URIME PËRVJETORI 12 SHKFMU “DESTAN BAJRAKTARI” SUHAREKË (THERANDË) – 17 PRILL – 2021

0
352
Destan Bajraktari
  • MENDIMET E DISA FIGURAVE TË SHQUARA KOMBËTARE PËR ATDHETARIN, PROF, FOLKLORISTIN DHE POETIN – DESTAN BAJRAKTARI

(Nga libri: “DESTAN BAJRAKTARI FOLKLORIST, LETRAR DHE ATDHETAR” (2009) – Naxhije Doçi

  1. Adem Demaçi:

DESTAN BAJRAKTARI-ATDHETAR I KULLUAR

Kujtime për shokun besnik. Në Kazamatin e Sremska Mitrovicës, midis anëtarëve të grupit patriotik, të grupit të NDSH të udhëhequr nga mësuesi im i dikurshëm, Luigj Nikolla, shquhej DESTAN BAJRAKTARI, një burrë shpatullgjerë dhe me sy të zgjuar. Të gjithë ishin të dashur dhe të flaktë për lirinë e Kosovës, por Destani sikur dallohej nga të tjerët. Ishte një intelektual i fortë dhe e njihte fortë mirë historinë tonë, historinë e popullit shqiptar, mirëpo atë të krahut të Dukagjinit e posaçërisht atë të rrethinës së Therandës e njihte hollësisht. Fliste për historinë e trimave të familjes së tij dhe të rrethinës së vet, që si luftëtarë, por edhe si prijetarë kishin bërë luftra të pandalura nëpër mote për liri të tokave shqiptare.  Edhe trimëritë e burrave të Kabashit i merrte shpesh nëpër gojë.

Ata që kanë qenë nëpër burgje e dinë mirë, ndërsa ata që nuk kanë qenë nuk e dinë, se të burgosurit shqiptarë prore rrinin grupe-grupe, prandaj shumë rrallë mund të shihje vetëm dy vetë bashkë, ose një njeri duke shëtitur vetëm. Edhe mua me Destanin rrallë më binte të shetisnim ndaras nga të tjerët. Kur ishim ndaras ai gjithnjë më thërriste mjeshtër. Nuk e di përse, por edhe mua si i ri që isha më kandej që dikush të më thërriste mjeshtër, prandaj nuk ia prishja. Një ditë kur mbetëm vetëm m’i nguli sytë e gështenjtë dhe më tha:

– Mjeshtër, ne nuk guxojmë ta lëmë me kaq… – Nuk guxojmë ta lëmë me kaq, mirëpo a guxojmë ta vazhdojmë dhe si?- i thashë.
– Si të dijmë e si të mundemi- më tha, duke lëmuar mustakët e verdhë.
Pasi që e kapa për dore e e shikova drejt në sy, i thashë:
– A nuk të dhimbsen fëmijët a?

– Më dhimbsen fëmijët, mirëpo Kosova më dhimbset më shumë se të gjithë…
Ia shtrëngova dorën fort, por nuk e çela gojën. Destani u përflak e më tha si me qortim:
– Po ti, a nuk pate dhimbsuri për nënën që e le vetëm?

Unë nuk i përmbajta lotët. Destani u bë sikur nuk shihte e vazhdoi:
– Kosova është e të gjithëve, por edhe obligimet ndaj saj na takojnë të gjithëve”…

Këto fjalë të Destan Bajraktarit, në vend m’i thanë lotët. E përqafova fort dhe i pëshpërita në vesh: – Unë e di se nuk do ta lë me kaq, por nuk e di se cilët do të vijnë pas meje”?

– Mua me gjithë Bajraktarët e Therandës do të më kesh mbrapa”…

  1. Vahid Kabashi – Prizren:

SHOKU DHE MIKU IM ATDHETAR – DESTAN BAJRAKTARI

Shoku dhe miku im atdhetar, Destan Bajraktari ishte shumë energjik dhe shumë i përkushtuar për Kosovën dhe për lirinë e saj nga robëria serbe.

Destan Bajraktarin e kam njohur herët, më parë si të Familjes atdhetare Bajraktari të Therandës dhe si një të ri të shkolluar, se nuk ishin dhe ku me ditë se sa të shumtë intelektualët në atë kohë, në Kosovë. Më vonë, pasi hyra në punë si mësimdhënës në Suharekë e kam njohur si shok dhe si bashkëpunëtor të përkushtuar të vlerave kombëtare, arsimore, si edhe për vlerat e tij të mëvonshme folklorike e shkrimore.

Në shkollën e Suharekës dhe përgjithësisht në Suharekë ishte gjendje tepër e rëndë nën pushtuesin serbe. Njerëzit rraheshin e maltretoheshin ku gjendeshin dhe kjo kishte filluar t’i iritonte më të madhe disa prej mësimdhënësve të shkollës. Këta mësimdhënës ishin: Luigj Nikolla, Destan Bajraktari, Vehbi Kabashi, Jashar Bajraktari dhe unë Vahid Kabashi, që e formuam edhe grupin e Nacional Demokratikës Shqiptare, në Suharekë. Filluam që të takoheshin shpesh për të biseduar si ta vetdijesonin popullatën për gjendjen në të cilën jetonte.

Takimet tona si NDSH-istë të shumtën i bënim në shtëpi të Destanit, apo si thonin vendësit në Kullën e Bajraktarit të Suharekës. Shtëpia e tij ishte gjithëherë e hapur dhe mikëpritëse për shokë e miq, që cak primar në jetë kishin lirinë e Kosovës dhe të shqiptarisë. Ishte shumë interesant në atë familje, sa shumë e vlerësonin njëri – tjetrin, nga se në çdo ndejë të organizuar të gjithë vëllezërit dhe kushërinjtë do t’i shihje përherë tok. Vendlindja ime, Korisha kishte pasur vazhdimisht raporte të mira me Familjen Bajraktari të Suharekës, se Kabashi e Korisha ishin përherë në Bajrakun e Suharekës.

  1. Dr. Enver Mehmeti -Recenzent

VLERËSIM PËR VEPRËN “FJALË TË URTA DHE THËNIE POPULLORE
SHQIPE” TË AUTORIT DESTAN BAJRAKTARI

Libri “Fjalë të urta dhe thënie popullore shqipe” të autorit, Destan Bajraktari është libri më voluminoz dhe më i pasuri se e gjithë lënda e traditës sonë folklorike, që është regjistruar e publikuar që nga koha e Frano Bardhit (1635), që ka vazhduar gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe deri në ditët e sotme”. Libri “Fjalë të urta dhe thënie popullore shqipe” ka 596 faqe dhe nuk besoj që edhe ndokush tjetër t’ia ketë dhuruar popullit të vet një material kaq të madh dhe kaq të vlefshëm. Prof. dr. Enver Mehmeti. Përmbledhjen “Fjalë të urta dhe thënie popullore shqipe” është libri më voluminoz i këtij lloji i botuar në Kosovë, e ndoshta edhe më voluminozi edhe në shumë vende të tjera të botës. Libri përfshin 45.525 njësi folklorike, të shënuara vetëm nga një njeri.

Ky libër u përgatit për shtyp për një kohë të gjatë në saje të punës së madhe, të mundimshme e vetëmohuese të autorit. Autori ka filluar të merret me shënimin e folklorit burimor që nga vitet pesëdhjetë. Punës ia filloi së pari në vendlindje, në Suharekë dhe në rrethinën e saj, për të vazhduar më vonë gati në të gjitha trojet etnike shqiptare nën ish-Jugosllavinë. Me të drejtë mund të konstatohet se Destan Bajraktari i takon plejadës së parë të folkloristëve shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore. Lëndën e përfshirë në këtë përmbledhje autori pat filluar ta shënojë diku në vitin 1964, pas kthimit nga burgu. Kjo përmbledhje është vepër madhore e kulturës shpirtërore të popullit shqiptar, që ngërthen vlera të çmueshme letrare, artisitike, gjuhësore, etnografike, etike e filozofike.

Sasia e madhe e një materiali kaq të vlefshëm të krijimtarive të shkrutra, por kuptimisht të dendura të krijimtarisë gojore, që autori ka arritur ta përfshijë në këtë koleksion, të habit e të admiron. Këtë material folklorik, që vështirë se do të mund ta regjistronte një ekip i tërë në kushtet më normale të punës, e voli Destan Bajraktari, falë vetëm përkushtimit të tij të madh. Ky material është më volimunoz e më i pasur se e gjithë lënda e traditës folklorike, që është regjistruar e publikuar që nga koha e Frano Bardhit (1635), ka vazhduar gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare e deri në ditët e sotme.

  1. Dr. Zymer Neziri:

PËRMBLEDHJA “KËNGË POPULLORE VAJZASH” – Destan Bajraktari

Vëllimi «Këngë popullore vajzash», i mbledhësit të njohur Destan Bajraktari, është vepër me rëndësi të veçantë. Është botim i rrallë i lirikës sonë popullore, i shënuar në një katund të vetëm. Këngët janë mbledhur në Krushopek të Shkupit. Vëllimit ia shton rëndësinë edhe koha e mbledhjes së tyre. Mosha e dorëshkrimit është e viteve ’60 të shekullit që shkoi. Mbledhësi Destan Bajraktari, njëri ndër më të njohurit ndër ne në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar për vjeljen e fjalëve të urta, me këtë vëllim këngësh popullore lirike, të kënduara nga vajzat e Kushopekut të Shkupit, do t’i gëzojë studiuesit e poezisë sonë popullore dhe lexuesit jo vetëm në Shkup, po edhe në Tiranë, në Prishtinë dhe gjetiu me vlerat artistike të kësaj krijimtarie lirike të popullit tonë.

  1. Haxhi Salih Zyba:

DESTAN BAJRAKTARI UDHËRRËFYES PËR ARSIMIM TË
GJENERATAVE TË REJA NË TREVËN E VET DHE MË GJERË

Destan Bajraktari ishte profesor atdhetar me pikëpamje shumë të hapura kundër Serbisë pushtuese, në Kosovë. Ishte njeri i sinqertë dhe formimi intelektual e atdhetar i tij ishte shembulli më i mirë, si të vepronin në jetë gjeneratat e reja të trevës së tij dhe më gjerë. Qindra djem e vajza të trevës së Suharekës ishin nisur në klasë të parë nën ndikimin e Destan Bajraktarit. Për angazhimin e tij në përfshirje të gjeneratës së re shqiptare të vendlindjes së vet, për t’u shkolluar kishte patur vërejtje të shumta nga Komiteti dhe nga Fronti Popullor i pasluftës së Dytë Botërore. Bile disa udhëheqës shqiptarë edhe e kishin këqyrë me sy të keq, pse ky njeri po i bind fëmijët shqiptarë për të shkuar në shkollë.

Destani i çmonte shumë njerëzit e sinqertë dhe kurrë nuk i ndante në njerëz të shkolluar e të pashkolluar. Nuk mundej t’i kuptonte dhe t’i toleronte kurrqysh njerëzit që manifestonin dyftyrësi, si edhe njerëzit që ishin djallëzorë e dinakë. Shumë herë ishte përpjekur të gjente mënyra të afërta dhe të përshtatshme që t’i vetëdijesonte të mashtruarit që i njihte, se dëshironte t’i kthente kah vetja dhe vendi i tyre, që të mos turpëroheshin brezat me ta. Ata që nuk e dëgjonin, ndinte keqardhjen të madhe për ndërgjegjet dhe etikën e tyre të përdhosur nga të huajt, që ia shkelnin pragun e derës.

-Përshtypja dhe emocioni më i madh në jetën time rinore, që nuk do ta harroj kurrë, është kur e kam parë për herë të parë me sytë e mij flamurin shqiptar në bibliotekën e Destan Bajraktarit, në vitin 1955. Isha fëmijë 12-13 vjeçar atëherë kur e pash flamurin tonë Kuq e Zi, se unë mësimin e bëja në shkollën fillore të Therandës dhe gjatë stinës së ftohtë të dimrit dhe të vjeshtës së vonë rrija krejtësisht në Therandë, në shtëpinë e Destan Bajraktarit. Ishte vetë kërkesa dhe dëshira e familjes së Destanit, që të rrija, se dëshironin të më ndihmonin që të shkollohesha. Si unë rrinin edhe disa nxënës të tjerë, që udhëtoni nga fshatrat e largëta.

  1. Jashar Bajraktari:

AKTIVITETI POLITIK I DESTAN BAJRAKTARIT

Destan Bajraktari është krijues letrar që nga koha kur ishte nxënës në Normalen e Gjakovës dhe mësimdhënës i përkushtuar për arsimimin e popullit të vet. Destan Bajraktari ishte edhe mbledhës i dëshmuar i folklorit burimor shqiptar. Aktiviteti i mirëfilltë politik i Destanit nisi kur hyri mësimdhënës në Therandë, në vitin 1950. Në atë kohë ai ishte një intelektual shumë i formuar, që i kuptonte dhe analizonte mirë situatat e rënda politike në Kosovë. Vërente se në Therandë njerëzit maltretoheshin, burgoseshin, por edhe vriteshin edhe  për një fjalë goje.

Gjithkah nëpër Kosovë mbretëronte një ngulfatje, që ta zinte frymëmarrjen, secilën ditë e më shumë. Një gjendje e tillë politike dhe ekonomike kishte filluar që ta iritonte më të madhe edhe Destanin. Në vitin 1958 inkuadrohet në Nacional Demokratikën Shqiptare, që në Suharekë i thonin edhe NDSH-ja e Suharekës. Angazhimet në aktivitetete politike ishin edhe më të hershme në familjen Bajraktari të Therandës. Ky Grup kishte bërë që Suhareka e atëhershme të përmendej në shtypin e kohës si vend i nacionalizmës shqiptare.

  1. Dr. Kajtaz Rrecaj:

        Destan Bajraktari atdhetar i përkushtuar dhe profesor, folkloristi më i dalluar i kohës, poet i përmasave të mëdha dhe pajtimtar i hasmërive dhe i gjaqeve ndër shqiptarë. Destan Bajraktari shkruante poezi aty për aty, se ashtu i lindnin frymëzimet.

  1. Dr. Mehmet Halimi:

Emrin e Destan Bajraktarit meritojnë ta mbajnë shkollat, bibliotekat, klubet dhe shoqatat shqiptare, sepse ai u dogj dhe u shkri si qiriri për kulturën dhe traditat kombëtare shqiptare.. Destan Bajraktari ishte arsimdashës e atdhedashës i madh, ishte folklorist i pasionuar, si edhe një intelektual i mirëfilltë e largpamës. Si i këtillë meriton të kujtohet, të nderohet e të çmohet gjithmonë me pietet të lartë. Ai me veprimtarinë e vet patriotike dhe krijuese e fitoi përjetësinë.

  1. Gezim-Ylbere Troshani

Unë jam Gëzim Troshani nga Shkodra, avokat në Tiranë. Jam djali i mësuesit Hilmi Duli (Rraxhimi) nga Shkodra, që në vitët 1941-1943 kishte qenë mësues në Suharekë të Kosovës. Na tregonte babai, se në vitet e përmendura Ministri i Arsimit të Shqipërisë, Z. Ernest Koliqi i kishte dërguar në Kosovë shumë mësues shqiptarë nga Shqipëria, për t’i mësuar në shkollat e Kosovës, në gjuhën shqipe nxënësit shqiptarë. Në mesin e më se 300 mësuesve të dërguar në Kosovë, kishte qenë edhe babai ynë, Himi Duli (Rraxhimi).

MIRËNJOHJE nga Familja e babait tonë – HILMI Duli
(Rraxhimi për Profesorin- DESTAN BAJRAKTARI

Nderim dhe respekt të veçantë për profesorin e nderuar Z. Destan Bajraktari nga Suhareka (Theranda) e Kosovës, për atdhrdashurinë e madhe të tij për Kosovën e tij të dashur, si edhe për krejt shqiptarinë. Nderim deri në pakrahasim për kontributin e çmuar të profesorit, Destan Bajraktari në lëmin e arsimimit për popullin shqiptar të Kosovaës, si edhe si folklorist dhe si poet shumë i çmuar. Për të gjitha kontributet kombëtare të Destan Bajraktarit nga Suhareka (Theranda) e Kosovës, një Mirënjohje për të vjen Shkodra, nga familja e babait tonë, HILMI DULI (RRAXHIMI). Kjo MIRËNJOHJE ndahet nga se Z. Destan Bajraktari ka qënë nxënës i babit tonë, Hilmi Duli (Rraxhimi). Për periudhën sa kishte shërbyer babai ynë në drejtimin e hapjes së shkollave shqipe në Kosovë, fliste me shumë repekt e dashuri për ata nxënës, si edhe për krejt popullin shqiptar të Kosovës.

Mësuesi HILMI DULI (Rraxhimi) nga Shkodra i shkruan letër
DESTAN BAJRAKTARIT nga Suhareka e Kosovës

Destan Bajraktari shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Therandë dhe ishte ndër nxënësit më të dalluar të gjeneratës së vet dhe në tërë shkollën. Ishin kohë të rënda nën pushtuesin serb, në kohën e fëmijërisë së Destanit dhe në shkollat që egzistonin mësohej vetëm në gjuhën serbe. Katër klasët e shkollës fillore i ka të kryera të shumtën në gjuhën serbe, se kishte qenë vendim i parisë shqiptare të Therandës, që të shkolloheshin fëmijët shqiptarë pa marrë parasysh se në çfarë gjuhe do të mësonin dhe me çfarë vështirësish do të ballafaqoheshin. Ishte më se e nevojshme që të dilnin shqiptarë të shkolluar në ato kohë.

Në klasë të katërt, gjatë vitit shkollor 1941-1942, Destan Bajraktari ka mësuar edhe në gjuhën shqipe, se në këtë kohë ishin hapur shkollat e para shqipe në tërë Kosovën. I kishin thënë atëherë edhe “Kohë e Shipnisë”, dhe sipas informatorëve kjo kishte qenë koha më e mirë deri atëherë për shqiptarët e Kosovës. Qeveria e atëhershme shqiptare në krye me Ernest Koliqin i kishte sjellë shumë mësues shqiptarë nga Shqipëria për shkollat e hapura shqipe në Kosovë. Destanin në klasë të katërt e kishte mësuar mësuesi Hilmi Duli-Rraxhimi nga Shkodra, për të cilin kishte pasur një dashuri dhe një respekt të pakrahasueshëm për të.

Më vonë, pas gjysmë shekulli mësuesi Hilmi Duli, më 13. 10. 1992, do ta kujtojë dhe do t’i shkruajë letër nxënësit të tij shumë të dashur dhe tepër inteligjent, Destan Bajraktarit nga Suhareka e Kosovës. Më herët as që kishte pasur mundësi që të shkëmbeheshin letra, apo diçka tjetër me Shqipërinë, se kufiri i saj me Kosovën ishte i mbyllur me hekura me gjemba, në ndalim të kontakteve njerëzore dhe të çdo gjëje tjetër të mundshme për bashkëpunim brenda shqiptar.

LETRA E DESTAN BAJRAKTARIT PËR MËSUESIN
HILMI DULI (Rraxhimi) NGA SHKODRA

Edhe Destan Bajraktari më 17. 11. 1992 i shkruan letër mësuesit të tij shumë të çmuar, Hilmi Dulit, ku i përgjigjet për çdo gjë që e kishte pyetur ai në letër, për jetën e tij dhe të familjes, si edhe për shumë detaje për fatin e gjeneratës shkollore 1941-1942, se ku gjendeshin ish nxënsit e tij, si edhe a ishin të gjallë. Do t’i shkruajë Destani mësuesit të tij edhe për gëzimin e madh që kishte përjetuar, kur e kishte marrë letrën e tij, të cilën e kishte lexuar tri herë dhe që ua kishte dhënë edhe të gjithë anëtarëve të familjes që ta lexojnë.

Destani i kishte treguar mësuesit Hilmi në letër se Suhareka nuk është më ajo që e kishte lënë ai në vitin 1942. Ajo tash është shndërruar në një qytezë me një bujqësi dhe industri shumë të përparuar. Përparim i madh është bërë edhe në shkollim. I kishte treguar edhe se në komunë të Suharekës tash gati në çdo fshat ka shkollë tetëvjeçare dhe është edhe një shkollë e mesme, me disa paralele të ndara në fshatrat më të mëdha. I shkruan edhe se shkolla e vjetër në Suharekë është ngritur edhe një kat dhe se janë ndërtuar edhe tri shkolla të tjera me shumë klasa dhe salla;

Letra e D. Bajraktarit dërguar mësuesit të tij Hilmi Dulit në Shkodër

Destani në letër ia kujton mësuesit të tij ndër të tjera edhe qortimin, kur e kishte luajtur rolin e vajzës, në dramën “Amë e bijë” të Vinçenc Prenushit, që ishte mbajtur në oborr të shkollës fillore dhe që kishte qenë atëherë shfaqja e parë në gjuhën shqipe në Suharekë. Rolin e së ëmës (nënës) e kishte luajtur shoku i ngushtë i Destanit, Raif Gafurr Kabashi. Sipas Destanit kjo shfaqje ishte shfaqur edhe në Prizren, më 28 Nëntor 1941 dhe se kishte qenë shfaqja e parë shqipe në Kosovë, e mbajtur (përjashtë) disa herë. Për këtë ngjarje të rëndësishme, në kujtim të mësuesit të palodhshëm Hilmi, por edhe në kujtim të asaj kohe Destani do ta shkruajë më vonë edhe poezinë, me titull:

QËNDISJA E FLAMURIT

Shfaqja jepej përjashtë, në do livadhe,
(Njerëzit rrinin pupçik dhe në rrasaqe,)
Ku qëndisej flamuri-ngjarje e madhe,
Burrat e moshuar qanin me lotë për faqe.

Nuk kishin dëgjuar, as parë ndonjëherë,
Prandaj kjo pamje, për ta, ishte befasi.
Se e ndjenin veten t’ringjallur, n’kët’ herë,
Sepse dolën-nga robëria-në liri.

– Prishtinë -17. 04. 2021