ULTRANACIONALIZMI SLLAVO-MAQEDONAS DHE RIDEFINIMI I MAQEDONISË

0
124
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

Shqiptarët në rajon, nuk kërkojnë kurrfarë të drejtash të posaçme, për arsye se ndaj tyre nuk është bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.

Forcat e armatosura maqedonase të luftës së 2001-shit, shikuar nga këndvështrimi shqiptar, nuk kanë qenë mbrojtës. Në të vërtetë ata kanë mbrojtur një sistem, një regjim dhe një pushtet antidemokratik. Kanë mbrojtur një kushtetutë, sipas së cilës Maqedonia përkufizohej si shtet unitar, monoetnik dhe centralist. Një kushtetutë nga e cila, ndaj shqiptarëve nxirreshin ligje diskriminuese dhe restriktive. Lufta e 2001-shit nuk u zhvillua në tokat sllavo-maqedonase, por në ato shqiptare. Rrjedhimisht, “mbrojtësit” maqedonas të luftës së 2001-shit, nuk ishin veçse agresorë dhe pushtues.

Reagimi i Bashkimit Demokratik për Integrim lidhur me tendencën e VMRO-së për të nxjerrë ligj për të ashtuquajturit mbrojtës maqedonas të 2001-shit  – nuk është në përputhje me peshën e problemit. Fjalimet disaorëshe të disa deputetëve të subjektit politik të sipërthënë, në stilin e kryetarit të Kubës Fidel Kastro (Fidel Alejandro Castro Ruz, 1926-2016) apo të kryetarit të venezuelës Hygo Çavez (Hugo Rafael Frías Chávez, 1954-20130) nuk janë përgjigje përkatëse ndaj ultra-nacionalizmit, antishqiptarizmit dhe arrogancës së kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevskit dhe partisë që udhëheq ai.

Miratimi i ligjit të lartpërmendur nuk duhet të parandalohet me veprime procedurale, por me qëndrim politik të prerë. Problemi i shqiptarëve në Maqedoni nuk është miratimi ose jo, i ligjit për “mbrojtësit”maqedonas të luftës së sipërthënë. Ligji mund edhe të mos miratohet, por çështja shqiptare në Maqedoni vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Prej viti 2006 e këndej, qeveritë e VMRO-së dhe të kryeministrit maqedonas – Gruevskit ndjekin politikë ultra-nacionaliste dhe antishqiptare.

Thelbi i kësaj politike është:
– Të krijohet shteti maqedonas, si pronë e sllavo-maqedonasve;
– Të krijohet kombi maqedonas;
– Sllavo-maqedonasit të jenë trashëgues të vetëm të shtetësisë së këtij vendi, të shkëputur nga Jugosllavia;
– Sllavo-maqedonasit të jenë i vetmi popull shtetformues apo shtetndërtues;

– Maqedonia të jetë shtet unitar, monoetnik dhe centralist;
– Ligjet e shtetit të jenë restriktive dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve;
– Ndaj shqiptarëve të zbatohet represion dhe opresion;
– Të zhbëhet karakteri dyetnik i shtetit;

– Të komprometohet lufta e 2001-shit;
– Të diskreditohet Marrëveshja e Ohrit;
– Të zhvleftësohet faktori politik shqiptar në Maqedoni;
– Të defaktorizohet faktori shqiptar në Maqedoni;

Shqiptarët në Maqedoni të shndërrohen në pakicë apo në minoritet të shpërfillur; të merren vite me radhë me të njëjtat probleme; të merren kryesisht, jo me çështje politike, por me çështje infrastrukturore apo kulturore, si: ndërrimi i dritareve të ndonjë shkolle, ndërtimi i ndonjë salle fizkulture, ndërrimi i tjegullave të pullazit të pallatit të kulturës, meremetimi i hamamit etj. Punimet e sipërthëna, faktori politik shqiptar t’i shpallë arritje historike të popullit.

Prej vitit 2006 e këndej, për të mos thënë dhe më herët, Marrëveshjen e Ohrit sllavo-maqedonasit e interpretojnë ashtu si duan vetë, d.m.th. e keqinterpretojnë, e interpretojnë njëanshëm. Marrëveshjen e Ohrit, sllavo-maqedonasit asnjëherë nuk e kanë njohur. Atë s’e njohin as sot. Sipas tyre, kjo marrëveshje tanimë është jetësuar plotësisht, ndaj për të s’ka se ç’bisedohet. Po ta pyesësh sot një ministër shqiptar të qeverisë së përtashme, në ka mbetur diçka pa u realizuar nga Marrëveshja e Ohrit, ai  s‘ka për të thënë asgjë.

D.m.th. është realizuar e tëra. Por, ai do të shtojë se MO-ja, gjatë zbatimit në praktikë, has në vështirësi. Përgjigjja e këtillë e ministrit shqiptar të kabinetit të Gruevskit është e pakuptimtë. Implementimin apo zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, më parë se qytetari i rëndomtë maqedonas, e vështirëson vetë VMRO-ja, d.m.th. vetë faktori politik, që është edhe partnere e bashkëqeverisjes me partinë e ministrit. Ndaj një VMRO-je të tillë BDI-ja duhet të manifestojë vendosmëri dhe kapacitet politik.

Duke qenë se nga Marrëveshja e Ohrit s’paska mbetur gjë pa u realizuar, atëherë shtrohet pyetja: A vëren qytetari i rëndomtë shqiptar ndryshime në jetën e tij të përditshme, dhjetë vjet pas miratimit të kësaj marrëveshjeje?!

Çështjet me dimension politik, nuk zgjidhen me veprime të cilat pala sllavo-maqedonase mund t’i quajë ekzibicionizëm politik. Çështjet me peshë politike zgjidhen me një marrëveshje politike midis faktorëve politikë të të dyja bashkësive etnike. Në të vërtetë, marrëveshja politike është pjesë e një marrëveshjeje historike ndërmjet dy popujve. Po qe se për çështjet me vlerë politike, midis faktorëve politikë të të dyja bashkësive etnike nuk mund të arrihet marrëveshje politike, atëherë del se nuk qenka arritur paraprakisht kurrfarë marrëveshjeje historike. Marrëveshjet historike ndërmjet dy popujve u prijnë marrëveshjeve politike të faktorëve të tyre politikë.

Refuzimi i zgjidhjes së statusit të dëshmorëve të 2001-shit dhe miratimi i njëanshëm i ligjit për “mbrojtësit” maqedonas, dëshmon se midis faktorëve politikë të të dy popujve, jo vetëm që nuk është arritur një marrëveshje politike, por pala sllavo-maqedonase as që ulet të bisedojë për një çështje të tillë, madje as me partnerin “e bashkëqeverisjes”. Me këtë, pala sllavo-maqedonase  jo vetëm që e vë në dyshim dhe e konteston Marrëveshjen e Ohrit, por automatikisht e suprimon atë. Me fjalë të tjera, marrëveshja historike midis shqiptarëve dhe maqedonasve, e arritur në vitin 2001, mu në flakën luftës, madje në prani të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, me këtë politikë ultranacionaliste dhe irracionale të Gruevskit – bëhet inekzistente.

Para këtij irracionalizmi të VMRO-së faktori politik shqiptar nuk duhet të rijë inferiorë. Kjo politikë bizantine dhe e djallëzuar nuk mposhtet me retorikë të zbrazët.

Një ministër shqiptar i qeverisë së përtashme maqedonase, njëherazi edhe politikan i lartë i partisë së vet, para ca ditësh tha: “Po qe se miratohet ligji për “branitellat”, atëherë mund të iniciohet ndryshimi i Kushtetutës”. Ky politikan i lartë shqiptar, në mënyrë të drejtpërdrejtë e pranoi se Kushtetuta e Maqedonisë, për shqiptarët është diskriminuese?! Por, ky ministër dhe politikan nuk e tregoi mënyrën se si do ta imponojë ndryshimin e kushtetutës së sipërthënë. Po qe se statusi politik i shqiptarëve në Maqedoni nuk ka ndryshuar me Marrëveshjen e Ohrit që ishte rezultat i luftës së 2001-shit, atëherë në ç’mënyrë do të ndryshojë sot, në kohë paqeje, sikundër prononcohet për mediumet ministri shqiptar i kabinetit të Gruevskit?!

Shqiptarët shpesh thonë: “Marrëveshja e Ohrit ka garanci ndërkombëtar…” Duke qenë se ndërkombëtarët janë garantë të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, atëherë shtrohet pyetja: “Ku janë ndërkombëtarët për ta parandaluar interpretimin e njëanshëm dhe nëpërkëmbjen e saj nga pala sllavo-maqedonase?!”

Faktori politik shqiptar në Maqedoni, menjëherë pas mbarimit të luftës së 2001-shit, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, me palën maqedonase duhej të arrinte marrëveshje politike, për sa vijon:

– Për mbrojtjen e vlerave të luftës së 2001-shit dhe për përfshirje e saj në historinë e Maqedonisë si dhe në tekstet e historisë;
– Për zgjidhjen e statusit të dëshmorëve të luftës së 2001-shit;
– Për mbrojtjen e të drejtave të familjeve të dëshmorëve të luftës së 2001-shit;

– Për zgjidhjen e statusit të invalidëve të luftës së 2001-shit;
– Për mbrojtjen e të drejtave të invalidëve të luftës së 2001-shit si dhe të familjeve të tyre;
– Për jetësimin në kohë të Marrëveshjes së Ohrit;
– Për kremtimin ligjor të ditës së nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Statusi i luftëtarëve të luftës së 2001-shit duhej të zgjidhej qysh para dhjetë vjetësh dhe jo sot. Kjo ishte puna e parë që duhej bërë. Kjo çështje duhej të zgjidhej me ligj. Ky  nuk është problem social, por politik. Dëshmorët e luftës së 2001-shit meritojnë respekt legjitim, legal dhe zyrtar. Derisa në krye të Ministrisë së Mbrojtjes të RM-së të jetë një shqiptar, duhet besuar se ai, në varrezat e tyre do të bëjë homazh. Por, kur në krye të kësaj ministrie të vijë një sllavo-maqedonas, athua ky do t’u bëjë homazh dëshmorëve shqiptarë?! Kuptohet se jo. Pikërisht për këtë arsye, çështja e lartpërmendur duhet të zgjidhet në mënyrë parimore.

Pa zgjidhjen ligjore të kërkesave të mësipërme, faktori politik shqiptar – pavarësisht nga sugjerimet eventuale të miqve perëndimorë – nuk duhej të hynte, as në qeveri dhe as në parlament. Me fjalë të tjera, faktori politik shqiptar, assesi nuk do të duhej të hynte në sistem. Përkundrazi, në vitin 2006 faktori politik shqiptar, pa asnjë marrëveshje politike konkrete me VMRO-në, rendi që sa më parë të hyjë në qeveri, qoftë edhe si humbëse e zgjedhjeve.

Me të parë VMRO-ja se synimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni paska qenë zënia e pozitave për qëllime personale dhe jo realizimi i interesave të përgjithshëm, tha: “Jepu këtyre pushtet pa pushtet dhe sundo mbi ta sa të duash dhe si të duash”.

Po qe se faktori politik shqiptar, interesat kombëtarë nuk i mbron në mënyrë parimore  dhe me vendosmëri para VMRO-së, atëherë nuk do të mund t’i mbrojë as para LSDM-së, nën premisën që kjo parti një ditë të vijë në pushtet. Opozita e sotme maqedonase mund t’i thotë faktorit politik shqiptar: “Po të kishit qenë të interesuar për të drejta  kombëtare, do të kishit shkaktuar krizë politike në qeverinë e VMRO-së. Ne tani, njësoj si  pararendësit tanë, nuk mund t’ju ofrojmë asgjë më shumë sesa pushtet pa pushtet për një grup njerëzish”.

Të dështuar në planin politik, do ministra shqiptarë të kabinetit të VMRO-së, shqiptarëve të shtypur dhe varfëruar ua tregojnë fshatrat e Potemkinit*, duke u thënë: “Sapo të hyjmë në NATO, investimet e huaja do të vërshojnë dhe vendi do të lulëzojë.“ Këtë demagogji s’ke mundur ta lexosh as në “Fermën e kafshëve” të prozatorit anglez Xhorxh Oruel (George Orwell, emri i vërtetë Eric Blair, 1903-1950). Si do të integrohet Maqedonia në NATO dhe në BE me problemet, siç janë: përplasjet e brendshme ndëretnike; mosmarrëveshjet me Greqinë; acarimi i marrëdhënieve me Bullgarinë; kontesti me Serbinë rreth kishës.

Shënim: Fshatrat e Potemkinit – shkëlqim i rremë, paraqitja e fakteve të rrejshme si të ishin të vërteta. Shprehja vjen nga emri i ministrit dhe i dashnorit të perandoreshës ruse Katarina II, Potemkin (lexohet Patjomkin), i cili me rastin e udhëtimit të saj nëpër Krime në vitin 1787, nëpërmjet prapaskenave dhe pajisjeve të tjera, stepën e shkretë ia tregoi asaj si të ishte një zonë e banuar, e pasur dhe ea përparuar.

*   *   *

Nuk hyhet në BE pa i zgjidhur mosmarrëveshjet ndëretnike si dhe kontestet me fqinjët. Ky është parim themelor i Brukselit. Serbia për shembull, kurrë s’ka për ta parë integrimin evropian pa e njohur realitetin ekzistues në rajon, me Kosovën si shtet të pavarur, demokratik dhe sovran në kufijtë ekzistues.

Faktori politik shqiptar në Maqedoni, në momente krizash, prononcohet heshtazi: “Ne dalim nga qeveria, por s’na lënë ndërkombëtarët”. Ose: “Ne dalim nga qeveria, por s’na lënë qendrat politike shqiptare të vendosjes. Uashingtoni, Brukseli, Tirana dhe Prishtina na thonë se dalja e faktorit politik shqiptar nga qeveria e Shkupit mund ta destabilizojë, edhe Maqedoninë edhe rajonin”. Atëherë shtrohet pyetja: ”Cili popull hyn në qeveri kundër interesave të veta”?! Ose: “Pasi stabiliteti i Maqedonisë – dhe i rajonit vareka prej hyrjes së shqiptarëve në qeveri, atëherë shtrohet pyetja tjetër: Me se shpërblehen shqiptarët për hyrjen në qeveri?!”

Interesi i një grupi apo i një koniunkture nuk paraqet interes të përgjithshëm.

Trysninë eventuale të lartpërmendur, qendrat politike ndërkombëtare – Uashingtoni dhe Brukseli – duhet ta ushtrojnë, jo mbi faktorin politik shqiptar, por mbi palën maqedonase. Shqiptarët luftojnë për të drejta themelore dhe primordiale. Lufta e tyre është imperativ. Sllavo-maqedonasit ndërkaq, synojnë të ndërtojnë shtet në tokë të huaj – në atë ilire, për t’i shndërruar shqiptarët rrënjës në qiraxhinj pa tapi.

Faktori politik shqiptar në Maqedoni, sidomos BDI-ja që është partnere “e bashkëqeverisjes” duhet t’ua bëjë me dije, edhe faktorit ndërkombëtar edhe qendrave politike shqiptare të vendosjes – Tiranës dhe Prishtinës, se politika e qeverisë së Gruevskit është antishqiptare deri në skajshmëri dhe se shqiptarët, në një qeveri të tillë nuk kanë ç’të kërkojnë. Nocioni koalicion ka kuptimin bashkëqeverisje. Faktori politik shqiptar, prej vitit 2006 deri më sot nuk ka bashkëqeverisur fare. VMRO-ja ka qeverisur vetë. Faktori politik shqiptar, në gjashtë vitet e fundit nuk ka qenë veçse dekor i pushtetit sllav.

Faktori politik shqiptar, në interes të përgjithshëm, duhet të ndajë pushtet me faktorin politik maqedonas dhe jo të ushtrojë pushtet mbi popullin e vet.

Faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet ta dijë se me politikën e tij defensive përballë VMRO-së – diskreditohet, jo vetëm para të tashmes, por edhe para historisë.

Mungesa e një marrëveshjeje politike ndërmjet partnerëve “të bashkëqeverisjes” i shtyn shqiptarët të ndërmarrin veprime të cilat nga pala sllavo-maqedonase cilësohen si joligjore, si p.sh.: vendosja e kurorave me lule në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në fshatin Sllupçan të Likovës nga ministri i përtashëm i Mbrojtjes; ndërrimi i emrave të katër shkollave në Komunën e Çairit në Shkup; ekzekutimi i himnit kombëtar shqiptar me rastin e përurimit të ndonjë objekti shkollor si dhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës etj.

Projektligji i hartuar për “mbrojtësit” maqedonas të 2001-shit, duhej të ishte pjesë e një marrëveshjeje politike midis faktorit politik shqiptar dhe atij maqedonas, para se të krijohej qeveria. Sikur midis partnerëve “të bashkëqeverisjes” të ekzistonte një marrëveshje politike, të gjitha veprimet e sipërthëna do të kryheshin pa tensione midis palëve. Kjo dëshmon se qeveritë në Maqedoni krijohen pa marrëveshje politike të përpikta. Po qe se midis palëve nuk mund të arrihet marrëveshje politike para se të krijohet qeveria, atëherë faktori politik shqiptar nuk duhet të jetë pjesë e saj.

Politika serioze, afatgjate dhe e mirëfilltë nuk është improvizim, ekzibicionizëm apo marketing politik. Faktori politik shqiptar duhet të manifestojë kapacitet politik. Veprimi politik i tij duhet të paraqesë vlerë politike. Veprimi politik që nuk paraqet vlerë dhe efekt politik, ka ngjyra populizmi.

Ndërkombëtarët – Duket sikur faktori ndërkombëtar, çështjen shqiptare në rajon  e ndan në tri shkallë:
– e para, konsolidimi ekonomik dhe social i Shqipërisë dhe përfshirja e saj në familjen perëndimore;
– e dyta, çlirimi i Kosovës nga kolonialistët serbë, sovraniteti i saj mbi tërë territorin e vet, konsolidimi ekonomik dhe social si dhe përfshirja e saj në familjen perëndimore;
– e treta, sigurimi i të drejtave për shqiptarët në Maqedoni, nëpërmjet një marrëveshjeje me palën maqedonase.

Nga sa më sipër del se faktori ndërkombëtar influent, çështjen shqiptare në Maqedoni, në fazën e përtashme, nuk e trajton si çështje territoriale apo si çështje të një populli që duhet të jetë shtetformues. Si duket, ndërkombëtarët nuk janë të entuziazmuar për të krijuar tre kombe shqiptare në rajon. Duket sikur thonë: “Me konsolidimin e Shqipërisë dhe me pavarësimin e Kosovës, detyrimi ynë ndaj shqiptarëve – për këtë fazë –  është përmbushur.”

Ndërkombëtarët e kanë një refren që është bërë klishe: “Të ruhet paqja dhe stabiliteti në rajon.” Ata duhet ta dinë se askush nuk mund t’i detyrojë shqiptarët ta ruajnë stabilitetin e Maqedonisë, kësaj kreature artificiale dhe johistorike, kominterniste dhe serbokomuniste, në dëm të vetë shqiptarëve. Brukseli dhe Uashingtoni sugjerimet e veta për ruajtjen e paqes në rajon duhet t’ua drejtojnë  maqedonasve dhe jo faktorit politik shqiptar. Nuk janë shqiptarët ata që e turbullojnë ujin në gadishull, por janë maqedonasit pa identitet, ata që duan të krijojnë shtet  në tokë të huaj.

Ku është parë në histori që një komunë me shumicë shqiptare nuk mund t’i ndryshojë emrat e shkollave, në të cilat nxënësit shqiptarë janë në përqindje absolute?!  Ndryshimi i emrave të shkollave nuk është kurrfarë çështjeje politike. Në pjesën veriperëndimore të këtij vendi në të cilën shqiptarët paraqesin shumicë absolute, qindra rrugë, në mos dhe mijëra sosh, mbajnë emra sllavësh, përfshi edhe emrat e figurave jugosllave të kohës së komunizmit. Shqiptarët i kanë heronjtë dhe personalitetet e veta, që nga ilirët deri në ditët e sotme. I kanë personalitetet e luftërave çlirimtare kundër sundimtarëve të egër gjatë historisë. I kanë martirët e luftërave çlirimtare kundër pushtuesve dhe kolonizatorëve të shekullit XX. I kanë figurat emblematike të artit dhe të shkencës, ndaj s’kanë nevojë për emra sllavësh.

A nuk e shohin ndërkombëtarët se shqiptarët në Maqedoni nuk e respektojnë: as himnin e këtij vendi, as flamurin e tij dhe as stemën?! Nuk i respektojnë ngase i kanë të vetat. A s’e shohin ndërkombëtarët se në kremtimin e 21-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së këtij vendi nuk mori pjesë asnjë shqiptar?! Çfarë shteti është ky kur 30 për qind e popullsisë e injoron himnin, flamurin, stemën dhe ditën e pavarësisë?! A mund të ketë perspektivë një shtet i tillë?! Në Jugosllavinë e AVNOJ-it (KAÇKJ), përpos dy a tre shqiptarëve të ndershëm, s’pati shqiptar që tregoi respekt për himnin jugosllav. Si pasojë, Jugosllavia, ky krijim artificial i Versajës dhe i Kominternës, u zhbë si flluskë sapuni.

Mu këtu shpie edhe politike irracionale e Gruevskit. Megalomania dhe arroganca e politikanëve serbë, të inspiruar nga Memorandumi antihistorik i akademikëve retrogradë, i solli serbët te shkopi i lypësit.

Kësaj rruge shkojnë edhe sllavo-maqedonasit. Depresiacioni dhe zhvleftësimi i ditëpërditshëm i denarit, inflacioni i heshtur dhe ngritja e vazhdueshme e çmimeve janë pasojë e investimeve të gabuara në projektet donkishoteske siç është ai i Shkupit 2014.

VMRO-ja merr forca nga shumë anë: Nuk është pa mbështetjen e ndërkombëtarëve; e shfrytëzon politikën stabilizuese, paqeruajtëse dhe të fqinjësisë së mirë të Tiranës dhe Prishtinës; e shfrytëzon impotencën politike të faktorit politik shqiptar në Maqedoni.

VMRO-ja duhet të dijë se kombet u krijuan në shekullin e kombeve – d.m.th. në qindvjeçarin XIX dhe jo në atë XXI. Shqiptarët, duke qenë se në këtë pikëpamje u vonuan, sot e kësaj dite vuajnë të zitë e ullirit. Faktori ndërkombëtar mund ta mbështet krijimin e një Maqedonie si shtet dyetnik apo shumetnik, por kurrë s’ka për ta mbështetur ideologjinë nacionaliste dhe romantike të VMRO-së të tipit të shekullit të XIX – retrograde, johistorike, destabilizuese dhe luftënxitëse.

Politika e VMRO-së i rikthen proceset politike prapa. Pozita e shqiptarëve sot është sikur para 2001-shit. Madje ka edhe të tillë që thonë se shqiptarët në Maqedoni kurrë s’kanë qenë më keq se sot.

VMRO-ja, me politikën e saj nacionaliste dhe antishqiptare, përkundër krizës së thellë ekonomike dhe sociale që mbizotëron në këtë vend, vazhdon ta ketë mbështetjen e një pjese të madhe të votuesve sllavo-maqedonas. S’ka dyshim se mbështetja më e madhe i vjen për shkak të shpërfilljes së interesit shqiptar. Po qe se kjo parti sllavo-maqedonase, sa herë që të vijë në pushtet, do t’i margjinalizojë shqiptarët, atëherë shtrohet pyetja: “Në ç’mënyrë shqiptarët do t’i zgjidhin problemet e veta politike, ekonomike dhe sociale”?! Ç’kuptim ka veprimi politik i faktorit politik  shqiptar që i fiton zgjedhjet, që hyn në qeveri dhe s’arrin dot t’i realizojë kërkesat themelore të shqiptarëve?! Me fjalë të tjera, ç’kuptim ka pjesëmarrja e qytetarëve dhe e faktorit politik në procesin politik dhe demokratik, përderisa të qenët në qeveri është joefektiv?!

Midis ultranacionalizmit gligorovist e VMRO-ist, në një anë dhe shkallës së ulët të organizimit të faktorit shqiptar, çështja shqiptare në Maqedoni përplaset midis Scilës dhe Haribdës.

Në vitin 2006, në qeveri hyri subjekti politik që i humbi zgjedhjet, d.m.th. që nuk e mori verdiktin e shumicës së elektoratit shqiptar. Rrjedhimisht, u shtrua pyetja: Përse shqiptarët të dalin në zgjedhje, përderisa nuk përfillet vota e shumicës?! Situata sot, është akoma më e rëndë. Në qeveri nuk i shkon fjala as partisë që i fiton zgjedhjet. Duke qenë se hyrja në qeveri e faktorit politik shqiptar është bërë e pafrytshme dhe joefektive, atëherë shtrohet pyetja: A duhet shqiptarët të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, përderisa subjekti që hyn në organin ekzekutiv – madje edhe si fituese – nuk përfillet fare?!

Faktori politik shqiptar në Maqedoni, që nga viti 1991 deri më sot, asnjëherë nuk ka hyrë në qeveri me një marrëveshje politike konkrete dhe të përpiktë, ndonëse gjithmonë ka deklaruar se ka hyrë në koalicion me marrëveshje. Në shtetet dyetnike siç është Maqedonia, koalicionet krijohen me një marrëveshje politike paraprake, të hartuar me shkrim dhe me afate të përpikta të realizimit të agjendës. Ndryshe, hyrja në qeveri nuk është veçse ulje në kolltukë, e një grupi njerëzish. Në politikën kombëtare nuk vlejnë fjalët e mëdha, por arritjet konkrete. Diskursi atdhetar, i pambuluar nga arritjet reale, nuk është veçse retorikë e zbrazët. Me të tillë “nacionalizëm të zjarrtë”, shqiptarët janë të ngirë.

Nëpërkëmbja e interesit shqiptar shkakton pakënaqësi latente në popull. Cili shqiptar do ta ndjejë si të veten, një Maqedoni ku i injorohen liritë themelore?! Në një vend të tillë nxiten tendencat qendërikëse. Atëherë, çfarë stabiliteti dhe çfarë perspektive ka ky shtet?! Nacionalizmi i VMRO-së nuk është në dobi të vetë popullit maqedonas. Historia e dëshmon se shtetet me turbulenca ndëretnike, nuk ia dalin të ndërtojnë, as ekonomi dhe as demokraci.

Sllavo-maqedonasit synojnë që çështjen shqiptare në Maqedoni ta zhveshin nga dimensioni politik e kombëtar dhe ta shndërrojnë në çështje sociale, kulturore dhe infrastrukturore. Ata kanë për qëllim t’i zhveshin shqiptarët nga ideali i lirisë. Por, politika dritëshkurtër e tyre mund të ndikojë në homogjenizimin dhe në radikalizmin e faktorit shqiptar. Si rregull, homogjenizimi i njërës bashkësi etnike determinon edhe homogjenizmin e palës tjetër. E homogjenizuar mbi baza etnike, Maqedonia do të kthehej në fillim të viteve ’90 të shekullit XX. Me veprimet politike retrograde, ajo do të mbetej në margjinat e proceseve integruese.

Politika e VMRO-së synon homogjenizimin etnik maqedonas dhe ka primesa të theksuara populizmi. Te spektri politik shqiptar ndërkaq, VMRO-ja dhe qendra të jashtme të caktuara, kanë për qëllim të nxisin fragmentarizimin e faktorit politik shqiptar si dhe lindjen e fraksionizmit. Faktori politik shqiptar nuk duhet të lejojë të shndërrohet në parti qytezash: njëra ta fitojë Gostivarin, tjetra të kontrollojë Tetovën, e treta – Çairin e Shkupit. Një faktor politik i tillë, që të kujton feudet e mesjetës është larg synimeve kombëtare dhe ndodhet nën shkallën e përgjegjësisë historike. Përballë shovinizmit sllav, shqiptarët në Maqedoni nuk duhet të rinë duarkryq. Mundësitë ndodhen brenda vetë shqiptarëve dhe jo jashtë tyre.

Suprimimi i Marrëveshjes sh Ohrit nga ultranacionalistët sllavo-maqedonas, do t’i detyrojë shqiptarët të kërkojnë ridefinimin e Maqedonisë. Shqiptarët do të kërkojnë federalizmin e saj, si shtet i dy popujve shtetformues: shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve. Federalizimi i Maqedonisë është kërkesa minimale e shqiptarëve. Është e drejtë e patjetërsueshme e tyre që Maqedoninë ta përkufizojnë si shtet me dy entitete (me dy njësi politiko-territoriale): me entitetin shqiptar dhe me entitetin sllavo-maqedonas.

Gligorovistët dhe VMRO-ja duket sikur pyesin me ironi: “Derisa shqiptarët sot nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për ta imponuar interpretimin e drejtë të Marrëveshjes së Ohrit dhe jetësimin e saj, atëherë në ç’mënyrë dhe me çfarë forcash do ta bëjnë federalizmin e Maqedonisë, për të mos thënë – krijimin e entitetit shqiptar në të?!”

Mirëpo, historia nuk përfundon me kaq. Edhe akademikët serbë nuk besonin se Kosova mund të çlirohet, por ajo sot është shtet i pavarur, i njohur prej 92 vendeve të botës. Shqiptarët në Maqedoni do t’i arrijnë objektivat politikë me riorganizimin e faktorit politik shqiptar. Faktori politik shqiptar i riorganizuar, për një Maqedoni që qëndron mbi këmbë të qelqta, ka fuqi tërmetore. Pa shqiptarët në sistem s’ka Maqedoni, ka sistem paralel. Shqiptarët nuk do të lejojnë që të drejtat e tyre të jepen në shtratin e Prokrustit.

Për stabilitetin e Maqedonisë kujdeset SHBA-ja. Por Uashingtoni nuk mund ta mbështesë nacional-romantizmin e VMRO-së – historikisht të vonuar.

Shoqëria shqiptare duhet t’ia vërë në dijeni palës maqedonase se shqiptarët në Maqedoni nuk janë popull me kapacitet politik të kufizuar, d.m.th. popull jopolitik. Popujt jopolitikë dhe pa potencial politik, vështirë i arrijnë synimet kombëtare, akoma më vështirë ato politike dhe tejet vështirë – aspiratat shtetformuese dhe shtetndërtuese. Shoqëria shqiptare duhet t’ua bëjë me dije gligorovistëve dhe VMRO-istëve se shqiptarët në këtë vend nuk janë popull me mendësi provinciale dhe fshatarake, sikundër pandehin ata. Popujt me psikologji katundi dhe qyteze vështirë ia dalin të fitojnë lirinë, aq më pak të bëhen shtetformues.

Faktori politik shqiptar në Maqedoni nuk do të mund t’i bëjë ballë palës maqedonase, duke dërguar në organet ligjvënëse dhe ekzekutive të shtetit, individë me kapacitet politik, profesional dhe moral të kufizuar, si dhe me shkallë të ulët të ndërgjegjes kombëtare. A mund t’i ketë përfaqësuar me devotshmëri shqiptarët një ministër shqiptar, emri i të cilit publikohet zyrtarisht se ka qenë në shërbimin antishqiptar?! Shqiptarët në Maqedoni antishqiptarizmit të VMRO-së nuk do të mund t’i bëjnë ballë me sukses: me nivelin profesional të pamjaftueshëm të establishmentit shqiptar në organet ligjvënëse dhe ekzekutive të shtetit si dhe me korrupsionin e një pjese të caktuar të nomenklaturës shqiptare në organet e pushtetit.

Politika kombëtare nuk është interes i një grupi të ngushtë njerëzish. Një numër i madh i deputetëve dhe i ministrave shqiptarë, që nga viti 1991 deri më sot, nuk kanë qenë në krye të detyrës, as në pikëpamje kombëtare, as në pikëpamje intelektuale dhe as në atë profesionale. Ky antishqiptarizëm i paparë i qeverisë së Gruevskit nuk është punë rasti. Ai e sheh se kë ka përballë dhe me kë ka punë. Kur shqiptarët turren të hyjnë në qeveri – qoftë edhe si humbës – dhe rendin që sa më parë t’i shijojnë privilegjet e pushtetit, mos prit aty politikë kombëtare.

S’është vështirë të manipulosh me një popull:
– që ka një inteligjencie oportuniste dhe konformiste;
– që është varfëruar dhe që të vetmin preokupim e ka sigurimin e bukës;
– që si pasojë e skamjes është zhveshur nga çdo ideal jete;
– që ka mediume të kontrolluara nga faktori politik dhe nga pushteti;
– që ka analistë politikë mercenarë, në shërbim të pushtetit sllav.

Sundimtari, kolonizatori dhe pushtuesi, një popull së pari e degradon ekonomikisht, pastaj në pikëpamje kombëtare, më pas politikisht dhe në fund edhe moralisht. Partitë politike shqiptare janë shndërruar në ente punësimi. Të shndërruara në ente të tilla, ato s’mund të jenë faktorë politikë, ato s’mund të kenë potencial politik, ato s’mund të kryejnë mision historik dhe nuk mund të bëjnë punë historike. Si ente punësimi, ato s’mund të kenë autoritet politik para palës sllavo-maqedonase e cila e ka shtetin dhe i kontrollon të gjitha poret e pushtetit.

Roli i faktorit politik shqiptar është reduktuar në përurimin e ndonjë shkolle të meremetuar – katundi. I katandisur në një gjendje të tillë dhe i zhveshur politikisht, faktori politik shqiptar në Maqedoni është shndërruar në faktor kulturor dhe infrastrukturor.

Përkundër zhvillimeve politike të pavolitshme, faktori politik shqiptar në Maqedoni vazhdon të jetë nën nivelin e përgjegjësisë historike. Shqiptarët në Maqedoni duhet ta ndërpresin luftën e egër midis tyre – për pushtet qytezash dhe katundesh. Mjerimi i shqiptarëve qëndron në faktin se gjithmonë tentojnë ta mundin njëri-tjetrin dhe asnjëherë kundërshtarin e vërtetë.

Qëndresa e popullit shqiptar në Maqedoni është imperativ i çastit historik.