UNAZA NË KTHETRAT E SHKABËS

0
669
Ismail Kadare

TopKadare.com, 22 qershor 2017

Shkruar për Këshillin e Europës

Është normale të thuhet sot se në Ballkan ka nevojë dikush për Evropën. Ndërkaq pyetja tjetër: a ka nevojë dikush për Ballkanin, ose, më mirë, a mund t’i hyjë në punë Ballkani Europës, bëhet rrallë. Kjo pyetje ka gjasë të shoqërohet me buzëqeshje ironike dhe me mendimin: kush është i interesuar të fusë djallin në shtëpi?

Nga dy perandoritë e fundit, që patën punë me ballkanasit: ajo e Habsburgëve dhe ajo e otomanëve, ishte kjo e dyta që, siç u tha më lart, e kapi qysh në krye faktorin ballkanas, si faktor vital për risimin e saj. Në këtë ide novatore e çoi logjika ushtarake. Duke qenë për më shumë se dy shekuj shumë më të përparuar se Evropa nga pikëpamja ushtarake, otomanët erdhën natyrshëm te shfrytëzimi i minierës se pashtershme ballkanase, ajo që do t’i furnizonte me oficerë, gjeneralë, me shpirt aventuroz, ambicie dhe marrëzi.

Habsburgët aristokratë as që mund ta duronin idenë që në elitën e tyre ushtarake, plakej çdo ditë, të futnin këtë magmë të nxehtë e të rrezikshme. Ndërkaq, maksima se Ballkani fillon nën Vjenë, ndonëse e thënë me shpoti nëpër sallonet e Evropäs, përmbante në vetvete një realitet, një ngacmim mondan, një qortim dhe pse jo, një sugjerim që nuk u mor kurrë parasysh.

Ideja e kundërt, që Evropa të shfrytëzonte Ballkanin si fer de lance kundër Perandorisë Otomane ka qenë gjithashtu e njohur dhe e vjetër. Projekte kryqëzatash të kryesuara nga papë, nga prijës heronj ose aventurierë u braktisën njëra pas tjetrës. Shkak për këtë ishte, me sa dukej, mosnjohja e thelbit te marrëdhënieve Ballkan- Perandori. Ato, siç u tha në krye të këtij shkrimi, duke mos qenë konformiste nuk ishin megjithatë aq heroike, si mendohej.

Dy luftërat ballkanike kundër turqve në fillim të shekullit tonë, nuk ishin veçse karikatura e një premtimi të gjatë, nga ato për të cilat thuhet “u mbars mali e polli një mi”. Në krahasim me përplasjet e vjetra pak a shumë epike, këto dy luftëra përmbyllëse s’ishin veçse një razzia cubash për të plaçkitur një kalë te rrëzuar tashmë.

Sado e habitshme të duket, marrëdhëniet Evropë- Ballkan sot, duam apo nuk duam ne, përsëritin diçka nga kjo lojë e vjetër pasqyrash. Idenë e vjetër otomane për t’i përdorur brigjet shqiptare kundër Evropës e trashëguan sovjetikët, madje, pikërisht në bazën e vjetër ushtarake turke të Vlorës (që dikur kishte qenë romake), u bënë gati të vendosnin raketat e tyre me mbushje bërthamore. Sot, me sa duket, Perëndimi do të bëjë të njëjtën gjë. Ballkani ështe gjithmonë tokë që rrezikon, herë nga Perëndimi, herë nga Lindja. Ndaj, kur flitet për të nuk duhet harruar asnjë herë ndarja e fajit: çfarë i përket gadishullit, çfarë i përket kontinentit.

Na pëlqen apo s’na pëlqen, në politikën e Evropës ndaj Ballkanit do të ketë patjetër rikujtime të vjetra, qoftë romake-bizantine, qoftë otomano-habsburgase. Nga gjithë ky realitet mijëvjeçar ka mbetur ende ideja e paluajtshme, ajo e arbitrazhit. Arbitrazhi euroatlantik, megjithë mungesat që mund të ketë një arbitrazh nuk është fyes, përkundrazi është shpëtimtar për rajonin. Fakti që ai është arbitrazhi i vendeve më të përparuara demokratike të kohës i jep legjitimitet përpara këtyre popujve të lodhur, me fat kaq të ashpër, që quhen ballkanas.

Për të ushtruar ndikimin e saj, për ta bërë Ballkanin zonë pozitive, që mund ta furnizojë kontinentin jo vetëm me pasuri e plazhe, që ai i ka si rrallëkush, por edhe me energji njerëzore e kulturore, Evropa duhet të çlirohet nga paragjykimet e fundit, që ende ia errësojnë pamjen. Ajo duhet të pranojë se në gadishull janë krijuar realitete të reja, që më parë as që mund të mendoheshin. Për të parë sa të thella janë ndryshimet mjafton shembulli i dy vendeve me konflikt shekullor: Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Shqipëria e gjerdjeshme: e izoluar e çmendur, staliniste, antiperëndimore është kthyer në një nga zonat më proeuropiane të rajonit. Jugosllavia e gjerdjeshme, e hapur, properëndimore, liberale ose më saktë kinseliberale ka bërë të kundërtën: është kthyer në vend të mbyllur stalinist. Dy armiqtë e vjetër kanë ndërruar vendet. Askush nuk mund të jetë i verbër përpara kësaj.

Popujt e Ballkanit gjatë historisë së tyre të gjatë kanë krijuar një drejtpeshim fizik dhe shpirtëror përbri njëri-tjetrit. Në shekullin XX, për shkak të keqkuptimeve politike tragjike ky drejtpeshim u prish. Përpjekja për të përjetësuar të keqen në Ballkan me anë të doktrinave të reja raciste, siç është për shembull ajo e “rrezikut të ekspansionit shqiptar” vjen në kundërshtim me atë frymë qytetëruese europiane. Në kohën e krijimit të shtëpisë europiane, në të cilën të gjithë popujt duhet të zhvillohen natyralisht, të krijosh ligje speciale për kufizimin e lirisë dhe për zhvillimin harmonioz të një populli, ky është një kundërsens historik e moral, për të përdorur fjalën më të butë.

Evropa, mbikëqyrëse e gadishullit nuk duhet kurrsesi të bjerë në kurthin e intrigave e xhelozive të ndërsjellta ballkanase. Nga ana e tyre, popujt e Ballkanit përfundimisht duhet ta kuptojnë se, ashtu siç shekuj më parë shkuan bashkarisht drejt katastrofës, ashtu sot bashkarisht do të ecin drejt shpëtimit.

Riskajimi i gadishullit të madh në kontinentin mëmë do të sjellë ndryshime të ndjeshme për të giithë. Vetëm atëherë mund të thuhet se unaza dalluese në kthetrat e shkabës së rikthyer nuk do të jetë shenjë e ndarjes, por e kujtimit të një brenge.