLOT LULE, BLERIM E DASHURI…

0
778

Edonë Oraca-Blakçori “Pasqyra e shpirtit”, botoi “Lena” – Prishtinë, 2018

Milazim F. KADRIU

Në radhën e bukur dhe të vështirë të poezisë sapo është futur edhe një poete e re llapiane. Edonë Oraca-Blakçori vjen tek lexuesi serioze sikur të ketë një përvojë të gjatë e jo fillestare me vëllimin e parë poetik “Pasqyra e shpirtit”.

Ndonëse libri është konceptuar në pesë cikle (Pasqyra e shpirtërimit, Pasqyra e shpirtbardhit, Pasqyra e shpirtgurit, Pasqyra e shpirtmirit, Pasqyra e shpirtgjerit) të gjitha poezitë kanë lidhshmëri mes vete dhe janë një tersi.

Poezitë e këtij vëllimi edhe pse kanë nga pak pesimizëm në to ka më shumë dashuri, lirizëm, jetë…

Figurën e nënës dhe të babait e hasim të skalitur artistikisht qysh në periudhën e traditës sonë letrare e që me një përkushtim të madh skalitën edhe sot e do të skaliten edhe në të ardhmen.

Duke ndjekur këtë rrugë edhe poetja e re u kushton poezi prindërve, djalit, gjyshes dhe familjarëve tjerë. Edhe për Edonën figurat e prindërve janë figurat më të dashura siç janë edhe për çdo njërin.

Madje përmbledhjen me poezi e hap me poezitë kushtuar nënës dhe babait ku ndër të tjera në poezinë për nënën thotë:

Emri më i shenjtë në jetë
E fjalës së parë të belbëzuar
Mbështetësja e hapave të parë
Përqafim i uruar

Ndërsa në poezinë për babin :

Të shkruaj për babin tim
Nuk di nga t`ia fillojë
Te shkruaj për babin aktor
Apo për babin profesor

Mark Gurakuqi thotë se “Dashuria e fëmijëve për prindër, si dhe dashuria e prindërve për fëmijët, është një ndjenjë e bukur, e thellë dhe e pastër. Atë e provojnë jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët e shpendët”

Vargjet e më sipërme dhe vargjet e dy poezive tjera që autorja ia kushton djalit të saj e vërtetojnë këtë thënie të cituar më lartë.

Ti je dritë e shtëpisë
Je fryt i dashurisë
Pa gjumë më ke lënë
Me dhe epitetin nënë

ose :
Nina nana djalin
Të ndjell nëna gjumë
Nëna ty të do
Në djep të përkund

Motivi i vendlindjes, i mpleksur thuajse gjithmonë me atë të fëmijërisë, është thjeshtë tërheqës dhe i përshtatshëm për gjithë poetët por edhe për poeten Edonë Oraca-Blakçori.

Vendlindja ime
Ku çdo rrugë më dërgon tek ti
Edhe pse ndërrova shtëpi
Zemra e shpirti im jetojnë aty.

Bota poetike e poetes së re në këtë përmbledhje i ngjan një oaze plotë lule e blerim, plotë flutura e zogj, dashuri, ..
Poezitë e këtij vëllimi poetik janë poezi me një ndjenjë të butë, të matur, të frenuar dhe të disiplinuar.

Edhe pse jeta ka sfida
Ti lufto e triumfo
Ngrihu prapë në këmbë ti
Optimist jetën vazhdo

Poezitë e vëllimit poetik “Pasqyra e shpirtit” flasin mjaft jo vetëm për frymën dhe orientimin tematik të poezisë, por edhe për nivelin e shprehjes dhe shkallën e realizimit artistik të saj.

Lumturinë le ta shumëzojmë
Hidhërimet i zbresim
Të mirat e jetës ti mbledhim
Dhe dhimbjen ta pjesëtojmë

Të gjitha këto poezi janë të krijuara me një gjuhë të pasur poetike, stil të rrjedhshëm dhe me shprehje aq të pasura poetike. Andaj me këto vlera që posedon poezia e autores së re, menjëherë të pushton, të magjepsë dhe të bind me misionin e saj.

Portretizimi në përmasa reale i ndjenjave, emocioneve dhe vlimeve të brendshme, duket se është detyrim i talentit krijues të poetes Edonë Oraca-Blakçori për t’ia prezantuar opinionit artistik e lexues pasionin e vetë krijues.

Ty të vesha me petkun e dashurisë
I dhashë hije e mirësi
Ta gjej rrugën e lexuesit
Ta shijojnë çdo poezi.

Në poezitë e autores Edonë Oraca-Blakçori hasim lirikën e brishtë, metaforën e saktë, ndjenjën e sinqertë, marrëdhëniet njerëzore, interpretimin e integritetit të saj shpirtëror dhe kulturor, me plotë emocione. Brenda poezive përdoren figura të këndshme dhe prekëse që lehtë kuptohen nga lexuesi. Ndonëse është libri i parë i poetes, mund të themi se është një libër mjaft mirë i realizuar dhe me të drejtë do të presim krijime edhe më të arrira nga kjo autore, ngase shihet se ka një mjeshtëri të profilit të poezisë.

Qeshu e gëzohu në këtë jetë
Mos bjerë në petkun e zemërimit
Largoje inatin dhe trishtimin
Merre rrugën e ngadhënjimit

Të gjitha poezitë e kësaj përmbledhje poetike janë të krijuara me një kujdes të madh ku përshkruhet dashuria për prindërit, djalin, gjyshen, motrat, vendlindjen …, për dashurinë, jetën, natyrën, lulet, shkollën, librin, …

Vargu në këtë vëllim poetik të Edonë Oraca-Blakçori ka filozofi dhe përçon shumë mesazhe tek lexuesi. Andaj me vargjet e saja në këtë libër autorja na sjell një vëllim poetik mjaft mirë të realizuar dhe padyshim se do të pritet mirë edhe nga lexuesi.

Besianë, tetor 2018