Fatmire Duraku
Vallëzimi me vdekjen
Krejt në të zeza. Sytë të zezë!
Ndoshta dhe duket kështu vdekja?!
Ndoshta, kështu, pikërisht!
Më afrohet. Më zgjat dorën
Për një vallëzim
Frikësohem. E shikoj në sy.
Gjithnjë e heshtur. Ec e fol!
Lëvizi pak… ma zgjat dorën.
E përqafoj vdekjen. S`kam udhë tjetër!
Zëmë të vallëzojmë. Unë akull e zjarr,
në të njëjtën kohë, gati e vdekur.
Ajo gjithherë vetëm akull…
Vallëzojmë: një hap para vdekja,
Një hap pas unë, pastaj –
ashtu siç e ka rrjedha:
Një hap para unë.
Një hap pas ajo.
Një hap në të majtë ajo.
Një hap në të djathë unë.
Një hap në të djathë ajo.
Një hap në të majtë unë.
Në mes takohemi, te pika e zezë
kurrsesi t`i ikim njëra-tjetrës.
Një hap pas unë, një hap para ajo.
Në ritmin e tretë ajo vjen në mes.
E unë? Unë nuk jam askund!
Zot, a thua kam vdekur unë!?
Më ofrohet. Më zgjat dorën
Për një vallëzim…
Sapo bie mbrëmja
Mes meje e teje ende ka dritë
Mes meje dhe asaj që ende jeton
Nuk ka hyrë harrimi
Sapo bie muzgu prandaj shfaqesh
Si petku plot arna i kohës
Si udha që aq sa i merr i kthen njerëzit
Ndërmjet vetes dhe zjarrit të gjallë
Sapo bie mbrëmja prandaj shfaqesh
Ja atje, atje, atje … kudo!
A je ti më i dashuri, më i bukuri
Apo unë zë dhe gjithnjë humb pas erës
Në mjegullnajë
Sapo zë dhe bie mbrëmja
Qiellit do të vijsh
Zgjas dorën nga dega
Këtë mollë apo atë mollë
cilën ta këpus
një shenjë e dashurisë
për dashurinë sygështenjë
zgjas dorën ta prek qiellin
cilin yll ta zbres nga lart
dritë t`i bëj urës natën
nga do të kalosh
duke u kthyer tek unë
zgjas duart nga drita e kaltër
e prek dhe s`e prek dot
zemrën e lules së kuqe
fund detit fundosur
zgjas duart nga lumi në ag
lulja çel dritën në ëndrrën time
në sytë e tu ndrit ylli
vjen dhe dallëndyshja
të thur folenë në duart e mia
të zgjatura nga ti e qielli
ti qiellit do të vijsh
Zemra di të falë
Kënga e gjelit të parë nga trari
Prek qiellin bisht e më bisht
E ti akoma fle mes fajit
E vetmisë që nuk të fal
Zemra di të fal,
Ty, kurrsesi.
ti barazon mashtrimin me dashuri,
ti shikon rrejshëm syrin në sy
ti kohën kot e ec, pa urti.
dhe tash fle, akoma fle
punë e madhe pse dita shkon,
pse dhe kështu unë të pres ty
të mëdhenjtë natyrisht falin,
ja, të fal dhe unë ty, mistrec, pa sy,
i mjerë, njeri apo mi!?
Si ta përjetoj shiun
Shiun,
Që pikon nga sytë e tu
Si ta përjetoj
Pa qiellin e bilbilit
Pa sytë e prillit
Shiun e qetë,
Si ta ndiej
Pa ritmin e zemrës sate
Pa lulen e çelur në gur
Pa melodinë
E zgjimit të detit
Pa shushurimën e gjethit
Në degën e mollës
Shiun
Si ta përjetoj
Vetëm