VAJZAT SHQIPTARE NUK PO DINË TA MENAXHOJNË SI DUHET LIRINË E TYRE…

0
561
Arben Çokaj - pikturë

Arben Çokaj

Tek libri i tij “Arratisje nga liria“, psikoanalisti i famshëm Erich Fromm sqaron edhe fenomenin e lirisë së njeriut, kur njeriu ka liri, por nuk di ta menaxhojë atë. Prandaj njeriu ose hallakatet, shthuret ose heq dorë nga liria e tij, nënshtrohet dhe futet nën një kult fetar, etj. Shoqëria shqiptare ka shenja të dukshme të shthurjes, anarkisë, paaftësisë për t’u marrë vesh, argumenteve e kundërshtisë së panevojshme, protagonizmit e vetë-rëndësisë, agresivitetit, sjelljes në gjendjen natyrale, etj. etj. fenomene këto, që po shkojnë kundër lirisë së fituar. Dhe për më tepër, ka edhe mungesaë të theksuar të aftësisë së komunikimit…

Në këtë kontekst, vihet re një fenomen mjaft negativ, që ka ardhur në shoqërinë tonë, pikërisht me fitimin e lirisë. E kjo sidomos për vajzat shiptare. Fitimi i lirisë nga femrat shqiptare, është një fenomen relativisht i ri, dhe pavarësisht të mirës së përgjithshme nga kjo, po duket sikur nuk po dimë të sillemi si duhet në shoqërinë tonë, pasi bashkë me lirinë ka ardhur edhe shthurja e vajzave shqiptare, apo edhe kurvëria, që nuk ka qenë traditë në shoqërinë shqiptare. Unë jam pra, që femrat në shoqëri të kenë të drejta të barabarta me burrat, paga të barabarta për të njëjtën punë, por jo në emër të kësaj barazie, të kemi të drejta “speciale” të tyre. Femrat duhet ta vlerësojnë barazinë dhe të sillen në mënyrë të përgjegjshme… E kjo si duket, do kohën e vet, për t’u arritur…

Se ka raste sa të duash, që nuk po e bëjnë këtë. Në emër të kësaj lirie, atyre u ka hyrë edhe delli i marrisë, e nuk po përmbahen… Ky fenomen është mjaft shqetësues dhe po e çon shoqërinë tonë gradualisht drejt shpërbërjes, drejt shkatërrimit. Shumica e çifteve në Tiranë sot po ndahen… Më shumë ndahen se sa bashkohen… Arsyet janë të shumta. Por kryesisht, kjo si fenoment psikologjik ose psikik vjen edhe nga mosmenaxhimi si duhet i lirisë, që kemi fituar, e sidomos nga femrat/vajzat shqiptare, prandaj familja shqiptare po shkon në buzë të greminës. E bashkë me të, edhe shoqëria shqiptare, pasi familja është baza e shoqërisë. Se me lirinë, vijnë edhe rregullat, por meqë rregulla nuk ka, ose nuk zbatohen, kemi kaluar në një farë anarkie, ku familja shqiptare po paguan edhe çmimin më të lartë…

EDUKATË E ULËT FAMILJARE E PERSONALE…

Ja çfarë pohon një gazetare e re në Tiranë, Ambrozia Meta, në një postim në FB. Duket si postim me humor, por “pas detajeve të vogla, fshihet djalli“, si i thonë. Dhe nuk është vetëm kjo. Një vajzë e bukur, simpatike dhe e shëndetshme nga Shkupi, një biznesmene e suksesshme, edhe pse 25 vjeçe, më tregonte para disa kohësh problemet e saj… Kishte qenë e fejuar dhe ishte ndarë me të fejuarin, thoshte se nuk ka shkuar me të. Duket se paaftësia e saj si “llasticë,”, si vajzë e vetme, për të menaxhuar lirinë dhe temperamentin e saj, e ka çuar atë deri te ndarja… Por më keq ende, ajo ka humbur besimin, se është në gjendje të gjejë një mashkull/djalë, që të mund ta mbajë atë! Pasi ajo i shet mend secilit mashkull, me të cilin ka të bëjë, e pastaj habitet në fund, pse refuzohet…

Po ashtu, një vajzë tjetër nga Tirana, e suksesshme, “super e shkolluar” dhe me punë në një bankë në Milano, rreth 31 vjeçe, “krifshë naturale”, më sqaronte një herë, se i ati i saj thotë: “nuk ka lindur ende ai burrë, që kjo të mund ta marrë…” Pra, janë vajzat ato që edhe i martojnë sot burrat, e jo burrat gratë… Ka ndryshuar koha… Prandaj edhe ndeshemi me këto parregullsi… se gjendja mentale e femrave shqiptare, ka avancuar tepër larg… Po ashtu edhe një vajzë nga Shkodra, e zgjuar, e angazhuar publikisht me shkrime e libra, rreth 27-28 vjeçe është ende “lumturisht e pa punë“, se po përpiqet të planifikojë të ardhmen e saj, por ende nuk e ka gjetur partnerin e duhur, që ta përmbushë… Kërko e kërko, ky është edhe refreni i ditës… Dhe sa ta gjesh një, fillo e shaje atë, ose trego tendencën e dominimit, si tipar dominant, derisa ta humbësh edhe atë, si të tjerët para tij… E sa është numri i atyre vajzave, që u ngjajnë këtyre shembujve më sipër? Për të mos përmendur rastet tragjike, kur gratë e vajzat po keqtrajtohen e vriten nga burri, a partneti i tyre, pikërisht nga ky konflikt, që krijohet me menaxhimin e gabuar të lirisë së fituar…

E kështu, vajzat tona të mira, rrinë e rrinë në kërkim, pa ditur të ngulen, ose ngulen dhe nuk dinë të qëndrojnë, e kërcejnë kështu prapë në vetmi dhe po ndeshemi fatkeqësisht ndjeshëm edhe me fenomenin e nënave të vetmuara, që po i rrisin fëmijët e tyre, pa figurën e babait në shtëpi, pasi çiftet po ndahen nga egoizmi, për gjëra jo edhe aq thelbësore… E pra, një grua të mirë, pak meshkuj e ndajnë… Prandaj mendoj se kemi të bëjmë me kulturë e edukatë të ulët familjare e personale.

Një shoqëri në lëvizje… Një shoqëri, që ka 28 vjet, që ka fituar lirinë, por që duke mos ditur ta shfrytëzojë atë, ka kaluar sa nga anarkia nën dogmat fetare të nënshtrimit, sa nga veset e këqia te injoranca e mos-shkollimit, sa nga vetë-rëndësia, te prepotenca, ose aplikimi i unit në gjendjen natyrale. Në shoqërinë tonë mundet, që meshkujt janë më shumë përgjegjës për këtë që po ndodh, kanë më shumë faj se femrat, por janë femrat ato, që paguajnë edhe çmimin më të madh, në fund të fundit, se janë disi më të rrezikuara.

Dhe femrat duhet ta dijnë, se për të gjetur partner, apo për t’u martuar, duhet gjetur një mashkull, një burrë. Dhe mos të shikojnë ta injorojnë atë, ta konkurrojnë, e aq më keq ta poshtërojnë atë, se gjojsa janë “super të shkolluara”, “intelektuale”, etj., apo se dinë më shumë, se pastaj vijmë e numërojmë rastet e mësipërme të dështimeve. Atëherë na rroftë shkolla e dija, nëse dështojmë si individë, e si shoqëri. Pasi për mua, kjo shoqëria jonë ëshë e dështuar në shumë plane e nivele dhe tendencën e ka drejt së keqes…

Në Danimarkë, ku liria e femrave është padyshim më e madhe, se në shumë vende të tjera të botës, e për rrjedhojë edhe se në shoqërinë shqiptare, nuk mbaj mend të kem pattur problem me ndonjë vajzë… Kurse në Shqipëri, nuk ke problem vetëm me vajzat, ke problem me secilin… Ndërsa për vajzat, mund të them, se është tepër e vështirë ta gjesh një vajzë këtej, me të cilëbn nuk të dalin probleme! Hë mo na rroftë shkolla e dija pastaj, në paaftësinë tonë si shoqëri për të komunikuar, në paaftësinë tonë për t’u marrë vesh!