Vajzat i ruan frika (2)

0
467
Kimete Berisha

Kimete Berisha

O, ne kemi zanate shumë të kqija. Sado që dalim, shohim, shetisim, shoqërohemi, peshqilohemi dhe e mirëmbajmë trupin, kot, kur vjen puna te zanatet e kqija, i ruajmë me fanatizëm ato.

Prej se di për veten e deri sot, ende nuk pashë që ndryshoi gjë ky mentalitet.
Gruan kur e ngacmon burri, puna e parë çohet dhe n’atë t’nxehtë (versionin më dramatik) ia tregon vëllait të saj, dhe anipse vet e ka zgjedh burrin, ndihmën për të shpëtuar nga ai e lyp nga vëllai.

Sa shumë vëllezër janë vrarë kryneherë dhe kanë përfunduar nëpër burgje, sherri i motrave të tyre që në vend se ta thërrasin policinë ose ushtrinë në ndihmë, ato e thërrasin vëllain.

E urrej me shpirt këtë mentalitet.
Veç një grua e keqe e fut vëllain (apo këdo qoftë në bela), me lehtësinë më të madhe për problemet e saj personale.

Kur të ngacmon dikush ‘copë nuk ta heq’, provo mbroju, së pari bëhu që nuk e ke dëgjuar.

Njëra më tregonte, tha, më ngacmonte një mashkull në autobus dhe u bëra që s’dëgjoj, kur ai nuk ndalonte, atëherë gjindet dhe i thotë me zë, ooo unë jam e shurdhtë, nuk ni, folë badihava, dhe tha personi u largua.

U kam treguar për filozofin, emri i të cilit tash nuk më kujtohet (lexuar te ‘Mllefi’ i Senekës) që kur hyri në nevojtore publike, disa djem të ri u ngjitën me shkallë dërrasave të WC-së dhe e pëshurrën në kokë.
Filozofi u shtirë sikur nuk ndodhi gjë, doli nga nevojtorja dhe vazhdoi rrugën ‘i qetë’.
Një mik që e kish parë ngjarjen, e pyet ‘qysh durove?
Filozofi që ka menduar më larg, i thotë: nëse do ta kisha provu me mbrojt veten, ku me ditë çka kish ndodh, më kishin mbyt krejt. Kështu, duke u shtirë sikur s’ka ndodhur asgjë, s’ka ndodhur asgjë.

Nëse t’u ka tek dhe nuk bën hiç ti pa treguar se të ka ngacmuar dikush, dhe nëse s’të rrihet rehat pa u bërë ‘drama queen’, dhe të kruhet të bësh si femër që mbyten e bëhen sallatë meshkujt për ty, atëherë tregoji policisë, lyp ndihmën e institucioneve përgjegjëse e jo të burrit, të dashurit e të vëllait.

Sepse, kur ta nguc dikush-dikë që ti e do dhe e ke të afërt, në sekond të zë gjaku dhe s’ka Zot që të ndal, je në gendje jetën me jep pa mendu.
Pak kush di të numërojë deri në dhjetë kur i nxehet gjaku.
Shumica e tē burgosurve kanë vrarë në afekt dhe dokumentarëf tregojnë se ende pa e lëshuar armën nga dora, janë penduar. Prandaj, mos e nxit djallin.
(Sa më përket mua, më parë do ta kisha ba namin për të mitë sesa për veten, se dhimbjen që ndjejë për veten, s’ma lë shenjë, e njoh dhe jam mësuar me të).

Po e përsëris, te femrat shqiptare ende mashkulli konsiderohet Institucion, e jo Institucioni. Ka mbet adet që mashkulli me mbrojt femrën. Ani ata që janë vëllezër të shtatë motrave, mos vet për ta.

Vajza din me dashuru: por s’din me mbrojt veten. Din m’u bë gru e me lind: por s’mësohet me mbrojtë veten.
Din m’u bë gjyshe, por nuk din m’u bë e urtë.

Nëse s’paska polic normal në këtë vend, shko në xhami shoqe, në kishë, shko diku, se pa dalë dikush që të ndihmon nuk mundet me ndodh.
Ama vëllain mos e përzi. Ai ty nuk të thërret në ndihmë kur dikush ia nxin jetën.

Është interesant pra, se pavarësisht se sa sukses arrin gruaja shqiptare në karrierë, prap se prap e konsideron veten ‘person më nevojë’, dikush që nuk mund ta mbrojë dhe ta mbajë veten.

Vajza bëhet gjyshe dhe prap se prap e thërret vëllain plak në ndihmë kur e ngacmon plaku i saj.
Natyrisht, ka edhe shumë gra që kanë duruar padrejtësi te burri ‘hatri vllaznive’.

Por ama, shumica, janë plakur dhe ende s’janë mësuar ta mbrojnë veten nga njeriu që vetë e kanë zgjedhur për burrë.
Në shumicën e rasteve, gratë pajtohen me burrat, e ti që e ke ndihmuar pajtimin, mbetesh ‘ai, i keqi’.

‘Vëllai’, ‘i dashuri’, ‘i fejuari’ dhe ‘burri’ nuk janë institucione, por si ti, edhe ata, janë njerëz të frikësuar nga e keqja, prandaj mos kërko ndihmën e tyre.
Je mbi 18 vjeç, drejtoju institucioneve të cilave u drejtohen edhe ata për vete, policisë.

Shumë kisha pas dëshirë me paramendu se si do të ishte jeta në Kosovë e Shqipëri, sikur ne të mos kishim qenë kaq të prapambetur.

…dimë me dashuru, dimë me urrejt, s’ka punë që s’dimë me bë, dimë edhe me dhënë jetën për dashuri ndaj familjes, por ama s’dimë me mbrojtë veten.
U mbet si adet shqiptar që mashkulli me mbrojt femrën. E femra veç naj zor i madh se nuk u lodh me lyp alternativa tjera.

Më së vështiri është me qenë i urtë, atëherë kur duhet m’u bë kishe s’dëgjova, nuk pashë dhe nuk fola.
E jo me matë dashurinë e tjetrit, me vdekjen e tij për ty;
Me ngjallë dashurinë e tjetrit duke provokuar xhelozinë e tij;
Dhe kurrë mos m’u ngi. Kurrë pa pushu me lyp dëshmi të dashurisë.

Sepse, e keqja ndodh veç një herë. Dhe veç një herë merr fund gjithçka në jetën tënde.

Edhe ‘e mira’ dhe ‘e bukura’ bëhen monotone, jo s’po u del boja dashurive tona prozaike që për nga përmbajtja nuk u afrohen as serialeve turke, aq të pagdhendura që janë.

Po dihen krejt: Vajza ‘e sotit’ lyp burrë të fortë që mirë kish qenë me pas edhe pare (për mu ndje e sigurtë); kurse burri lyp grua seksi (për m’u ndje i gjallë).
Vajza nuk garon me mashkullin se cili ka pare më shumë; kurse djali nuk ia lejon vetes që e femra ‘e tij’ me fitu më shumë se ai.

Maskarallak. Edhe tigrat duhen më bukur se ne. Krejt e rrejnë njëri-tjetrin, dhe në pritje të një dashurie të pastër, na gjen vdekja.
Por, ama si njeriu që për nga natyra është mëkatar, ashtu edhe ndjenjat e tij (të gjitha pa përjashtim) janë mëkatare.

P.S. Ndoshta kishim bë mirë me fillu me mbrojt veten me gjetjen e Aristotelit në ‘Etikën e Nikomahut’.
Njeriun s’mund të jetë ‘i joti’, asnjë njeri nuk është dhe nuk mund të jetë pronë e askujt. Kupto. Askush s’është ‘i joti’, mos e rrej veten. Prandaj në start gabon kur thua ‘njeriu im’!

Aristotelin edhe më bukur e ka pas plotësuar Xhibrani, që tha ‘as fëmijët t’u, nuk janë tutë! Ata dalin në këtë botë nëpërmjet teje, por janë botë në vete, njëmilion vjet drite larg jush. Nuk mundesh me kontrollu vullnetin dhe fatin e fëmijës tënd e me bë qysh ke qejf ti. Bindu.

Kur do tē vinte dita të bindeshim e të pajtoheshim se asnjë njeri në këtë botë nuk është ‘i joni’, atëherë do të kuptonim se trupi i njeriut nuk është kufiri i dashurisë, se as liria e as dashuria nuk janë lumturia. Përveç kur flitet për to në poezi.