Nga Ishaan Tharoor
Presidenti Donald Trump mund të jetë unikalisht i paaftë në bashkimin e një vendi të lënduar dhe të përçarë. Përgjatë 6 ditëve radhazi të trazirave nëpër qytetet e mbarë vendit – të shkaktuara nga vdekja e Xhorxh Floid, një zezak i paarmatosur, i arrestuar nga një oficer i policisë në Mineapolis, që i mëshoi fort me gjunjë qafës së Floid për gati 9 minuta – Trump premtoi reagimin e ushtrisë ndaj protestuesve të angazhuar në akte të paligjshme, duke e cilësur zemërimin e tyre si vepër të ngatërrestarëve të majtë, dhe nuk tha asgjë mbi veprimet e ashpra të policisë gjatë demonstratave.
Dhe e gjithë kjo ndodh në një kohë kur amerikanët po përjetojnë një kolaps ekonomik epokal, bashkë me një numër rekord të sëmurësh me koronavirus. “Presidenti Trump ka nxitur përçarje me postimet e tij të gabuara në Twitter kur flet për plaçkitje, “gjuajtje” ose “qentë e egër” dhe “armët e fuqishme” – shkroi kolegu im Dan Balz. “Ai ka sulmuar liderët demokratë në një kohë që komunitetet e tyre janë në flakë. Ai flet më shumë se sa drejton, instinktet e tij janë të gabuara mbi atë, me të cilën po përballet vendi”.
“Trump nuk bën asnjë përpjekje për të fshehur krijimin e një të djathte para-politike në Amerikë, ku meshkujt e bardhë kanë një ndikim të pakontestuar” – shkroi Eduard Ljus në ‘Financial Times’. “Ai do të fajësojë ish-presidentin Barak Obama, Kinën, të majtën radikale dhe ‘banditët’ për gjendjen e vështirë që po përjeton Amerika, pra çdo kush është fajtor, me përjashtim të atij vetë”.
Nën Trump, Shtetet e Bashkuara kanë bërë tashmë hapa pas në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në pjesë të tjera të botës. Tani ngjarjet e javës së kaluar, janë shpalosur si lloj katalogu abuzimesh, që zakonisht shihen të dokumentuara nga grupet e të drejtave me qendër në SHBA për vendet e tjera të botës.
Gazetarët dhe protestuesit u verbuan më spraj dhe u dhunuan nga policia lokale? Kontrolloni faktet. Një lider demagogjik që nxit zemërimin kundër shtypit të lirë? Kontrolloni faktet. Forcat e sigurisë që shënjestrojnë demonstruesit e paarmatosur, dhe madje drejtojnë automjetet e tyre kundër turmës? Kontrolloni dhe sërish kontrolloni.
Pjesa tjetër e botës po i kushton vëmendje këtyre ngjarjeve. Protestat në mbështetje të kauzës “Black Lives Matters”, u shfaqën në shumë qytete përfshirë Londrën, Berlinin dhe Toronton. Mijëra njerëz marshuan nëpër Sheshin Trafalgar. Në ndeshjet e futbollit të mbajtura në stadiumet e boshatisura në Gjermani, disa futbollistët treguan solidaritet me Xhorxh Floidin dhe viktimat e tjera të brutalitetit policor në Shtetet e Bashkuara.
Në Liban, ku protestat e mëdha antiqeveritare kanë tronditur Bejrutin dhe qytete të tjera, hashtagu kryesor në mediat sociale ishte në mbështetje të protestuesve në SHBA mijëra kilometra larg. Ajo çfarë po ndodh së fundmi në SHBA, po vëzhgohet me kujdes edhe nga kundërshtarët e Amerikës nëpër botë.
“Ky incident është larg nga të qenit i pari, në një seri sjelljesh të paligjshme dhe dhune të pajustifikuar nga forcat e rendit në SHBA”- u shpreh Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë zyrtare, duke ia shtuar atë historisë së gjatë të Kremlinit me denomcimin e abuzimeve me të drejtat e njeriut në Shtetet e Bashkuara.
“Policia amerikane, i kryen shumë shpesh krime të tilla të profilit të lartë” – theksohej në deklaratë. Edhe zyrtarët në Iran kanë bërë të njëjtën gjë, duke evokuar padrejtësinë racore në Amerikë. “Nëse jeni një njeri me lëkurën e errët në SHBA, nuk mund të jeni të sigurtë se do të jeni gjallë në minutat e ardhshme” – thuhej në një Tweet të Ajatollah Ali Khameneit, udhëheqësit suprem të Iranit, që shoqërohej me një video, që flet në detaje mbi historinë e tmerrshme të skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.
Dhe pastaj vjen Kina. Tashmë e gjendur në një përplasje gjeopolitike në përshkallëzim e sipër me Uashingtonin, zyrtarët në Pekin i shfrytëzuan këto protesta për të hedhur poshtë deklaratat e administratës Trump në mbrotje të statusit të Hong Kongut, një qytet ku autonomia unike e tij, po kufizohet në mënyrë dramatike nga Pekini.
Hua Çunjing, zëdhënësi kryesor i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, reagoi në Twitter ndaj një mesazhi mbështetjeje për Hong Kongun nga homologu i tij i Departamentit Amerikan të Shtetit Morgan Ortagus me shprehjen “Unë nuk mund të marr frymë” – fjalët e fundit të shumë zezakëve të paarmatosur në stacionet policore amerikane, dhe që janë shndërruar tashmë në një parullë proteste globale.
“Trazirat kanë arsye të ndryshme, por ngjashmëritë e tyre janë dominuese: që të gjithë kundërshtojnë ligjin, rendin dhe janë shkatërruese” – u shpreh në rrjetet sociale Hu Xijin, redaktori i “Global Times”, një gazetë e lidhur me shtetin kinez. Ai postoi një video, në të cilën ai duartrokiti “përmbajtjen” e Pekinit, për të mos brohoritur për protestat, ashtu siç kremtoi Uashingtoni mbi demonstratat e Hong Kongut.
Dhe kjo është një qasje shumë e përshtatshme për udhëheqjen kineze. “Koha e trazirave aktuale në Shtetet e Bashkuara, nuk mund të ishte më e mirë për synimet e Kinës” – shkroi kolegia ime Ana Fifilld. “Nuk është e frikshme ngritja e Kinës, po thonë autoritetet kineze mes rreshtave, por rënia e Shteteve të Bashkuara. Pekini po bazohet në pikëpamjen e saj mbizotëruese, se të gjitha veprimet e administratës Trump synojnë të pengojnë ripërtëritjen e Kinës dhe ngritjen e saj aty ky ajo e ka vendin e saj të ligjshëm, në krye të hierarkisë globale” – shton ajo.
Në Uashington, edhe zyrtarët e Trump u bënë pjesë e betejës së propagandës. “Dallimi midis vendit tonë dhe shumë prej vendeve autoritare, kur ndodh diçka e tillë, është se ne i hetojmë ngjarje të tilla” – tha këshilltari i sigurisë kombëtare Robert O’Brajen, të dielën gjatë një lidhje direkte me emisionin “Kjo javë” në televizionin ABC News.
“Njerëzit tanë protestojnë. Ata kërkojnë zgjidhje nga qeveria e tyre. Dhe ne qëndrojmë me protestuesit” – tha ai. Por në të njëjtën bisedë, O’Brajen denoncoi elementët radikalë dhe agjentët e jashtëm, që sipas tij, po nxisin trazira gjatë protestave, një skenar që do të ishte i njohur për cilindo, që ka dëgjuar qëndrimet e Pekinit gjatë vitit të kaluar, në lidhje me demonstratat e Hong Kongut.
Për muaj me radhë, mediat perëndimore, ashtu si edhe zyrtarët amerikanë, folën për brutalitetin e forcave lokale të sigurisë në Hong Kong, si një nga faktorët kryesorë që i përshkallëzoi protestat. Ndërsa skenat e dhunës së policisë mbi protestuesit dhe gazetarët, janë bërë virale në mediat sociale në Shtetet e Bashkuara, s’ka asnjë shans që Trump ose aleatët e tij, ta shohin këtë çështje në të njëjtën kornizë.
Qëndrimi i Trump në këtë rast, nuk është aq i ndryshëm nga autokrati cinik O’Brajen. Ajo nuk bazohet në asnjë mbrojtje parimore të pronës private: Tek e fundit, Trump, u gëzua nga protestat e dhunshme të “Jelek-verdhëve” në Francë – ku demonstruesit anti-establishment përsëritën aktet vandalizuese në Paris, fillimisht të zemëruar ndaj një takse të re mbi naftën.
Dhe kjo, pasi i jepte atij mundësi t’i kundërvihej aktivizmit klimatik të presidentit Francez Emanuel Makron. Dhe ashtu si indiferenca e Pekinit ndaj shqetësimeve të protestuesve të Hong Kongut, të zemëruar ndaj kërcënimit, që i kanoset lirive të tyre politike, Trump ka shfaqur pak empati mbi ankesat e vjetra të amerikanëve kundër racizmit sistemik, që vijon të ekzistojë në vend.
“Ajo çka i duhet vendit dhe që e kërkon nga ky president, nuk do ta marrë kurrë” – u tha kolegëve të mi Al Kardenas, strategu republikan me seli në Florida, dhe një ish-kryetar i Unionit Konservator Amerikan. “Unë nuk besoj se ky president ka të bëjë me racizmin, apo me dhimbjen. Të paktën unë nuk e kam parë këtë gjë” – theksoi ai. / “The Washington Post” – Bota.al
– Marrë nga Nacionale.Info