URREJTJA PËR KOMUNIZMIN ËSHTË KTHYER NË URREJTJE PËR SHTETIN, URREJTJE SOCIALE E FETARE, URREJTJE PËR RENDIN E LIGJIN…

0
532
Arben Çokaj - pikturë

DIKOTOMIA SHQIPTARE 6

Arben Çokaj

Në bisedë me një katolik shqiptar, shkodran, profesor në Romë, ai thotë se “mua më intereson vetëm pjesa e aktivitetit të katolikëve…” Mbahet për i djathtë, e për atdheun, a mendon ai? Por kur fliste për vitet e shkollës, në kohën e komunizmit, kuptohet, ai fliste me respekt për mësuesit e tij, që kultivuan tek ai dashurinë për dijen. Sot mësuesit e pedagogët nuk janë të njëjtë pra, me përjashtim të ndonjërit, që e quajnë “idealist”.

Në bisedë me Giorgon, ai shpalos një patos të madh kulturor, ku nuk mungojnë as parabolat irracionale, si prirje artistike. I shkolluar në Graz, por me punë në Vjenë, Giorgo i kujton me respekt vitet e shkollës së tij në kohën e komunizmit në Shkodër… kur kishte miqësi të mirë edhe me nxënësit e tjerë muslimanë… sot kjo miqësi e harmoni sikur është acaruar pak pra… E kush e ka fajin?! Sipas tij “njeriu i ri”… Po njeriu i ri, a nuk ishte në atë kohë Giorgo, kur ti shkoje mirë me shokët muslimanë të shkollës a?!

Agustini – një katolik i pa krezmuar… 😛 por me origjinë familje katolike kujton kohën kur kreu shkollën në kohën e komunizmit, “isha i vetmi katolik në shkollë në një mjedis të dominuar me nxënës muslimanë… por ia kam kaluar super”, thotë. Për habi, sqaron ai, sot as për vit të ri nuk mund t’i uroj shokët e dikurshëm, se “jemi muslimanë”, më thonë, “mos na e uro vitin e ri!” Ec e merre vesh tani! E kush e ka fajin? “Njeriu i ri” – thotë Giorgo. Po njeriu i ri, a ishte more në kohën e komunizmit?! Po shihet se sot ekziston edhe e drejta me ia futë kot…

Të rrimë shtrembër e të flasim drejtë. Të mos shkretojmë. Komunizmi i kishte të metat e veta, i bëri edhe krimet e veta, por të mos e akuzojmë për gjithçka, se fluturojmë me pras, pastaj, dalim komplet jashtë realitetit.

Nëse në kohën e komunizmit dikush vidhte një karabush e dënohej, nuk mundet me thanë kush me bindje, se sot këta që po vjedhin miliona janë bijtë e etërve. Se mundesh me qenë bir i etërve, por kur nuk vidhje në atë kohë, nuk është tipar i komunizmit me vjedhë as sot… se je duke ia futë kot!