1.
NË IKJE JAM
Jam në ikje nga heshtja
Nëpër rrugët dredharake
Nën kupën e qiellit
Nën rrezet e diellit
Në ikje nga heshtja jam
Rreth lulëkuqeve
Dhe foleve të zogjve
Jam prore me dëshira të mëdha
2.
DIKU
Diku gjendet
Një zemër e tronditur
E gërvishur
Dhe e ndarë në dysh
Gjendet diku
Një zemër e drobitur
E plagosur
Dhe e sakatosur
Diku gjendet
Një zemër e trazuar
E lënduar
Dhe e krejt e trishtuar
Gjendet diku
Një zemër e shastisur
E fashitur
Dhe krejt e braktisur
Diku gjendet
Një zemër në pikëllim
Në vuejtje të thellë
Për Ty shpirti im
3.
ÇFARË TË TË JAP…
Çfarë të të jap unë
Më shumë se buzëqeshjen
Që më është venitur
Duke të të pritur
Dhe do të të pres
Deri sa të zbresin
Mu në zemrën time
Ngjyrat e ylberit
Deri t’zbret mu n’zemër
Vezullimë e yllit
Të më kujtosh mua
Dije se të dua
4.
ARBA, PËR TY
Për ty ARBA
Krahrori po më digjet
Nga flaka e dhimbjes
Nga çastet e pritjes
Nga vuajtjet e ikjes
Për ty ARBA
Po më dridhet zemra
Si prej tërmetit Toka
Si barka në stuhi
Jam i mbytur në lot
S’mund të t’harroj dot
Për ty ARBA
E rëndë është dhimbja
E rëndë porsi një meteor
E rëndë sa rruzulli tokësor
5.
HAPAT
Hapat ngurrues
Më shpiejnë
Rrjedhës së dashurisë
Jehonat e saj
Më ftojnë
Me jone të magjisë
M’ futet thellë
Në zemër
E ndriçon çdo cep
Më largon
Mugëtirën
Dhe gjallëri më jep
6.
ARBA, VEÇ PËR TY…
Flakë e kuqe e dhembjes
Kujtimet m’i djeg
ARBA veç për Ty
Jetoj edhe vdes
Kujtimet zvarriten
Si karvan i mekur
Veç për Ty moj ARBA
Rri zgjuar e fjetur
ARBA n’zemrën Tënde
Piramidë qëndrese
Jeton dashuria
N’udhëkryq të k’saj jete
7.
…LULE
E para lule
“Të dua” më the
Vetëm nuk më le
Ti lulja e dytë
S’deshte për t’ më pritë
M’i puthe dy sytë
Ti e treta lule
Në shpirt më këpute
Helm n’ zemër më fute
Ti lule e dhjetë
M’ dashuron vërtetë
Dhe s’më le të shkretë
8.
TRIME, ZEMËR-O
Për çdo rrahje zemre
Për Ty i prek yjet
Kaloj fushë e det
Kaptoj edhe pyjet
Drejt Teje jam nisur
Po ngarend me vrap
Ty t’kam dashuri
Për Ty gjithçka jap
9.
PA TY, TRIME
Sa të rënda më janë ditët
Kur s’të shoh me sy
Edhe netët më janë t’gjata
Kur nuk të kam Ty
N’asnjë zjarr nuk mund të ngrohem
Pa atë dashuri
Nuk më ngroh më asnjë rreze
Kur s’përqafoj Ty
Gjithçka n’botë më duket bosh
Kur me ty nuk jam
Çdo gjë është e akullt, Trime
Plot acar kallkan
Qysh kur ka kuptuar zemra
Se ti më mungon
Dhe dashuria vdes, Trime
Pa Ty dot nuk rron
10.
PA TY
Pa Ty
Nuk bie mbi lule vesë
Pa Ty
Nuk këndon zogu në mëngjes
Pa Ty
Era ia fsheh faqen barit
Pa Ty
S’bie dëbora n’maje t’Sharrit
Pa Ty
Mali s’lëshon shushurimë
Pa Ty
Lumi s’rrjedh me gurgullimë
Pa Ty
Nga drunjtë s’bien fleta
Pa Ty
Vlerë s’ka aspak jeta
Pa Ty
Zemra ime s’është e gjallë
Për Ty
Prore kam shumë mall