UKSHIN HOTI – I LARTËSUAR NË PIEDESTALIN E BURRAVE TË MËDHENJ TË KOMBIT

0
848
Zymer Mehani, portret

Shkruan prof. Zymer Mehani

Për pikëpamjet dialektike dhe materialiste ndaj jetës dhe botës gjatë historisë njihet edhe roli i individit në lëvizjet shoqërore. Në të vërtetë shfaqja e njerëzve udhëheqës në histori nuk është gjë e rastit, por është rezultat i ligjshmërisë historike dhe i nevojave objektive shoqërore. Dihet se suksesi i ndryshimeve shoqërore nuk varet kryekëput vetëm nga roli i individit si drejtues, por prej kushteve objektive shoqëroro-ekonomike politike dhe të kushteve të tjera subjektive të vendit, nga relacionet e fuqive, nga zhvillimi i qenies dhe i ndërgjegjjes së një populli dhe shoqërie, nga organizimi dhe nga uniteti i brendshëm i lëvizjes përkatëse etj.

Mirëpo bashkë me rëndësinë e pamohueshme të kushteve të përmendura, historia gjithashtu me shembuj të panumërt ka treguar dhe tregon se edhe roli i njerëzve udhëheqës shpesh mbërrin të ndikojë si nxitës ose pengues, si konstruktiv ose destruktiv dhe të ketë kështu një ndikim shumë të madh në një popull, në popuj të tërë dhe në lëvizje të ndryshme shoqërore, politika dhe klasore.

Edhe kombi ynë, gjatë gjithë historisë së tij të lavdishme ka dhënë emra të mëdhenj në të gjitha lëmitë. Në të gjitha rrethanat, në të gjitha netët e errëta të kombit tonë, kanë dalë njerëz të mëdhenj që kanë ndriçuar rrugën e gjatë të shqiptarëve drejt lirisë. Njëri prej tyre është edhe Ukshin Hoti. Sado që të mundohesh të shkruash për Ukshin Hotin, për të kurrë nuk do të thuhet e tëra. Ai ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar, ishte veprimtar i shquar i çështjes sonë kombëtare, e mbi të gjitha ai ishte trim, sypatrembur dhe mbrojtës i fuqishëm i të drejtës së Kosovës për ta fituar republikën.

Figurat legjendare historike të popujve dhe të klasave të ndryshme, për shkak të tejpamjes dhe aftësisë së tyre, i kanë caktuar më së miri rrugët e luftës kah fitorja dhe zhvillimi shoqëror, prandaj ata bëhen flamuj nën të cilët kanë luftuar miliona njerëz. E për ne në Kosovë një flamurtar i këtillë ishte profesor Ukshin Hoti. Ai ishte në mesin e më të shquarve. Pra, një personalitet kompleks dhe shumëdimensional. Duke jetuar në një kohë të vështirë për popullin tonë në Kosovë, intelektuali i madh Ukshin Hoti, nuk kishte se si të mos ishte pengesë për armikun.

Lëvizjet në jetën dhe punën për çështjen tonë kombëtare prej viteve 1912 e 1913, kur u copëtua territori shqiptar padrejtësisht, mund të themi pa asnjë glorifikim sado të vogël qoftë, vërtetojnë pa dyshim se roli i figurës kombëtare të prijetarit kishte rëndësi shumë të madhe historike dhe revolucionare për fatin e luftës sonë çlirimtare. Në këtë prizëm edhe Ukshin Hoti, si rrallë ndonjë intelektual tjetër shqiptar, i ka definuar në mënyrë të përkyer idetë e tij politike e filozofike. Ai ka folur për të kaluarën tonë, por ka parashikuar me përpikëri edhe të ardhmen e popullit të tij. Në kohën kur Kosova lëngonte nën robërinë serbe, Ukshin Hoti shprehej: ”Populli shqiptar niset nga besimi i plotë se është popull i Evropës, njëri ndër më të vjetrit, dhe se parimet që do të vlenin për të tjerët, do të duhej të vlenin edhe për të…“

Pra, ky intelektual i madh, kur Europa bënte sehir dhe vetëm me deklarata dënonte atë që ndodhte në Kosovë, e thoshte troç se ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa që e kanë të tjerët, popujt tjerë të Evropës. Shqiptarët duhet të jetojnë dhe t’i preferojnë vlerat e një bote me raporte të çiltra e humane, me konkurrencë të lirë të mendimit dhe të ideve, me kritere të njëjta të zgjedhjes së më të mirit, pa përbuzje, një botë ku do të shpërthenin vlerat e tyre origjinale.

“Kombi Shqiptar po e përjeton në imagjinatë atë që kombet tjera e kanë realizuar prej kohësh. Po duke qenë një komb si të gjitha kombet tjera, shqiptarët nuk kanë pse të përjetojnë gjithçka vetëm në imagjinatë”. Ky ishte kushtrimi i intelektualit të madh Ukshin Hoti, në kohën e hamendjeve tona, në kohën kur derisa vuante Kosova, një pjesë e shqiptarëve, pra edhe një pjesë e udhëheqësve tanë politikë të kohës, mendonin se Kosova do të çlirohej vetëm nga fakti se ne e donim lirinë.

I vendosur që deri në fund të jetë i patundur në aspiratat e veta që të krijojë një jetë të denjë për njeriun në gjirin e vendit të vet, ai me një energji të pashterrur- cilësi vetëm e atdhetarit të çelikosur dhe entuziastit, me stoicizëm i duronte goditjet e okupatorit, pse ishte i bindur se veprën që ai mbron- brezat e rinj do ta çmojnë dhe do ta vazhdojmë me entuziazëm dhe vetëmohim edhe më të madh.

Për këtë kolos të mendimit e veprimit politik shqiptar e ka thënë aq bukur Ismail Kadare: “Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burim i fatkeqësisë, që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir… Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç’partie i përket, ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme. Ai si duket u godit fort duke menduar se princin e shembën”.

VITET E BURGIMIT
Vitet e burgimit, nuk e ndanë Ukshin Hotin nga puna revolucionare. Ata ishin vjet të studimit të mëtutjeshëm sistematikë dhe të palodhshëm për çështjen kombëtare. Ai gjatë kësaj kohe nuk i ndërpreu lidhjet me bashkëveprimtarët.

Ukshin Hoti ishte arrestuar disa herë për aktivitetin e tij atdhetar në Kosovë nga regjimi serb, por së fundi arrestohet në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të aktiviteve armiqësore kundër Jugollavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjet për Republikën e Kosovës dhe më pas dënohet 5 vjet burg. Ishte dënim për të ndalë fjalën e lirë dhe jo vetëm kaq, por edhe për të mbyllur idenë e shtetëformimit dhe politikën aktive drejt finalizimit me mjetet që i kërkonte koha.

Ukshin Hoti në fjalën e tij dyorëshe para trupt gjykues serb, më 29.09.1994 shpërfaqi edhe njëher hapur të drejtat e shqipatërve të Kosovës dhe atë në gjeopolitkën evropiane. Ai ndër të tjera para gjykatës thekson:

“Ju të gjithë e dini se Republika e Kosovës ekziston; se ndodhet në procesin e krijimit të institucioneve vetjake, dhe mund të pohoj se Republika e Serbisë de facto e njeh. Asnjëherë nuk kam pohuar se unë jam i pari dhe i vetmi që e kam kërkuar atë. Kontributi im në lindjen e Republikës së Kosovës konsiston në dhënien në atë kohë të arsyetimit komplet dhe definitiv politik për nevojën e konstituimit të saj në suazë të RSFJ-së së atëhershme. Këtë e kam bërë vetë dhe plotësisht i pavarur nga të tjerët, për të cilët madje as që kam ditur se kanë punuar rreth kësaj çështjeje”

Fjala e Ukshin Hotit para trupit gjykues, kur harta Evropiane po ndryshonte u kthye në kritikë, mesazh, forcë dhe e drejtuar jo vetëm nga ata që shtypnin qenien shqiptare, por edhe nga ata që i shërbenin pa vetëdije pushtetit serb. Ai kishte një rrugtim që ende s’e kish mbaruar dhe për këtë ai ndjehet keq si i burgosur por asesi për filozofinë dhe idenë për t’i shkuar deri në fund rrugtimit historik. Shpërfaqi hapur se cilët janë ata që po e mbyllin fizikisht njeriun e përmasave evropiane ku thekson para gjyqit serb në Prizren:

Më ka arrestuar policia e Republikës së Serbisë, ndoshta me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës. Shkaku i drejtpërdrejtë i këtij arrestimi sigurisht ka qenë frika iracionale e kësaj pjese të alternativës shqiptare se me shkuarjen time në Prishtinë në krye të UNIKOMB-it pas 9 vitesh të ostracizmit dhe të izolimit, do të çrregullohej baraspesha e forcave politike dhe do të krijohej një gjendje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme. Ky edhe është shkaku i vërtetë i mbajtjes së këtij gjykimi për të cilin personalisht kam besuar se nuk do të ndodhte. Besoj gjithashtu se gjykimi po mbahet me pajtimin e ndërsjellë të dy republikave ose të organeve të tyre përgjegjëse kompetente, gjersa shkaqet juridike që i përmban aktakuza s’mund të qëndrojnë absolutisht…

Fillimi i bombardimeve të NATO-së kundër ish-Jugosllavisë Ukshinin e gjeti në burg. Më 16 Maj te vitit 1999 pasi kishte mbaruar vuajtjen e dënimit ai kinse lirohet nga burgu, por prej asaj dite nuk u gjet asnjë shenjë e tij. Regjimi serb nuk mund ta linte të lirë strategun Ukshin Hoti, aq më parë kur Kosova digjej nga lufta.

Ukshin Hoti, edhe sot e kësaj dite, figuron në listat e personave të pagjetur të luftës. Por, zhdukja, eliminimi apo vrasja e tij, pra çfarëdo që t’i ketë ndodhur atij, jo që e zbehën dhe e lanë në harresë, por përkundrazi atë e lartësuan në piedestalin e burrave të mëdhenj të kombit tonë.