Unë sot quhem Ndrekë!

0
910
Ndrekë Ismailaj

Nga Enton AbilekajShuplaka06/04/2017

Ajo që ndodhi në studion e Top Show ishte një mrekulli për Personat me Aftësi të Kufizuar. Zëri i tyre u bë aq i fortë sa të gjithë heshtën. Ndodhi në një studio televizive, por të gjithë heshtën nëpër shtëpi.

Heshtën kryetarët e shoqatave që në 25 vjet kanë marrë miliona euro në emër të PAK-ut dhe nuk kanë përdorur asnjë qindarkë për ta, heshtën qeveritarë dhe ish-qeveritarë që po ndiqnin nga ekrani dhe kuptuan të shtangur që ndarja e parave të të pamundurve nuk do të harrohet si gjithë padrejtësitë, heshtën fatorinot, shoferët, pronarët e kompanice të transportit që nuk vlerësojnë pamundësinë njerëzore ndërda i janë dorëzuar babëzisë, heshtën mësues dhe trajnerë që nuk kanë bërë asnjë shërbim falas për personat me Aftësi të Kufizuar, heshtëm të gjithë ne që i harrojmë çdo ditë në përpjekjet e tyre të mundimshme për të mbijetuar.

Dëgjohej vetëm Ndrek Ismailaj, zëri i protestës së një njeriu në karrocë me rrota që po fliste për të gjithë, dëgjoshin personat me probleme dëgjimi dhe të folure, të verbrit, paraplegjikët, të gjithë ata qe jetojnë me vuajtjen e tyre, të gjithë shqiptarët që luftojnë çdo ditë me varfërinë dhe harresën.

Akuza e Ndrek Ismailajt, ishte shpërthim pas një pritjeje 20 – vjeçare.

Gjatë këtyre viteve miliona euro janë akorduar nga donatorët e huajdhe nga buxhetii shtetit për PAK, por të vërtetën duhet ta thoshte Ndreka: asnjë qindarkë në shërbim të tyre! Projekte që ndryshojnë ligjet dhe pastaj i kthejnë siç ishin, projekte që marrin opinione e PAK për mundësitë e ndihmës, që organizojnë aktivitete sportive të PAK madje edhe Lojrat Olimpike Speciale, por nuk blejnë asnjë karrocë, nuk investojnë asnjë mjet mësimor në Institutin e Vetëm të PAK në vend.

Pas deklaratave të Ndrekës duhet të niste punë prokuroria, duhet që në vend të çadrës të niste protesta e madhe e PAK. Duhet të kërkonin ndjesë ata politikanë që kanë përgjegjësi direkte për këtë situatë dhe në veçanti Erjon Veliaj, që për 2 vjet ka drejtuar ministrinë përkatëse, që prej 2013 ka emëruar në Agjensinë per Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) të gjithë drejtuesit dhe anëtarët e bordit. Fondet jepen për grupin e OJF-ve që kontrollon Veliaj.

Mbi të gjitha është aksioni i sotëm i kryetarit të Bashkisë. Më një procedurë jotransparente, të kaluar vjedhurazi në këshillin bashkiak, ai i ka dhenë 2 bizneseve të mëdha të drejtën për të ngritur kioska në çdo kryqëzim të Kryeqytetit. Kioskat mbinë pa u ndjerë, sikur ulnin kokën nga politika klienteliste e Veliajt.

Kur u pyet nga Blendi Fevziu në Opinion për kioskat, Veliaj i revoltuar përmendi shembullin e Athinës. Peripterot e kryeqytetit të Greqisë vërtetë janë njësoj me kioskat e Tiranës në pamje, por kanë një ndryshim thelbësor në pronësi. Ato përdoren si instrument social. U janë dhënë personave me aftësi të kufizuar, veteranëve apo invalidëve të luftës, per të cilët shteti nuk mund të kujdeset mjaftueshëm.

Shumë prej tyre i kanë dhënë me qira se nuk punojnë dot vetë, por marrin një të ardhur mujore, që u mundëson të jetojnë më mirë. Nuk lejohet shitja e tyre dhe as trashëgimia. Nëse personi ndahet nga jeta, kioska i kalon një tjetër personi me aftësi të kufizuar. Kjo nuk është e vetmja politikë sociale që ndjek Greqia. Bashkë me vende të tjera të BE-së, u kanë dhënë pikat e lotarive dhe të basteve kësaj pjese të shoqërisë.

Këtë mund ta bënte Rilindja që pretendon se është e majtë, mund ta bënte Erjon Veliaj kur ishte ministër. Në vend të kësaj, në vend të shtresave në nevojë, ata kanë zgjedhur të bëjnë ligje dhe politika për oligarkët. Bashkë me ta do dalin edhe në zgjedhje.

Prandaj shpërthimi i Ndrek Ismailajt ishte një denoncim i këtij pakti të ndyrë mes politikës dhe biznesit të politikës në dëm të qytetarëve. Është koha që ata të shpërthejnë, është koha për të berë drejtësi. Është koha që të gjithë ne sot të quhemi Ndrekë!