UNË BIRI YT, SHQIPËRI ETNIKE – poezi nga Zymer Mehani

5
2900
Harta e Shqipërisë

Zymer Mehani

UNË BIRI YT, SHQIPËRI ETNIKE

Unë biri yt, Shqipëri Etnike
Kurrë s’do të resht me vargje epike
As kurrë s’do t’ndalem duke treguar
T’kam dashuri Atdhe i bekuar

Plagët në shtat ende t’lëngojnë
Edhe sot ujqërit duan t’copëtojnë
Se pak t’kanë ndarë në 5-6 copë
Për t’Madhin Zot, turp t’qoftë Evropë

Ti panatyrshëm po e do bashkimin
E për shqiptarët pse ndërron qëndrimin
Gjithmonë përçarje u ke sjellë t’parëve
Duke copëtuar troje t’shqiptarëve

Sot ka ardhë koha për Ribashkimin
Dhe ne gjithqysh do t’ mbërrijmë qëllimin
Mbahu mbretëreshë Evropë moj mike
Ua uro shqiptarëve Shqipërinë Etnike


ZËRI YT, KOSOVË…

Zëri yt, Kosovë kreshnike
Mbi male ushton
Edhe këngët heroike
Dasmorëve u këndon
Ti, Kosovë me trimërinë tënde
N’ dritë t’vërtetë ke dalë
Moj Nënëloke, ke dëshirë
Me dëshmorë me u falë
Dje shëmbëlleje n’mjellmë t’plagosur
Krahë t’përgjakur n’erë
Sot drejt qiellit e ngreh kokën
Shqiponjë me dy krerë
Ti moj Shqipe e bekuar
Që n’re fluturon
Ishe me zemër t’gjakosur
Sot po nusëron


KUR JAM ME GURIN DHE GIMIN

Kur jam me Gurin dhe Gimin
Sjellim n’gisht krejt Rruzullimin
Na mësoi Adem Jashari
-Nuk nënshtrohet kurrë shqiptari

Zahir Trimi na pat thënë
-Shqipërinë e kemi NËNË

Kush i thotë vetes shqiptar
Është betu’ n’Flamur Kombëtar
Imponimet s’i pranon
Me gojë t’vet nuk e dëshmon
Qysh i huaji dëshiron

Jo, ne s’jem’ komb kosovar
Qysh po thonë disa tradhtarë
Sahanlëpirësa e qyqarë
As nuk duam flamur me larë

Larë mbi larë flamur nuk dojmë
Gjakun tonë kurrë s’e mohojmë
Nën Flamurin kuqezi
Kem dhënë besë për ty SHQIPNI
Bashkë me GURIN dhe AGIMIN
Do ta sjellim Ribashkimin

Se n’një trup s’veshen dy këmisha
As n’një kokë s’mbahen dy plisa
Merrni vesh tradhtarë e pisa
Ju soj djalli dhe iblisa

Mbi këtë glob e mbi këtë dhe
Do ta kem’ veç një ATDHE
Dhe Flamurin me Shqiponjë
Që e lajtëm me gjak tonë

Me AGIMIN dhe me GURIN
Do ta ngrejmë n’Çamëri Flamurin
Dhe Presheva e Ilirida
Do t’jenë tonat si MIRDITA

Për Shqipëri të Ribashkuar
Para Shqipes jem’ betuar
Nën Flamurin kuqezi
Ribashkim don kjo SHQIPNI

Ky qëllim do të arrihet
O me hirë o me pahirë
Se n’pesë shtete ndaras s’rrihet
Le ta dijë Evropa mirë

Padrejtësisht na ka copëtuar
Me gërshërë me t’vetat duar
Me çdo kusht e me çdo çmim
Gjithë shqiptarët dojnë Ribashkim


PA TY, ARBA

Pa ty ARBA jam
Si nata pa ditë
Si dielli pa dritë
Si lumi pa breg
Si mali pa shteg
ARBA jam pa ty
Si balli pa sy
Si vjeshta pa shi
Si zjarri pa hi
Si nëna pa gji
Pa ty ARBA jam
Si deti pa valë
Si zemra pa mallë
Si baba pa djalë
Si gjuha pa fjalë
Jam pa ty ARBA
Si syri pa dritë
Si flutura pa lule
Si vogëlush pa u rritë
Si maji pa xixëllonja
Si fusha pa baronja
ARBA pa ty jam
Si trimi pa pushkë
Si pëllumbi pa gushë
Si bariu pa tufë
Si ara pa farë
Si nusja pa ar
Pranë ty kur s’të kam
Jo asgjë nuk jam


KOSOVË

Kosovë, në Ty
Kalova shumë vite
Në Ty u burrnova
Ti mua më rrite

Kokën mbaje lart
Moj burrneshë krenare
Me shekuj ke qenë
Dhe do t’jesh shqiptare

Moj Kosovë e vogël –
T’shtrenjta vlerat Tua
S’ka asnjë shqiptar
Që thotë “nuk të dua”


“BABA I KOMBIT KOSOVAR”

Një tradhtar fjalën ka marrë –
– Më dëgjo, ti o shqiptar,
Jam ” i kombit kosovar”
Lirisht mundesh t’më shikosh
Si gomar kokën kam bosh!!!
Ia kaloj edhe gomarit,
Budallak kam sa durtë e malit,
Kah e shkel unë digjet toka
Krejt e zbraztë më ka mbetë koka!
E kam pasur të rregulluar,
Tash katrore m’është shndërruar!
Veç bërllok, pleh m’u ka mbushë
Gomarllëqe – sa të du’sh!
Me pengon kjo shqiptari,
Dhe flamuri kuqezi.
E du’ tonin larë mbi larë
E me yjtë minoritarë
Se jam “kombi kosovar”!!!
Skënderbeu shumë më pengon
Se ne kemi heronjtë tonë
N’Mitrovicë kem’ Car Llazarin
Është hero për “kosovarin”!
A e shihni kush jam unë,
Për serbizmin vuaj shumë,
Sepse i tyre unë jam brumë
Dhe atyre po u kry’j punë!
Unë “i Kombit kosovar”
Jam kokë-bosh e krejt tru-tharë.
Për para e serm e ar
Krejt i shes sa ka shqiptarë!
Unë vetë jam komb-mohuesi,
Po e di se m’ka marrë pusi,
Sa jetova në këtë jetë,
Gjithnjë isha mendje-lehtë!
Me tradhti gjithnjë jam marrë,
Më takon vendi i parë.
Se unë njoh veç pare, ar,
S’më vy’n gjë kombi shqiptar!
Sa të mundem do t’përçaj
Ku t’i gjej bashkë dy shqiptarë,
Do t’mundohem që t’i ndajë,
Do t’ia dal, kam një uzdajë!
Edhe për gjuhë “kosovarçe”
Po më zjen mu’kjo kokaçe!
Gjuha shqipe është e huaj.
Cilën ta zgjedh, as më thuaj ?!!!
A t’flas turqe a greqisht,
Madje edhe egjyptjanisht?!
Bën të flas edhe rusisht,
Sepse unë mendoj serbisht!
PO E PRANOJ SE JAM ME BISHT !!!


DËLIRËSI BUZËQESHJESH

Vij tek ti ARBA
Me kthejlltësinë e agimit në fshat
Dhe të sjell buqeta
Karanfilash të kuq porsi gjak

ARBA vij tek ti
Me etjen e zemrës për dashuri
E pushoj kënaqem
Në përqafimin tënd përplot dëlirësi

ARBA ti ma shëron
Zemrën time të vrarë
Me fjalët ilaç
Të buta dhe të ëmbla si mjaltë

Në të zemrës sime dhembje
Këpus çastet më të vështira
Dhe e thur kurorën më të bukur
ARBA në ëndrrat e mia

Të ëndrroj përherë Ty ARBA
Derisa drobitem
Dhe i tëri venitem
Shkretëtirave të kujtesës

Të kërkoj e të ndjek gjithkah
Dhe të gjej TY ARBA
Në helmin e dëshpërimit
Me dhimbje në shpirt
Dhe duke përkëdhelur
Çastet e hidhërimit

Pastaj pa pushim
më kot Ty ARBA ta ëndërroj
Fytyrën e buzëqeshur
Sepse m’i kujton çastet
E ditëve të shkuara
Me përqafimet tua të ngrohta
Dhe të dëshirave të mia
Që pata në këtë botë

Më kot ARBA i kërkoj
Yjet e qiellit të përmbysur
Copat e hënës të gremisura
E përpiqem
Të rishoh ëndërrat e mia
Për Ty e Bukura ime ARBË
Dhe ushqej shpresën plot vlerë
Për të nesërmen…


TY O TRIM LIRIE

(Ukshin Shaban Kosumit)

1.
Nëna të pat lindur
N’ Mavriqin gurak
Dhe të kish uruar
-O bir m’u bëfsh plak!
Të parin hap hodhe
N’ shkrepa të Dvorishtës
Ëmbëlsisht belbëzove
Fjalë të shqiptarishtes
Në këtë atdhe tonin-
Qielli i përflakur
I etur ky truall
I çarë dhe i plasur
Për rreze lirie
Shpesh ish i përgjakur
Ty, Ukshin o trim
Hero i kombit tim
Shpejt t’u rrit ai shtat
Porsi lis i gjatë
– Sërish vjen shtrëngata
Të pat thënë yt at!

2.
Ty o trim lirie –
Burim madhështie
Si fëmijë këmbëzbathur
As që e ke ditur
Se ky truall amtar
Krahun tënd ka pritur
Kur u bërrërove
Sa shpejt e mësove
– Robëria s’ka fund
Pa gjak dhe pa mund
Për këtë popull t’ ndjekur
Por të fortë si hekur
Shumë herë n’asht i shpuar
Por kurrë i nënshtruar
Kur u dha kushtrimi
Ti, o Ukshin trimi
Porsi stuhi deti
Si dridhje tërmeti
UÇK-së iu bashkove
Të mori pranë veti
Hijenat gjakësore
E dhelprat djallëzore
Kot t’ pritën të ndalesh
Ty moj Shqipe malesh
Ti zemër-besnike
Errësirën godite
Atdheut i dhurove
Bardhësi – rreze drite
Sot je i pavdekshëm
I atdheut mburojë
Për ty trualli i Shqipes
Pati shumë nevojë
E balli të shëndriti
Gjithmonë nga guximi
Me sy vigjilentë
Kur zbardhëllon agimi

3.
Skëterra ishte mbi dritën
Atdheu të thirri, o bir
Nga shekujt e robërisë
Nga zgjedha e tiranisë
Ish mekur dhe dërrmuar
Molisë dhe katandisë
Porsi Shqipe mbi vargmale
Për të lirisë këngë
Hape krahët dhe shtegtove
N’ çdo cep, anekënd
N’ballë t’atdheut e përmbi supe
Ra shtrëngata e natës
Për t’na zhbi nga bjeshkët tona
Hijenat e Karpatës
Heshtjen as gjumin s’i deshte-
Ti o trim – i lirisë pishtar
Këngë e krismë kurrë nuk i ndale
Për atdheun- truallin amtar
Sot i qetë Ukshin pusho
Lavdi për ty o hero.


NË NINULLAT E TUA…

Në ninullat e Tua të ëmbla,
E shtrenjta ime-NËNË,
Shumë herë, unë biri Yt
Në gjumë pata rënë.
Tani më erdhi radha
Dhe mua, e dashur NËNË,
Këngët të t’i këndoj
Por Ti, nuk zgjohesh, NËNË!
Fytyra Jote e bukur,
Zemra jote e dëlirë
Sa shpesh më kujtohen,
O NËNA ime e mirë!
Buzëqeshjet Tua të ngrohta
Porsi rrezet e diellit,
Sytë Tu shkëlqimtarë
Si kaltërsia e qiellit.
Në ëndërr më shfaqesh,
Shpeshherë e menduar
Prapë më këshillon
Rrugët për t’m’i treguar.
Shkove në amshim
E dashur NËNË Ti
Udhërrëfyese për mua
Gjer në PËRJETËSI


PËR TY, SEJDI TRIMI

(Ish-nxënësit tim – dëshmor, Sejdi Kuleta)

Për Ty Sejdi trimi
Shkruaj vargun më të bukur
Dua të të këndoj ashtu siç je Ti
Kur ishte atdheu në të zezën robëri
Ju pashë n’istikame Ilirin dhe Ty
Në dhembje lëngoj sa herë të kujtoj
Por prapë jam krenar me ty zemër-ar
Kam edhe shumë fjalë që t’i them për
Ty Kam edhe shumë vargje dhe shumë poezi
Në ëndrra të shoh Sejdi o hero
U flijove për ne dhe tonin atdhe
Je melodi kënge e një shprese t’re


AH, KOSOVA IME!

Ah, Kosova ime,
O atdhe i shtrenjtë,
Shumë mall kam për Ty,
O emër i shenjtë!

Ato fushat tua,
Të gjera, të gjata,
Dhe malet e tua
Ç’i rrahu shtrëngata!

Krenare qëndrove
N’ furtuna, n’stuhi,
Bijtë e bijat tua
i dhe për LIRI.

Shumëherë loti m’rrodhi
Për Ty, n’gjumë dhe zgjuar,
Kosovë, NËNA ime,
Ti qofsh e bekuar!

Shumë këngë për Ty thura,
Prej moshës mitare
Për ty, moj LULËKUQE,
Moj Kosovë shqiptare!

Shumë për Ty ëndërrova
O imi ATDHE!
Sot unë jam i lumtur,
Fluturoj në re!

Liria t’ka hije,
N’çdo cep LAPIDARË
NDERIM përjetësisht
DËSHMORËVE KOMBËTARË!


DËSHIROJ

Dëshiroj
Të harroj
Kujtimin e mërguar
Për një shpresë
Të pashpresë
Duke shpresuar
Dëshiroj
Një dashuri të brishtë
Për ta harruar
Duke dashuruar
Një zemër
Të padashuruar
Dëshiroj
Ta kujtoj
Një çast shumë të bukur
Kur me afsh më puthi
Buza e paputhur


NJË VASHË

(Ylfete Humollit)

Një vashë
Ngrihet,
Këndon.
Era
E ndjek,
S’e ledhaton.
Mbi tokë
E tendos.
Përdhe
E plandos.
Në këtë botë
Lakuriqe,
Kjo vashëz
Aguliçe,
Bie nga era,
E mekur.
Kurrë
Për të mos vdekur.


SËRISH U KTHEVE NË VARGUN TIM

ARBA IME E DASHUR
Sërish u ktheve në vargun tim
E bekuar qofsh
Kur më pushton e rënda qetësi
Zërin tënd e ndjej
E DASHUR ARBA IME
N’poezinë time u ktheve sërish
Qofsh e uruar
Dëshpërimi i rëndë kur më kaplon
Sytë tu të përlotur m’duket se i shoh
ARRBA IME E SHTRENJTË
Ndaj shpirtdëlirësisë i verbër s’mund t’jem
E di mirë ti këtë, por sërish ta them
ARBA IME, ti qofsh e bekuar
Në ëndrrat e mia t’i puth sytë e shkruar


ATDHE TË DUA SHUMË

Atdhe të dua shumë
N’ty u linda dhe u rrita,
Je fole e ngrohtë
Ku nuk soset dita.
S’janë më t’mirë se Ti
Zvicër, Gjermani
Në zemër të kam
Më i shtrenjti je Ti…
Do i kujtoj përherë,
Gurët e sokakut,
Dhe fushat e gjera,
Pragun e konakut
Nëse ndonjëherë
Larg duhet të shkoj,
Ty atdhe i dashur
Kurrë s’do të harroj.


TË LUMTË KRAHU, MURAT FETAHU

Atdhe dhe komb
Gjuhë e flamur
N’zemër i mbajte
N’stuhi, n’furtunë
Djalë i popullit tim-
Ti, Murat, o trim

Armët i ngjeshe
Plot guxim, zjarr
Për truall arbëror
Ti, luftëtar-
Murat, o trim
Melodi e vargut tim

Me zemër t’pastër
Të dëlirë gurrë
I mundur kurrë
Ngado ke miq
Prore besnik
I Popullit ushtar –
Me ty jem’ krenarë

Murat Fetahu
Ty të lumtë krahu
I fortë si gur
Shqipe n’ flamur
Je fjalë e nderit
Shkëmb i mermerit
Nga zemra nderim-
Për ty, shoku im

Shpirt i bekuar
Si loti i kulluar
Shkëlqim-
I kujtimeve të ëmbla-
Galdim
I ushqyer me bardhësi-
Plis
I fortë në shtrëngata-
Lis
Nga zemrat
I bekuar
I dashur
I uruar
Shqipe n’fluturim-
Murat, shoku im

Për Atdheun i gatshëm
Me pushkë e me zjarr
O trim luftëtar
Zot për t’i dalë
Lule me kurorë
Dhe i bardhë-
Dëborë
Ti, o trim arbëror

Për t’atdheut
Liri-
Flamur kuqezi
Kala
Gur mbi gur-
Ke shtatë zemra
Burrë

Në mendime
I thellë
I çiltër-
Dritë, diell
I fuqishëm-
Atdhetar
I besës-
Krenar

I guximshëm trim
Ar përplot shkëlqim
Në t’dimrit acar
Kalorës plot guxim
N’t’murlanit tërbim

Rrugëtimet e tua
S’kanë fund
As mbarim
Prore pa pushuar
Janë në fluturim
Rrofsh, Murat, o trim
Për atdhe ke besë
Dashuri, qëndresë.


Afrim Zhitia dhe Fahri Fazlliu
AFRIMIT DHE FAHRIUT

A do të ishim kaq të lirë
Po të mos ishit Ju
A do ta gëzonim sot lirinë
Po të mos qëndronit Ju
A do të ishte KOSOVA shtet
Po të mos flijoheshit Ju
Gjaku Juaj u bë dritë-
E jona liri
Lumë si nëna që Ju lindi
Për ne – KRENARI
Si dy Shqipe fluturuat
Përjetësinë fituat

5 KOMENTE

  1. Përshëndetje miku im Zymer Mehani.

    SHPIRT I TRAZUAR

    Me dashuri e zjarr
    Dolëm ngadhnjimtarë
    Sprovë për ne
    A do të dimë ta mbajm

    Ndonjëherë
    E mira të vret
    Të lëndon të zhgënjen
    Shpirtin e trazon

    Dhe kur i shoh të vuajturit
    Vuaj më shumë se ata .

    Nga Halil Preniqi .

  2. NDëRGJEHJJA

    Për këtë ç’ndodhi
    Edhe Toka të vërtetën
    Do ta e nxjerrë në shesh

    Rrugën që kam marrë
    Ka vetëm një qellim
    Drejt të vërtetës .

    Halil Preniqi

  3. NDëRGJEGJJA

    Për këtë ç’ndodhi
    Edhe Toka të vërtetën
    Do ta e nxjerrë në shesh

    Rrugën që kam marrë
    Ka vetëm një qellim
    Drejt të vërtetës .

    Halil Preniqi

Komentet janë mbyllur.