Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe FARK-u

0
1579

Jusuf Buxhovi, http://botapress.info/

Si vepronin në terren UÇK-ja dhe FARK-u? Çka u bisedua në takimin e Oslos, në maj të vitit 1998, midis për-faqësuesve të UÇK-së të drejtuar nga Adem Demaçi dhe Ministrit të Mbrojtjes të Qeverisë së Republikës së Kosovës?Pse nuk u zbatua marrëveshja e Oslos dhe kush e pengoi?.
– Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka pasur obligim kushtetues që të marrë përsipër drejtimin dhe përgjegjësinë e luftës

Meqë rezistencës së armatosur i kishte munguar qasja aktive institucionale në rrethanat kur ajo ishte e pashmangshme, e të tilla ishin rrethanat pas Dejtonit, ndërkohë që faktorët tjerë jashtë saj, grupet e ndryshme guerile (të Dukagjinit, Drenicës dhe Llapit), të cilat edhe deri më atëherë kishin qenë të lidhur me segmentet vendore të shtetit paralel, do të përcaktohen për të, ishte e natyrshme që asaj t’i krijoheshin kornizat e një organizimi të përbashkët, që do të merrte përsipër ndërlidhjen e saj të brendshme dhe drejtimin.

Në këto rrethana, do të jetë “Lëvizja Popullore e Kosovës” e drejtuar nga Zvicra dhe Gjermania, që do të veprojë konkretisht që Guerilja e Kosovës bashkë me forcat e tjera patriotike nga resurset e vetëmbrojtjes vendore si dhe potenciali i madh i ushtarakëve të Kosovës i shkapërderdhur jashtë ose i inkuad-ruar në luftërat të huaja në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë, të përfshihen nën çatinë e përbashkët, që do të quhet “Ushtri Çlirimtare e Kosovës”.

Duke shfrytëzuar hezitimin e politikës pa luftë dhe të luftës pa politikë, si dhe limitet e saj, së cilës i ishte nënshtruar lëvizja institucionale dhe njëherësh duke pasur parasysh potencialin e gueriljes së Republikës së Kosovës që vep-ronte nga vitit 1991, por jashtë ndonjë mbikëqyrjeje të përhershme, me çka asaj realisht do t’i siguroheshin kushtet për aksione guerile, “Lëvizja Popullore e Kosovës”, e cila drejtohej jashtë vendit nga grupime të ndryshme militantësh majtistë, të njohur si enveristë, kishte hetuar një hapësirë të përshtatshme vepri-mi, ku duhej ndërhyrë sa më parë në mënyrë që të marrë përsipër drejtimin e rezistencës së armatosur. Midis viteve 1993-1996, pasi që shumë nga militantët e saj të jenë larguar nga Lëvizja Kombëtare që drejtonte LDK, LPK do të anga-zhohet me të madhe që të kthehet në “krah lufte” të Gueriljes së Kosovës dhe pjesës tjetër të shkapërderdhur të rezistencës aktive, të cilës i mungonte mbi-këqyrja e duhur institucionale.

Edhe pse rrethanat nuk i kishte të përshtatshme dhe pa marrë parasysh gju-hën e ashpër dhe diskursit ideologjik kundër lëvizjes institucionale të drejtuar nga LDK, LPK ia doli që brenda faktorit luftë, të krijojë një pozicion koheziv e madje edhe drejtues me pretendimin që prej andej të dominohej edhe skena politike e Kosovës, që si parakusht kishte eliminimin prej saj të Lëvizjes Institucionale dhe shtetit paralel të Rugovës dhe ngrehinës së saj që për vite i kishin bërë rezistencë institucionale Serbisë thuajse në të gjitha segmentet e jetës dhe si të tilla kishin gëzuar mbështetjen e pjesës më të madhe të qytetarëve të Kosovës.

Marrëveshja Ramiz Alia – Ibrahim Rugova për mbajtjen e ushtrimeve ushtarake në Shqipëri

Por, lufta e LPK-së kundër shtetit paralel të Kosovës, nga zëdhënësit e saj që flisnin në emër të UÇK-së, nuk ishte gjithaq frontale siç pritej. Përqendrimi i tyre fokusohej te “fondet” e luftës, duke kërkuar që edhe Trepërqindëshi i Qeverisë t’i takonte i tëri “autorëve të luftës”.

Në këto rrethanat kur tashmë lufta shfaqej si pjesë e politikës, kemi edhe përpjekjet që edhe politika të bëhet pjesë e luftës sipas parimit të njohur se ajo është vazhdim i politikës me mjete të tjera. Rezistenca institucionale, e vetëdij-shme për zhvillimet që kishin ndodhur, në të cilat LPK, pa marrë parasysh mjetet që kishte përdorur në hapësirën e lënë, duke e përvetësuar atë pa kursyer mjetet, kishte dalë fitues, do të fillojë t’u përshtatet rrethanave me pretendimin që edhe faktori luftë të veprojë në gjirin e saj.

Kjo “kthesë” për institucionistët nuk do të dukej gjithaq e vështirë kur dihej se në këtë punë nuk ishin as pa përvojë e as pa atu, ngaqë me vete kishin Gueriljen e Republikës së Kosovës nga viti 1991, së cilës ia kishin krijuar hapësirën për organizim dhe ushtrim në Shqipëri me anën e marrëveshjeve të vitit 1991 midis R. Alisë dhe I. Rugovës. Siç kishin edhe Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, të krijuar në vitin 1992, e cila ishte marrë me çështjet e potencialit ushtarak të Kosovës të shpërndarë jashtë vendit, i cili ishte sistemuar “në pritje” në përputhje me qëndrimin politik. Pra, duke u nisur nga obligimi kushtetues se ishte përgjegjëse për organizimin e mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes, e me këtë edhe të rezistencës së armatosur, punë që asnjëherë nuk ishte çuar aty ku duhej, Qeverisa e Republikës së Kosovës, me “Forcat e Armatosura të Republi-kës së Kosovës FARK”, por nën emblemën e “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ishte shfaqur thuajse “befas” në skenën e rezistencës së armatosur.

Ky fakt, prishi stereotipet e deritanishme të ndarjeve të brendshme në “pa-qësorë” (institucionistë) dhe “luftëtarë” (çlirimtarë), paçka se amallgami “bash-kim”, nxori “paralelizmin” e luftës, si një gjendje konfrontuese, që në vend se t’i ndihmonte asaj, do t’i kthehet në pengesë me pasoja për luftën, por edhe pas saj.

Sidoqoftë, futja e FARK-ut në atë që tashmë quhej luftë me Serbinë, edhe pse ajo realisht kishte tiparet e një kryengritje të armatosur rurale, edhe si veprim “paralel” dhe i kontestuar në njërën anë, me të shpejtë ishte hetuar edhe nga jashtë si “një ndryshim kursi drejt luftës së pashmangshme”.

Ndonëse Qeveria e Kosovës, para faktorit ndërkombëtar ishte munduar që “të fshihej” prapa firmës së UÇK-së si veprim “paralel” i atyre “që u kishte humbur durimi nga dhuna”,[1] ndërkohë që nga brenda ishte munduar që në marrëveshje me guerilen dhe faktorët që tashmë e lëviznin atë së paku politikisht – LPK-në, ta kthejë në pjesë të strukturave të saj dhe ta komandojë.

Pavarësisht këtyre hesapeve me të cilat, si do të shihet, do të përplaset por edhe do të konfrontohet politika shqiptare skajshmërisht dhe të shumtën në dëm të vetë çështjes, pjesëmarrja e FARK-ut në luftë u bë e njohur edhe nga mediet e jashtme, veçmas pas luftimeve të Loxhës dhe në një pjesë të Dukagjinit gjatë verës së vitit 1998, kur sukseset e para kundër forcave të armatosura jugosllave iu atribuuan ushtarakëve nga radhët e FARK-ut, e cilësuar si bërthamë e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, e komanduar nga strukturat ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, shtabi i të cilave raportohej të ishte diku në Shqipëri. Nga këto raportime, jo rrallë imazhi i FARK-ut në raport me atë të UÇK-së, e cila cilësohej guerilë e komanduar nga “komisarë majtistë” dhe “mili-tantët ideologjikë”, nxirrte pamjen e një ushtrie profesioniste të aftë për sfida luftarake.[2]

FARK-u në Dukagjin

Formacionet e FARK-ut, që u shfaqen në pjesën e Dukagjinit, në luftimet kryesore që do të zhvillohen gjatë verës së vitit 1998, ku më pakë e ku më shu-më, këtë do ta bëjnë edhe në bashkëveprim me forcat “autentike” të UÇK-së, të cilat LPK i kishte shpallur të pavarura nga “vija institucionale” dhe bënte çmos që të mbeteshin të tilla pa marrë parasysh se kjo e dëmtonte rezistencën e arma-tosur. Madje, në Dukagjin, në kuadër të Zonës së Tretë Operative, kishin edhe strukturat e përbashkëta komanduese, siç ishte rasti me ato që komandonte Ramush Haradinaj. Ky bashkëluftim, ndonëse nuk do të zgjasë shumë, ishte sa i suksesshëm po edhe i dobishëm, meqë bashkonte faktorin politik dhe shqiptar mbi një kauzë të përbashkët, që asaj ia siguroi disa suksese, siç ishte beteja e Loxhës në afërsi të Pejës në luftë me njësitë e rregullta ushtarake të Beogradit.[3]

Heqja nga ky kurs pati për pasojë disfatën e madhe të UÇK-së dhe FARK-ut në Dukagjin. Kjo gjendje vazhdoi gjithnjë edhe gjatë qëndrimit në Shqipëri, kur në Veri u krijuan kampe të veçanta për UÇK-në dhe FARKU-un, ku pati fërkime të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Si e tillë, pra me përplasje të brend-shme, ajo vazhdoi edhe gjatë operacioneve luftarake të NATO-s nga ajri nga 24 marsi deri më 10 qershor të vitit 1999 ndaj forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Sado që në prill të vitit 1999, ishin pikërisht brigadat 123,131,134 nga radhët e FARK-ut që do të kenë rol të madh për shpërthimin e kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare dhe në pjesën e Pashtrikut.[4]

Por, si doli në skenë FARK-u? Ishte fjala për një lëvizje taktike të “institut-cionistëve” që të ruajnë kursin e “politikës pa luftë” në përputhje me sugjerimet e faktorit ndërkombëtar, veçmas amerikanëve, të cilët kishin nevojë për të, por që në rrethanat e caktuara i duhej edhe “lufta pa politikë” që ta fusë në lojë dhe ta shfrytëzonte për qëllimet e veta? Apo, bëhej fjalë për një veprim të njëanshëm të ushtarakëve “rebelë” në raport me “komandantin” që po heshtte, që kur do të shohin se me fillimin e masakrave serbe në Kosovë, siç ishin ato që nisën në shkurtin e vitit 1998 në Drenicë, i kishte ardhur fundi pritjes, t’i bashkoheshin luftës qoftë edhe jashtë urdhrit në mënyrë që të bëhen pjesë e saj pale se si do të vlerësohet ajo?

Edhe pse shumë nga këto çështje edhe më tutje mbesin në vorbullën “e mjegullimit” të qëllimshëm nga shumë faktorë, megjithatë sjellja e faktorit FARK në ato rrethana si dhe përfshirja e vonuar në dinamikën e luftës në raport me “Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës” por nën emblemën e saj, nxjerr në pah logjikën e “politikës pa luftë” dhe “të luftës pa politikë” dhe limitet në të cilat ndodhej tretmani i lëvizjes së Kosovës si dhe kornizat e sjelljes nga fillimi e deri në fund në raport me faktorët e jashtëm dhe interesat e tyre.

Skenari i “politikës pa luftë” shenjat më të dukshëm i kishte treguar pikë-risht te çështjet e infrastrukturës së mbrojtjes kur Ministria e Mbrojtjes së Re-publikës së Kosovës thuajse kishte hequr dorë nga strukturat e saj organizative, fillimisht nga Mbrojtja Territoriale pasi që ajo të arrijë një formë të konsolidimit në vitin 1993 prej nga duhej të shkohej më tutje me operacionalizimin e “forcave në pritje”, e më vonë edhe nga mbështetja e duhur e grupeve të pavarura të Gue-rilës së Republikës së Kosovës (të Drenicës, që drejtohej nga A. Jashari dhe të Llapit të drejtuar nga Zahir Pajazit). Ndonëse “shkas” për këtë tërheqje “të për-kohshme” do të merret burgosja e stafit komandues të Mbrojtjes Territoriale në krye me gjeneralin Hajzer Hajzeri, bashkë me njëqind e dyzet e shtatë oficerë dhe ushtarakë të tjerë nga ky sistem, megjithatë, Qeveria e Bukoshit mban për-gjegjësinë kryesore për këtë pasivizim, ngaqë lejoi shkapërderdhjen e gjithë potencialit ushtarak “në pritje” të shpërndarë në disa vende. Kjo atë e ngarkon me dyshimin e konsoliduesit të saj, edhe pse në disa prononcime për këtë do ta fajësojë Rugovën dhe dogmën e njohur “të mos hyhet në luftë pa u pjekur kushtet” dhe “pa sinjalin amerikan”.[5]

Arsyetimet e parashtruara në dorëheqjen e Nikë Gjeloshit nga ushtruesi i detyrës së postit të ministrit të mbrojtjes në vitin 1995 paraqitur presidentit Ru-gova, ku ai e ngarkon me fajësi të madhe personalisht kryeministrin Bukoshi për injorim të qëllimshëm të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe të resurseve të saj ushta-rake jashtë, që kishin mbetur pa kurrfarë përkujdesjeje përkundër premtimeve të marra nga Qeveria, paraqesin njërin ndër shumë argumentet që i shkojnë për shtatit dyshimit të pasivizimit të rezistencës së armatosur në përputhje me kon-ceptin e “politikës pa luftë”.[6]

Pa marrë parasysh rrethanat që sollën atë gjendje, me të nuk do të pajtohen shumë nga ushtarakët e shkapërderdhur me “statusin e pritjes”, të cilët të vetmen pikë lidhjeje kishin organizimin nëpër shoqatat e eprorëve në Zvicër, Gjermani, Kroaci dhe Slloveni. Si të tilla ata kishin mbetur nën “përkujdesjen” e mërgatës, ku më e zellshmja në këtë punë ishte treguar “Lëvizja Popullore e Kosovës”,e cila një pjesë të tyre në Gjermani, i kishte kthyer “në krahë lufte” (grupi i Dysel-dorfit), roli i të cilëve do të jetë i ndjeshëm në krijimin dhe mbajtjen e “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” jashtë kursit institucional.[7]

Ushtarakët shqiptarë të strehuar në Zvicër, të tubuar rreth “Këshillit Koordinues të Eprorëve”, besnikë rezistencës institucionale dhe Ministrisë së Mbrojt-jes së Republikës së Kosovës, edhe përkundër gjendjes në të cilën ndodheshin (jashtë ndonjë përkujdesjeje nga ana e Qeverisë në ekzil), do t’i shkruajnë një letër kryeministrit Bukoshi, lidhur me aktivizimin e tyre në përputhje me Kush-tetutën e Republikës së Kosovës, duke kërkuar që ata të përfshihen në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Por, eprorët shqiptarë të Zvicrës nuk do të marrin kurrfarë përgjigje nga Bukoshi.[8]

Pasi që do të fillojë fushata e ushtrisë serbe në Kosovë në fillim të marsit, të shqetësuar për gjendjen me të cilën po përballej populli i pambrojtur, eprorët e shumtë ushtarakë në Zvicër ishin mbledhur në klubin “Përparimi” në Alshteten pranë Cyrihit. Mbledhja ishte mbajtur më 3 mars 1998, prej nga kishte dalë vendimi që të thirren të gjithë koordinatorët e grupeve të tjera të ushtarakëve të Kosovës nga Gjermania, Sllovenia dhe Kroacia si dhe kolonel Ahmet Krasniqi, i cili tashmë kishte dalë me një projekt për luftën e armatosur në Kosovë, që do të drejtohej nga ushtarakët profesionistë.[9]

Mbledhja e koordinatorëve të grupeve të ushtarakëve nga Kosova në vendet e përmendura ishte mbajtur më 6 mars 1998. Të pranishmit kishin ngarkuar ko-lonel Ahmet Krasniqi për koordinator të grupeve të ushtarakëve të mërgatës që do të merrej me riorganizimin dhe përfshirjen e ushtarakëve në sistemin mbrojt-jes së Kosovës.[10]

Plani i luftës i oficierëve Agim Mehmeti, kolonel Ahmet Krasniqi, Bajram Syla dhe Shaban Shkreli

Nga mbledhja e grupit të ushtarakëve në Zvicër, të nesërmen, më 7 mars 1998, përfaqësuesit e saj (Agim Mehmeti, kolonel Ahmet Krasniqi, Bajram Syla dhe Shaban Shkreli) kishin udhëtuar në Veisenhorn të Gjermanisë, ku kryeministrit Bukoshi ia kishin paraqitur planin e tyre të luftës bashkë me propozimin që në krye të tij të vihet kolonel Ahmet Krasniqi.[11]

Bukoshi kishte pranuar propozimin e ushtarakëve si dhe konceptin e tyre që “Forcat e Armatosura të Kosovës” (FARK) të përfshiheshin në rezistencën e armatosur me çka fillonte riaktivizimi i Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisës së Republikës së Kosovës. Kështu, më 5 prill 1998, Qeveria e Kosovës, e balla-faquar me një realitet që nuk mund ta injoronte, emëron kolonel Ahmet Kras-niqin Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës me mandatin për organizimin e strukturave ushtarake të domosdoshme për t’u përfshirë në vorbullën e luftës që nuk mund t’i ikej.[12]

Që në fillim vërehet strategjia e pranimit të faktorit “Ushtri Çlirimtare e Kosovës” dhe rolit të saj drejtues, me çka Qeveria hiqte dorë nga obligimi i saj kushtetues që të udhëhiqte luftën, por jo edhe nga përfshirja në të dhe drejtimi i saj nga brenda. Ishte ky një qëndrim taktik me të cilin “politika pa luftë”, kër-konte që ta rikthente “kapitalin” e Guerilje së Republikës së Kosovës nga viti 1991-1993 dhe resurset e saj të njohura të shtrira në vend përherë të gatshme për veprim, të lënë pa mbikëqyrjen e duhur.

Koloneli, i cili e dinte veprimtarinë e mirëfilltë të Gueriles së Republikës së Kosovës të drejtuar nga A. Jashari, Z. Pajaziti dhe S. Çejku, si dhe rolin e tyre të madh që ajo të mbahej e gjallë përkundër rrethanave tepër të vështira, si dhe gjendjen në cilën ndodhej pas vrasjes së Z. Pajazitit para një viti dhe veçmas të A. Jasharit së voni, kur ajo tashmë e tëra ndodhej nën mbikëqyrjen politike të LPK-së, do të thotë se UÇK “ka nevojë të madhe për ne. Do ta ndihmojmë atë që rritet dhe profesionalizohet.”

Me këtë rast ai nuk do të harrojë ta nxjerrë në pah edhe kredon e luftës ku kyçja në të, nënkuptonte edhe marrjen e komandës, që duhej të vërehej shumë shpejt në terren.[13]

Vizioni i kolonel Ahmet Krasniqit rreth luftës së përbashkët mbështetej mbi tri shtylla kryesore:

Të krijimit të një ushtrie të fortë kombëtare,
Të bashkimit të të gjitha grupeve atdhetare që luftonin në Kosovë nën një komandë të përbashkët, pa dallim ideologjie, feje dhe bindjeje politike dhe
Të evitimit me çdo kusht të përçarjeve të brendshme shqiptare.[14]

Në të vërtetë, te kjo çështje, do të shfaqen që të gjitha vështirësitë dhe mospajtimet midis “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, pra, LPK-së si drejtuese politike e saj (pavarësisht sa qëndronte kjo) dhe “Forcave të Armatosura të Kosovës” (FARK). Ato do të nisin nga “rivalitetit” me njëra-tjetrën për të shkuar edhe deri të shkalla e armiqësisë së hapur, që kolonelit do t’i kthehen në kob, ndërsa FARK-ut në një disfatë strategjike, që do të mund të stivohej po qe se faktori politik do të zbatonte Kushtetutën e Kaçanikut.

Por, edhe përkundër këtyre paralajmërimeve, kolonel Ahmet Krasniqi do të sillet në përputhje me logjikën institucionale dhe me mandatin e Qeverisë së Ko-sovës. Me këtë mandat, duke pranuar realitetin “Ushtrisë Çlirimtare të Koso-vës”, ai njëherësh pranonte edhe partneritetin e linjës jashtë institucionale si dhe të strukturave të saj, pa marrë parasysh se ato vinin nga resurset e përbashkëta qofshin ushtarake, qofshin të mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes vendore në Kosovë, të cilat ishin pjesë e institucioneve vendore atje prej nga kishin dalë edhe Guerilja e Republikës së Kosovës nga vitit 1991 e tutje me qendrat e saj në Drenicë, Duka-gjin dhe Llap.

Para se të shkojë në Shqipëri prej nga, pas disa përgatitjeve teknike dhe organizative, duhej të hynte në Kosovë bashkë me shtabin drejtues të caktuar nga Qeveria e Kosovës, kolonel Krasniqi pati disa takime me veprimtarët e njohur në diasporë (Gjermani e Zvicër), ndër të parët takoi Sali Çejkajn nga Gjermania, njërin ndër themeluesit e njësive të para guerile të Republikës së Kosovës në Dukagjin. Me këtë rast u bisedua për çështjen e shkrirjes dhe integrimit të grupit të tij ushtarak në FARK. Grupi ushtarak i Sali Çejkajt pa kurrfarë kushtesh pranoi shkrirjen e grupit të vet në FARK.[15]

Takimet e Ahmet Krasniqit me Xhavit Halitin e Bardhyl Mahmutin

Takime të njëjta, kolonel Ahmet Krasniqi pati edhe me përfaqësuesit e UÇK-së në Zvicër, zëdhënësin diplomatik të saj Bardhyl Mahmutin si dhe Xhavit Halitin, Shaban Mujën dhe Bilall Sherifin, me të cilët u takua dy herë: nga mesi i marsit dhe një muaj më vonë, ku hetohej gatishmëri për bashkëpunim dhe luftë të përbashkët.[16]

Bëhet e ditur se në takimet me përfaqësuesit e UÇK-së, kolonel Krasniqi shprehu gatishmërinë që mjetet financiare të grumbulluara për këtë qëllim në fondet e qeverisë si dhe kuadrot ushtarake t’i vë në dispozicion të Shtabit Qend-ror të UÇK-së, që së bashku të koordinohen punët për financimin e njësive ek-zistuese dhe krijimin e njësive të nevojshme për nevojat e luftës. Xhavit Haliti kishte premtuar se do të shtronte çështjen e bashkimit të UÇK-së e të Ministrisë së Mbrojtjes në ndërtim me personat që janë në krye të Shtabit të UÇK-së.[17]

Në kuadër të takimeve për përfshirjen e grupeve të luftës nën ombrellën e përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel A. Kra-niqi gjatë prillit, në Tiranë ishte takuar edhe me Sejdi Veselin, përfaqësues i LKÇK-së. Me të njëjtin mision ishte takuar edhe me përfaqësuesin e njësive guerile të Llapit, Ismet Avdullahun. Me këtë rast I. Avdullahu ia kishte përcjellë porosinë e Ilir Konushevcit “se njësitë guerile të Llapit e shihnin të domosdo-shëm formimin e një subjekti ushtarak të përbashkët me një komandant të për-bashkët”, dhe se “angazhimin e Ahmet Krasniqit rreth bashkimit të faktorit ushtarak shqiptar e përkrahte pasi që e vlerëson si shumë të qëlluar”.[18]

Pasi që nga ana e përfaqësuesve të UÇK-së kishte marrë premtime se do të punohet rreth bashkimit të faktorit ushtarak nën një komandë, ndërsa nga grupet e ndryshme, që ishin aktive në Kosovë (Grupi i Llapit i Ilir Konushevcit) ishte mbështetur drejtpërdrejt, kolonel Krasniqi kishte filluar punën rreth sigurimit të armatimit. Nga Bukoshi kishte kërkuar të hapej qesja. Kjo në një farë mase edhe kishte ndodhur, meqë Kolonel Krasniqi kishte hyrë edhe në aranzhmanet e para të sigurimit të materialeve ushtarake me disa nga drejtuesit e UÇK-së në rapor-tet shitës-blerës në një vlerë prej 3,3 milion markash.[19]

Aranazhmane të ngjashme ishin lidhur edhe me disa ndërmjetësues të jash-tëm (në Turqi) për sigurimin e pajisjeve dhe armatimeve ushtarake në një vlerë prej 22 milionë dollarësh.

Por, në kohën kur tashmë kishin filluar përgatitjet në unifikimin e faktorit ushtarak, atij institucional dhe të grupeve të ndryshme të përfshira në rezistencë, kolonel Krasniqit do t’i vijnë kundërshtimet e para nga radha e grupit të ushtara-këve në Dyseldorf (shumë prej të cilëve kishin qenë bashkërisht në frontet e luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë).

Grupi i ushtarakëve në Dyseldorf, ndër të cilët F. Ladrovci, Xh. Jashari e të tjerë, pasi mbledhjes së mbajtur më 3 maj, iu kishin drejtuar Qeverisë së Repub-likës së Kosovës, me këto kërkesa:

– të rishqyrtojë vendimin e vet në lidhje me emërimin e Ministrit të mbrojt-jes,
– të pranohet UÇK (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) si bërthamë e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK) dhe
– mjetet e grumbulluara financiare nga populli të përdoren për qëllimet e dedikuara në çlirimin e atdheut.

Ushtarakët e Dyseldorfit plotësimin e kërkesës së tyre e lidhnin kohësisht më datën 16 maj. Mosplotësimi i saj, si thuhet, i detyronte që luftën ta bënin jashtë “institucioneve qeveritare”.[20]

Bie në sy se në kërkesën e grupit të ushtarakëve nga Dyseldorfi, krahas mospranimit të kolonel A.Krasniqit si Ministër i Mbrojtjes, pranimi i “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” si bërthamë e “Forcave të Armatosura të Kosovës” (FAK), parashihte eliminimin e Republikës së Kosovës nga emërtimi “Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës” (FARK). Kjo do të ketë ndikuar që Qe-veria e Kosovës të mos e marrë fare në shqyrtim këtë kërkesë e as t’i përgjigjet. Meqë heqja e Republikës së Kosovës nënkuptonte eliminimin e konceptit institucional nga lufta.

Letra e ushtarakëve të Dyseldorfit, shumë prej të cilëve prej kohësh nën mbikëqyrjen politike të “Lëvizjes Popullore të Kosovës”, e njohur për qëndrimin e saj radikal kundër lëvizjes institucionale dhe “Lidhjes Demokratike të Koso-vës” si bartëse e saj, paralajmëronte mospajtimin dhe kahet e kundërta të asaj, që do të kthehet në “luftë paralele”, në dëm të luftës së përbashkët.

Por, deri sa të ndodhë te kjo shkëputje, vërehet se linja institucionale, e vetë-dijshme për rrethanat dhe përgjigjen që duhej t’i jepej asaj si dhe për rolin kush-tetues që kishte (pale se kësaj i mungonte dekretimi politik), do të vazhdojë përpjekjet e gjithanshme për organizimin e luftës mbi bazat e një marrëveshjeje të përbashkët, që pasqyronte edhe qëndrimin e shumë grupeve guerile që vepro-nin të pavarura në Kosovë. Veçmas atij të Llapit me ndikim në atë pjesë, i cili vazhdonte rrugën e prijësit të saj, Zahir Pajazitit, i njohur si veprimtar i struktura-ve institucionale, i vrarë nga policia serbe afër Prishtinës, ku dyshohej se në pri-tën e venë kishin pasur dorë ata që kërkonin ajo të mos ishte e tillë.

Në përputhje me këtë qëndrim, por edhe diskonim të shumë grupeve guerile që vepronin në Kosovë, nga 23-25 maj 1998, në Oslo të Norvegjisë, do të organizohet edhe takimi i Ahmet Krasniqit me Adem Demaçin, i cili kishte marrë përsipër detyrën e zëdhënësit politik të UÇK-së. Për këtë takim ishin të interesuar të dy palët, meqë aty bëhej fjalë për faktorë kyç për kahun e mëtutje-shëm të rezistencës së armatosur, siç ishte ai ushtarak, pa të cilat nuk mund të bëhej lufta (pjesa më e madhe e të cilëve edhe më tutje lojalë ndaj linjës institut-cionale, përkundër telasheve që kishin pasur me qeverinë e Bukoshit). Dhe siç ishte edhe ai financiar, i cili po ashtu lidhej me Qeverinë e Kosovës (fjala ishte për fondin e tre përqindëshit të vjelë prej vitesh në diasporë me rreth një miliar-dë dollarë), që po ashtu i duheshin luftës.

Meqë këta dy atu gjendeshin në duart e Qeverisë së Republikës së Koso-vës, ishte e kuptueshme që “krahu i luftës” nën emblemën e “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, të hyjë në marrëveshje me “institucionistët”, gjë që kjo kërkonte edhe gatishmëri për kompromise.

Në të vërtetë, kompromiset ishin shfaqur gjatë takimit të Oslos. Burime të ndryshme bëjnë të ditur se kolonel Ahmet Krasniqi në emër të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe Adem Demaçi në emër të “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ishin pajtuar për një bashkim ushtarak të të gjitha for-cave patriotike nga ato institucionale dhe të grupeve guerile që shfaqeshin si “Ushtri Çlirimtare e Kosovës”, shumica e të cilave praktikisht ndodheshin nën drejtimin e “Lëvizjes Popullore të Kosovës”.[21]

Përmbajtja e Marrëveshjes së Oslos

Edhe pse përmbajtja e kësaj marrëveshje, për arsye “strategjike” nuk ishte botuar, bazuar në bllokun e shënimeve të kolonel Ahmet Krasniqit, po edhe nga burime të tjera të pavarura dhe disa “të tërthorta” nga UÇK, ajo përfshinte këto pika:

1). Dy subjektet ushtarake UÇK-ja dhe Ministria e Mbrojtjes bashkohen në një subjekt të përbashkët ushtarak, i cili do të quhet: ,,Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës’’(FARK)

2) Marrëveshja i njeh formacionet ushtarake që vepronin në Kosovë bashkë me komandantët e tyre si dhe me emrin me të cilin qenë zyrtarizuar në opinionin publik.

3) Subjektin e përbashkët ushtarak ,,Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës’’do ta përbëjnë këto njësi:

a) Njësitë operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.(UÇK)
b) Njësitë e Mbrojtjes Territoriale.
c) Njësitë e Aviacioni Luftarak.
ç) Njësitë e Ministrisë së Brendshme.

(Ky subjekt ushtarak do të udhëhiqet nga Shtabi i Përgjithshëm i përbërë nga përfaqësuesit e subjekteve ushtarake që janë bashkuar në FARK. Një pjesë e këtij Shtabi do të vepronte në Shqipëri dhe pjesa tjetër në Kosovë).

5) Njësitë ekzistuese që vepronin në Kosovë do të riorganizohen dhe do të forcohen me kuadro ushtarake profesionale, me qëllim të funksionimit të komandës hierarkike dhe të disiplinës ushtarake moderne.

6). Kuadri i deritashëm udhëheqës i njësive të UÇK-së do të gradohet me grada ushtarake sipas kritereve të përgjithshme ushtarake dhe propozimeve konkrete në çdo njësi ushtarake veç e veç.

7). Ndalohej politizimi i ushtrisë.

8). Komunikatat e UÇK-së nuk do të dalin në opinion pa u korrigjuar nga Komandanti i SHP të FARK-ut, kolonel Ahmet Krasniqi.

9). Opinioni nuk do të njoftohet për bashkimin e dy subjekteve ushtarake Ministrisë së Mbrojtjes dhe UÇK-së në FARK, për shkaqe strategjike dhe diplo-matike, për derisa ushtria të forcohet në atë nivel që të ishte në gjendje të kryente aksione operative, që do ta ngritnin nivelin e luftimeve nga mbrojtja në mësymje, nga lufta guerile në luftë frontale.

10). Do të funksiononin dy fondet ekzistuese, Fondi i Qeverisë së Kosovës dhe Fondi Vendlindja Thërret.

11) Të gjitha mjetet e grumbulluara në dy fondet ekzistuese do të përdoren për forcimin dhe modernizimin e njësive çlirimtare të FARK-ut.

12). Adem Demaçi mori për detyrë që të konsultohej dhe t’ia afronte dety-rën e Komandantit të Njësive të Mbrojtjes Territoriale të Kosovës ushtarakut madhor Ramadan Qehaja, dhe po qe se ai e pranon detyrën, Demaçi do ta laj-mëronte Ahmet Krasniqin.[22]

Marrëveshja e Oslos ishte një arsye e mirë që të fillohet me zotimet e dala nga kjo. Kolonel Ahmet Krasniqit, të cilit, i binte barra më e madhe e punës, urdhëroi për formimin e formacioneve materiale-teknike nga niveli i skuadrës e deri në nivel të brigadës. Organizimi i formacioneve kërkonte edhe hapjen e qendrave stërvitore në Shqipëri, të cilat u vendosën në Viçidol dhe në Papaj në Tropojë, në afërsi të kufirit me Kosovën. Jahir Zeneli caktohet komandant i Qendrës për Rekrutim, Stërvitje dhe Përgatitjen e Kuadrit Ushtarak, ndërsa Brahim Ukëhagjaj caktohet zëvendës komandant për logjistikë.[23]

Krahas ndërtimit të infrastrukturës ushtarake në afërsi të kufirit si dhe vep-rimeve të tjera për sigurimin e pajisjeve ushtarake (blerjes së armatimit jashtë), ushtarakët që morën zotimin t’i bashkohen FARK-ut e me këtë, sipas marrë-veshjes së Oslos edhe UÇK-së, si pjesë e saj operative e luftës, filluan të futen në Kosovë (në Rrafshin e Dukagjinit) për hyrjen atje të brigadave 131, 133, 134, të cilat kishin filluar të formohen në Vuçidol, që do të plotësoheshin edhe me kuadro nga Kosova. Ndër ta ishin Sali Çekaj, Rrustem Bruqi, Xajë Qela, Saim Tahiraj, Ismet Çeku e të tjerë. Kolonel Ahmet Krasniqi caktoi edhe komandantët e brigadave: Tahir Zemajn komandant të brigadës 134, Rrustem Berishën të brigadës 131 dhe Kemajl Shaqirin të brigadës 133.

Më 20 qershor 1998 në Viçidoll e Papaj, nga ana e kolonel Ahmet Krasniqit dhe stafit komandues u bë intervistimi i brigadave 131,133 dhe 134 me ç’rast, të nesërmen, u dha betimi ushtarak. Më këtë rast, kolonel Krasniqi dha urdhër që brigadat e caktuara të futen në Kosovë (në rajonin Gjocaj-Jasiq) brenda 48 orësh. Përgjegjës i këtij veprim historik u caktua kolonel Tahir Zemaj. [24]

Por, po atë ditë, që u dha urdhri që njësitë e brigadave 131, 133 e 134 të fu-ten në Kosovë, kishin filluar telashet e para të FARK-ut, që me mandatin e Qe-verisë së Republikës së Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën e Kaçanikut kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e luftës së armatosur, ku bënte pjesë edhe UÇK-ja. Kështu, Komisariati i Policisë së Tropojës kërkon nga kolonel Ah-met Krasniqi mbylljen e Qendrës për Rekrutim në Viçidol dhe Papaj. Kolonelit i bëhej me dije se fjala ishte për një urdhëresë me faks që vinte nga Fatos Nano.[25]

Meqë kolonel Krasniqi nuk kishte pranuar ta zbatojë urdhrin për mbyllje, gjatë rrugës për në Tiranë ku ishte nisur të kërkonte sqarime nga Nano, disa herë ishte sulmuar nga persona të “të panjohur”. [26]

Edhe përkundër këtyre vështirësive, kolonel Ahmet Krasniqi, në përputhje me marrëveshjen e Oslos dhe frymën e saj, kishte vazhduar organizimin e forca-ve të armatosura të Kosovës, të cilat tashmë kishin filluar të përfshihen në opera-cionet e luftës në Kosovë.

Në ndërkohë, pra nga maji deri në fund të gushtit 1998, njësitë e FARK-ut e të UÇK-së vepronin në përputhje me konceptin e luftës së përbashkët. Mbi këtë koncept ishte edhe formimi i Zonës së Tretë Operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me ç’rast njësitë luftarake të kësaj Zone do të ko-mandohen nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.[27]

Por, Shtabi i Zonës së Tretë Operative të Rrafshit të Dukagjinit nuk pati jetë të gjatë. Në këto rrethana doli në skenë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirim-tare të Kosovës, në krye me drejtuesit e saj poltikë: Hashim Thaçi, Rexhep Se-limi, Bislim Zyrapi e të tjerë, të cilët nuk e pranuan shtabin e përbashkët, me arsyetimin se Ramush Haradinaj duhej të ishte Komandant i Zonës së Tretë Operative në vend të Tahir Zemajt.

Këtë qëndrim ata e kishin demonstruar personalisht në takim me Zemajn në Jabllanicë. Aty ishin shkëmbyer fjalë të ashpra midis të dy palëve, veçmas kur nga ana e “mysafirëve” ishte bërë me dije se nuk pranohej vija institucionale. Me këtë rast ishte kërkuar që nga dokumentet të hiqej Republika e Kosovë, meqë prej tyre nuk pranohej e as që e njihnin. [28]

Kjo ndërhyrje, edhe pse në Dukagjin nuk mund të kishte pasoja të drejtpër-drejta, ngaqë ishte ofensiva e ushtrisë serbe në atë pjesë, e cila gjatë gushtit dhe shtatorit forcat e përbashkëta ushtarake i solli para disfatës me ç’rast, për t’u mbrojtur popullata nga masakrat serbe, shpëtim u kërkua nga tërheqja në Shqi-përi e të gjitha njësive, pasi që paraprakisht forcave serbe t’u jetë dorëzuar një kontingjent i madh armësh, megjithatë ajo ua hapi udhën e rrënimit të atyre që ishin arritur në përputhje me marrëveshjen e Oslos, të cilat përfundimisht u zhvlerësuan pas vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit në Tiranë.[29]

LPK merr primatin e luftës në terren

Kështu, linja institucionale, jo vetëm që humbi pozitat që kishte në organi-zimin dhe drejtimin e rezistencës së armatosur, por ajo u kthyer në një marionetë për luftën e ashpër për pushtet që zhvillohej në LPK midis rrymave të Xhavit Halitit (fraksioni i Zvirës) dhe të Ibrahim Kelmendit (fraksionit të Gjermanisë të njohur si enverist-stalinist) rreth primatit të luftës. Kjo luftë “e brendshme” e ashpër dhe me shumë prapaskena, do të fitohet nga grupi i Xh. Halitit, ku bënte pjesë H.Thaqi, K. Veseli, R. Selimi dhe të tjerë, në saje të përkrahjes nga Fatos Nano dhe socialistët shqiptarë, të cilët nga fillimi dhe në përputhje me disa ma-rrëveshje që kishin nga viti 1993 e këndej në Zvicër, ishin vu në anën e tyre dhe kundër lëvizjes institucionale të Kosovës.[30]

Që kjo të mos dukej si një puç i hapur ushtarak kundër linjës institucionale, siç ishte në të vërtetë, në të cilin mori pjesë direkt qeveria socialiste e Tiranës me infrastrukturën e gjithëmbarshme të saj policore dhe shërbimin informativ shtetëror (SHISH), me nënshkrimin e disa marrëveshjeve formale (e Tiranës për bashkëpunim ushtarak midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe SHP të UÇK-së).[31]

FARK-ut iu la një hapësirë “paralele” për aq sa t’i shfrytëzoheshin resurset e shumta njerëzore (oficerë dhe ushtarakët), të cilët mbikëqyreshin nga SHP i UÇK-së. Ndërsa Qeveria e Bukoshit “u përfill” formalisht nga shkaku i fondit të tre përqindëshit, që u vol në mënyra të ndryshme, e ku kishte keqpërdorime të shumta pikërisht pse mjetet e shumta u shpenzuan jo më në përputhje me frymën e marrëveshjeve të përbashkëta, por të kusuritjeve dhe shantazhimeve të ndrysh-me klandestine nga të dy anët.

Ndonëse, pas vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit në Tiranë, Qeveria e Bukoshit u mundua të ruajë “kursin e luftës” – duke bërë përpjekje që me ndih-mën e parasë së shumtë që e dispononte por edhe të “autoritetit gjerman” të fitojë ndikim të brendshëm në strukturat rivalizuese të UÇK-së[32] – detyrimisht iu nënshtrua plotësisht rrethanave, që dominoheshin nga SHP i UÇK-së i drejtuar nga H. Thaçi dhe Xh. Haliti, të cilët tashmë kishin fituar luftën e brendshme për pushtet në LPK në raport me grupin e Dyseldorfit (të I. Kelmendit), gjë që kjo ishte një disfatë e dyfishtë e linjës institucionale ndaj asaj jashtë-institucionale.

Kjo disfatë, megjithatë, do të mund të evitohej vetëm po qe se dr. Ibra-him Rugova, në përputhje me Kushtetutën e Kaçanikut do të merrte përsipër përgjegjësinë e luftës si dhe të drejtimin e saj si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Republikës së Kosovës. Ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës të dekretonte ligjin e luftës me të cilin, me shpalljen e mobilizimit të përgjithshëm dhe të gjendjes së luftës, pa përjashtim vente nën komandën e saj të përgjithshme njësitë e rregullta ushtarake (FARK-un), Guerilen e Republikës së Kosovës, që kishte vepruar nga vitit 1991 e tutje nën komandën e A. Jasharit, Z. Pajazitit dhe S. Çejkut si dhe ato të UÇK-së, të cilat nuk ishin tjetër pos pjesë e këtyre resurseve mbrojtëse vendore.

Fund

P.S. Libri Kosova V shitet në “Dukagjin”, “Buzuk”, në librarinë “Faik Konica”,Artin dhe të gjitha libraritë e Kosovës. Shitet edhe në tezga në shesh. Prej javësh është libri më i shitur i vendit. Brenda një muaji thuajse ka shkuar tirazhi i parë prej (1000) kompleteshsh (5000 ekzemplarë). Pritet botimi i ri.

[1] Shih: Judah: “Kosovo”, 2000, faqe 127-129;Rüb, M: “Die Geëalt kehrt im Kosovo an ihren Ursprug zurück“, FAZ, 18 qershor 1997; Reuter: „Zur Geschichte der UÇK“ te Cleving/Reuter (Hg) “Der Kosovo-Konflikt”, 2001, faqe 172.

[2] Shënim i gazetës “Frankfureter Allgemeine Zeitung”, më 22 gusht 1998.

[3] Rreth luftës së përbashkët në Dukagjin midis njësive të FAK-ut dhe atyre të UÇK-së si dhe përçarjeve që do t’i dalin asaj shih: Mehmeti, Agim: “E vërteta për FARKU-un”, Prishtinë 2012, faqe 134-135; Hamzaj, Bardh: “Paqja e Gjeneralit – dialog me Ramush Haradinajn”, 2001, “Kështu fliste Tahir Zemaj”, Baze, Mero:“Shqipëria dhe lufta në Kosovë”,1999, Gashi, Bedri: “Në altarin e lirisë”, 2006, si dhe “Raportin e punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës 1991-1999” parashtruar Kuvendit të Kosovës, janar 2000.

[4] Mehmeti, Agim: “E vërteta për FARK-un”, Prishtinë 2014, faqe 134-135.

[5] Burgosja e gjeneral Hajzer Hajzerit u bë vetëm disa ditë pasi që ai, të jetë kthyer në Kosovë nga një qëndrim njëmuajsh në RF të Gjermanisë si mysafir i Bundesëerit gjerman. Në këtë vizitë informative, të organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me ushtarakët e Bundesëerit, mësohet se ishte biseduar rreth organizimit të mbrojtjes territoriale në përputhje me konceptin kushtetues, të cilin kishte filluar ta përgatiste Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, e ku do të përfshiheshin që të gjitha resurset ushtarake të Kosovës nga radhët e APJ-së. (Shih: Buxho-vi, Jusuf: “Kthesa historike 2 – shteti paralel dhe rezistenca e armatosur”, Prishtinë 2009, faqe 232)

[6] Mehmeti, Agim: “E vërteta për FARK-un”, Prishtinë 2014, faqe 26-27.

[7] Shih Pettifer, James: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, Tiranë 2013, faqe 127-136.

[8] Shih: Mehmeti, Agim:”E vërteta për FARK-un”, Prishtinë 2014, faqe 29-30; Jashari, Shefqet-Strofci: “Pse jemi kështu siç jemi”, Prishtinë 2002, faqe 200-204.

[9] Mehmeti, Agim: “E vërteta për FARK-un”, Prishtinë 2014, faqe 52-62.

[10] Në këtë mbledhje kishin marrë pjesë ushtarakët: Agim Mehmeti, Hilmi Nebihi, Jahir Hyseni, Ismet Ibrahimi, Bajram Syla, Zymer Tahiri, Agim Maloku, Selver Nuhiu, Arsim Sadria dhe Sha-ban Shkreli. Nga Gjermania kishte marrë pjesë Sali Veseli, ndërsa nga Kroacia Ahmet Krasniqi.

[11] Mehmeti, Agim: “E vërteta për FARK-un”, Prishtinë 2014, faqe 68.

[12] Shih materialin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 5-4/2-98 me shifrën “tepër sekret”, në të cilin krahas emërimit të kolonel Ahmet Hajriz Krasniqit Komandant i Shtabit të Përgjith-shëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, me Urdhëresë 3/98 emëroi edhe eprorët e Shtabit të Përgjithshëm të FA të RK, në të cilin hynin: kapitenët e klasit të parë: Agim Ahmeti, Jahir Hyseni, Ismet Ibrahimi, Enver Basholli dhe Ahmet Kukolaj si dhe togeri i aviacionit Shaban Shkreli dhe majori rezervë Selim Rrahmanaj.

[13] Po aty.

[14] Po aty, faqe 99-100.

[15] Mehmeti, Agim: “E vërteta për FARK-un”, Prishtinë 2014, faqe 82.

[16] Po aty.

[17] Jashari, Shefqet – Strofci: “Pse jemi kështu siç jemi”, Prishtinë 2002, faqe 176-180.

[18] Mehmeti, Agim: “E vërteta për FARK-un”, Prishtinë 2014, faqe 82.

[19] Po aty.

[20] Shih faksimilen e letrës së Grupit të ushtarakëve të Dyseldorfit te Mehmeti, Agim: “E vërteta për FARK-un”, Prishtinë 2014, faqe 204.

[21] Në takimin e Oslos nga 23-25 maj 1998 midis kolonel Ahmet Krasniqit dhe Adem Demaçit kishte marrë pjesë, në anën e delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës edhe ushtaraku Agim Mehmeti, ndërsa në anën e Demaçit, përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Xhavit Haliti dhe Shaban Muja. Ky i fundit ishte në lidhje familjare me kolonel Ahmet Krasniqin (dajë-nip), gjë që do të marrë përsipër strehimin dhe sigurimin e kolonelit gjatë qëndri-mit në Tiranë.

[22] Mehmeti, Agim: “E vërteta për FARK-un”, Prishtinë 2014, faqe 107-112; Jashari, Shefqet-Strovci “Pse jemi kështu siç jemi”, Prishtinë 2002, faqe 180-183.

[23] Po aty, faqe 122.

[24] Teksti i Betimit ushtarak, i dekretuar nga Ministria e Mbrotjes e Republikës së Kosovës si dhe Forcat e Armatosura: “Unë, ushtar i popullit BETOHEM në emër të ATDHEUT dhe KUSHTE-TUTËS, përpara ZOTIT dhe FLAMURIT kombëtar, se do të jem besnik dhe i pakursyer në luftën për çlirimin e Kosovës, kundër pushtuesit dhe tradhtarëve të vendit, deri në pikën e fundit të gja-kut tim. Do të jem ushtar i bindur dhe i disiplinuar, dhe do të zbatoj me korrektësi urdhrat dhe de-tyrat e komandave eprore që lidhen me luftën çlirimtare, ushtrinë dhe sekretin ushtarak. BETO-HEM!”

[25] Biermann, Rafael: “Lehrjahre im Kosovo”, 2006, faqe 537.

[26] Mehmeti, Agim: “E vërteta për FARK-un”, Prishtinë 2014, faqe 127; Jashari, Shefqet-Strovci: “Pse jemi kështu sië jemi”, Prishtinë 2002, faqe 176-182.

[27] Zona e Tretë Operative e UÇK-së u formua më 04.07.1998. Ndërsa Shtabi i Zonës së Tretë Operative të Rrafshit të Dukagjinit u krijua më 20-21 gusht 1998. Shtabi i saj u formua nga oficerët e njësive operative të UÇK-së, brigadave 131, 133 dhe 134 dhe të njësive të komanduara nga Ramush Haradinaj. Tahir Zemaj u caktua komandant i shtabit, ndërsa Ramush Haradinaj u caktua zëvendëskomandant. Kryeshef i Shtabit Operativ u caktua Nazif Ramabaja, ndërsa ndih-mës komandant për sigurim u caktua Idriz Elezaj. (Shih: Ahmetaj, Arbër-Krasniqi Sefedin: “Kështu foli Tahir Zemaj”,2001, faqe80-83.)

[28] Shih: Ahmetaj, A-Krasniqi, S: “Kështu foli Tahir Zemaj”, 2001, faqe 93-96.

[29] Kolonel Ahmet Krasniqi u vra në Tiranë më 21 shtator 1998 në orët e natës, kur po kthehej nga një takim që kishte me disa nga ushtarakët, me të cilët po shqyrtoheshin përgatitjet për futjen e tri brigadave të tjera në Kosovë, të cilat do të inkuadroheshin në luftë kundër forcave serbe në Dukagjin si dhe për kalimin e një pjese të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Mbrojtëse të Re-publikës së Kosovës në pjesën e kufirit në mënyrë, që prej andej të drejtohej lufta në Kosovë. Persona të maskuar, kishin ndalur veturën në të cilën ndodhej kolonel Krasniqi dhe pasi që ai ishte nxjerrë jashtë, kishin hedhur breshëri plumbash mbi të. Qeveria shqiptare, jo vetëm që nuk e kishte marrë në mrojtje kolonel Krasniqin, por, me veprimet e bëra kohëve të fundit (bastisjet e shtabit të Ministrisë së Mbrojtjes, çarmatosja e truprojave të kolonel Krasniqit dhe masat e tjera me të cilat atyre u rrezikohej siguria), kishte përgatitur terrenin, që atentatorët të mos hasin në kurrfarë vështirësish gjatë kryerjes së vrasjes. Të kësaj natyre ishin edhe hetimet shkel e shko të shtetit shqiptar, të zvarritura për vite, që nuk dhanë kurrfarë rezultati. Pas vrasjes së Kolonel Ahmet Krasniqit, kryeministri Bujar Bukoshi, caktoi kolonel Halil Bicajn në këtë post, me çka, praktikisht, FARK-u, jo vetëm që u margjinalizua nga ana e UÇK-së, por u kthye edhe në palë kundërshtare me pasoja të rënda për luftën dhe për paqen.

[30] Më gjerësisht shih: Kelmendi, Muhamet: “Pse nuk u ndërtua Froni për çlirimin e Kosovës”, Prishtinë; Jashari, Shefqet-Strofi: “Pse jemi kështu siç jemi”, Prishtinë 2002, faqe 222-225.

[31] Marrëveshja e Tiranës midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe SHP të UÇK-së ishte një përpjekje e Bukoshit që me anën e një bashkëpunimi me I. Kelmendin dhe grupin e ushtarakëve të Dysel-dorfit, që e mbikëqyrte ai, të depërtonte në kreun e SHP të UÇK-së në mënyrë që “ta merrte nga brenda”. Por, kjo u vërejt nga H. Thaçi dhe mentorët e tij, kështu që pas disa ditësh në Cyrih, e shpalli të pavlefshëm këtë marrëveshje. Me këtë rast, Thaçi, ia ndërroi emrin brigadës 142 të FARK-ut me arsyetimin se gjendej diku në Kosovë një brigadë me të njëjtin numër. Kështu që, kuadrin komandues dhe ushtarë e brigadës i ndau nëpër brigada të tjera. Ndërsa komandant “Drinin” e caktoi Komandant të Zonës Operative të Pashtrikut në vend të Sylejman Kollçakut, i cili kishte vendimin paraprak të firmosur nga Xh. Haliti dhe H. Bicaj. Kollçaku, pranoi detyrën e zëvendës komandantit të Zonës Operative të Pashtrikut. (Shih: Jashari, Shefqet-Strofci: “Pse jemi kështu siç jemi”, Prishtinë 2002, faqe 208-209)

[32] Kur flitet “për autoritetin gjerman” të Bukoshit, kihet parasysh “rezidimi” i tij në Gjermani me tretmanin e “veprimtarit politik” që ai e gëzonte si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës dhe madje në forma të ndryshme, u ndihmua dhe u mbajt nën mbikëqyrje në përputhje me logjikën e politi-kës pa luftë dhe të luftës pa politikë. Nga shumë burime bëhet e ditur se nga viti 1996, sektorë të caktuara të Shërbimit Informativ Gjerman (BND) si dhe atij ushtarak (MAD) kanë marrë pjesë në ushtrimin e grupeve të UÇK-së dhe të përgatitjes së tyre për rezistencë të armatosur. “Hoë Ger-many backe KLA”, thuhej në një shkrim të gazetës “The European” të 21 shtatorit 1998, ku shihet se diplomacia gjermane në mënyrë diskrete po përkrah UÇK-në. Autori Roger Fallgot këtë përkrahje e lidh me emërimin e Hansjörg Geiger shef të BND-së në vitin 1996, i cili si prioritet kishte caktuar krijimin e një shërbimi gjerman në Shqipëri që do të merrej me ushtrimin e UÇK-së. Thuhet se në Tiranë, Geiger dërgoi disa oficerë nga radhët e forcave speciale të Bundesverit (KSK), të cilët morën pjesë në trajnimin e rebelëve shqiptarë. Përfshirjen e shërbimit informativ gjerman BND në pjesët e ish Jugosllavisë (Kroaci dhe Kosovë) e vërteton edhe Erich Schmid-Enboom në librin “Der Schattenkrirg: Klaus Kinkel und fer NBD”, Dyseldof. Për publicistin e njohur gjerman Boris Kalnok, Bujar Bukoshi ishte “shef i njëmend i UÇK-së”, që jo vetëm për nga financat që derdhte për grupet e caktuara, po edhe për nga përpjekjet që bënte politikisht ta drejtojë nga prapa. (Shih: “Die Ëelt”, 15 korrik 1998). Në kuadër të këtyre njohtimeve, vëmendje të posaçme meritojnë ato në të cilat thuhet se BND vazhdimisht e ka pasur pranë Bukoshin dhe e ka përkrahur në përputhje me interesat gjermane, siç është përkrahur edhe “linja gjermane” e LPK-së, me të cilët thuhet se Bukoshi ka qenë i udhëzuar të bashkëpunojë vazhdimisht. Me këtë rast thuhet se BND gjermane, nga mesi i vitit 1998 e këndej, ka vepruar konkretisht që nëpërmes Bukoshit, “linja gjermane” e LPK-së, të luftojë që ajo të fitojë primatin në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që të mos dominohej nga “linja franceze” (Hashim Thaçi). Disa burime gjermane bëjnë të ditur se rivaliteti midis shërbimit informativ gjerman BND dhe atij francez për dominimin e kreut të UÇK-së, kishte përfunduar me “një kompromis”, të imponuar nga ameri-kanët dhe britanikët, të cilët gjeneral A. Çekun, e kishin emëruar komandant të UÇK-së, ndër-kohë që H, Thaçi me Xh. Halitin kishin marrë anën e Uashingtonit. (Më gjerësisht shih: Küntzel, Matthias: “Der Ëeg in den Krieg“, Berlin, 2000; Binder, David: „Ëo schon vier Grossmächte sich di Finger Verbranten“, in: „Blätter für deutsche und internationale Politik“, April 1999, faqe 424).