Fejton
– Zoti Basha! Çfarë i duhet universiteti Dibrës kur ajo mbytet?
– Po bujqësia, blegtoria, pemëtaria… kur lugina e Drinit të Zi zhduket përjetësisht?
Zoti Basha ishte në Peshkopi.
Ishte mes daullesh e tamtamesh tashmë të njohura në udhëtimet e tij në tërë Shqipërinë.
Më tërhoqi titulli i një kronike nga më të gjatat që janë përcjellë nga media e shkruar dhe ajo pamore:
“VIJ ME PRIORITETE REALE. DO RIHAPIM FILIALIN UNIVERSITAR TË DIBRËS”.
Bashkohem me të.
Edhe unë jam për ta rihapur. Kam bërë një shkrim protestë kur e mbyllën. Madje jam jo për “rihapje” por për HAPJE, për një universitet të vërtetë, jo “filial” i Durrësit apo i kujtdo qoftë. Jam për një universitet bashkëkombëtar, mbarëkombëtar, një universitet ku studentët të jenë nga Dibra mbarë, nga Dibra e Madhe dhe Dibra e Vogël, nga Kukësi, Mati, Mirdita e Librazhdi, nga Tetova, Kërçova, Gostivari, Struga, Prizreni…, një universitet me pedagogë intelektualë të shquar të tërë kësaj hapësire gjeografike, Universitet i Verilindjes siç kanë qenë “universitet” Shkolla Pedagogjike e Peshkopisë, në fundvitet ’40-të dhe Shkolla e Mesme Bujqësore e Peshkopisë, në fundvitet ’50-të, të njohura për kontributin e jashtëzakonshëm në arsim e në bujqësi, “universitete” që nxorën mësues dhe specialistë të mesëm e të lartë që “pushtuan” tërë zonën Verilindore të Shqipërisë.
Kërkova në kronikën e gjatë, në paragrafë, rreshta e midis rreshtash, një fjalë, vetëm NJË FJALË, “SKAVICA”, “MBYTJA E DIBRËS”, mbytje që siç e ka thënë “babai i tij politik” Sali Berisha, e siç e ka përsëritur me gojë e me ligj parlamenti kundërshtari i tij politik Edi Rama, “TË NDËRTOJMË SKAVICËN QË TË MOS PËRMBYTET SHKODRA”, të zhdukin një trevë të tërë që të shpëtojnë disa fshatra të një treve tjetër, të shuajmë bujqësinë dhe blegtorinë e Luginës së Drinit të Zi, lugina më e madhe pas asaj të Devollit të Korçës, për disa dhjetëra mijëra a miliona kilovatorë energji elektrike vlera e të cilës do të futet në xhepa të mëdhenj oligarkësh brenda e jashtë vendit.
Asnjë fjalë për Skavicën nuk tha “dibrani” Lulëzim Basha. ASNJË!!!
Lulëzim Basha kishte rastin më ideal të fushatës së tij elektorale që ti thoshte “JO SKAVICËS”, zotim që do ti jepte votat e tërë luginës të Drinit të Zi, të djathtët e të majtët…
Zoti Lulëzim Basha kishte rastin e vetëm të tërë fushatës së tij zgjedhore për tu bërë kryeministër që të deklaronte abrogimin e ligjit për ndërtimin e Skavicës, që ta kundërshtonte Ramën me argumentin se si dibran (kështu ka thënë dikur por sot nuk e di pse nuk e zuri në gojë fare!!!) zotohet se buldozerët do të kalojnë mbi trupin e tij përpara se të shkojnë në Skavicë…
Të paktën ta thoshte, ani se pas 25 prillit do të frynte era e fortë që do të përcillte në theqafje premtimet…
Harresë?
Nuk e besoj…
Në mortin e të varurit nuk përmendet litari…
Në mbytjen e Dibrës nuk përmendet uji, Skavica…
Lulëzim Basha është pro mbytjes së Dibrës…
Lulëzim Basha foli dhe u duartrokit për filial universiteti…
Universitet, krahinë shkretë, në tokë shkretë…
Universitet në gjol det…
Bujqësi, blegtori, pemëtari… nën ujë…
Dibrës, me ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës i shkulen nga trojet e veta mbi dyzetmijë banorë autoktonë, shkulen aq sa nuk janë shkulë as nga pushtuesi osman dhe as nga ai serbojugosllav; me kuçkë e me maçkë, me histori e pasuri, me burrni e trimëri, me shpatë e me pushkë, me kazmë e lopatë…
Nuk do të ketë më Dibër…
E kur nuk do të ketë Dibër, nuk ka si të ketë as djem e vajza dibrane – studentë në filialin e universitetit që Lulëzim Basha – “kryeministër” e vuri si kryefjalë në zotimin e tij elektoral në Peshkopi.
Zoti e ruajte Dibrën nga ata që e duan të mbytur e të lebetitur në një ikje që se ka parë bota!
Abdurahim Ashiku
Athinë, 10 prill 2021