Varfëria, nëna e krimit dhe imoralitetit

0
2972

Dionis Xhafa

Është thënë qysh përpara shumë kohësh dhe jo në këtë shekull, se varfëria është nëna e krimit dhe se një shprehje e tillë rezulton kryekëput e vërtetë, në shumë raste. Pikërisht varfëria është ajo që pjell krim. Njerëzit, duke mos pasur paranë, duke mos mundur ta jetojnë jetën normalisht, duke kërkuar diçka që zor se e arrijnë në mënyra të ndershme, arrijnë në kriminalitet. Po po gjendja e rëndë ekonomike, papunësia, çojnë deri në krim, për shkak se nuk ka tjetër rrugëzgjidhje, për paqe e prosperitet.

Varfëria është ajo që bën shumë njerëz të merren me aktivitete, të cilat nuk janë të mira dhe të shëndetshme. Prej faktit se nuk kanë paranë, nuk gjejnë dot punë dhe të tjera të ngjashme, shumë njerëz merren me drogë, me tregtimin e lëndëve narkotike, me prostitucionin, me hashashin, me baste, e me lloj lloj krimesh, pak më të vogla ndoshta, por se sërish mbeten të tilla, si vjedhja. Duket sikur njeriu nuk është se lind kriminel nga vetë natyra, por se edhe detyrohet të bëhet i tillë, sidomos ata që janë më të varfërit, më të pamundurit, për shkak se do të përpiqet të mbijetojnë trupi njerëzor, të jetojë në këtë botë.

Por, varfëria, përveç se pjell krim e se kjo gjë dihet, çfarë tjetër prodhon? Varfëria prodhon gjithashtu edhe imoralitet. Në çfarë kuptimi dhe përse e them këtë? E them, bazuar në një lajm të kobshëm, në atë se në Serbi, kishte deri edhe të mitura, që e shisnin trupin e vet për deri 1 euro, ndërsa në Greqi emigrantet e shisnin trupin tepër lirë. E kjo gjë ndodh në Ballkan, një vend ku popullatat e shteteve janë të varfëra, në shumicë dhe ku fenomene të tilla ndodhin edhe prej faktit se një pjesë e popullit vuan për copën e bukës.

Tragjedi e tillë shoqërore, ku njerëzia shkon thuajse barazim me kafshëroren ndodh si plagë sociale mu buzë Akropolit dhe mu në zemër të rrugëve të ndonjë qyteti kufitar, mes Serbisë dhe Hungarisë. Varfëria e pjell imoralitetin ashtu dramatikisht, kafshërisht, në mënyrë harbute e alarmante. Imoraliteti në të tillë formë është dëshmi, se njeriu vetëm sa ka përpauar në atë se vishet e se nuk ndryshon nga kafshët e tjera në të tilla mënyra, por se në thelb mbetet, kur nuk ka kontroll, e për më tepër mireqenie, kafshë e mirfilltë.