Universalizimi poetik i përditshmërisë njerëzore

0
803

X H E Z A I R   A B A Z I

(Refleksion kritik rreth poezisë së Faslli Halitit)

ESE:

Ata që janë ithtarë të pikëpamjes estetike se poezia është një dialog dhe komunikim emocional me lexuesin, pa dyshim që i qëndrojnë largë poezisë si monolog i brendshëm, ku metafizika e shpirtit nuk përfill fort rezonancimin. Shekulli XX, pas surealistëve njohu disa shkolla dhe rryma poetike që synonin ekspozimin e nënvetëdijes si kauzalitet i universit njerëzor. Kjo, padyshim, e pasuroi atlasin e shprehjes poetike, afirmoi mjaft personalitet të kësaj kahjeje krijuese… Por duhet thënë se urat e kësaj poezie mbetën mjaft të brishta me lexuesin, për të mos thënë se jo rrallë edhe u shkëputën. Si rrjedhim, poetët që synojnë një lidhje më të gjerë më lexuesin, duke përfillur një poezi më të hapur dhe komunikative me lexuesin, kanë vazhduar rrugën tradicionale të poetikës.

Dhe, duhet nënvizuar, këtu ka qënë më e vështirë gjetja e shprehimësisë individuale, largimi nga këndvështrimet dhe perceptimet e njohura. Sugjestiviteti krijues mund te arrihej, në radhë të parë, me risinë e përmbajtjes artistike, pastaj me teknikën poetike. Pikërisht kjo rrugë kërkimi krijues, ka bërë që të dallojnë aq shumë në poezinë shqiptare Lasgush Poradeci nga Migjeni, Martin Camaj nga Ali Podrimja, Bardhyl Londo nga Mimoza Ahmeti etj. Madje edhe kur fokusi i poetikës ka qënë disi i përafërt, ta zëmë në shqetësimet e përditshmërisë sociale – shprehimësi artistike është realizuar në mënyrë individuale. Si dëshmi mjaftë e plotë vjen për këtë poetikë të Faslli Halitit, veçanërisht me dy librat e tij: “Mbrapsht” (1977) dhe “Lamtumirë kapedanët e mi” (1988).

Pikënisja krijuese e Faslli Halitit, me synim dialogun e gjallë emocional me lexuesin, pat spikatur që ne librin e tij të parë “Sot” (1969), çka e pat evidentuar Ismail Kadare. Kjo dukuri, ishte e pranishme edhe në librat pasardhës : “Mesazhe fushe” dhe “S’di të hesht”. Por dy librat e tij të fundit e konsolidojnë edhe e afirmojnë plotësisht këtë dukuri të spikatur të profilit poetik. Tanimë lexuesi i rregullt poezisë shqiptare, po t’i haste poezitë e Faslli Halitit edhe pa emrin e tij, menjëherë do të thoshte: “ Këto janë poezitë e Halitit”. Dhe kjo, padyshim, nuk është pak, apo një sintagmë sidokudo. Kjo është një dëshmi e veçanësisë së plotë të një individualieti të shquar poetik. Poezia shqiptare është pasuruar kështu me një zë poetik krejt të veçantë…

Por, nga ky pohim i përgjithshëm, le të kalojmë nëpër “shtigjet” e poetikës së Halitit, duke përvijuar tiparet dhe veçoritë dalluese që të na vijnë përmes “Lamtumirë kapedanët e mi” dhe ‘Mbrapsht”.

Universalizimi i të thjeshtës dhe konkretes

E formësuar në tri – katër dekada krijuese, në rrethana e kushte trishtuese e të dhimbëshme, poezia e Faslli Halitit është reflektim i një vetëdije sat ë trazuar aq edhe fisnike. Mishërues i ndërgjegjes së pastër njerëzore dhe i idealeve popullore më humane. Faslli Haliti vjen tepër i përndritur edhe në mesazhet e tij poetike. Aty-këtu, midis vargjeve të poezisë së tij ndien si burojnë zërat e bukur të jetës, por dhe piskamat tronditëse edhe çjerrjet e gurmazeve të shqyer apo britmat e prepotentëve, makutëve, dinakëve, hileqarëve, intrigantëve e zarzopëve të politikës arriviste.

Por ajo që e bën të afërt dhe komunikuese poezinë e Halitit është natyrshmëria dhe gjakftohtësia e persiatjes poetike, çka të bën të ndiesh një zgjim emocional të ngadaltë, por pushtues. Aftësia e persiatjes poetike, larg eksklamacionit, zhurmës së fjalëve dhe ngarkimit të tepruar figurative, është një dëshmi e peshës artistike të fjalës poetike të autorit. Eshtë njëherësh edhë zbulimi I një konotacioni individual krijues. Dhe kjo, ap dyshim, është një veçori e individualitetiy krijues.

Dhe në gjithë këtë vorbull të persiatjes poetike, pa asnjë mëdyshje e lëkundje poetike, pa asnjë mëdyshje e lëkundje, ai është në anën e të thjeshtëve të kësaj jete, me popullin dhe kundër turmave, kastave dhe klaneve… Gjatë ditëve që mbaja nëpër duar librat poetikë të Halitit më ka rastisur të dëgjoj një këngë të bukur për Çe Guevarën. Paradoksale mund të duket, por transparenca e mesave të poetit tonë, ka diçka tepër të përafërt me transparencën e idealeve humane të Çe Guevarës…

Në se Henrih Hajne, shihte tek revolucionarët e vërtetë diçka prej racës së poetëve, atëherë le të më lejohet dhe mua të shoh tek poeti ynë diçka prej revolucionarëve popullorë, atyre që s’kanë ditur të bëjnë as majtas, as djathtas, as prapaktheu! Faslli Haliti nuk pranon as majtas, as djathtas , as prapaktheu.

“Unë
Përpara përsëri
Lamtumirë,
Kapedanët e mi!”

Dhe unë i besoj deklarimit të poetit, sepse këtë ai e mishëron pothuajse në tërë materien poetike të librave të tij. Çe Guevara, ndaj edhe ajo këngë e mrekullueshme jehoi në të gjithë botën me rastin e rivarrimit të tij…

Unë besoj se materia konkrete poetike e Faslli Halitit është një drithërimë njerëzore, apolitike, pa majtas e djathtas, por vetëm drejt, ndershmërisht, idealisht pastër, siç është shpirti i populli e jo i turmës, sepse:

“Populli ngrihet vetë
Turmën e ngrenë,
E ndërsejnë
Të lehë
Të kafshojë si qen…”

Thjeshtësia dhe konkretësia e temave dhe motiveve të Halitit, që e veçoi si tipar esencial edhe poeti Moikom Zeqo, është këndvështrim dhe mënyrë reflektimi vetëm e tij. Cilido poet tjetër do të binte në një dialog të rëndomtë, të thatë e madje vulgar. Atë të thjeshtë e konkrete, me një leksik krejt të stilit bisedor, Faslli Haliti e ka më shumë si fillesë krijuese, emocionale.

Në të vërtetë pesha ideoemocionale vjen gjithnjë me vargun përmbyllës. Është ky varg që e ngre peshën e të gjithë vjershës, është ky varg që i jep vlerë përgjithësuese motivit, gjendjes, konstatimit, rrethanës, përshkrimit, apo relievit që ka fokusuar poeti. Kur don të satirizojë klasat politike, Haliti krijon magjistricat që “Tërheqin hënën me litar magjish”, kurse për ligjin:

“Ligji
Eshtë si qeni,
S’e ha të zotin

Qentë po hanë populli…”

Vargu përmbyllës, duke mbartur në thelb një paradosi sa të lashtë-aq edhe bashkëkohor, është një vajtim universal dhe konkret për këtë popull (shqiptar). Qentë që e kanë ngrënë dhe vazhdojnë ta hanë popullin me një “butësi tmerrësisht të ëmbël” janë gjykatësit. Ndaj, nëse një ditë do të hartohej një antologji për drejtësinë e ligjin (sepse është shkruar për të me shekuj), besoj se kjo vjershë e Halitit do të rrinte aty më shumë.

Por Halit në librat e tij shumicën e poezive i ka për drejtësinë, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale. Gjithkund ujku është ujk. Dikund ujku për ujkun mund të jetë njeri. Por shqetësimi i poetit është:

“Fjalën e kemi për njeriun, zotëri:
A është njeriu për njeriun, njeri?”

Humanizmi, mirësia, bujaria, mirëbesimi, zemërgjerësia, fisnikëria, dashuria etj. element pozitiv të moralit dhe jetës njerëzore – janë sintagma e materies poetike të Halitit. Veçanërisht në aspektin e marëdhënieve që ka kaluar dhe kalon shoqëria shqiptare.
Por këtu më duhet të them se këto dukuri, jo në të gjitha vjershat kanë stof të mirëfilltë artisti. Në disa ka element moralizues, kurse në disa të tjera ka zgjatje me enumeracione objektesh, faktesh a dukuri…

Me sa duket, në këtë aspekt krijues, edhe për Halitin vazhdon të shfaqet një dukuri e poezisë shqiptare që nga Rilindja. Duke i atribuar poezisë edhe aspekte të tilla si morali, edukata, didaktika, rilindësit dhe më vonë breza të tërë krijuesish, i kanë veshur poezisë edhe petka, që në fakt ajo i mban me vështirësi. Herë-herë ato i ka mbartur edhe poezia botërore. Madje që nga lashtësia. Që nga … indiane, te poetët e mëdhenj persianë, kinezë e madje edhe evropianë, si Gëte, Bajron, Shell, Hygo, Berns e Mickieviç…

Por me kohë, poezia modern është çliruar e shkundur gjithnjë e më shumë nga ky petk. Për poetët, që u rritën dhe afirmuan në periudhën e realsocializmit, u bë gangrenë sidomos domosdoshmëria e “qartësimit ideologjik” dhe sidomos dhënia e “qartësisë së zgjidhjes”
Kjo padyshim çonte në moralizim dhe deklarativizëm. Faslli Haliti ka pak nga kjo “pudër” dhe mund ta shkundë krejt atë.

Shqetësimi i bukur i poetit

Bota ka ecur përpara nga nevoja dhe kërkesat e vazhdueshme të njeriut. Bot ka ecur përpara nëpërmjet përsosjes morale e spirituale, thonë doktrinat filozofike.Bota ka ecur përpara përmes luftës së klasave, thotë filozofia Marksiste. Botën e kanë çuar përpara luftrat, thonë doktrinat ushtarake. Bota ka ecur përpara vetëm me zhvillimet shkencore e teknike, thonë akademikët e shkencave…

Të gjitha kanë diçka të vërtetë. Por në vërtetësinë e të gjithave – në qëndër –është njeriu, me kërkesat dhe shqetësimet e tij. Dhe bartës më i ndezur i këtyre shqetësimeve – ka qënë poeti, kur ky është një produkt më i përpunuar dhe më i ngritur se vetë poeti popull. Mbi humusin e pafund e të begatë të fantazisë së ndezur popullore në përralla, mite, legjenda e këngë të vetë gjeniut të madh, të gjithë poetët e vërtetë kanë bartur ngaherë shqetësimet njerëzore. Dhe këto shqetësime kanë patur si veçori bukurinë e përmbajtjes së tyre.

Pikërisht bukuria e ka bërë të dallueshme e të admirueshme shqetësimin e poetit. Me kët sintagmë vjen dhe lirika e Faslli Halitit. Dhe vjen me larmi ngjyrash e një nerv të ndezur në rrënjë.

“Shpatullat e popullit dy pika
Ku s’kalojnë kurrë dy vija.
Në dy shpatullat tona
Kalon vetëm varfëria”

Dhe fatkeqësia më e madhe e këtij populli është:

“Skemi udhëheqës
S’kemi
Drejtues
Kemi kapedanë

Kemi komandues”

Poeti i vërtetë nuk shan e nuk grindet, nuk çirret, nuk mallkon. Edhë kur e fton në takim politika, ai vete “në orar”, tregohet i përpiktë, por ajo , doemos, nuk do ta mbante fjalën: ”Kishte ikur me imoralë”. Kaq thotë poeti. Dhe kuturis “ta riverë zotin në punë”, duke thënë se vetë ai qe i mërzitur me këtë botë, ndaj vendosi ta rikrijojë sërisht, por ndryshe. Qiellit i ndërron vendin me detin, për pasojë zogjt notojnë, kurse peshqit fluturojnë. Yjet i bën lule, kurse lulet yje, për rrjedhojë, të parat bëjnë dritë kurse të dytat përhapin aromë.

Shpendët bëhen avionë e hedhin bomba, kurse avionët glas. Politikanët qenër, kurse qentë-politikanë, për rrjedhojë qentë – bisedojnë, kurse politikanët lehin. Dhe kështu ndërohen rolet e poetëve me bilbilat, pemët me peshqit etj. Pastaj zoti përzien e ndërron funksionet midis ditëve, midis lindjes e vdekjes, midis të mirave e të këqijave, deri midis Krishtit dhe Djallit, derisa “Krishti vdiq dhe djalli u ringjall…

E gjitha kjo përmbysje mbart elemente të groteskut , duke hequr herë paralele e herë kundërvënie, me një shqetësim e dhembje të madhe për të këqijat e kësaj jete. Fantazia e ndezur poetike, me imazhe herë tronditëse e herë gazmore, është një dialog i gjallë emocional me lexuesin e poezisë.

Seanca poetike e një vargu

Siç edhe e përmenda më lart, duke qënë një ligjërim për të thjeshtën e konkreten, autori e përqëndron peshën ideoemocionale në vargun e fundit të vjershës. Sisomos kjo është një domosdoshmëri në poezitë e shkurtra me tema e motive sociale, në lirikat e natyrës dhe në ato satirike. Kështu, vjersha “cipa”, assesi nuk mund të quhej e realizuar në qoftë se nuk do të mbyllej me vargun gati-gati kalambur: Dhe plasët, sa më plasët”. Kurse lirika me thelb përmbajtjeje fjalën e urtë popullore “S’mbulohet dielli me shoshë”, është antologjike për koncizitetin e saj, sidomos me vargun përmbyllës metaforik:

“Mbuloje po të duash
Diellin
Me shoshë

Bota lahet në dush rrezesh”

Me paradokset dhe dukuritë më të diskutueshme ndër popujt e botës, F.Haliti bën një lojë poetike herë gazmore, herë satirike e herë meditative. Kështu për shembull në vjershën “Gënjeshtari i parë i botës”, gjarpëri, nga figurë negative parabiblike, trajtohet si shtytës për ngjizjen e jetës. Nëse gjarpri ishte gënjeshtari i parë, Eva ishte e dyta. Apo gjarpri “Evës dhe Adamit iu hapi sytë”.

Sentenca poetike e një vargu, në poezinë e Halitit është gjithnjë në fund. Nëse poemthi “Mbrapsht” mbrun tragjikën e kësaj bote, vjersha “Krishti” e realizon idenë e mbrapshive të kësaj bote në vetëm katër vargje:

“Ringjallet Krishti në Krishtlindje
Na sheh si me habi…
Sapo na sheh
Ngjitet në kryq, kryqëzohet përsëri”.

Poezitë e Halitit, nuk kanë metër e rimë. (Kjo e fundit thuajse rastësisht). Port të gjitha kanë një rritëm të gjallë, herë me një dinamikë të brendshme e hërë me gurgullimë. Ja, për shembull vjersha “Ku” mdoshta më e shkurtëra e shkruar në pranverën e vitit të mbrapshtë 1997:

“Gjaku
U bë ujë
Uji u bë gjak

Ku të lahemi, ku?”

Prirja sintetizuese në një varg, apo në një distik, është e suksesshme vëtëm më gjetjen që vjen si natyrshmëri e thëksit ideoemocional. F.Haliti ka dhuntinë e urtësisë së mençurisë.
Por kjo do të ishte e mangët nëse nuk do ta gjente edhe bukurinë te thjeshtësia. Sepse siç thamë në krye të kësaj esse-je, Faslli Haliti është i prirjes estetike të dialogut emocional me lexuesin, të dialogut që ka pak fjalë, aspak retorikë, aspak ekzibicion e shtirje.