Ulliri

0
738

Ilustrimi nga Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën U

Dea Halimi
Dea Halimi

– Tak-tak – tak, trokiti dikush ne derë.
– Unë do të shikoj kush është, – ia bëra mamasë. Eca dhe e hapa derën. Para meje qëndronte një njeri me uniformë postieri. Ai më ofroi një copë letre në dorë.
– Duhet të vini në postë, e keni një pako, – tha ai.
Disa orë më vonë, unë e mami bëheshim gati të shkonim në postë.
– Do ta marrë me vete dhe qenin tim, Umin.
– Jo, – më ndërpreu mami.
– E mbaj në parzëm, mami. Është i vogël. Le ta shikojë pak qytetin dhe Umi, pse jo?
Te sporteli nr. 7, nëpunëses me syza të trasha, ia ofruam letrën që e solli postieri. Ajo u ngrit, eci dhe hyri në një dhomë tjetër, prej nga doli me një pako në dorë.
– Urdhëroni, – tha.
Mami nënshkroi që e mori pakon e ecëm për në shtëpi. Në rrugën e lagjes e takuam Urimen, shoqen e shkollës.
– Keni blerë ndonjë gjë, – tha ajo.
– Po, – ia bëra unë, gjithnjë me kureshtje, të kuptoja çfarë ka në pako. Hymë brenda dhe ende pa u ulur unë mora gërshërët.
– Prit, – tha mami, – pse gjithë kjo nguti.
– Dua të shikoj çfarë ka në pako, asgjë tjetër.
– Pakon e ka dërguar Umka, ajo plaka nga Shtoji, në shtëpinë e së cilës qëndruam gjatë pushimit veror. Të kujtohet ajo plaka?
– Si jo, Umka, – ia bëra dhe e hapa pakon. Umka më kishte dërguar gjethe të ullirit. Më kumbuan në kokë fjalët që m`i thoshte:
– Ulliri është pemë frutore, gjithmonë i gjelbër. Rritet në vendet e ngrohta; ka gjethe gjatoshe, bën kokrra të vogla me shumë vaj. Frutat i përdoren për të nxjerrë vaj ose për të ngrënë… Dega e ullirit është simbol i paqes. Gjethet i ka ngjyrë të blertë të errët pak si në të përhimët, njerëzit i përdorin për të bërë çaj. Ky çaj ndihmon në mbajtjen e shtypjes së gjakut në drejtpeshim. Shtypjen e lartë të gjakut e zbret, të ulëtin e ngrit. Është ilaç.
Mami lëvizi pak kokën e qeshi. Grua e mirë qe ajo, me sjellje të pashoqe dhe e kulturuar.
– Veçse pse i ka dërguar këto gjethe ulliri?
– I ka dërguar për gjyshen. Ajo e ka shtypjen e lartë të gjakut, – ia bëra unë dhe mora disa gjethe të ullirit e i mbajta në shuplakë.
Umi lehu me zë të ulët.
– Do t`ia dërgoj disa gjethe gjyshes, t`i ziejë për çaj.
– Pse disa, – tha mami. – Dërgoja të gjitha.
– Jo, do t`i ndal disa për vete. Javën e ardhshme do ta ushtrojmë shkronjën U dhe do t`i marrë gjethet e Ullirit në klasë, t`i shikojnë dhe shokët e shoqet.
– Ti ke zemër të mirë Dea, – tha mami. – Ja pse të do Umka, Gjyshja, shokët e shoqet.
– E ti, – qesha unë.