Isa Baftiaj “Kryefjalë e dritës”, SHB “Zef Serembe”- Prishtinë, 2008
Milazim F. KADRIU
Isa Baftiaj veprimtarinë e tij letrare e ka nisë që në vitet e 60-ta, ku në atë kohë poezitë e tija i botonte në gazetat dhe revistat letrare që botoheshin në Kosovë po edhe në trojet tjera shqiptare. Ai deri më tani ka botuar disa përmbledhje me poezi për fëmijë dhe të rritur, por ka botuar edhe Monografinë për brezin e tretë të Normales “Zenel Hajdini (1967-1968) dhe një leksikon të autorëve nga Rajoni i Ferizajt.
Autori Isa Baftiaj ka një afinitet për krijimin e poezisë e që dëshmohet edhe në përmbledhjen “Kryefjalë e dritës”që e hap me poezinë “Në kullën e shpirtit”
Tokë ilire
je diell
në kullën
e shpirtit
tim
je dritë
je zog zogu
ëndërr e gjatë
me shqiponjë zemre
që rigon për Ribashkim.
Pastaj në libër sjell edhe 82 poezi tjera të konceptuara në katër cikle ( Në rrugën e mëngjesit, Shpirti i vetmisë, Ritmi i zemrës dhe Lule shqiponje). Pra siç shihet edhe nga titujt e cikleve këtu kemi poezi nga jeta, poezi të dashurisë, poezi dhembje, poezi kushtuar bukurive natyrore po edhe poezi atdhetare.
Të gjitha vargjet autori i shkruan me shpirt dhe me një simbolikë dhe metaforë por që poezitë e tij janë të kuptueshme për lexuesin.
Në disa vargje tek poezia “Në qiell e diell betohet” autori shprehet :
Poeti vargun e ka margaritar
Në vargje gjen pushim
Në krahët e shqiponjave
Merr frymë i mbushur galdim
Në poezitë e këtij cikli si edhe në poezitë e librave tjerë tek Baftiaj hasim poezi të krijuara nga shpirti i tij dhe ai na i prezanton poezitë me një stil që lehtë mund të kuptohen nga lexuesi që e njeh se janë të këtij autori ngase ai që nga fillimi i krijimtarisë së tij e ka unin dhe stilin e tij krijues.
Autori në shumë poezi lidhë jetën, dashurinë dhe lirinë dhe kur lexojmë këto vargje na kujtohet poeti i madh hungarez Shandor Pëtef që thotë : “Për dashuri jap jetën, për atdhe jap dashurinë”. Këtë e gjejmë edhe tek vargjet e poetit Isa Baftiaj që mbi të gjitha e ka atdheun dhe shumë i këndon lirisë dhe atyre që na e sollën këtë liri që sot e gëzojmë por gjithnjë me mendje në Ribashkimin kombëtar. Po ashtu ai ka edhe shumë poezi përkushtuese për prindërit, miqtë, dëshmorët, … Ai në poezi ai sjell edhe fjalën e nënës dhe porosinë e babës të cilat nuk i harroi asnjëherë ku ai në vargjet e tij sjell këtë porosi të ruajtur kaherë :
Kurrë mos e kurseni
jetën as gjakun
për mëmëdhe
Autori është shumë optimist për një të ardhme të ndritur të kombit tonë dhe atë e shpreh në vargjet e tij, por gjithnjë me respektin më të madh për djemtë më të mirë që ranë në luftën e lavdishme si ushtar të UÇK-së që nuk kursyen asgjë madje as jetën e tyre që ne sot të gëzojmë lirinë e shumëpritur. Madje ai u kushton edhe disa poezi dëshmorëve të rënë për liri. Shumë i këndon lirisë ngase mjaft ky vend ka qenë i robëruar dhe tash dëshirojmë ti kemi të bashkuara të gjitha trojet shqiptare. Ja si thotë poeti në poezinë “Në trojet tona” :
Liri i thonë
edhe në trojet tona
një ditë do të jemi
të bashkuar në një
Atdhe
do të ndihet jehona
Andaj përmes këtyre poezive të këtij vëllimi poetic autori Isa Baftiaj shpalos botën e tij të brendshme duke sjell para lexuesve realitetin e kohës ashtu si e thotë ai por pa e fshehur edhe dëshirën dhe gëzimin që ndjen tash në Kosovën e lirë, ku tashmë janë hapur dritaret e lirisë që ishin të mbyllura kohë të gjatë dhe vargjet e këtij libri janë plotë dritë.